Aleatët, Ramës/ Milo: Nuk pijnë më ujë mesazhet për durim, zbato marrëveshjen, pasi nesër do jetë vonë

0
113

Gëzim Saliu

 

Kreu i PDS-së: PS duhet të respektojë marrëveshjen që na bën pjesë të qeverisjes

 

tryeza e aleatevePas thuajse një viti nga nënshkrimi i marrëveshjes parazgjedhore dhe 6 muaj nga qeverisja e mazhorancës së majtë, aleatët e Partisë Socialiste duket se nuk kanë ndërmend të presin më për zbatimin e dokumentit të përbashkët për bashkëqeverisje. Duke i cilësuar premtimet e socialistëve për më shumë durim si të tejkaluara në kohë, aleatët kërkojnë që forca më e madhe në mazhorancë të marrë përgjegjësitë e saj në kuadër të partive aleate, që dhanë një kontribut të rëndësishëm për fitoren e zgjedhjeve më 23 qershor. Për kreun e Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, është e domosdoshme që PS të zbatojë marrëveshjen, pasi, sipas tij, në formë të kundërt do të rishihet qëndrimi i forcës që ai drejton në të ardhmen në kuadër të bashkëpunimit elektoral. “Kur kanë kaluar dy muaj që nga nisja e negociatave me PS-në, asgjë nuk ka ndryshuar përveç premtimeve se një ditë do të realizohet kjo marrëveshje. Koha ka qenë e mjaftueshme, por, me sa duket, nuk ka vullnet për ta përfshirë PDS-së dhe jo vetëm atë, në qeverisje. Që nga moment që mund të thyhen urat politike atëherë vështirë se mund të ketë nesër një bashkëpunim më të suksesshëm”, – tha Milo.

 

Reagimi

 Sipas aleatit tradicional të PS-së, mosmbajtja e premtimit nga forca më e madhe në pushtet për marrëveshjen zgjedhore mes palëve është një mangësi që kushtëzon bashkëpunimin e mundshëm në të ardhmen. “Kemi nënshkruar një marrëveshje, po mbushet gati viti dhe ne nuk kemi asnjë rezultat konkret. Kjo varet jo nga ne, varet nga PS-ja, vullneti politik i kësaj partie, nëse do të respektojë marrëveshjen që kemi shkruar, të respektojë atë pjesë të marrëveshjes që kërkon përfaqësimin në qeveri të PDS-së”, – tha Milo për “News 24”. Më tej, ai bëri të ditur se zgjatja në kohë e zbatimit të marrëveshjes paraelektorale mes palëve ka ndikuar edhe tek anëtarët e partisë. “Nëse deri tani ka pasur durim, vjen një moment që mesazhe të tilla nuk pijnë më ujë tek anëtarët e partisë. Nëse nuk do të ketë marrëveshje, do të rishikojmë pozicionin tonë”. Partia Demokracia Sociale e Paskal Milos mori 12 mijë vota në zgjedhjet e 23 qershorit dhe në bazë të marrëveshjes duhet të përfaqësohet politikisht në poste në nivel kombëtar dhe vendor. Deri më tani, krahas Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila ka marrë pjesën më të madhe të pushtetit pas PS-së, vetëm PBDNJ dhe G99 janë bërë pjesë e bashkëqeverisjes. Ndërkohë, kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, ai i PDS-së, Paskal Milo, kryetari i PSV’91, Petro Koçi, kreu i Aleancës Popullore, Artur Dojaka, dhe kreu i PKDSH-së, Mark Frroku, të cilët përfaqësojnë edhe partitë që kanë marrë një numër të konsiderueshëm votash në zgjedhje, presin prej muajsh zbatimin e marrëveshjes të lidhur me PS-në. Në bazë të marrëveshjes parazgjedhore mes PS-së dhe aleatëve të koalicionit me siglën “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, për bashkëqeverisje do të përfshihet çdo forcë që në nivel qarku merr nga 500 deri 1000 vota dhe në nivel kombëtar 5000 deri 10.000 vota, ndërsa për të gjitha subjektet politike që do të arrinin të merrnin mbi 10.000 vota bashkëqeverisja do të shtrihej në nivel lokal dhe qendror.

 

 

Aleatët që kanë marrë më shumë vota

PDS ka marrë 11889 vota

PSD ka marrë 10194 vota

Aleanca Popullore ka marrë 8929 vota

PKDSH ka marrë 7993 vota (ka marrë edhe një deputet)

PSV’91 ka marrë 6135 vota

 

 

Administrativja

Reforma, domosdoshmëri, Çuçi: Elbasani së bashku me Durrësin e Tiranën

Në qytetin e Elbasanit u zhvillua dje takimi konsultues për reformën administrative territoriale, ku merrte pjesë ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi. Në fjalën e tij, ai e cilësoi reformën administrative si kryereformën që do të ndryshojë cilësinë dhe qasjen e të gjitha shërbimeve ndaj qytetarit. “Shqipëria sot paraqitet e copëtuar, me më shumë se 300 njësi administrative dhe shumë pak shërbime arrijnë të shkojnë deri tek qytetari”, – tha ai. Më tej, Cuçi tha: “Kjo reformë kërkohet sot nga të gjithë qytetarët, biznesi dhe vetë pushtetarët lokalë, ndërkohe që mbështetet nga faktorët ndërkombëtarë”. I pyetur konkretisht për Elbasanin, ministri tha se “nisur nga pozita gjeografike, Elbasani mund të jetë pjesë e rajonit qendror, së bashku me Tiranën dhe Durrësin”. Nga ana e tij, edhe kryetari i Bashkisë më të madhe të qarkut të Elbasanit, Qazim Sejdini, e cilësoi domosdoshmëri urgjente reformën administrative. Ai kërkoi që në këtë reformë përcaktues të mos jetë vetëm numri i banorëve, por edhe sipërfaqja territoriale. Në këtë takim konsultues për reformën territoriale merrnin pjesë përfaqësues të njësive vendore nga i gjithë qarku, përfaqësues të biznesit si dhe deputetë të Elbasanit.

 

 

Kryeministri i Rumanisë

Ponta sot në Tiranë, takime me krerët e shtetit

Kryeministri i Rumanisë, Victor Viorel Ponta, do të mbërrijë sot në Tiranë për një vizitë zyrtare, me ftesë të homologut shqiptar, Edi Rama. Kreu i qeverisë rumune pritet të zhvillojë takime me krerë të lartë të shtetit gjatë vizitës së tij, e cila është pjesë e dialogut të rregullt politik midis Rumanisë dhe Shqipërisë. Vizita do të bëjë të mundur vlerësimin e marrëdhënieve dhe eksplorimin e mundësive të reja për zhvillimin e bashkëpunimit, duke përforcuar kuadrin ligjor dypalësh. Në kontekstin e aspiratave evropiane të Shqipërisë do t’i përsëritet mbështetja dhe gatishmëria e Rumanisë për t’i ofruar ekspertizën rumune Tiranës në sektorë të caktuar në kuadër të përmbushjes së prioriteteve të BE-së. Sipas axhendës së parashikuar, Ponta nga ora 15:50 do të pritet nga Kryeministri Rama e më pas, përreth një orë, do të zhvillojnë një takim kokë më kokë. Rreth orës 16:00 është parashikuar të zhvillohet deklarata e përbashkët për shtyp e një orë më pas Kryeministri rumun do të pritet në një takim nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta. Ndërkohë, nga ora 17:50 deri në 18:30, Ponta pritet të zhvillojë një takim me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency