Sarandë Përplasen 2 automjete, bilanci 5 të vdekur

0
141

Anxhela Tato

Humbin jetën babë e birë, po udhëtonin në drejtim të Konispolit kur u përplasën me makinën që ishte në drejtim të kundërt

Në aksident humb jetën ish-valltari Taip Madani, po drejtonte automjetin tip “Renault”

 

_DSC0705

E shtuan e zeza do të ishte për 11 persona, të cilët kanë mbetur viktimë në dy aksidente tragjike të ndodhura në Kukës dhe Sarandë. Ndërsa shkon në 13 numri i të plagosurve duke përfshirë edhe përplasjen e automjeteve në Levan. Rreth orës 06:30 të mëngjesit të djeshëm, një fugon me pasagjerë ka rënë në një humnerë në aksin rrugor Kukës- Shishtavec. Për pasojë 6 persona kanë humbur jetën dhe 7 të tjerë janë plagosur. Pas ngjarjes së rëndë në Kukës, një tjetër aksident ka ndodhur në Sarandë, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën në vendin e quajtur ura e Bogazit. Pesë persona humbën jetën, duke e çuar në 11 numrin e viktimave brenda një dite. Ndërsa në aksin Levan-Tepelenë janë përplasur dy automjete dhe gjashtë persona kanë mbetur të plagosur duke e çuar bilancin në 13 veta në mbarë vendin.

Sarandë

Rreth orës 15:15 në Qafë Botë dy makina janë përplasur me pasojë vdekjen e 5 personave. Mësohet se në aksidentin automobilistik të ndodhur në vendin e quajtur “Ura e Bogazit”, e cila ndodhet midis Konispolit dhe Livadhjasë, u përfshinë 2 automjetet tip “Renault” me targa “AA875BG”, i cili po udhëtonte me drejtim Konispol-Sarandë dhe “Alfa Romeo” me targa “AA493IE” me drejtim Sarandë-Konispol. Si rezultat i aksidentit kanë humbur jetën 3 personat që ndodheshin në automjetin tip “Renault” dhe 2 personat që udhëtonin me mjetin “Alfa Romeo”.  Nga drejtori i spitalit të Sarandës u tha se dyshohej edhe për një të plagosur tjetër që mund të jetë dërguar drejt Greqisë, në Spitalin e Filatit, por burime nga policia konfirmojnë se nuk ka të plagosur nga ky aksident. Personat që kanë humbur jetën si pasojë e përplasjes së fortë të dy automjeteve janë dy vëllezërit Fejzo Sulo dhe Krenar Sulo; Petro Meçi dhe Kristaq Meçi, babë e bir; dhe Taip Madani, ish-valltar i Konispolit.

Policia

“Sarandë, rreth orës 15:15 në sallën operative të Komisariatit të Policisë është marrë njoftim se në vendin e quajtur “Ura e Bogazit”, e cila ndodhet midis Konispolit dhe Livadhjasë ka ndodhur një aksident automobilistik. Menjëherë në vend kanë shkuar shërbimet e policisë Sarandë, të cilat kanë kryer veprimet procedurale. Nga veprimet e kryera ka rezultuar se në aksident janë përfshirë dy automjetet tip “Renault” me targa “AA875BG”, i cili po udhëtonte me drejtim Konispol-Sarandë dhe automjeti tip “Alfa Romeo” me targa “AA493IE” me drejtim Sarandë-Konispol. Si rezultat i aksidentit kanë humbur jetën drejtuesi i automjetit tip “Renault”, shtetasi me iniciale T.M., 60 vjeç dhe 2 pasagjerët F. dhe K. Sulo, 65 dhe 43 vjeç të tre banues në fshatin Shalës, Komuna Markat si dhe drejtuesi i automjetit tip “Alfa Romeo” shtetasi me iniciale K. M., 38 dhe pasagjeri P. M., 67 vjeç (babë dhe bir) banues në fshatin Dermish, Komuna Dhivër. Në lidhje me këtë rast është ngritur grup hetimor për të përcaktuar shkaqet e aksidentit”.

 

Të vdekur

Taip Madani, 60 vjeç, banues në fshatin Shalës Komuna Markat; drejtonte mjetin “Renault”.

Fejzo Sulo, 65 vjeç, banues në fshatin Shalës Komuna Markat.

Krenar Sulo, 43 vjeç, banues në fshatin Shalës Komuna Markat.

Kristaq Meçi, 38 vjeç, banues në fshatin Dermish Komuna Dhivër; drejtonte mjetin “Alfa Romeo”.

Petro Meçi, 67 vjeç,banues në fshatin Dermish Komuna Dhivër.

 

Kryetarja e Bashkisë

“Aksi rrugor nuk paraqitet problematik”

Kryetarja e Bashkisë së Konispolit, Mimoza Arapi, në një lidhje telefonike tha se ky aks rrugor nuk paraqitet problematik, por do të pritet deklarata zyrtare e policisë lidhur me shkaqet e këtij aksidenti. “Këto momente janë të rënda për të gjithë sidomos për familjet, i shpreh ngushëllimet familjarëve të viktimave. Aksi rrugor nuk njihet për aksidente. Por ky është rasti i dytë ku para pak kohësh ka ndodhur një tjetër aksident. Përgjithësisht nuk është aks që është shoqëruar nga aksidente, nuk e di, policia do të shprehet për aksidentin”, – tha Mimoza Arapi.

Drejtori i Spitalit

 “Dy personat ndërruan jetën rrugës për në spital”

Drejtori i spitalit të Sarandës, Arjan Kalcuni bëri të ditur në një komunikim në media se në spital kanë mbërritur dy prej personave, që ndodheshin në makinat e aksidentuara, të cilët fatkeqësisht kanë humbur jetën gjatë rrugës. Sipas tij, viktimat kishin dëmtime të brendshme, kryesisht në kokë dhe kraharor.

Deputeti Dashamir Tahiri

“Vdekja e Taip Madanit, humbje  madhe për komunitetin çam”

Deputeti i PDIU-së Dashamir Tahiri ka shprehur ngushëllime për vdekjen e ish-valltarit Taip Madani. Sipas zotit Tahiri, kjo është një humbje e madhe për komunitetin çam. “Valltari Taip Madani legjenda e valles çame . Ngushëllime familjeve të viktimave në aksident”, – u shpreh deputeti Tahiri.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency