Takimi/ Rama dhe Ponta kundër Rusisë: Nuk ka ngjashmëri mes Krimesë dhe Kosovës

0
159

Gëzim Saliu

 

Kryeministri rumun: Mbështesim Shqipërinë për integrimin, ja dy fushat ku do të asistojmë

 Kryeministri Rama: Në një kohë jo të largët, Rumania do të njohë shtetin e Kosovës

 

Rama, PontaKryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Rumanisë, Viktor Ponta, shprehen njëzëri kundër deklaratës së Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, që theksonte se rasti i Krimesë është i ngjashëm me Kosovën. Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Tiranë pas takimit që zhvilluan mes tyre në Kryeministri, Rama dhe homologu i tij Ponta theksuan se nuk mund të ketë vija paralelizmi mes çështjes së ndezur të Krime në Ukrainë dhe shtetit të Kosovës në Ballkan. “Jo nuk e mbështes paralelizmin, ka diferenca në bazë, dhe besoj se është shumë e rëndësishme që të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, të kenë një pozicion shumë të qartë, për atë që përfaqëson një krizë të padiskutueshme për gjithë Evropën dhe për atë që quhet si lufta e ftohtë. Situatat nuk ngjajnë midis tyre dhe nga pikëpamja jonë besoj se duhet mbështetur Ukraina ashtu si Gjeorgjia dhe Moldavia në rrugën drejt integrimit evropian”, – tha kreu i qeverisë rumune. Në të njëjtën linjë, Rama pohoi se në këtë çështje nuk ka asnjë vend për ekuivok. “Besoj që përgjigja e Kryeministrit Ponta, si dhe përgjigja e gjithë botës demokratike, edhe përgjigja e Shqipërisë, në përmasën dhe në vendin që na takon, nuk lë vend për asnjë ekuivok. Paralelizmi është tërësisht pavend. Sikundër, edhe vetë ndërhyrja ruse shkon në sensin e kundërt të historisë”, – deklaroi ai.

 

Kosova

Në deklaratën e përbashkët për media, dy kryeministrat pranuan se temë e diskutimit mes tyre ishte edhe çështja e Kosovës, duke marrë parasysh faktin se Rumania ende nuk e ka njohur si shtet. Kreu i qeverisë shqiptare bëri me dije se ka marrë mbështetjen e homologut rumun se shumë shpejt vendi i tij do ta njohë zyrtarisht shtetin e Kosovës. “Dua t’i shpreh mirënjohjen në emër të të gjithë shqiptarëve për rolin e tij në lidhje me Kosovën, qëndrimi i Kryeministrit na jep shpresë se në një kohë jo të largët edhe Rumania do t’u bashkohet vendeve që e kanë njohur Kosovën”, – tha Rama. Ndërkohë, Kryeministri rumun theksoi se Kosova dhe Serbia e kanë vendin në Bashkimin Evropian. “Me Kryeministrin Rama diskutova dhe për çështjen e Kosovës. Në Rumani lind polemika rreth Kosovës. Pozicioni përfundimtar i Rumanisë do të përfundojë mes një marrëveshje të Presidencës, Parlamentit e qeverisë së Rumanisë. Unë mund të flas në emër të qeverisë dhe qeveria rumune mbështet zhvillimin në Kosovë dhe një Serbi e Kosovë, anëtare të BE-së, do të jenë zgjidhja më e mirë”, – pohoi Ponta.

 

Integrimi

Lidhur me aspiratën e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat, Kryeministri Ponta shprehur mbështetjen e Rumanisë në këtë proces, duke garantuar se shteti që ai drejton do ta ndihmojë vendin tonë që të mos bëjë gabimet e Rumanisë në 5 vitet e para të integrimit në Bashkimin Evropian. Ka dy fusha në të cilat dëshirojmë dhe mund të ofrojmë asistencë. Në radhë të parë, në thithjen e fondeve evropiane: “Duam t’i ndihmojmë miqtë shqiptarë të mos bëjnë gabimet të cilat i bëri edhe Rumania në 5 vitet e para, pas integrimit në Bashkimit Evropian. Fusha e dytë, për të cilën diskutuam me Kryeministrin Rama, është një fushë në të cilën institucionet e Rumanisë, të paktën deri tani, kanë pasur deri tani një sukses shumë të madh. Bëhet fjalë për luftën kundër krimit të organizuar. Këtu, të gjitha njohuritë e institucioneve tona, shërbimi informativ, polici, drejtësi janë në dispozicion të partnerëve tanë shqiptarë”, – deklaroi kreu i qeverisë rumune, Viktor Ponta.

 

 

10.000 aplikantë

Rekrutim për 1000 të rinj në polici. Rama: Policia, jo më strehë e atyre që dalin në pension

Rreth 10 mijë kandidatë që kanë aplikuar për të ndjekur studimet në shkollën bazë të policisë zhvilluan dje testimin me shkrim, ku para nisjes së tij, Kryeministri Rama bëri të ditur rritjen e numrit të rekrutimeve nga 500 në 1000 persona, ku 50% e tyre do të jenë vajza. Në fjalën e tij përshëndetëse kreu i qeverisë theksoi se rritja e numrit të rekrutimeve në polici vjen pasi, sipas tij, nuk ka kohë për të humbur për të rritur sigurinë në vend. “Jo sepse “u bë deti kos”, por për një arsye shumë të thjeshtë: Ne nuk kemi kohë për të humbur në betejën për më shumë siguri, për më shumë inovacion, për më shumë progres. Pjesë themelore e kësaj beteje është transformimi rrënjësor i strukturës së Policisë së Shtetit, duke rritur cilësinë e kapitalit njerëzor në polici dhe duke bërë që Policia e Shtetit shqiptar sot, që është policia me moshën më të vjetër mesatare në Evropë dhe në rajon, në një kohë të shpejtë, të ketë një moshë mesatare më të re dhe të krahasuar me të gjithë rajonin dhe me të gjithë Evropën, për të qenë vend normal”, – deklaroi Rama. Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se policia do të jetë vendi i vajzave dhe djemve të vendosur dhe patriotë. “Me gjithë respektin për më të moshuarit, Policia e Shtetit nuk mund të jetë streha e atyre që presin të dalin në pension dhe nuk mund të jetë as vendi për të marrë asistencë sociale ata që nuk bëjnë dot një punë tjetër”, – tha Rama. Ndërkohë, lidhur me situatën e kriminalitetit në vend, kreu i mazhorancës qeverisëse theksoi se reagimet e forta nga ana e krimit janë reagimet e një kriminaliteti që po goditet si asnjëherë më parë. “Kjo e dyta e ka bërë krimin të shfaqet në momente të caktuara, më agresiv. Kjo e dyta ka bërë edhe diçka tjetër. Shikoni vrasjet. Në të shumtën e herës janë larje hesapesh mes kriminelësh të dorës së parë. Larje hesapesh si në një nguc, përpara sesa të gjenden prapa hekurave dhe të mos mund më t’i lajnë hesapet mes tyre”, – pohoi kreu i qeverisë.

 

 

Reforma administrative

Çuçi: Në Korçë janë 37 njësi, ku 63% e tyre kanë më pak se 5 mijë banorë

Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, vijoi dje turin e konsultimeve publike për reformën administrativo-territoriale, me takime në qytetin e Korçës. Në prani të përfaqësuesve të pushtetit vendor, drejtuesve të forcave politike, shoqërisë civile etj., ministri Çuçi theksoi rëndësinë e reformës së re territoriale, që, sipas tij, do të sjellë progres dhe përmirësim të ndjeshëm në shërbimet, që qytetarët marrin nga pushteti vendor. Sipas ministrit, ndarja e re administrative do të krijojë mundësi më të mëdha për zhvillimin ekonomik vendor. Duke folur konkretisht për Korçën, ministri Çuçi tha se pjesa më e madhe e komunave nuk kryejnë dot asnjë investim, pasi nuk sigurojnë dot të ardhurat. “Korça ka 37 njësi, 63% e tyre më pak se 5 mijë banorë”, – u shpreh ai.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency