Ligji i ri në Kuvend/ Sa dënohen pjesëmarrësit në luftë jashtë vendit, masat për rekrutuesit

0
124

Gëzim Saliu

 

Projektligji kërkon ndryshime në Kodin Penal: Dënim për mercenarët dhe xhihadistët

 

Syrian rebelsPërfshirja e shtetasve shqiptarë për të luftuar në Siri, apo në konflikte të tjera të ngjashme jashtë vendit, do të konsiderohet vepër penale. Është kjo nisma e ndërmarrë nga një grup deputetësh të komisionit parlamentar të Ligjeve, të cilët janë duke përgatitur projektligjin që së shpejti do të dërgohet në Kuvend. Përmes këtij ligji do të bëhen disa ndryshime në Kodin Penal, duke e cilësuar angazhimin e shtetasve shqiptarë në luftën e Sirisë si edhe konflikte të tjera të armatosura si vepër të dënueshme. “Kronikat dhe faktet e fundit të raportuara nga Siria për shtetas shqiptarë që marrin pjesë apo kanë humbur dhe jetën në luftimet që zhvillohen në atë shtet, kanë sjellë në vëmendjen e autoriteteve dhe ligjvënësve shqiptarë nevojën urgjente për ndërhyrje në Kodin Penal”, ka pohuar dje një prej anëtarëve të grupit të punës për këtë projektligj për Top Channel.

Nisma

Drafti që propozohet nga grupi i deputetëve me ndryshimet ligjore, kërkon miratimin e disa dispozitave që penalizojnë ata shqiptarë të cilët marrin pjesë në konflikte të armatosura, përjashtuar rastet kur janë pjesë e formacioneve ushtarake të palëve ndërluftuese. Por ndërkohë masat e ndërmarra nuk do të prekin vetëm mercenarët që shkojnë në luftë, por edhe rekrutuesit e tyre, të cilët në bazë të ligjit të propozuar, do të marrin dënimin përkatës për veprën penale. Sipas draftit, të gjithë personat që përdorin joshjen ekonomike, por edhe ideologji të caktuara fetare e shoqërore, duke nxitur e rekrutuar shtetasit shqiptarë për të marrë pjesë në konflikte të armatosura jashtë atdheut do të dënohen me burg. Ndërkohë propozuesit  e projektligjit, kanë theksuar se ndërhyrjet në Kodin Penal janë të konsultuara me Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Punëve të Brendshme si dhe me ekspertë të njohur të së drejtës penale.  Pritet që këto ndryshime të paraqiten në mbledhjen e Konferencës së kryetarëve të martën, për t’iu nënshtruar më tej edhe diskutimeve në komisionet parlamentare.  Të tilla propozime vijnë pas mediatizimit që ka marrë përfshirja në konfliktin e Sirisë të dhjetëra shqiptarëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, ku një numër jo i vogël i tyre kanë humbur jetën në luftime kundër ushtrisë së Al Assad, si dhe midis grupeve rivale që deklarojnë se po bëjnë një luftë të shenjtë. Në mënyrë jo zyrtare mësohet se të paktën 6 shtetas shqiptarë,kanë humbur jetën deri tani në konfliktin sirian por numri mund të jetë edhe më i madh, pasi trupat e tyre janë varrosur në vëndin e konfliktit dhe shteti shqiptarë nuk ka të dhëna zyrtare për ta.Pak ditë më parë Kosova propozoi një ligj të posaçëm për të dënuar deri në 15 vjet, të gjithë shtetasit kosovarë që marrin pjesë në konflikte jashtë vendit të tyre. “Kemi konsideruar që është imediate krijimi i kornizës ligjore për ndjekjen dhe gjykimin e personave që marrin pjesë në konflikte apo në çfarëdo forme të organizimit joformal paraushtarak apo para policor jashtë territorit të Kosovës”, ka pohuar Ministri i Brendshëm i Kosovës Bajram Rexhepi.

 

 

Artikulli i “The  Guardian”

Studimi: Konflikti në Siri tërheq qindra xhihadistë nga Europa

Pjesëmarrjen e shtetasve shqiptarë në luftën kundër presidentit sirian Bashar Al Assad e ka bërë të ditur më parë e përditshmja britanike “The Guardian”, ku përmes një studimi të bërë nga universiteti King’s College, me titull “Konflikti në Siri tërheq qindra xhihadistë nga Europa”,  thuhet se më shumë se 600 individë nga 14 vende europiane si Britania e Madhe, Austria, Spanja, Suedia dhe Gjermania kanë marrë pjesë në konfliktin që ka nisur në vitin 2011.  Në shkrim nënvizohej se kontigjenti më i madh ishte nga Britania e Madhe me rreth 134 luftëtarë, 92 luftëtarë nga Franca, 85 nga Belgjika dhe rreth 107 nga Holanda e ndërsa individët e tjerë ishin nga Shqipëria, Finlanda dhe Kosova.  Po ashtu në studime bëhej e ditur se luftëtarët nga Europa përbënin nga 7 deri në 11 perqind të kontigjentit të huaj në Siri, të cilët luftonin kundër regjimit të presidentit Bashar Al Assad.  Drejtuesit e studimit kanë shfrytëzuar qindra uebsajte të ndryshme xhihadiste dhe gazetat e shumta Arabe dhe ndërkombetare për të dhënat e publikuara

 

Rasti i Turqisë

Rekrutimi i shqiptarëve në Siri

Më shumë se 23 persona, pjesë e Fondacionit Humanitare IHH janë ndaluar para një muaji në provincën jugore të Kilis, si pjesë e një operacioni kundër organizatës terroriste Al-Kaeda. Në vitin 2013 një agjenci e lajmeve gjysmë-shtetërore e Iranit, agjencia “FNA” (Fars neës agency) raportonte se organizata turke rekrutonte myslimanë shqiptarë për të luftuar në Siri. Kjo agjenci në një shkrim të datës 14 gusht 2013 të titulluar “Exclusive: Turkish NGO Recruiting Muslim Albanians for War in Syria” shkruante se fondacioni IHH, i cili vepron si fondacion fetar dhe ndihmës humanitare kishte rekrutuar dhe transferuar një numër prej 769 shqiptarësh në Siri. Këto shqiptarë i bashkoheshin ushtrisë çlirimtare të Sirisë. Kjo agjenci i referohet një personi, i cili duhet të jetë shqiptar, por ka dashur të mbetet i paidentifikuar për shkak se kishte frikë se rrezikonte jetën. Lidhur me këtë ngjarje dha dëshminë e tij në atë kohë edhe një shqiptar, i cili dëshiroi të ruante anonimatin. “IHH, e cila vepron nën mbulesën e një organizate bamirësie në koordinim të plotë me ministrin e Jashtëm turk Ahmet Davutoglu dhe grupet ekstremiste saudite vehabite, deri më tani ka rekrutuar dhe transferuar në Siri një numër prej 769 shqiptarësh për t’iu bashkuar të ashtuquajturës Ushtrisë Siriane pa pagesë (AMF)”,  ka deklaruar ai për FNA. Burimi, i cili dezertoi programin pas dy javësh lufte në Siri, ka nënvizuar gjithashtu se ata që janë rekrutuar nga IHH janë transferuar në Turqi nëpërmjet Tiranës dhe i janë nënshtruar trajnimeve ushtarake nga oficerë të SHBA-së të dalë në pension, që janë stacionuar në bazën ushtarake Reyhanli në krahinën jugore të Turqisë, Hatay. “Grupi i fundit i rekrutuar përbëhet nga 90 shqiptarë, të cilët fluturuan nga Tirana në Stamboll me linjën turke më datë 30 qershor 2013”.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency