Atentati në Shkodër/ Familjarët, dyshime për konkurrencën në biznesin e duhanit

0
255

Anxhela Tato

 

 

Rrëfimi i kunatës: Nduja nuk ka pasur konflikte me askënd, një natë para ngjarjes ishte shumë i qetë

 Motra e biznesmenit: Autori duket në pamjet filmike, sulmoi vëllain sapo pa makinën

 

atentati shkoder 1Konkurrenca në biznes është dyshimi i familjarëve të Ndue Cinit, shënjestër e atentatit të ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Shkodër. Familjarët, ende të tronditur nga ngjarja, rrëfejnë se i afërmi i tyre nuk ka qenë pre e kërcënimeve apo konflikteve. Ai është një person i qetë, i përkushtuar në biznesin e tij dhe i vetmi dyshim për këtë ngjarje është rivaliteti i ndonjë firme, e cila do t’i zërë vendin. Kunata e Ndue Cinit tregon se nuk kanë dyshime tek asnjë person, pasi vetë Cini nuk ruhej nga askush. Ajo tregon se një natë para ngjarjes e ka takuar kunatin në banesën e saj. “Një natë para ngjarjes Cini ishte në banesën time bashkë me gruan dhe djalin e vogël. Ishte shumë normal, i qetë dhe nuk kishte probleme me askënd. Ndaj për ne kjo ngjarje është shumë e papritur. Kunati nuk kishte konflikte me askënd dhe lëvizte i vetëm në Shkodër. Ne nuk dimë dhe nuk kemi se kë të fajësojmë për këtë ngjarje, pasi nuk kemi ndonjë dyshim”, – shprehet kunata e biznesmenit.

 

Biznesi i duhanit

Familjarët rrëfejnë se Ndue Cini e ka ngritur këtë aktivitet prej 25 vjetësh. Biznesmeni ka nisur që të punojë që në moshën 15-vjeçare si kultivues në fermën e fshatit Sheldie, duke u fuqizuar më pas në grumbullimin e duhanit nga fermerët. “Nduja është marrë me kultivimin dhe shitjen e duhanit që kur ka qenë 15 vjeç. Ai nuk i është ndarë kurrë kësaj punë dhe si pasojë biznesi i ka ecur mirë. Kemi përshtypjen se ndonjë person që e ka inat, mund të ketë porositur vrasjen e tij. I vetmi dyshim që kemi është eliminimi i Ndujes për shkak të konkurrencës. Tashmë është bërë modë ky lloj krimi. Eliminimi i tij do t’i hapte rrugë ndonjë biznesmenit tjetër të këtij sektori. Duhani jonë është më i miri në Shqipëri dhe kërkohet shumë në treg. Nduja operon vetëm në Shqipëri, nuk e nxjerr produktin jashtë, sepse e ka të sigurt tregun. Nuk dimë se çfarë të mendojmë tjetër, sepse Nduja nuk ka pasur kurrë asnjë kërcënim, asnjë konflikt dhe asnjë shqetësim në jetën e tij”, – dyshimet e familjarëve.

 

Ngjarja

 Autori i atentatit të Ndue Cinit është filmuar nga kamerat e sigurisë, që ndodhen të pozicionuara përreth banesës. Në pamjet filmike shfaqet agresori, duke ecur i përkulur, por errësira e bën shumë të vështirë identifikimin e tipareve të fytyrës së atentatorit. “Agresori e ka pritur Nduen për minuta të tëra, pranë shtëpisë, në momentin që ka parë makinën, ai është afruar nga ana e murit, i përkulur, në mënyrë që vëllai të mos e shihte. Sapo ka ndalur automjeti, ka qëlluar në drejtim të Ndues tri herë, por në të vërtetë ai është plagosur me dy plumba. Njërën prej plagëve e ka në pjesën e qafës, e cila e ka tejshpuar, ndërsa tjetrën në kokë. Plumbi në kokë nuk ka dalë. Lëvizjet e atentatorit janë filmuar, por nuk janë shumë të qarta dhe ne nuk arrijmë që ta dallojmë atë personin. Policia i ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Besojmë që ai është porositur nga dikush, për të vrarë tim vëlla”, – tregon e motra e të plagosurit për mekanizimin e plagosjes së rëndë.

 

 

Tiranë

Vrasja e këngëtares Emmy, vetëdorëzohet Aziz Kelmendi

 Vetëdorëzohet në polici Aziz Kelmendi, biznesmeni kosovar, i cili është dënuar për vrasjen nga pakujdesia të këngëtares Elsina Hidersha, e njohur edhe si Emmy. Kelmendit mësohet se i kishte mbetur për të vuajtur edhe 10 muaj burg. Në muajin shkurt 2014, Gjykata e Apelit e Tiranës kishte dhënë një vendim në lidhje me çështjen e tij. Emri dhe fotoja e tij ishin publikuar edhe në faqen zyrtare të Interpolit, ku cilësohej edhe vepra për të cilën ai kërkohej. Disa javë pas vendimit, Kelmendi ka vendosur që të vetëdorëzohet. Ditën e djeshme, ai është paraqitur në Policinë e Tiranës bashkë me avokatin e tij, ku është vetëdorëzuar. Pas kësaj, biznesmeni nga Kosova është dërguar në qelitë e paraburgimit 302 dhe më pas do të dërgohet për të vuajtur edhe dënimin e mbetur.

 

 

Vlorë

Prangosen autorët e 7 grabitjeve brenda 24 orëve

 Policia e Vlorës ka arrestuar 7 persona për vjedhje në 24 orët e fundit. Disa prej tyre kanë qenë të dënuar edhe më parë. Policia e Vlorës bën me dije se 4 prej 7 personave, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë prerë dhe kanë vjedhur telat e linjës elektrike të fshatit Zvërnec, të cilat i kanë transportuar me automjetin tip “Ford Fiesta” me targa AA119DV. Ata janë: Qemal Malaj, 23 vjeç, banues në Fier; Dorian Veshi, 31 vjeç; Dorian Limushaj, 30 vjeç të dy banues në Vlorë; Ledi Veshi, 26 vjeç, banues në Berat, i dënuar më parë për vjedhje. I arrestuar për vjedhje është edhe Fatmir Hasanaj, 35 vjeç nga Vlora i dënuar nga Gjykata e Tiranës me 8 muaj burg. Po ashtu i arrestuar për vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim është edhe Preng Mark Nikolli, 51 vjeç, banues në Lezhë, ndaj të cilit Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” si i dyshuar për veprën penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim”.

 

 

Fier

Përndiqte 17-vjeçaren, pranga autorit

 Policia e Fierit ka vënë në pranga një 26-vjeçar të akuzuar për përndjekje. Siç bëhet me dije nga blutë është arrestuar Saimir Kulari, i cili rezulton person me precedentë penal. Arrestimi i tij u bë për veprën penale “Përndjekje”, pasi Kulari dyshohet se në kosh dhe në vende të ndryshme, në ambiente publike ka përndjekur shtetasen e mitur P. S., 17 vjeçe, ku si pasojë e përndjekjes i ka shkaktuar asaj gjendje psikologjike të rënduar, ankth dhe frikë. Ka qenë denoncimi i të miturës, ajo që ka çuar në arrestimin e tij, ku pas hetimeve të policisë janë zbuluar detaje nga përndjekja dhe kanosja e të riut.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency