Reforma administrative/ Ish-kryeministri Ylli Bufi: Ndarja e re s’bëhet për kursime, duhen ndryshuar 20 ligje

0
109

Gëzim Saliu

 

Propozimi për ndarjen territoriale, Bufi: Pse kërkojmë që Shqipëria të ndahet në 6 rajone

 

 

ylli bufi_1Ish-kryeministri i vendit, Ylli Bufi, deklaroi se reforma administrative territoriale duhet të ketë si qëllim parësor rritjen e shërbimeve dhe buxhetit të njësive vendore dhe jo shkurtimin që do të sjellë, sipas qeverisë, kursime në arkën e shtetit. Si një ndër përfaqësuesit e portalit “shtetiweb”, i cili ka prezantuar pak ditë më parë propozimin për riorganizimin administrativ të vendit, Bufi theksoi se me ndarjen e re duhet të synohet rritja e kontributit të pushtetit vendor. “Ne në parim theksojmë që qëllimi i reformës nuk janë shkurtimet, por rritja e shërbimeve, por duke rritur edhe buxhetin. Pra, pushteti vendor duhet të ketë më shumë buxhet. Me këtë riorganizim ne duam të rritet kontributi i pushteti vendor, duhet të arrijmë 35-40%. Nuk ka sens të flitet për kursime”, – tha ai, në emisionin “7 pa 5” në “VP”.

 

Propozimi

Duke bërë të ditur se reforma administrative do të ketë si domosdoshmëri ndërhyrjen në Kushtetutë, ku duhet të ndryshohen, sipas tij, mbi 20 ligje, Bufi theksoi se paketa e re ligjore do të prekë përkatësisht ligjin për ndarjen e territorit dhe ligjin organik për pushtetin vendor. “Ne propozojmë që pushteti vendor të jetë përsëri në dy nivele, siç është edhe aktualisht, por të ndarë në 5 rajone e rreth 80 bashki. Nuk do të quhen më komuna, po do quhen të gjitha bashki. Bashkitë do jenë qendrat urbane rreth së cilës do të bashkohen edhe komunat. Ne kemi kërkuar që veç kriterit të popullsisë, traditës apo edhe terrenit, kemi vlerësuar shumë kriterin e efiçencës së pushtetit vendor. Raporti i të ardhurave të veta ndaj buxhetit të tyre dhe i kemi klasifikuar njësitë që plotësojnë 50%, atë që janë 35-40 % dhe ata që shkojnë nën 30%. Mbi këtë bazë ne kemi nxjerrë një numër që është rreth 80 bashki”. Sipas tij, propozimi është bazuar mbi basenet ujore, ku edhe popullsia është më e madhe. “Tiranës i japim një status të veçantë kryeqyteti. Pjesa e komunave që janë urbanizuar me një plan si Kashari, Farka, Dajti, i kemi bashkuar me kryeqytetin”, – tha ai. Ndërkohë, ish-kryeministri që ka qenë pjesë e komisionit parlamentar të vitit 2004, bëri të ditur se një reformë e tillë ka të domosdoshme pjesëmarrjen e opozitës, por edhe më gjerë. “Një reformë e tillë nuk prek vetëm qeverisjen vendore, në thelb ajo prek funksionimin e shtetit. Vetë komisioni bipartizan ende nuk mund të mblidhet jo vetëm sepse nuk ka kuorumin, por sepse mungesa e opozitës kë një ndikim në mbarëvajtjen. Vetë opozita ka shumë arsye që duhet tu thotë po. Duhet gjetur një gjuhë e përbashkët në fjalorin politik të aktualitet të ditës. Z. Fino dha një mesazh shumë të qartë ku tha se ne jemi të interesuar që ta bëjmë reformën bashkë me opozitën”, – tha ai. Sipas propozimit të portalit “shtetiweb”, i cili pritet të shtohet me propozimet të tjera që do të vijnë nga shoqëria civile vendi ndahet në gjashtë rajone: rajoni i Shkodrës, rajoni i Arbrit, rajoni Elbasan-Korçë, rajoni i Muzakajve, rajoni i Kaonëve dhe Tirana. Në total do të jenë 89 bashki dhe nuk do të ketë më komuna e qarqe.

 

 

Ndarja e propozuar

Rajoni i Shkodrës – 617 mijë banorë dhe do të ketë 16 bashki

Rajoni i Arbrit – 987 mijë banorë dhe do të ketë 20 bashki

Rajoni Elbasan – Korçë ose ELKO, do të ketë 803 mijë banorë dhe do ketë 18 bashki

Rajoni i Muzakajve – do të ketë 738 mijë banorë dhe do të ketë 18 bashki

Rajoni i Kaonëve – do të ketë 510 mijë banorë dhe do të ketë 16 bashki.

Tirana – do të ketë 518 mijë banorë

 

 

 

Statusi kandidat

Gjosha nis turin e lobimit në Gjermani: Përmbushim reformat

Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, çeli dje turin e takimeve që do të zhvillojë në javët në vijim në disa prej vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të rajonit, me vizitën në Gjermani. Përshpejtimi i procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, vullneti dhe angazhimi i qeverisë në përmbushjen e reformave të nisura dhe masat që po ndërmerren, do të jenë në fokus të takimeve të planifikuara në axhendën e Ministres gjatë vizitës zyrtare në Gjermani. Gjatë qëndrimit në Gjermani, Gjosha do të zhvillojë një takim pune me Ministrin e Shtetit Michael Roth dhe më tej është planifikuar një takim me dr. Freiherr Freytag von Loringhoven, zv.drejtor i Përgjithshëm për Çështjet Evropiane. Një tjetër takim që pritet të zhvillojë, minsitrja e Integerimit do të jetë ai me dr. Franz Neueder, zëvendës Meyer-Landrut, kryekëshilltar për Çështjet Evropiane në kabinetin e Kancelares gjermane Anxhela Merkel.

 

 

Bashkia e Tiranës padit INUK-n për bllokimin e punimeve në bulevardin e ri

Bashkia e Tiranës ka bërë padi kundër Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar për bllokimin e punimeve në bulevardin e ri. Padia është bërë në Gjykatën Administrative dhe, sipas Bashkisë, vendimi i INUK-ut për ndalimin e punimeve është i jashtëligjshëm dhe jashtë kompetencave të tij. Pak ditë më parë, INUK vendosi të ndalonte vazhdimin e punimeve për bulevardin e ri të Tiranës, me argumentin e ankesave që ishin bërë nga banorët. Për nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, ky nuk është thjesht një vendim administrativ, por mirëfilli një vendim politik që ka vetëm një regjisor dhe skenarist Edi Ramën. Përfaqësues të INUK-ut thonë se dosja e ankimeve është voluminoze dhe kërkon jo pak ditë për t’u shqyrtuar, por ata nuk janë në gjendje të japin një datë të përafërt të zhbllokimit. Do të jetë vendimi i Gjykatës Administrative, i cili pritet t’i japë zgjidhje çështjes për ndërtimin e bulevardit, në të kundërt INUK do të vazhdojë bllokimin e punimeve.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency