Peshkopi/ Probleme me frenat, furgoni me pasagjerë del nga rruga

0
135

Sonja Caka

 

 

Plagosen 8 persona, 2 në gjendje të rëndë, mes tyre një foshnje 4 muajshe

Aksidenti në Sarandë, shkak konsumimi i alkoolit, shpejtësia dhe mungesa e sinjalistikës

Aksidenti në Kukës, tre nga të plagosurit vazhdojnë në gjendje kome, 2 ngelin të paralizuar

 

furgoni i aksidentuar ne kukesPa u shuar jehona e dy aksidenteve tragjike të ndodhura në Kukës dhe Sarandë, një tjetër është shënuar mesditën e djeshme në Peshkopi. Sërish bëhet fjalë për furgon pasagjerësh, ky i fundit i dalë nga rruga për shkak të një problemi te frenat. Për pasojë, tetë persona kanë mbetur të plagosur, 2 prej të cilëve në gjendje të rëndë. Një foshnje 4 muajshe dhe drejtuesi i automjetit janë personat që janë në gjendje më të rëndë. Sipas informacioneve nga vendi i ngjarjes, aksidenti ka ndodhur rreth orës 15:30 në fshatin Katundi i Ri ku furgoni me 9 pasagjerë ka dalë nga rruga, si pasojë e një defekti në sistemin e frenave, por edhe për shkak të motit tejet te keq. Sipas burime, furgoni ka qenë duke ecur normalisht nga Peshkopia në drejtim të fshatit Katund i Ri ku drejtuesi Medi Cani ka konstatuar se sistemi i frenave kishte defekt. Në këtë moment drejtuesi është përpjekur ta ndalojë mjetin në anë të rrugës në një kodër. Fatmirësisht, prej 10 personave qe ndodheshin në automjet, janë plagosur vetëm 8 persona, të cilët janë dërguar në Spitalin Rajonal të Peshkopisë. Sipas mjekëve, 2 prej të plagosurve janë më rëndë, ndërsa gjashtë të tjerët ndodhen jashtë gjendjes kritike. Një prej të plagosurve rëndë është një foshnje e seksit mashkull 4 muajsh me iniciale P.H, si dhe drejtuesi i automjetit Medi Cani, të cilët janë dërguar me ambulancë për në Tiranë, për një trajtim më të specializuar. Muharrem Rama, mjeku kirurg i spitalit rajonal të Peshkopisë u shpreh se “për shkak të plagëve që kishin marrë, 2 prej të plagosurve i nisëm për mjekim të specializuar në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Me vete kanë dhe ekipin e duhur mjekësor. Foshnja ka një traumë në kokë. Gjendja e tyre përkohësisht është jashtë rrezikut për jetën, por nuk mund të kryenim ndërhyrjen e specializuar këtu në Peshkopi, ndaj u detyruam që të dërgoheshin në drejtim të Tiranës”. Ndërkohë që, dy aksidente u shënua ditën e djeshme edhe në Tiranë dhe Elbasan, ku një kalimtar është përplasur në qendër të kryeqytetit teksa kalonte rrugën nga njëra anë në tjetrën.

Aksidenti në Sarandë

Dy drejtuesit e aksidentit me pesë viktima në Sarandë kanë qenë me shpejtësi në momentin kur automjetet e tyre janë përplasur, ndërkohë që vërtetohet që ishin të dehur. Por ndërkohë që, ekspertët kanë deklaruar se një tjetër shkak është edhe mungesa e sinjalistikës në vendin e aksidentit. Këto kanë qenë rezultatet e ekspertizës së aksidentit të mbrëmjes së të shtunës në urën e Bogazit, e cila ndodhet midis Konispolit dhe Livadhjasë. Sipas policisë, makina tip “Renault” me drejtues koreografin Taip Madani, 60 vjeç dhe pasagjerë vëllezërit Fejzulla Sulo dhe Krenar Sulo po udhëtonte në drejtim të Sarandës, kurse  Alfa Romeo ku ishin babë e bir, Petro Meçi 67 vjeç dhe Kristo Meçi 38 vjeç, po shkonte në drejtim të Konispolit. Përplasja  e tyre  në kushtet e një shpejtësie tej normave të lejuara ndodhi në urë. Më vonë, policia konstatoi se te dy shoferet kishin qenë nën efektin e pijeve alkoolike dhe të 5 viktimat nuk kishin vendosur rripin e sigurimit.

Aksidenti në Kukës

Tre nga të plagosurit e aksidentit tragjik që ndodhi dy ditë më parë në aksin Kukës- Shishtavec vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë, ndërsa 67-vjeçarja Hyrie Kovaçi është jashtë rrezikut për jetën. Situata shëndetësore e të plagosurve që u transportuan të shtunën në spitalin e Traumës në Tiranë u bë me dije nga nëndrejtori i këtij spitali Artan Distafa. Ai u shpreh se dy prej të aksidentuarve janë në gjendje kome. Mjeku Distafa sqaroi edhe gjendjen shëndetësore të tre fëmijëve që mbetën të plagosur dy ditë më parë nga shpërthimi i një granate në fshatin Vrion të komunës Nikël në Krujë. Ai theksoi se fëmijët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë që, Hyrie Kovaçi është një nga katër të plagosurit të aksidentit të Kukësit që u transportuan me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë për të marrë ndihmë më të specializuar mjekësore. 67-vjeçarja është në gjendje të mirë shëndetësore. Ndryshe nga sa është thënë se shpejtësia e madhe mund të ketë qenë një nga shkaqet e aksidentit tragjik Kovaçi shprehet se furgoni nuk ka qenë me shpejtësi. “Isha ulur në fund të furgonit me nipin dhe mbesën. Shoferi nuk po ecte me shpejtësi”- ka rrëfyer 67-vjeçarja. Ajo shprehet se shoferi e bënte çdo ditë të njëjtën rrugë dhe se ky aks rrugor ka vite që ndodhet në gjendje të mjerueshme.

Aksidenti në Durrës

Një kamion që transportonte një mjet të tonazhit të rëndë është përplasur ditën e djeshme në mbikalimin e Nishtullës në autostradën Tiranë – Durrës. Për pasojë, mjeti i tonazhit të rëndë, ekskavator me zinxhirë është rrëzuar duke bllokuar pjesërisht rrugën pranë mbikalimit. Fatmirësisht, nuk ka pasur të lënduar në njerëz. Shkak i përplasjes së ekskavatorit ishte mosllogaritja e lartësisë së mbikalimit nga ana e shoferit të kamionit që transportonte mjetin e rëndë. Për fat të mirë, nga aksidenti nuk pati të plagosur.

Të plagosurit

Sedije Sula 50 vjeçe,

Yllka Numa 23 vjeçe,

Hamza Manuku 33 vjeç,

Januz Sula 62 vjeç,

Sokol Muli 43 vjeç,

Tahir Kasa 45 vjeç,

Medi Cani,

Foshnja me iniciale P.H

 

Shkodër

Bllokohet oxhaku, digjet banesa

Një banesë në katin e 3-të një pallati në lagjen “Xhabije” të Shkodrës është djegur plotësisht ditën e djeshme. Shkak, sipas zjarrfikësve, mësohet të ketë qenë bllokimi i oxhakut. Tre anëtarët e familjes Elezi të ndodhur në shtëpi kanë njoftuar zjarrfikësit të cilët lokalizuan menjëherë zjarrin. Fatmirësisht, nga zjarri pati vetëm dëme materiale. Gjithashtu, raportohet se gjatë natës në Komunën Shalë të Dukagjinit nga luhatjet e energjisë elektrike kanë marrë flakë edhe tre dyqane ushqimore që ndodheshin ngjitur me njëri-tjetrin.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency