Përplasja për vendimin/ Qeveria: 18 mijë hektarët për investime. Pronarët: Keni 135 mijë hektarë të pafrytshëm

0
94

Gëzim Saliu

 

Ministria e Bujqësisë: 25 mijë hektarë me qëllim kompensimi. AKKP: Si ndahen 16 mln USD

 

pronat Vendimi i qeverisë për t’i marrë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave 18 mijë hektarë tokë që ishin për kompensimin fizik të ish-pronarëve synon rikthimin e investimeve në ferma të mëdha me qëllim zhvillimin e këtij sektori. Kështu e argumentojnë vendimin përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë, duke pohuar se paralelisht me këtë situatë do të vihen në dispozicion 25 mijë hektarë të tjerë, me qëllim kompensimin e pronarëve. “Në këto toka mund të krijosh ferma dhe kooperativa. Ndërsa tokat që kanë pronarë nuk janë rreth 100 mijë hektarë. Pronari mund të kompensohet në 15 mijë hektarë, në 20 mijë hektarë, në 25 mijë hektarë. Pronarët me këtë kanë të njëjta të drejta të barabarta me tokën që punojnë, po ne i marrim dhe u japim investitorëve për të rritur investimet për të krijuar kooperativat bujqësore”, – tha dje për “Vizion Plus” zv.ministri i Bujqësisë, Jani Babi.

 

Qëndrimet

Por pavarësisht nga argumentet e qeverisë, pronarët e tokave e cilësojnë vendimin si të padrejtë. Sekretari i Përgjithshëm i shoqatës më të madhe të pronarëve “Pronësi me Drejtësi”, Agim Toro, deklaroi se nuk kishte arsye që ekzekutivi të merrte 18 mijë hektarë nga AKKP, kur ka në inventar rreth 135 mijë hektarë tokë të pafrytshme. Po ashtu, sipas tij, nuk është i drejtë argumentimi, sipas të cilit qëllimi i marrjes së tokës është për investime në ferma e kooperativa. “Pse pronarët nuk dinë të investojnë, nuk dinë të zhvillojnë? Ministria e Bujqësisë ka në inventarin e vet 135 mijë hektarë toka të pafrytshme që nuk janë në ligjin 7501, sepse nuk i hyjnë në punë e si duket me këtë duan të gënjejnë”, – tha Toro. Sipas vendimit të qeverisë, 18 mijë hektarët do të merren nga 8 qarqet e vendit, duke përjashtuar Lezhën, Kukësin, Shkodrën dhe Dibrën, pasi kanë probleme pronësie. Por në këtë mes qëndron fakti i vonesës së kompensimit të pronarëve, pasi deri në gjetjen e investitorëve dhe realizmin e fitimeve, do të duhet një kohë e gjatë. Ndërkohë qeveria ka parashikuar që pas inventarizimit të pronave shtetërore të nisë procesin e kompensimit fizik, i cili nuk ka ende një afat se kur do të fillojë e vetëm fondi prej 16 milionë dollarësh është bërë i ditur. “13 milionë dollarë kalojnë për ALUIZNI-n dhe 3 milionë është për kompensimin financiar për ish-pronarët. Kompensimi për ALUIZNI-n është për ish-pronarët që nuk kanë përfituar deri më tani”, – pohoi nëndrejtori i AKKP-së, Leni Muçaj. Ndërkohë, shoqatat e pronarëve kanë shfaqur pak kohë më parë shqetësim edhe për buxhetin e qeverisë lidhur me kompensimin e tyre. Sipas tyre, me vetëm 16 milionë dollarë procesi i kompensimit zgjatet pafundësisht e njëkohësisht nuk përmbushet premtimi i PS-së për zgjidhjen e çështjes së pronës. Po ashtu, ata kanë shprehur kritika edhe për faktin se në buxhet nuk është parashikuar asnjë qindarkë për zbatimin e vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, ku çdo vit, rritet ndjeshëm fatura financiare për qeverinë, pasi pronarët ankimojnë çështjet në këtë gjykatë.

 

 

Bastet online

Ndalim kompanive pa licencë. Harito: Kemi vështirësi, ndryshojnë shpesh adresat

Ministrja e Inovacionit, Milena Harito, e konsideroi të vështirë mbylljen e të gjitha faqeve online të basteve, pasi kompanitë ndryshojnë vazhdimisht adresat. Sipas saj, kompanitë e basteve shqiptare që kanë licencë për të operuar në Shqipëri nuk do të ndërpriten. “Synohet që kompanitë që nuk kanë licencë për të operuar në Republikën e Shqipërisë do të ndalohen, por kjo gjë do kohën e vet, të paktën disa muaj, në mënyrë që të ngrihen organizmat e duhur dhe për këtë po bashkëpunojmë me partnerët ndërkombëtarë, të cilët na përditësojnë vazhdimisht informacionin. Por, ndonëse një pjesë e madhe e aktivitetit të këtyre kompanive ndërpritet, sërish një pjesë e madhe e tyre përditësohen më shpejt se ne”, – tha Harito. Në këtë kontekst, ministrja bëri të ditur se webesite-t e basteve që krijojnë mundësinë që njerëzit të luajnë online, nuk janë të autorizuara të operojnë në Republikën e Shqipërisë dhe përveç kësaj bëjnë që një sasi shumë e madhe parash të dalin nga vendi në mënyrë ilegale dhe kjo në njëfarë mënyre nxit edhe krimin e organizuar. “Ndaj u ndërmor kjo iniciativë, që është teknikisht e vështirë, por që po ndiqet në vazhdimësi. Këto website bastesh janë të fuqishme, kanë shumë para dhe ndryshojnë vazhdimisht adresat, por duhen ndjekur në vijimësi dhe përveç ndjekjes dorazi që i bëhet sot, një për një, duhen ngritur dhe instrumentet teknike që të mos i lejohet asnjë lloj kompanie që të operojë përmes internetit”, – theksoi ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito.

 

 

Zv.presidenti i PE-së

Balla takon Pittella-n: Do të përmbushim rekomandimet e KE-së për statusin

Në cilësinë e bashkëkryetarit socialist të Delegacionit të Kuvendit në PE, deputeti Taulant Balla priti dje në një takim zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, Gianni Pittella, ku në qendër të bisedës ishte situata politike në Shqipëri, reformat e domosdoshme për përmbushjen e rekomandimeve të KE-së si edhe për parlamentarizmi. “E njoha zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian me reformat e nisura nga qeveria në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar si dhe reformimin e administratës publike, çështje këto jo vetëm në interesin e brendshëm të Shqipërisë por edhe si kushte për marrjen e statusit të vendit kandidat. Garantova zëvendëspresidentin e PE-së se institucionet përgjegjëse në vendin tonë, qeveria, Parlamenti janë të angazhuara për përfundimin e reformave të nisura dhe për përmbushjen e rekomandimeve të Komisionit Evropian me qëllim marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian brenda këtij viti”, – bëri të ditur Balla. Ndërkohë, zv.presidenti i Parlamentit Evropian theksoi mbështetjen e plotë të tij dhe të Parlamentit Evropian ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Pittella vlerësoi ecurinë e deritanishme të qeverisë, ndërsa tha se reformat duhet të vazhdojnë me të njëjtin intensitet në të mirë të Shqipërisë, të shqiptarëve dhe çështjes së tyre të madhe, integrimin në Bashkimin Evropian.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency