Mangësitë e institucioneve, shkak për situatën e rënduar të sigurisë së biznesit

0
138

 Ervin Kaduku

–   Përballë përplasjeve të ashpra konkurenciale, që shkojnë deri në cenimin e sigurisë së jetës, bizneset kërkojnë nga qeveria dhe vendimmarrja politike marrjen e masave të jashtëzakonshme për moslejimin e daljes së Shqipërisë nga lista e vendeve të sigurta për biznes

–   AKEP nuk merr masat e duhura për të shmangur përdorimin e celularëve për shpërthime

 

makine_e_djegur-250x165Konfindustria, duke marrë shkak nga problematika shqetësuese e shfaqur së fundmi në përplasjet e ashpra konkurenciale, që shkojnë deri në cenimin e sigurisë së jetës, kërkon nga qeveria dhe vendimmarrja politike marrjen e masave të jashtëzakonshme për moslejimin e daljes së Shqipërisë nga lista e vendeve të sigurta për biznes.

Konfindustria vlerëson se duhet të shqyrtohet në thellësi dhe sa më shpejt mënyra e ndërtimit dhe funksionimit të deritanishëm të gjithë institucioneve shtetërore përgjegjëse për rregullimin e tregjeve, shmangien e dukurive monopol dhe konkurencën e lirë dhe të ndershme ndërmjet sipërmarrësve. Fjala është për institucione të rëndësishme si Autoriteti i Konkurencës, Entet Rregullatore si dhe gjykatat, vendimet profesionale dhe në kohë të të cilëve kanë rëndësi parësore për qëllimin e mësipërm. Vendimet jocilësore në përmbajtje ose të vonuara në kohë për shkaqe të dobësive profesionale dhe/ose të korrupsionit të përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse mund të shërbejnë si shkak për operatorët e penalizuar për gjetjen e zgjidhjeve me mënyrat joligjore të papranueshme të vetëgjyqësisë. Pasojat e krizës botërore të shprehura në ngushtimin dhe varfërimin e tregjeve si dhe të gërshetuara me mënyrën e ndërtimit dhe funksionimit të këtyre tregjeve në Shqipëri, objektivisht shtojnë prodhimin e rasteve të përplasjeve për mbijetesë nëpërmjet formave të papranueshme të krijimit të monopoleve dhe asgjësimit me çdo mjet të konkurentëve.

Konfindustria vlerëson se është e domosdoshme që të kuptohet dhe të veprohet sa më shpejt nga vendimmarrja politike se mbajtja në afatgjatë e Shqipërisë në hartën e vendeve të sigurta për biznes mund të arrihet vetëm me mirëfunksionimin e gjithë hallkave të sistemit shtetëror dhe në asnjë mënyrë vetëm me masa policore. Çdo veprim i kundërt dhe vonesë kohore në veprim do të sjellë pasoja të pallogaritshme, të dëmshme për tërheqjen e investimeve dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Përvoja e vendeve të zhvilluara demokratike të botes dhe BE flet qartë për sa më sipër.

 

Siguria

Ngjarjet e fundit që kanë tronditur jo pak rendin dhe sigurinë publike nxorën në sipërfaqe një fenomen, që në fakt ka vite që sundon, atë të “lulëzimit” të tregut informal të kartave SIM, me anë të të cilit janë kërcënuar, por edhe marrë jetë biznesmenësh me tritol. Ministria e Brendshme kërkoi marrjen e masave të menjëhershme nga AKEP, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, ndërsa ky i fundit deklaroi se sapo u vu në “dijeni”, nisi të marrë masa, që do të vazhdojnë të shtrihen deri në moslejimin e posedimit të më shumë se dy apo tre kartave SIM. Por, përtej kësaj, duket se kjo është vetëm maja e “ajsbergut” që pret të zbulohet.

Vetëm tre javë më parë, të blije në “tregun e zi” të Tiranës një kartë SIM, pa qenë e nevojshme të jepje dokumentin e identifikimit ishte më shumë se e mundur dhe e zakonshme. U deshën disa ngjarje të rënda që tronditën sigurinë publike që fenomeni i tregut informal të kartave SIM të dilte në sipërfaqe. Në fakt, ligji ka ekzistuar gjithnjë dhe e gjithë kjo që kërkohet nuk është gjë tjetër veçse një detyrim për të zbatuar ligjin, atë ligj që duhej të shmangte krijimin e një tregu informal, që duhet të shmangte pengesat për zhvillimin e një konkurrence të ndershme dhe rastet abuzive.

Ekspertët thonë se situata e krijuar, pra ekzistenca dhe “lulëzimi” i tregut informal nuk është diçka e re, por një fenomen shumëvjeçar, ndoshta i vjetër sa një dekadë. Një fenomen që nuk ka gjetur ndëshkim nga ligji, edhe pse ky i fundit, që nga viti 2007, njeh detyrimin e të gjithë abonentëve që duan të përfitojnë shërbim me parapagesë të numrave celularë, për të regjistruar gjeneralitetet e tyre. E natyrisht, detyrimin për të monitoruar këtë treg e ka AKEP, (Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare) i cili sipas njohësve të tregut të telefonisë së lëvizshme ka qenë në dijeni edhe më herët për përmasat deri diku të “frikshme” që ka tregu informal i kartave SIM dhe regjistrimi i numrave në mënyrë fiktive (nuk kanë munguar edhe rastet kur në emër të një personi kanë rezultuar rreth 2,000 karta SIM).

Pak ose aspak është bërë për ta minimizuar këtë fenomen që të lë të kuptosh se AKEP nuk ka ushtruar një nga kompetencat themelore të funksionimit të tij, atë të monitorimit. Sipas ekspertëve, mungesa e kontrollit ka sjellë krijimin e mjaft hapësirave abuzuese nga i gjithë zinxhiri deri te konsumatori final. E gjitha kjo, në emër të shifrave, për të marrë sa më shumë pjesë në segmentin e konsumatorëve të kartave me parapagesë, ku rregulli kryesor i lojës duket se është: “nuk ka rregulla”. Është e vështirë, thonë ekspertët, që të masësh përmasat e këtij fenomeni, të kartave “fantazmë”, pa zot, të regjistruara në mënyrë fiktive etj. Por, ajo që i nxit këto, sipas tyre, janë politikat shpërblyese/komisioneve/bonuseve (që njohin shpesh edhe shifra marramendëse) që përfitojnë distributorët në të gjitha shkallët në shitjen e këtyre kartave, madje, sipas tyre, sasia e atyre të hedhura në treg dhe që kanë mbetur “stok” është aq e madhe, sa mund të mbajë tregun “gjallë” (duke stopuar aktivitetin) të paktën për një periudhë dyvjeçare. Ngjan si me një “kapje” tregu që ka pak gjasa që të çlirohet, nëse mungon vullneti për të zbatuar (të paktën) ligjin. E duke qenë se nuk ndodh, nuk penalizon vetëm tregun e telefonisë së lëvizshme, por edhe sigurinë dhe rendin.

Megjithatë, problematika nuk ndalet vetëm këtu. Ka të bëjë edhe me ato që konsiderohen karta “pa zot” (nëse mund ta përdorim këtë term) që duket se shfaqen kryesisht në raste promocionesh, zakonisht në sezonin e verës kur kompanitë e celularëve ndërmarrin fushata për qasjen e markës te konsumatori dhe ku ofrohen pa limit karta SIM që aktivizohen pa qenë e nevojshme të regjistrohen. Dashur pa dashur kjo “qasje” ndaj klientit bëhet abuzuese (edhe pse kompania i ka të regjistruar numrat serialë) veçanërisht nëse shtrihet në masë. Ekspertët sjellin në kujtesë edhe faktin se ky fenomen është i pranishëm edhe në pikat kufitare, më së shumti gjatë kthimit të emigrantëve në atdhe për pushime. Në këtë rast, sipas ekspertëve, është më e lehtë që të merren masa për mbylljen e këtyre numrave që përgjithësisht janë sezonalë, ndërsa situata ndërlikohet më shumë kur çështja vjen te numrat e regjistruar në mënyrë fiktive, sepse është i pamundur identifikimi i saktë i atyre që janë aktivë.

 

Zgjidhjet

Kompanitë e tregut të telefonisë së lëvizshme i shohin zgjidhjet për eliminimin e tregut informal të kartave me parapagesë te zbatimi i ligjit, tek ushtrimi i monitorimit nga ana e AKEP-it, si dhe tek operimi me rregulla të qarta loje. Ekspertët thonë se është e vështirë që situata të ndryshojë në mënyrë të menjëhershme dhe vetëm me disa masa, por aty ku mund të gjykohet si e domosdoshme të vendosen edhe sanksione. Sipas tyre, çaktivizimi nga sistemi i numrave që mund të rezultojnë se nuk janë aktivë, mund të ishte një zgjidhje. Për këtë, ata thonë se mund të ndiqet edhe përvoja e shteteve të tjera europiane. Ekspertët thonë se një masë e drejtë mund të jetë edhe kufizimi i kartave SIM që një person mund të mbajë në emër të tij dhe nëse ato nuk përdoren për një periudhë të caktuar, mund të merren masa, si fillim vënia në dijeni e abonentit dhe më pas, mund të ndërhyhet deri në mbylljen e tyre. Megjithatë, ekspertët janë të mendimit se duhet të jetë AKEP, autoriteti që duhet të marrë masa për të rregulluar funksionimin e kësaj pjese të tregut.

 

Banka e Shqipërisë: Vlera e lekut u forcua në vitin 2013

Ecuria e lekut është karakterizuar nga vlera të lehta mbiçmimi në pjesën e dytë të vitit 2013. Pavarësisht forcimit të euros ndaj monedhës vendase, mbiçmimi i ndjeshëm i kësaj të fundit ndaj dollarit amerikan dhe rritja e peshës së shkëmbimeve tregtare me Kinën dhe Turqinë, ka mbajtur indeksin NEER (kursi këmbimit kundrejt monedhave të pesë partnerëve tregtarë kryesorë, Itali, Greqi, Gjermani, Turqi dhe Kinë. Një rritje e NEER do të thotë nënçmimi i lekut) në nivele më të ulëta se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Sipas Bankës Qëndrore, në terma vjetorë, treguesi NEER tregon për qëndrueshmëri të lekut në tremujorin e tretë dhe mbiçmim të tij në tremujorin e fundit. Në terma realë, monedha vendase është mbiçmuar mesatarisht me 0.7% në bazë vjetore në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2013, duke u ndikuar plotësisht nga zhvillimet në kursin nominal. Ndërkohë, diferenca e inflacionit në vend me atë të vendeve partnere ka mbetur në të njëjtat nivele. Sipas aktorëve të tregut, në linjë me zhvillimet e mësipërme, indeksi i presioneve në tregun valutor nuk paraqet presione të shtuara mbi monedhën vendase.

Pavarësisht ngushtimit të deficit tregtar gjatë muajve korrik-nëntor, kërkesa më e lartë për valutë nga agjentët ekonomikë dhe rënia e remitancave solli dobësim të lekut ndaj euros në gjysmën e dytë të vitit. Një euro u shkëmbye mesatarisht me 140.3 lekë ose 1.2% më shtrenjtë se e njëjta periudhë e vitit 2012. Në krahasim me gjashtëmujorin e parë, nënçmimi i lekut ndaj euros në gjashtëmujorin e dytë rezultoi 0.5 pikë përqindje. Sipas Bankës Qëndrore, dollari amerikan është shfaqur i luhatshëm në tregun e brendshëm valutor, duke rezultuar në linjë me ecurinë e tij në tregjet ndërkombëtare.

Mesatarisht, në gjashtëmujorin e dytë, një dollar u këmbye në nivelin e 104.55 lekë, duke u dobësuar ndaj monedhës vendase me 4.1% në terma vjetorë. Krahasuar me gjashtëmujorin e parë, monedha vendase u mbiçmua ndaj asaj amerikane me 2.1%.
Nga një këndvështrim rajonal, leku shqiptar vazhdon të jetë një nga monedhat më të qëndrueshme. Në gjashtëmujorin e dytë, pothuajse të gjitha monedhat e vendeve të rajonit janë dobësuar ndaj euros.

 

 

 

Greqia kërkon t’i lehtësohet barra e borxhit të jashtëm

Qeveria e Greqisë, e “armatosur” me një suficit primar të vitit të kaluar është duke ushtruar presion në Eurozonë, për të filluar diskutimet mbi një ristrukturim të ri të borxhit grek, përpara zgjedhjeve të Majit në Parlamentin Europian.

Grekët do të nisin diskutimet formale për çështjen e lehtësimit të borxhit, sapo Instituti Europian i Statistikave të publikojë zyrtarisht diferencën midis të ardhurave dhe shpenzimeve të Greqisë për vitin 2013. Ministria e Financave po punon për të siguruar që Eurozona të mos shtyjë fillimin e këtyre diskutimeve, deri pas zgjedhjeve të 25 Majit.

Greqia synon të diskutojë edhe lehtësimin e rregullimit fiskal, nëpërmjet një ndryshimi në objektivët për suficitet e ardhshëm primarë. Zyrtarët e Ministrisë së Financave kanë deklaruar se objektivët e vendosur në marrëveshjen e ndihmave janë të pamundur për t’u arritur aktualisht, pasi flasin për një suficit primar prej 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2015.

Kjo vlerë është 1.5% më e lartë se objektivi i këtij viti, ndërsa në vitin 2016 është parashikuar një suficit primar prej 4.5%, apo rreth 9 miliardë euro. Ai nivel duhet të mbahet për katër vite me radhë, në mënyrë që borxhi shtetëror të bjerë në 120% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2020.

Qeveria greke ka deklaruar se ristrukturimi i borxhit duhet të gërshetohet me një udhërrëfyes të ri për rregullimin fiskal, duke parë se Greqia i ka kaluar të gjitha pritshmëritë në vitin 2013. Përpara se të nisin bisedimin për borxhin, Greqia duhet të diskutojë me huadhënësit për mbulimin e hendekut të financimit për vitet 2014-2015.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency