Korrupsion/ 2000 euro ryshfet, pranga policit dhe punonjëses së Postës

0
155

Anxhela Tato

 

Kristela Rama, avokate e rreme, i premtoi E. H. se do të pengonte zbatimin e vendimit nga Përmbarimi

 Hetimet, kushëriri i Kristelës, oficeri Ariel Rama, do ndërmjetësonte te drejtuesit e policisë

 

 ariel rama policiTentuan të pengonin zbatimin e vendimit nga ana e Përmbarimit privat dhe në këmbim kërkuan ryshfet 2000 euro. Efektivi i policisë së komisariatit numër 2 së bashku me kushërirën e tij, avokate e rreme, janë shfaqur të gatshëm që të mbajnë peng vendimin e gjykatës, duke u futur si ndërmjetës tek Përmbarimi. Kristela Rama ka garantuar paditësen se do të arrinte të ndërhynte duke mos lejuar Përmbarimin që t’i merrte banesën, për shkak të mosshlyerjes së kësteve të kredisë. Avokatja e rreme ka kërkuar 2000 euro që të ndalonte Përmbarimin, i cili kishte shitur në ankand pronën e E. H. Oficeri Ariel Rama merrte përsipër të ndërmjetësonte tek funksionarë të lartë të komisariatit numër 2, që të mos mbështeste zyrën përmbarimore private “TDR Group” në zbatimin e vendimit të gjykatës ndaj shtetases E. H. Oficeri i policisë është kapur me eurot në duar në bulevardin “Zhan D’Ark” pranë Ministrisë së Jashtme. Në momentin e arrestimit, policia i gjeti kolegut të tyre Rama 1500 euro, ndërsa pjesën tjetër prej 500 eurosh e kishte marrë kushërira e tij edhe ajo e arrestuar.

 

Hetimet

 Kallëzuesja E. H. ka vënë në kolateral një pronë të saj apartament për akordimin e një kredie te banka XXXXX në favor të një subjekti tregtar. Pas mosshlyerjes së kredisë në kohë, banka ka kërkuar lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për shitjen e kolateralit. Procedura e ekzekutimit është marrë përsipër nga subjekti përmbarimor privat “TDR Group” që ka bërë shitjen në ankand të pronës. Kallëzuesja është lajmëruar se me datë 7.3.2014 do të ekzekutohej lirimi fizik i banesës së saj. Në këto kushte, kallëzuesja nëpërmjet një të njohuri të saj ka kontaktuar me të arrestuarën Kristela Rama, e cila është prezantuar si avokate dhe ka marrë përsipër të ndërhyjë te drejtuesit e komisariatit 2 në Tiranë, që punonjës të këtij komisariati të mos shkojnë për mbështetje të përmbarimit në ekzekutimin e urdhrit të gjykatës. Arsyeja është se ish-bashkëshorti i kallëzueses A. Ferhati (person i dënuar) ka paraqitur padi kundër veprimeve përmbarimore. E dyshuara Kristela Rama është ndjekur me metoda speciale të hetimit, nga ku ka rezultuar se ka komunikuar me Ariel Ramën (punonjës i policisë në patrullën e përgjithshme të komisariatit nr. 2) i afërm i saj. Të dy kanë marrë prej kallëzueses shumën prej 2000 euro. Ariel Rama ka premtuar se do të ndërhynte te drejtuesit e komisariatit për mosekzekutimin e vendimit të gjykatës. “Më datë 6.3.2014 kallëzuesja është takuar përsëri me te arrestuarën dhe i ka dhënë shumën prej 200 euro si shpërblim për punën e kryer. Në këtë kohë është bërë arrestimi në flagrancë i Kristela Ramës, datëlindja 1980, dhe ndalimi i Ariel Ramas nga oficeret e SHKB-së të kërkuar nga ana e prokurorisë. Këtij të fundit i janë gjetur dhe sekuestruar shuma prej 1500 eurosh, të njëjta në numër serie me ato të dhëna nga kallëzuesja nga shuma e përgjithshme prej 2000 eurosh”, – thuhet në dosjen hetimore të organit të akuzës.

 

 

Fushë-Krujë

Tritoli në komisariat u hodh nga një makinë “Benz”

 Zbardhen pamjet filmike të kamerave të sigurisë, që kanë kapur një makinë nga e cila është lëshuar lënda eksplozive në oborrin e komisariatit të Fushë-Krujës. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se ka qenë një makinë e llojit “Mercedes-Benz 190”. Nga ana e kamerave të sigurisë është filmuar momenti që automjeti ka qenë duke u larguar. Por, për shkak të cilësisë së dobët të kësaj kamere, policia nuk ka arritur të identifikoj targën e makinës, që mendohet se janë të huaja. Bazuar në këto pamje, policia ka nisur krehjen e zonës për të identifikuar mjetin nga i cili dyshohet se i është hedhur sasia e eksplozivit, që solli dëmtime të xhamave dhe disa makinave të policisë. Ky sulm, i dyti brenda një muaji, është cilësuar si një akt-terrorist ndaj institucioneve të rëndësisë së veçantë. Sipas akuzës, dyshohet se në të dy rastet është i njëjti person që ka hedhur sasinë e eksplozivit, pasi ngjajnë edhe nga mënyra e ndërtimit të lëndës plasëse me fitilin përcjellës. Për organet e rëndit thuhet se janë identifikuar të dyshuarit, por po punohet të provohet lidhja mes tyre dhe provave të pakta të gjetura në vendin e ngjarjes. Këto shpërthime, sipas hetuesve, dyshohet se kanë për qëllim presionin ndaj uniformave blu për kontrollet e kryera në zonë për gjetjen dhe sekuestrimin e lëndëve plasës. Sipas Prokurorisë lidhur me ngjarjet janë hapur tre pista hetimi. E para është përhapja e panikut në popullatë. Pista e dytë e hetimit është presion ndaj policisë dhe pista e tretë ndonjë konflikt i mundshëm i drejtuesve të policisë. Lënda e përdorur në sulmet ndaj komisariatit të Fushë-Krujës dyshohet të jetë eksploziv për minierat. Sipas Prokurorisë autori rrezikon dënim nga 15 vite burg në burgim të përjetshëm. Mbrëmjen e së hënës një sasi tritoli shpërtheu në komisariatin e Fushë-Krujës. Lënda plasëse u hodh në oborrin e komisariatit. Për pasojë nga shpërthimi u dëmtuan dy automjete. Tritoli ra mbi njërën nga automjetet e parkuara.

 

 

Tiranë

I dënuar me 24 vjet burg, ekstradohet nga Athina Sokol Sinani

 Ekstradohet nga Athina për në Tiranë, 42-vjeçari Sokol Sinani, i cili në vitin 1996 ishte dënuar me 24 vjet burg nga Gjykata e Kukësit për krimin e vrasjes. Ekstradimi është bërë i mundur falë bashkëpunimit të Zyrës Qendrore Kombëtare të Interpolit në Tiranë dhe asaj të Athinës. Në aeroportin “Nënë Tereza” i dënuari i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Shtetasi Sokol Sinani së bashku me vëllain e tij Afrim Sinani janë dënuar nga Gjykata e Rrethit Kukës për vrasjen e Naim Sinanit për motive hakmarrje. Bashkëpunimi mes zyrave të Interpolit të Tiranës dhe Athinës pati bërë të mundur arrestimin e të dënuarit më gusht 2011 në qytetin e Selanikut me qëllim ekstradimin në vendin tonë, i cili u bë sot i mundur.

 

 

Elbasan

Të shtëna me armë zjarri, autori largohet me motor

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar dje në lagjen Fushë-Mbret të Elbasanit, duke shkaktuar panik në zonë. Policia e këtij qyteti bën me dije se nga ngjarja fatmirësisht nuk ka persona të lënduar, ndërsa po punohet për identifikimin e autorit. Policia shoqëroi disa të rinj për të dëshmuar për ngjarjen. Në këtë kohë një i ri është larguar me motoçikletë, çka ka ngjallur dyshimet e policisë se mund të jetë pikërisht ai personi që hapi zjarr. Hetimet për ngjarjen vijojnë.

 

 

Tiranë

Makina përplaset tek vinoteka e futbollistit Lorik Cana

 Një automjet është përplasur me derën e lokalit të futbollistit Lorik Cana në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së martës, kur makina tip “Opel Astra” me targë AA 785 DP, që drejtohej nga 45-vjeçari Kozma Cici, ka devijuar nga rruga dhe është përplasur me derën e vinotekës, duke shkaktuar dëme materiale. Forcat e komisariatit numër 2 në Tiranë kanë vënë në pranga 45-vjeçarin Cici, i cili dyshohet se ishte në gjendje të dehur në momentin e ngjarjes. Tashmë ai do të përballet me drejtësinë nën akuzën e shkatërrimit të pronës. Aksioneri kryesor i lokalit ku ndodhi ngjarja, që ndodhet në rrugën “Brigada e Tetë”, është Agim Cana, i ati i Lorik Canës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency