Rrëzohet kërkesa e opozitës për komision hetimor në polici PD, Paloka: Mazhoranca nuk pranon të japë llogari. Ruçi: Kërkesa, e pavend

0
115

Florenc Drizari

 

“Rrëzimi i kërkesës tregon se kjo qeveri është jo vetëm e kapur nga krimi por fatkeqësisht po drejtohet nga krimi”

 

Edi_Paloka_kryesia_e_kuvenditKonferenca e Kryetarëve rrëzoi dje kërkesën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor në Policinë e Shtetit. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike kërkon ngritjen e grupit hetimor për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi gjatë procesit të lëvizjeve të burimeve njerëzore në Policinë e Shtetit, si edhe për të njohur dhe reflektuar në thellësi fenomenin e lirimit nga detyra, të lëvizjeve dhe emërimeve të punonjësve të policisë dhe pasojave që sjell ky proces në garantimin e sigurisë publike. Pas mbylljes së punimeve të Konferencës, rrëzimi i kërkesës u kundërshtua nga përfaqësuesit e opozitës.

 

Paloka


Kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, reagoi duke theksuar se argumenti i mazhorancës ishte mosekzistenca e një komisioni të ngjashëm më parë. “Nuk u pranua kërkesa për komisionin hetimor dhe mazhoranca do të votojë kundër në seancë për këtë komision, me justifikimin se ne nuk kemi pasur deri më sot komisione hetimore për çështje të tilla. Ky ishte i gjithë argumenti që ngriti mazhoranca dhe kuptohet që nuk kishte asnjë argument tjetër ligjor apo edhe logjik për të hedhur poshtë këtë komision hetimor. I vetmi argument ishte që meqë nuk kemi bërë më parë hetime apo të kemi ngritur komisione të tilla, nuk kemi pse ta ngremë as këtë. Sipas kësaj logjike nuk duhej të ishte ngritur asnjë komision hetimor në të gjithë këto vite, sepse gjithmonë ka pasur një herë të parë për ngritjen e një komisioni hetimor”, – deklaroi Paloka.

Ruçi


Ndërkaq, në Konferencën e Kryetarëve mësohet se kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, ka thënë se nuk ka asnjë precedent të ngjashëm me kërkesën e opozitës. “Është e drejtë e Kuvendit të ngrejë komisione hetimore, por nuk ka pasur në 23 vitet e fundit asnjë komision që të hetojë emërimet dhe shkarkimet e një ekzekutivi”, – tha Ruçi, i cili solli në vëmendje edhe faktin se Kryeministri është thirrur në interpelancë për këtë çështje, ashtu si edhe ministri i Brendshëm ka raportuar në Komisionin e Ligjeve po për këtë çështje. “Përveç kësaj keni përdorur edhe një mjet tjetër ligjor, keni bërë kallëzim penal në Prokurori pikërisht për emërimet në Policinë e Shtetit. Në këto kushte kur ju keni ushtruar të gjitha këto kontrolle dhe keni ndjekur këto hapa ligjorë, kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor është fare e pavend”, – shtoi kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Ruçi.

Por, sipas kreut të grupit të PD-së, Paloka, kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor për mënyrën e zbatimit të legjislacionit si dhe shkarkimet dhe emërimet në polici, ka ardhur pas ngjarjeve të rënda me rendin në Shqipëri, sidomos dy muajt e fundit.

“Kemi pasur një rëndim të kriminalitetit në dy muajt e fundit, sidomos me ngjarje për shpërthime tritoli, vrasje, grabitje të papara ndonjëherë e të tjera me radhë. Bazuar në këtë situatë, dhe në disa fakte që ka Partia Demokratike të cilat janë bërë edhe publike lidhur me shkarkimet e paligjshme në polici, zëvendësimet e specialistëve në polici jo vetëm me militantë të paaftë të Partisë Socialiste, me njerëz të krimit, me precedentë penalë, fakte që ne i kemi denoncuar por nuk kemi marrë asnjë reagim as nga ministri i Brendshëm dhe as nga Kryeministri Rama, ne kemi kërkuar hetim parlamentar dhe llogaridhënie”, – tha ai. Vendimi i djeshëm i mazhorancës tha ai, pritet të reflektohet në edhe Kuvendin e Shqipërisë, gjë që, sipas Palokës, tregon qartazi se kjo qeveri është e kapur nga krimi.

 

 

 

Braho: Gabime në formulimin e kërkesës

 Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, duke iu referuar kërkesës së bërë nga opozita për ngritjen e komisionit hetimor, u shpreh se kërkesa nga ana formale është jo e saktë, duke përmendur edhe disa gabime të bëra në të. “Përveç gabimeve në formulimin e kërkesës, duhet më parë që të gjithë këta persona duhet të shkojnë në gjykatë dhe nëse gjykata u jep të drejtë se të gjitha këto emërime janë bërë në kundërshtim me ligjin, unë jam tërësisht dakord për ngritjen e komisionit hetimor”, -theksoi Braho. Nga ana e tij, kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Fatmir Xhafaj, tha se është e drejtë e opozitës të kërkojë ngritjen e një komisionit hetimor, por duke respektuar disa kushte e rregulla kushtetuese e ligjore.

 

 

Ligji për sigurimet shoqërore votohet më 13 shkurt

 Diskutimet për draftin 3-javor vijuan me ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, i cili propozoi që projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr 7708, datë 19.5.1993, për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar”, i parashikuar që të shqyrtohej në seancën e datës 20 shkurt 2014, të afrohej. Anëtarët e Konferencës së Kryetarëve ranë dakord me konsensus që ky projektligj të shqyrtohet më datë 13 shkurt në seancë plenare. Pas konsensusit të gjetur mes pozitës dhe opozitës në mbledhjen e djeshme të Konferencës së Kryetarëve, projektligji i ndryshuar për sigurimet shoqërore pritet t’i nënshtrohet diskutimeve në komisionet parlamentare. Në mbledhjen e djeshme, Konferenca e Kryetarëve miratoi edhe kalendarin tre javor të punimeve.

 

Pollo: Të shtyhet votimi i ligjit për AMA-n

 Kryetari i Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Genc Pollo, gjatë mbledhjes së djeshme të Konferencës së Kryetarëve, kërkoi shtyrjen e shqyrtimit në seancë plenare të projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9713 për median audiovizive”, e parashikuar për t’u diskutuar në seancën e datës 13.2.2014. “Komisioni ka vendosur që të mos caktojë datë për shqyrtimin e këtij projektligji që të presë dhe konsulencën ndërkombëtare të premtuar nga OSBE-ja, me ekspertë që pritet të vijnë nga 17-21 shkurt. Kështu që duhet t’i lihet 10 ditë ose 2 javë afat për shqyrtimin në seancë, që komisioni të ketë kohë të mjaftueshme për t’u marrë me këtë çështje”,-tha Pollo. Pas diskutimeve u vendos me konsensus që të shtyhet me dy javë nga data që ishe parashikuar kalimi i këtij projektligji në seancë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency