Berisha: Ja e vërteta e statusit kandidat, pse rrezikojmë “Jo”-në e tretë

0
119

Sali-Berisha-Mbledhje-Qeverie-18-prill-20121Një JO e plotë për të dytën herë, ishte kartolina e fundvitit që kaloi e Brukselit për Shqipërinë, për statusin e vendit kandidat përanëtar të BE. Ky refuzim i përsëritur, përbën problemin më madhor sot për ne shqiptarët. Çfarë po ndodh me ne? Ku po shkojmë? Janë pyetjet që shtron për përgjigje çdo qytetar i këtij vendi. Shqipëria, pasi ka firmosur me BE dhe ratifikuar me vendet anëtare të tij Marrëveshjen e Stabilizm Asociimit, ka dorëzuar në prill të vitit 2009 dhe i është pranuar kërkesa për anëtarësim në BE, ka marrë Pyetësorin me mijëra pyetje e nënpyetje dhe janë pranuar përgjigjet e saj, meritoi heqjen e vizave dhe rekomandimin e Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat në 100-vjetorin e Pavarësisë por që, me një akt të paprecedent në historinë e integrimit europian, këtë rekomandim e bllokoi Edi Rama, duke refuzuar votimin e tre ligjeve në Parlament. Në tetorin që shkoi Shqipëria, mori përsëri dhe pa asnjë kusht, rekomandimin e Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat. Me gjithë këtë, Këshilli i Ministrave të BE refuzoi, në fund të dhjetorit që kaloi, këtë rekomandim. Ky refuzim ndodhi edhe pse zgjedhjet e qershorit u vlerësuan pozitivisht dhe rotacioni i pushtetit ishte normal, ndonëse këto nuk ishin kushte për statusin e vendit kandidat, padyshim ishin dëshmi thelbësore të funksionimit të shtetit ligjor. Statusi na u refuzua për së dyti, edhe pse tetë Ministra të Jashtëm të vendeve anëtare të BE, firmosën një letër në të cilën mbështesnin dhënien e stausit të vendit kandidat Shqipërisë.

Po kështu drejtoi një letër Ministrave të Jashtëm të BE, në mbështetje të rekomandimit të Komisionit Europian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Theksoj këtu se, letra e tij bazohej pjesërisht në të vërteta të pamohueshme, por kishte dhe paragrafe të tërë gjysëm dhe të pavërtetë, sikur të ishin shkruajtur në zyrën e Edi Ramës, duke injoruar faktin e thjeshtë se pjesa dërrmuese e vendeve anëtare të BE kanë përfaqësi diplomatike në Tiranë, që informojnë online qeveritë e tyre mbi zhvillimet në Shqipëri. Statusi u refuzua përsëri dhjetorin që kaloi, edhe pse për herë të parë pas katër vitesh, opozita shqiptare, tani PD, nuk kundërshtonte por mbështeste fuqishëm dhënien e tij dhe po kështu, po për herë të parë pas katër vitesh, tetorin që kaloi u arrit të miratohet deklarata e përbashkët e delegacionit të Parlamentit shqiptar dhe Parlamentit Europian. Statusi i vendit kandidat iu refuzua për së dyti Shqipërisë edhe pse Parlamenti Europian me dt. 5 dhjetor 2013 miratoi rezolutën, me të cilën kërkonte dhe mbështeste dhënien e statusit kandidat vendit tonë. Kjo që ka ndodhur me ne shqiptarët, nuk ka ndodhur me asnjë komb apo vend tjetër në Europë dhe përbën një spirale të rrezikshme për vendin dhe të ardhmen e tij europiane.

Por, më e keqja është se, ne nuk kemi ende vetëdijen e plotë të shkaqeve të vërteta dhe pasojave serioze të këtyre zhvillimeve.  Në këtë moment të veçantë, të kësaj tronditje vërtetë madhore, nga refuzimi i përsëritur i statusit të vendit kandidat, është jetike të bëjmë një analizë tërësore të udhëtimit tonë drejt Europës, dhe mbi të gjitha, është koha të jemi shumë seriozë ndaj këtij projekti, të mos ndëshkojmë më tej veten. Kjo analizë, që sot PD është në opozitë dhe PS në pushtet, nuk vlen për akuza politike. PS, pavarësisht nga qëndrimet e saj, është votbesuar nga shqiptarët, kurse PD, në opozitë, është zotuar të mbështesë pa kushte proçesin e integrimit. Por, analiza është jetike për çdo qytetar shqiptar, për të patur të qartë kushtet, vështirësitë, pengesat në rrugën e integrimit, në mënyrë që ai ose ajo të luajnë rolin që iu takon dhe të japin kontributin e tyre në realizimin e projektit tonë më të rëndësishëm. Çdo qytetar, politikan, intelektual, i ri apo dhe i moshuar që konsideron projektin e integrimit europian vendimtar për të ardhmen e tij e të fëmijëve dhe të vendit të tij, duhet të ndalet sot dhe të shtrojë pyetjet: -Pse ne shqiptarët, si askush tjetër, e humbëm trenin e statusit të vendit kandidat, jo vetëm për të parën, por edhe për të dytën herë? -Pse nuk u caktuan zgjedhjet si një kërkesë për akordimin e statusit, me gjithë zhurmën e Edi Ramës për zgjedhjet e vitit 2009? -Pse zgjedhjet dhe rotacioni normal i pushtetit të vitit 2013, megjithëse u lavdëruan dhe rritën kredencialet e demokracisë shqiptare, nuk bënë të mundur marrjen e statusit?

-Pse statusi iu refuzua Shqipërisë, me gjithë letrën mbështetëse të Ministrave të Punëve të Jashtme të tetë vendeve anëtare të BE-së dhe rezolutën e Parlamentit Europian?

-Pse njëra forcë politike, PD, ia doli në tetë vite të garantojë nje proçes integrimi europian të pandërprerë, që nga firmosja e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit deri tek meritimi për dy vite me rradhë i rekomandimit të statusit të vendit kandidat?

-Përse forca tjetër politike, PS, në tetë vite të saj në pushtet, arriti vetëm pas kompromisit në vitin 2001, të zgjedhjes së Presidentit konsensual, hapjen por jo mbylljen e negociatave të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit?

-Pse PS, në opozitë, nuk njohu zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009, të cilat përmbushën stanadrtet ndërkombëtare dhe protestoi e bëri gjithçka për bllokimin e vizave, nuk votoi tre ligjet dhe bllokoi dy vite me rradhë statusin?

-Pse për Shqipërinë, pasi nuk iu dha statusi në dhjetor, kësaj radhe nuk u la një rishqyrtim për këtë vendim në mars, nga Ministrat e Jashtëm të BE, siç u la në vitin 2012, por u caktua qershori dhe u kërkua raport i ri për zhvillimet në vend?

Për t’iu përgjigjur drejt këtyre pyetjeve le t’iu referohemi fakteve, më së pari lidhur me qëndrimin e dy forcave kryesore politike ndaj procesit të integrimit. Latini thotë; “Pacta sunt servanda”. Në 8 vite të shkuara PD dhe aleatët e saj në pushtet, ia dolën që me reforma të thella e të gjithanshme, të garantojnë ecuri të pandalshme të proçesit të integrimit, gjë që bëri të mundur ftesën dhe anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO, firmosjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në BE, ratifikimin e kësaj Marrëveshjeje me 27 vëndet anëtare të BE, pranimin në Prill të vitit 2009 nga Presidenca Çeke, pas ujdisë me vendet anëtare, të kërkesës së Shqipërisë për hapjen e proçesit për anëtarësim të plotë në BE. Në vjeshtën e vitit 2009, me vendim të Këshillit të Ministrave të BE, Shqipërisë iu dorëzua pyetësori me 2284 pyetje dhe 2000 nënpyetje dhe, pa vonesë, u plotësuan përgjigjet, të cilat u vlerësuan të suksesshme. Në vitin 2010 u hapën negociatat për heqjen e vizave dhe pasi plotësuam mbi 120 kërkesa të udhërrëfyesit për heqjen e vizave, merituam heqjen e tyre. Në vitin 2012 u plotësuan të 12 kushtet që vendosi një vit më pare Komisioni Evropian dhe, në 100-vjetorin e Pavarësisë, morëm rekomandimin, për statusin e vendit kandidat, me kusht që të votoheshin në Parlament tre ligjet, për të cilat ishte arritur konsensusi i plotë në çdo nen të tyre që në janar të vitit 2012. Komisioni Europian, në tetor të vitit 2013, përsëriti sërish, por kësaj rradhe pa asnjë kusht, rekomandimin për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. PD, në opozitë, shpalli se do të mbante një qëndrim të kundërt me qëndrimin që kishte mbajtur PS ndaj procesit të integrimit. PD, në dallim të plotë nga PS që bllokoi procesin e statusit, deklaroi që në fillim se, mbështet pa kushte procesin e integrimit të Shqipërisë dhe gjatë vjeshtës loboi politikisht për statusin e vendit kandidat madje, shprehu gadishmërinë për të lobuar së bashku me mazhorancën në Bruksel dhe vënde anëtare të BE. Por, ky propozim, jo pa qëllim, nuk u përfill nga mazhoranca. Ne ofruam lobimin së bashku sepse kjo ishte rruga më e sigurtë për të bindur vendet anëtare që një ndër kushtet më kryesore për vendimin e tyre pozitiv, kanë bashkëpunimin pozitë-opozitë. PD në opozitë, paraqiti ne nentor në Parlamentin tonë rezolutën për statusin e vendit kandidat. Ajo bëri të mundur, për herë të parë pas katër vitesh, miratimin vjeshtën që kaloi të deklaratës së përbashkët të delegacioneve të Parlamentit shqiptar dhe Parlamentit Europian per dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë. Natyrisht, si opozitë e vertet PD ka denoncuar çdo ditë haptas dhe publikisht, në media, Parlament e kudo, dhunimin e Kushtetutës, ligjeve, vendimeve të gjykatave, lirive dhe të drejtave njerëzore të qytetarëve, standarteve europiane me vendime të qeverisë Rama-Meta, kryekreut dhe ministrave të saj. Ajo, si parti e vlerave dhe parimeve të qendrës së djathtë, vokacionit perendimor të shqiptarëve, nuk ka pranuar dhe kurrë nuk do pranojë, sugjerimet e ndonje miku te Edi Rames apo dëshmitarëve të rremë për të mbyllur një apo të dy sytë, para revanshit të egër dhe të papërmbajtur ndaj shtetit ligjor të Edvin Kristaq Ramës, Ilir Metës dhe pushtetit të tyre. Unë besoj se, miqtë e vërtetë të shqiptarëve janë ata që, në interesin më të madh të qytetarëve shqiptarë, insistojnë publikisht e jopublikisht, për respektimin e shtetit ligjor, Kushtetutës, ligjeve të vendit, insistojnë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por theksoj këtu se, duke denoncuar publikisht revanshin e qeverisë Rama-Meta, opozita nuk është penguar dhe nuk pengohet për të mbështetur, lobuar për statusin e vendit kandidat. PD ishte dhe është e bindur se rekomandimi i Komisionit Europian, dy vite me rradhë, ishte i drejtë dhe se Shqipëria e meritonte dhe e meriton statusin e vendit kandidat…

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency