Vrasësi me pagesë Do të ekzekutonte kushërinjtë Mëhillaj pas konfliktit për pagesën

0
169

Anxhela Tato

 

Julian Sinanaj: Mosmarrëveshje për vrasjen e peshkatarit, u përgatita pasi kisha frikë se mos më vrisnin

 Njeriu eksploziv pohon se kushërinjtë Mëhillaj kishin lidhje me emra të njohur të politikës

 

 

julian-sinanaj-dhe-materialet-e-kapura-640x405Pas konfliktit për pagesën Julian Sinanaj ishte përgatitur të vriste kushërinjtë Mëhillaj. Objekti i mosmarrëveshjes ka qenë shpërblimi me një apartament për vrasjen e Sokol Veizit. Në dëshminë e dhënë para prokurorëve të Krimeve të Rënda vrasësi me pagesë ka rrëfyer se atij i ishin premtuar 1 mijë e 500 hektarë tokë, por pas realizmit të ekzekutimit, i cili e ka ekspozuar Sinanajn, i është dhënë një apartament në Vlorë. Kjo ka qenë arsyeja pse ai ka debatuar me kushërinjtë Mëhillaj. Por frika se mos ata e vrisnin ka bërë që Sinanaj të dilte në pararojë, duke u përgatitur për çdo gjë. Ai u ka rrëfyer prokurorëve se është bërë gati që të ekzekutonte kushërinjtë Mëhillaj, por fatmirësisht debati është shuar dhe i është gjetur një zgjidhje. “Për vrasjen e peshkatarit Sokol Veizi m’u premtuan 1 mijë e 500 hektar tokë, por më pas kushërinjtë Mëhillaj më dhanë vetëm një apartament në Vlorë. Kjo ishte arsyeja e mosmarrëveshjes sonë dhe nga frika se mos ata mos më vrisnin për këtë gjë, atëherë u përgatita unë t’i vrisja i pari. Por gjithçka u sqarua më pas. Në dëshminë e Julian Sinanajt nuk përmendet asnjë emër politikani, pavarësisht se ai pranon se kushërinjtë Andon dhe Genis Mëhillaj kishin lidhje me emra të njohur të politikës. Vrasësi me pagesë ka qenë i rezervuar. Ai preferoi të tregonte me detaje mënyrën se si ka ekzekutuar viktimat e tij, madje ka treguar edhe ku ka hedhur armët pas krimit, por ka kërkuar të mos e përfshijnë në çështje politike. Dy pistoletat me të cilat ka ekzekutuar Sokol Veizin dhe Agron Çelën janë gjetur nga Prokuroria, pasi Sinanaj ka treguar vendet ku i kishte hedhur.

 

Video misterioze

 Ndër provat e sekuestruara nga ana e organit të akuzës janë edhe tri video vrasjesh. Dy tregojnë momentet e ekzekutimit të Agron Çelës dhe peshkatarit Sokol Veizi, ndërsa nuk zbulohet dot se kush është viktima e tretë që shfaqet në pamjet filmike, pasi në fokus të kamerës është vetëm automjeti i zi, duke mos u shfaqur në asnjë moment targa e makinës. Në pamjet filmike duket vetëm automjeti i zi i parkuar dhe Julian Sinanaj, i cili afrohet dhe hap zjarr. Është e pamundur që të identifikohet fytyra e viktimës, pasi ai ndodhet brenda në automjet. Ky krim mbetet ende enigmë për organin e akuzës, në mungesë të gjetjes së të dhënave që mund të çojnë në identifikim. Nga ana tjetër, Juliani nuk ka pranuar të flasë për këtë krim. Vrasësi me pagesë ka thënë se nuk kishte lidhje me atentatin ndaj kryetarit të Komunës Qendër, Fredo Berberi, gjykatësit Skerdilajd Konomi apo atentatin ndaj biznesmenit Xhemal Çela në Durrës. Nuk ka asnjë deklaratë në rrëfimin e Sinanajt për veprimtarinë e tij kriminale në Greqi. Vrasësi me pagesë nuk ka treguar asgjë për ndonjë atentat të kryer në vendin fqinj, pavarësisht nga shkrimet në gazetat greke. Mjeshtëria me të cilën Sinanaj përgatiste atentatet i ka bërë prokurorët të mendojnë se ai ka qenë i trajnuar nga grupe ekstremiste në Greqi, por vrasësi me pagesë ka qenë i kujdesshëm të mos flasë. Familja e tij jetonte prej vitesh në shtetin fqinj dhe kjo e ka bërë Sinanajn të rezervohet. Pavarësisht nga shumat e mëdha të parave me të cilat paguhej, Julian Sinanajt i janë gjetur vetëm 10 milionë lekë në banesën ku jetonte me qira në Rrugën e Kavajës, ndërsa pritet të verifikohet nëse ka llogari bankare.

 

Vrasja e parë e Julianit, 14 vjeç, ekzekutoi grabitësit e banesës

 Zbardhen detaje të reja mbi vrasësin profesionist Julian Sinanaj, i akuzuar për dhjetëra vrasje e me një aktivitet kriminal që daton që në vitin 1997. Julian Sinanaj ishte vetëm 14 vjeç, kur në kulmin e trazirave, 4 hajdutë mësynë në shtëpinë e tij, ku djaloshi vlonjat jetonte me babain, motrën dhe njerkën, pasi nëna i kishte vdekur. Morën pak gjë e ikën, por inati i Julit (siç e thërrisnin të shtëpisë) mbeti gjatë gjithë natës, për t’u zgjuar atë mëngjes pranë një kallashi. Ua dinte vendin ku pinin kafen dhe u shkoi atje, duke zbrazur plot një karikator deri në fishekun e fundit, derisa u sigurua që kishin vdekur. Më pas, familja Sinanaj iku në Greqi, ku adoleshenti stërvitej për t’u bërë vrasës me pagesë, por duke pasur gjithnjë një ndërmjetës. Një prej stileve që e bëri këtë person një vrasës unik në Ballkan dhe anëtar të rëndësishëm të bandës së tritolit, sipas burimeve pranë grupit hetimor, ishte fakti që ai qëllonte saktë me të dyja duart, përveç njohurive precize të lëndëve plasëse. Me një pistoletë “Makarov” dhe një “TT” ai arrinte të shënjestronte objektivin, duke mundësuar suksesin e garantuar, ndaj në qarqet e interesuara kishte dalë fraza: “Ai djalë nuk dështon kurrë”. Vetë Sinanaj tha këto ditë: “Më donin mua se unë nuk kisha firo”, ndërsa pyetjes: “A ke dështuar ndonjëherë në atentatet e tua me porosi?”, ai i është përgjigjur: “Jo, kurrë”. Mirëpo edhe pse e kapën, jeta e këtyre ditëve brenda hekurave atij nuk i duket aspak e sigurt. Ndër frazat e fundit që ai ka shqiptuar, sipas burimeve nga ekspertët që po interesohen për zhvillimet e hetimeve, është frika për jetën. “Kam merak se mos më ngulin ndonjë thikë këtu brenda, ashtu si pa dashje”, – mësohet të jetë rrëfyer personi që mban mbi supe dhjetëra akuza për vrasje, pjesëtar i “bandës së tritolit”, dy prej të cilëve kanë marrë arratinë. Dy kushërinjtë Mëhillaj i druheshin jo pak një eliminimi direkt nga Sinanaj, ndaj humbën gjurmët. Juliani e ka pranuar se po planifikonte t’i vriste dhe ata, ndërsa për Ilir Karçinin, njeriun e fundit që dha porosinë e vetme të papërfunduar të 31-vjeçarit, ai s’ka më asnjë dyshim. “Kishte besim se do t’ia mbaroja këtë punë, më takoi 4 herë”, – ka deklaruar ai. 

 

Prokurori

Piro Bare rrëfen fillimin e konfliktit me biznesmenin Karçini

 Zbardhet dëshmia e biznesmenit, i cili ishte shënjestra e radhës e vrasësit me pagesë Julian Sinanaj. Para prokurorëve të çështjes, Piro Bare ka rrëfyer se konflikti me Ilir Karçinin ka nisur që me dhënien në koncesion të Porto Romanos. Të dy biznesmenët kanë qenë konkurrentë për ta fituar, por Ilir Karçini nuk ia ka arritur dot. Siç ka rrëfyer edhe vetë Piro Bare, ky vendim ka qenë i vështirë për t’u kapërdirë nga Karçini. Konfliktet kanë vijuar me problemet dhe ankesat e Karçinit për vonesën në shkarkimin e depozitave të gazit dhe pjesa e pagesës. Sipas Karçinit, biznesmeni Bare po shfrytëzonte faktin që ishte e vetmja firmë në treg që ofronte këtë shërbim, duke i prishur punë dhe duke i shkaktuar dëm financiar. Madje, Bare ka përmendur edhe vendimin e Autoritetit të Konkurrencës, që ka qenë pro biznesmenit. “Iliri ankohej se unë qëllimisht i vonoja shkarkimin e depozitave të gazit, duke i shkaktuar dëmtime financiare, por kjo nuk është aspak e vërtetë, pasi për çdo veprim ka pasur një radhë të caktuar. Gjithashtu, ndër procedurat e kompanisë sime ishte edhe parapagimi i shërbimeve. Për këtë fakt Iliri pretendonte t’i ktheja lekët, pasi shkarkimi ishte bërë parcial në dy pjesë. Por kjo ishte konform çdo procedure dhe rregulli të firmës sime. Këto kanë qenë momentet e përplasjes sime me Ilirin. Ai madje paraqiti ankesë për mua tek Autoriteti i Konkurrencës, i cili në fund doli me një vendim pro meje. Nuk e di, por e parandjenja diçka të tillë. E kisha pikasur që diçka nuk përkonte, nuk ishte në rregull dhe e prisja që të ndodhte kjo gjë, por nuk mund të them asgjë tjetër, pasi unë dua që kjo ngjarje të zbardhet nga drejtësia. Kërkoj vetëm drejtësi dhe asgjë tjetër”, – pjesë e shkëputur nga dëshmia e Piro Bares në Prokurori. Kjo akuzë është kundërshtuar nga Karçini, i cili ka pohuar se konfliktet me Baren i ka zgjidhur në rrugë ligjore. Për sa i përket njohjes me Sinanajn, e ka mohuar këtë fakt, duke u shprehur se nuk e ka takuar kurrë. Ndërsa, nga ana tjetër, Julian Sinanaj ka pohuar se Karçini i ka paguar si kapar 50 mijë euro dhe pjesën tjetër të shumës do t’ia jepte pas vrasjes. Ndërmjetës ishte Andon Mëhillaj dhe në total Sinanaj është takuar katër herë me Karçinin.

 

 

Kushërinjtë Mëhillaj

Para 2 javësh u paraqitën në shtëpinë e viktimës Sokol Veizi

 Dy kushërinjtë Mëhillaj janë ndër personat më të kërkuar për momentin nga policia. Thuajse një javë pas shpalljes në kërkim, policia publikoi fotografitë e tyre dhe premtoi një shpërblim prej 10 mijë eurosh për këdo që do të informonte për vendndodhjen e tyre. Sipas sistemit TIMS, nuk rezulton se Andon dhe Genis Mëhillaj kanë dalë nga vendi, por mësohet se Genis Mëhillaj, porositësi i vrasjeve me pagesë, ishte kthyer në vendin e krimit, në tokën e një prej të vrarëve, peshkatarit Sokol Veizi. Nëna e tij tregon se kjo kishte ndodhur rreth dy javë më parë. Kushërinjtë Mëhillaj, porositësit e kontratave të vdekjes, kishin shkuar në familjen e njërit prej viktimave të tyre, Sokol Veizit, vetëm dy ditë para arrestimit të Julian Sinanajt. Nëna e Sokol Veizit në Orikum, Nazo Veizi, tregon momentin kur Genis Mëhillaj urdhëroi traktoristin të ndalonte punimet në tokën, për të cilën porositën vrasjen e djalit të saj. 16 muaj nga vrasja e Veizit, pjesa tjetër e familjes jeton nën terror. Gjyshja ka larguar vajzën nga shkolla. Shkaku i vetëm pse u vra Sokol Veizi ishin 800 m2 tokë që familja e tij mori nga shteti. Kjo pjesë ndodhej në pronën e ish-pronarëve, që në këtë rast ishin kushërinjtë Mëhillaj. Ata i kërkuan Veizit vetëm një herë të mos e punonte atë tokë, herën e dytë urdhëruan vrasësin të kryente ekzekutimin.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency