Strategjia 2014-2020/ Politika e qeverisë për 6 vite, Rama: Ja ku do ndërhyjmë për të rritur punësimin

0
113

Gëzim Saliu

 

Kryeministri: Arsimi profesional dhe partneriteti me privatin, pikat kyçe për punësimin

 “Kryesfida është lufta me korrupsionin dhe krimin. Kryereforma është ajo administrative”

 

rama me duar ke punesimieveria ka paraqitur dje strategjinë kombëtare të punësimit për vitet 2014-2020, ku arsimi profesional dhe partneriteti me privatin janë konsideruar si prioritete kyçe për përmbushjen e objektivave. Sipas Kryeministrit Rama, është e domosdoshme që arsimi profesional të ngrihet në stadin e duhur në përgjigje të kërkesave të tregut të punës, për profesionistë. “Ne marrim një zotim madhor: të rrisim punësimin, ndër të tjera, duke rilindur arsimin profesional dhe duke e riorientuar të gjithë përpjekjen në drejtim të arsimit profesional, drejt nevojave reale të tregut të punës në Shqipëri. Kjo strategji, besoj një ndër gjërat më të rëndësishme ka, pikërisht, lidhjet e punësimit me arsimin profesional, diçka jo e re për botën e zhvilluar, por diçka e re për Shqipërinë. Hapja e vendeve të reja të punës mbetet prioriteti ynë më i madh. Për këtë arsye, sforcoja jonë më e madhe është përqendruar tek ndryshimi përmbajtjesor i modelit të zhvillimit ekonomik”, – tha Rama.

 

Punësimi

Për Ramën, një rol parësor për rritjen e punësimit në vend ka edhe partneriteti i qeverisë me sektorin privat, ku sipas tij, këtij të fundit i duhet dhënë rëndësia që duhet. “Duke u bërë mbështetës të zjarrtë të çdo sipërmarrje që krijon vende pune apo që synon të krijojë vende pune, për t’i kthyer këto mjedise në mjedise ku rritet padyshim kapitali i çdo ndërmarrje përveç fitimit, po ku rritet dhe kapitali njerëzor i vendit tonë. Pa e harruar asnjëherë se kapitali njerëzor është jo vetëm pasuria më e rëndësishme që një vend si Shqipëria ka, por është edhe ajo pjesë e pasurisë së një vendi që përcakton nëse një vend është i zhvilluar apo përpëlitet në rrugën e një zhvillimi të paqëndrueshëm”, – pohoi ai, duke shtuar se strategji është një mjet dhe jo qëllim. Ndërkohë duke folur për shkollimin, Kryeministri tha se me këtë strategji do të krijohen kushtet për shumëllojshmërinë e zgjedhjeve për zanatet dhe ka disa moment kryesore. Nga ana tjetër në fjalën e tij, Rama preku edhe çështjen e shumë debatuar mes palëve për reformën territoriale, duke theksuar se kjo reformë do të bëj të mundur decentralizimin dhe kryesisht për arsimin profesional. “Sot zonat rurale janë jashtë hartës së si në veri dhe në jug, për shkak së zhvillimi është përqendruar në disa pika graviteti, ne e shohim si kryereformë për një zhvillim të integruar urban e social dhe ekonomik. Të filloi të funksionoi trupi i vendit tonë sepse ajo që ka ndodhur, pjesë të tëra të trupit janë sakatuar është ulur fuqia ripërtëritëse e tyre”, – u shpreh ai. Ndërkohë, ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, ka nënvizuar se qëllimi i kësaj strategjie është nxitja e vendeve të punës cilësore. “Strategjia Kombëtare për Punësim 2014-2020” sipas qeverisë do të ketë 4 përparësi, me më shumë se 50 masa konkrete që shtrihen në 7 vjet, ku një vëmendje e veçantë u kushtohet çështjeve gjinore. Në të përfshihen politikat për punësim, ku futet shtrirja e programeve, modernizimi i Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe lidhja me nevojat e tregut. Përmes kësaj strategjie qeveria synon rritjen me 10% të pjesëmarrësve në programet e punësimit, rritjen me 55% të numrit të të punësuarve pas pjesëmarrjes në masat e nxitjes së punësimit, rritjen e shkallës së punësimit të të diplomuarve nga arsimi profesional, deri në 40% si edhe rritjen e shkallës së punësimit të pjesëmarrësve në kurset e shkurtrat të formimit profesional në 55%.

 

 

 

Synimet kryesore të strategjisë janë:

a) Rritja deri në 10% e numrit të grave dhe burrave që marrin pjesë në programe të punësimit;

b) Rritja deri në 55% e numrit të të punësuarve pas pjesëmarrjes në masat e nxitjes së punësimit, ku 75% e tyre do të jenë gra;

c) Rritje e fondeve të investuara për masat e nxitjes së punësimit rreth 2 herë, deri në 0.032% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

d) Rritja e numrit të meshkujve dhe femrave që ndjekin programe të AFP-së, nga 14.2% deri në 25%;

e) Rritja e shkallës së punësimit të të diplomuarve nga arsimi profesional, deri në 40%, nga të cilët 25% të jenë vajza;

f) Rritja e shkallës së punësimit të pjesëmarrësve në kurset e shkurtra të formimit profesional në 55%, nga të cilët 75% të jenë femra;

g) Rritja e numrit të përfituesve nga ndihma sociale të përfshirë te programet e nxitjes së punësimit në 10% të numrit total të pjesëmarrësve në programet e nxitjes së punësimit;

h) Krijimi i Fondit të Punësimit dhe Kualifikimit;

i) Krijimi i mekanizmave më të mirë për monitorimin dhe vlerësimin e rezultateve të arsimit dhe kualifikimit profesional dhe të tregut të punës;

j) Rritja e përfshirjes së biznesit në drejtimin dhe financimin e sektorëve.

 

 

Me investitorët turq

 Kryeministri: Denonconi rastet kur ju kërkohet bakshish, do të eliminojmë burokracitë

Duke i cilësuar si ambasadorë të Shqipërisë në sytë e sipërmarrjes turke, Kryeministri Edi Rama ka garantuar dje investitorët turq në vend se qeveria e tij mbetet e përkushtuar për krijimin e një klime sa më të favorshme për biznesin. Duke folur në forumin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar të investitorëve shqiptaro-turq, Rama theksoi rëndësinë e mosabuzimit me rimbursimin e TVSH-së, duke u shprehur para investitorëve turq se ky rimbursim do të bëhet automatikisht. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë u kërkoi investitorëve të shtetit turk të denoncojnë çdo rast kur u kërkohet “bakshish”. “E kemi një fjalë të përbashkët, bakshish. Nuk e dimë nëse këtë fjalë e kishim ne dhe e morët ju apo e kishit ju dhe e morëm ne, por ju garantoj se asnjë nga ju nuk do t’i nënshtrohet presionit për bakshish. Këtë e kuptoni mirë se çfarë është, e keni ndier në Shqipëri dhe të denonconi tek ministrat e Financës, Ekonomisë, çdo lloj presioni. Nëse një sipërmarrës denoncon një përfaqësues të shtetit që e vendos nën presion, përfaqësuesi i shtetit përgjigjet moralisht dhe ligjërisht dhe nuk do jetë më përfaqësues i shtetit”, – tha Rama. Më tej, kreu i mazhorancës qeverisëse vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë, duke theksuar se ekonomia turke është një shembull i mirë për t’u jetësuar në vend. “Takimet tona në të gjitha nivelet kanë konfirmuar se ekziston mundësia, hapësirat dhe predispozitat që bashkëpunimi mes nesh të marrë përmasa të panjohura më parë. Sipërmarrjet tuaja janë gurët e themelit të vendosura në kohë për të vazhduar të ndërtojmë një urë sa më të fortë dhe sa më të gjerë për një bashkëpunim reciprok. Në shumë aspekte në shkallën modeste, ekonomia jonë ngjanë me ekonominë e Turqisë. Struktura e organizimit tonë institucional ngjan me vendin tuaj për t’i hapur rrugë zhvillimit së turizmit. Sot biznesi turk shumë i përfaqësuar në Shqipëri”, – u shpreh Kryeministri.

 

Vendimi

Zbardhet numri i punonjësve me kontratë të përkohshme

Qeveria vendosi dje në mbledhjen e saj për disa ndryshime në vendimin për përcaktimin e numrit të punonjësve me kontratë të përkohshme në njësitë e qeverisjes qendrore për vitin 2014. “Në vendimin nr. 35, datë 29.1.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime: a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon: “1. Numri i punonjësve me kontratë të përkohshme në njësitë e qeverisjes qendrore, për vitin 2014, bëhet 610 veta. b) Në lidhjen nr. 1, bashkëlidhur vendimit, koha mesatare ditore e punës për emërtesën “sanitar”, në institucionin e Avokatit të Popullit, bëhet 6 orë/dita”, thuhej në vendimin e Këshillit të ministrave, i cili përcakton se efektet financiare për zbatimin e ti do të përballohen nga shpenzimet korrente të miratuara në buxhetin përkatës të institucioneve për vitin 2014.  

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency