Banda e “Gjahtarëve të natës”/ Arrest me burg për 3 djemtë grabitës të karburanteve

0
148

Anxhela Tato

 

 Hetimet, prova më e rëndësishme e organit të akuzës, pamjet filmike të kamerave të sigurisë

 Gjykatë, 3 të arrestuarit mohojnë akuzën: Çdo gjë është një sajim, ne nuk jemi hajdutë

 

 

gjykata e krimeve te rendaBanda e “Gjahtarëve të natës” mbetet në qeli. Masa e sigurisë “Arrest me burg” është caktuar nga relatori i çështjes për të arrestuarit Rigels Halmusaj, Aleksandër Daci, Kristi Koleci, Bashkim Mellungja, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin vidhnin karburantet në orët e vona të natës. Për organin e akuzës, një ndër provat më të rëndësishme që i implikon të rinjtë në vjedhjet e kryera janë pamjet filmike të marra nga kamerat e sigurisë, paçka se para gjykatës të arrestuarit mohuan akuzën. Këta shtetas u arrestuan 3 ditë më parë, nga forcat e policisë së komisariatit nr. 1 në kryeqytet. Në daljen e tyre para gjykatës, tre të arrestuarit mohuan akuzën. Ndërsa organi i akuzës pas provave filmike të marra nga kamerat e sigurisë në karburantet e vjedhura, mundi t’i identifikonte autorët dhe të zbardhte skemën e përdorur në vjedhjet e realizuara.

 

Prokuroria

 Sipas hetimeve të organit të akuzës, më datë 23 janar në vendin e quajtur Bërzhitë tek karburant “E”, persona të paidentifikuar janë afruar me një automjet tip “Volkswagen”, i cili ka kërkuar që të furnizohej me benzinë në shumën 5000 lekë. Në momentin që mjeti ka mbaruar së furnizuari, njëri nga personat që ishte në mjet e që ishte përjashta tij në momentin e furnizimit, ka goditur punonjësin e karburantit e më pas kanë ndërhyrë në goditje edhe personat e tjerë që ishin në mjet. Ata kanë vazhduar të ushtrojnë dhunë ndaj dy punonjësve të karburantit. Pas kësaj ata kanë marrë me dhunë shumën 13.000 lekë në zyrën e karburantit si dhe tre aparate celularë me numrat përkatës në ta. Pas kryerjes së vjedhjes ata kanë lidhur me natriban dy punonjësit e janë larguar me shpejtësi. Nga hetimet ka rezultuar se më datë 2 janar Rigels Halmusaj komunikon me shtetasin Aleksandër Daci, lidhje e ngushtë shoqërore me të. Në komunikimet e kryera rezulton se po përgatiteshin që të kryenin një vjedhje me dhunë në një pikë karburanti në aksin rrugor Tiranë – Korçë. “Konkretisht, rreth orës 18:45 është konstatuar mjeti me targa “AA xxxxx XX”, i cili është në përdorim të R. Halmusaj, përdorur në vjedhjen me dhunë të karburant “E” më datë 24 janar. Mjeti në fjalë ishte i parkuar në vendin e quajtur Rruga e Laknasit në Kamëz. Rreth orës 20:00 në këtë mjet ka hipur shtetasi R. Halmusaj dhe më pas K. Koleci, tek stacioni i autobusëve të Kamzës ka hipur F. Mellungja, A. Daci dhe B. Mellungja. Kanë ndaluar tek pika e karburantit “B”, ku janë furnizuar me karburant dhe më pas kanë lëvizur në drejtim të aksit rrugor Tiranë-Elbasan. Në vendin e quajtur Hotolisht janë ulur në një lokal duke vazhduar lëvizjen në drejtim të Pogradecit. Në dalje të Pogradecit kanë ndaluar në një pikë loto sportive, kanë qëndruar për rreth 15 minuta dhe më pas kanë lëvizur në drejtim të Korçës. Në hyrje të fshatit Nizhavec janë takuar me një person, i cili është identifikuar nga ana jonë me emrin O. Bacllari. Pasi kanë qëndruar për rreth 15 minuta kanë lëvizur sërish në drejtim të aksit rrugor Korçë – Pogradec – Elbasan – Tiranë. Gjatë gjithë rrugës këto shtetas ndaloni shpejtësinë kur shkonin pranë pikave të karburanteve. Në Pogradec janë shoqëruar nga policia dhe pas verifikimeve janë lënë të lirë. Në zonën e Saukut janë shoqëruar në polici. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet janë gjetur disa kaçavida, ngjitës natriban si dhe një mjet prerës biçak”, – thuhet në dosjen hetimore të akuzës.

 

 

Elbasan

Vrau djalin dhe nusen, burgim i përjetshëm për Engjëll Ucajn

 Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka dhënë dje pretencën “Burgim të përjetshëm” për Engjëll Ucajn, i akuzuar për vrasjen e djalit të tij, Sokolit, dhe bashkëjetueses së djalit, Gulia Baldassari, shtetase italiane. Ngjarja për të cilin akuzohet Ucaj ka ndodhur në 30 janar të vitit 2013. Në konkluzionet përfundimtare të paraqitura ditën e sotme para gjykatës, prokurori i çështjes, Millan Laska rindërtoi dinamikën e ngjarjes dhe paraqiti faktet dhe provat që vërtetojnë se personi i akuzuar e ka kryer veprën penale me dashje. Pavarësisht kundërshtimit të Prokurorisë, Gjykata pranoi kërkesën e avokatit të të pandehurit për gjykim të shkurtuar. Avokati i tij mbrojtës ka pranuar dy vrasjet e kryera nga klienti i tij dhe për këtë qëllim, ai ka kërkuar që seancat gjyqësore të jenë të shkurtuara. Avokati i të akuzuarit ka kërkuar që të rinjihet edhe një herë me konkluzionet e nxjerra nga organi i akuzës, propozim i cili u mor parasysh nga trupi gjykues, i kryesuar nga Pajtime Fetahu, ndërsa kjo e fundit i ka dhënë kohë avokatit mbrojtës datën 19 të këtij muaji, ku edhe do të zhvillohet seanca përfundimtare e çështjes “Ucaj”. Një viti më parë, i pandehuri Engjëll Ucaj, ishte konfliktuar me djalin e tij Sokol. Engjëll Ucaj e kishte denoncuar djalin në Polici dhe pas kësaj ngjarjeje, familja kishte rënë në qetësi deri në orët e vona të mbrëmjes, kur edhe sërish kishte nisur debati mes tyre. Sokol Ucaj kishte debatuar me babin e tij për faktin se pse ky i fundit e kishte denoncuar në Polici, dhe pas debatit, sherri agravoi me dhunë fizike mes tyre, deri në momentin kur Engjëll Ucaj merr armën dhe qëllon në drejtim të djalit të tij, duke e lënë të vdekur në vend. Pas kësaj, ai ka qëlluar edhe nusen e djalit të tij, shtetasen italiane, e cila humbi jetën si pasojë e plumbave të marrë. Prokurori Millan Laskaj kërkoi dënimin me “Burgim të përjetshëm”, për të pandehurin Engjëll Ucaj.

 

 

Nipat e Frrokut

Prokuroria kërkon 17 vjet heqje lirie për Ndue dhe Jak Jakun

 Prokuroria kërkoi dje nëntë vjet burg për Ndue Jakun dhe 8 vjet burg për Jak Jakun, nipërit e Arben Frrokut, të akuzuar për armëmbajtje pa lejë dhe posedim lëndësh narkotike. Pretenca u dha sot në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë. Kushërinjtë Jaku akuzohen për armë pa leje dhe posedim droge. Ndue dhe Jak Jaku janë nipat e të akuzuarit të drejtësisë Arben Frroku, i akuzuar për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj. Armët në shtëpinë e Jakajve u gjetën pas vrasjes së Dritan Lamajt në Shkurt të vitit 2013. Jak Jaku u arrestua në Greqi së bashku me biznesmenin Arben Frroku pas një urdhër-arresti ndërkombëtar pas vrasjes së kryekomisarit. Ai ndodhej në atë kohë i arrestuar në Greqi, në pritje të ekstradimit, ndërsa vëllai i tij Ndue Jaku ishte i arrestuar në Shqipëri. Jaku u ndalua në lidhje me vrasjen e Lamajt, por pas hetimeve, i dyshuar kryesor rezultoi vetëm Arben Frroku.

 

 

Durrës

Kontrabandë mallrash, pranga doganierit

 Lejimi i kalimit të mallrave kontrabandë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Portit të Durrësit ka çuar në pranga një doganier dhe një tregtar nga Sauku, si dhe ka vënë nën hetim një doganier tjetër. Arrestimi i tyre është bërë mbrëmjen e djeshme pas operacionit policor të koduar “Porosia” nga Sektori kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorisë e Policisë së Qarkut të Tiranës. Mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, doganieri 28 vjeçar Ismail N., doganier, lindur dhe banues në Durrës, tregtari Sami D., 43 vjeç, lindur në Has dhe banues në Sauk, Tiranë dhe doganieri Artan P., 44 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, i cili po gjykohet në gjendje të lirë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin tregtonin konfeksione të ndryshme kontrabandë, nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Portit të Durrësit. Dyshohet se mallrat që Sami D. i merrte me porosi nga Anglia administroheshin nga i vëllai i tij, shtetasi Flamur D. Më pas me një automjet tip fugon i kalonin përmes portit të Durrësit, pa u zhdoganuar. Pas hetimit, rezultoi se dje rreth orës 08.10, shtetasi Sami D. ka hyrë në pikën e kalimit Kufitar Durrës me automjetin furgon “Mercedes-Benz Sprinter”, me targë PG 08UUH dhe më pas ka dalë nga pika e kontrollit doganor pa u kontrolluar dhe zhdoganuar. Gjatë kontrollit dhe sekuestro u gjendën: çanta, mallra konfeksione me natyrë tregtare, pajisje dhe pjesë këmbimi për automjete të tipit “Land Rover”, televizorë plazma, disa kompjuterë laptop, telefona celular, biçikleta, si dhe një sasi e konsiderueshme parash në valutë paund. Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për hetime të mëtejshme, ndërkohë që vazhdon puna hetimore për të identifikuar të tjerë persona të përfshirë në aktivitet të kundërligjshëm.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency