Itali / Rama: Konsullatë e re në Milano e përbashkët me Kosovën

0
171

Gëzim Saliu

Bushati: Objektivi është që të kemi shërbime sa më të shpejta, transparente dhe sa më të lira

 

RAMA-MILANONë vizitën në konsullatën e Shqipërisë në Milano, Kryeministri Edi Rama bëri të ditur dje se ajo do të zhvendoset me qëllim krijimin e një hapësirë më të madhe, pasi në godinën e re do të do të atashohet edhe konsulli i Kosovës. Pasi dëgjoi shqetësimet e stafit diplomatik, Rama theksoi se fokusi i përpjekjeve është shërbimi i shpejtë, cilësor dhe transparent. “Ne do të fokusohemi shumë fort tek shërbimet për qytetarët, të cilat kanë trashëguar një histori korrupsioni, një histori arrogance dhe një histori banaliteti që praktikisht nuk i bën nder jo shtetit, por nuk i bën nder askujt. Duhet të bëjmë sa më shpejt spostimin në një vend ku të mund të përballohet ky fluks, duke pasur parasysh që fluksi do të jetë edhe më i madh, për shkak se në të njëjtën hapësirë do të ofrojë shërbimet e veta dhe konsulli dhe stafi i konsullit të Kosovës, gjë që ne kemi rënë dakord dhe do të aktivizohet shumë shpejt. Kështu që praktikisht konsullata e Milanos do të jetë konsullata e shqiptarëve, e të gjithë shqiptarëve, qoftë të Shqipërisë, qoftë të Kosovës. I siguroj të gjithë qytetarët tanë që jetojnë në Itali dhe që kanë të bëjnë me këtë konsullatë apo me konsullatat e tjera, se në një kohë të arsyeshme, por jo të gjatë, do të shohin vetë një ndryshim rrënjësor në mikpritje, në trajtim dhe në dhënien e shërbimit ndaj tyre”, – tha Rama.

Konsullata

Në vizitën e tij në konsullatën e Shqipërisë në Milano, ku Kryeministri shoqërohej nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, Rama u njoh me kushtet, problematikat e kërkesat e stafit diplomatik, për një shërbim më efikas e cilësor ndaj qytetarëve shqiptarë, rezidentë në shtetin fqinj. Konsulli Rezart Shkëmbi informoi Kryeministrin se konsullata në Milano është një pikë referimi e rëndësishme për shqiptarët në Itali, e cila trajton çdo ditë problematika të ndryshme të mbi 100 qytetarëve në ditë. Por ai ngriti shqetësimin se infrastruktura aktuale e konsullatës e vështirëson shërbimin e shpejtë e cilësor ndaj tyre. “Unë mendoj që problemi i kësaj konsullate është problemi i menaxhimit të njerëzve, pasi kjo konsullatë ka një karakter specifik, është një konsullatë në të cilën paraqiten çdo ditë 100-120 qytetarë për shërbime konsullore të ndryshme, si edhe për pasaporta dhe tërheqjen e tyre. Me këtë hapësirë që ne kemi, e kemi të pamundur. Kështu që unë mendoj se është imediate që ne të kalojmë diku, në disa ambiente të reja, në mënyrë që të plotësojmë detyrën funksionale që kemi në shërbim të njerëzve”, – tha Shkëmbi. Nga ana e tij, ministri Bushati nënvizoi se pas evidentimit të shkeljeve në këtë përfaqësi, iu dha menjëherë fund një praktike abuzive të vendosjes së shërbimit Call Center me pagesë. Kjo gjë, sipas tij, rëndonte financiarisht shqiptarët që i drejtoheshin konsullatës për shërbime të ndryshme. “Të kalojmë diku tjetër në mënyrë që të kemi më shumë ambiente për konsullatën tonë këtu dhe që të ofrojmë shërbime sa më të mira. Kemi bërë një gjë jashtëzakonisht të mirë që i dhamë fund Call Center-it, që i gërryente lekë shqiptarëve në mënyrë totalisht korruptive, totalisht të pamerituar. Sot, konsullata, pavarësisht se operon në kushte të vështira, përpiqet për t’u shërbyer njerëzve në kohë dhe objektivi ynë është që të kemi shërbime sa më të shpejta, sa më transparente dhe sa më të lira, për të gjithë qytetarët shqiptarë. Dhe duam që edhe me zhvendosjen që do bëjmë, edhe më të ardhurat që gjenerohen, fondet të ngelen këtu, në funksion të promovimit sa më të mirë të Shqipërisë”, – u shpreh ministri Bushati.

 

Vizita në Milano

Rama, takime me sipërmarrësit italianë për investime në Shqipëri

Në vizitën e dytë në pak muaj në Itali, këtë herë në Milano, Kryeministri Rama i shoqëruar nga një grup deputetësh të mazhorancës ka zhvilluar takime me sipërmarrësit e shtetit fqinj, ku ka kërkuar thellimin e investimeve në Shqipëri. Duke bërë të ditur se objektivi kryesor i Shqipërisë është modernizimi dhe integrimi në Bashkimin Evropian, Rama ka pohuar përpara investitorëve se Shqipëria është një realitet ekonomik për tu eksploruar dhe që ofron mundësi të mëdha për sipërmarrësit e huaj. “Po punojmë edhe me vende të tjera, por objektivi ynë është mbi të gjitha Italia, pasi me ju ekziston një afërsi kulturore, gjuhësore dhe përtej afërsisë gjeografike. Ne i kërkojmë bashkëpunim mbi të gjitha atyre që punojnë në fushën e energjetikës hidro-elektrikës, pasi në Shqipëri ka një sasi të madhe uji. Pas Norvegjisë, jemi vendi evropian më i pasur me burime hidrike. Por u drejtohem edhe ndërmarrjeve prodhuese, industrisë turistike, që do të mund të fitojnë shumë në brigjet tona të mrekullueshme dhe gjithashtu ata që punojnë në bujqësi dhe në infrastrukturë”, – bëri thirrje Kryeministri ndaj sipërmarrësve italianë.

 

Durrës

Haxhinasto: Rishikim i koncesioneve, port mallrash në Shëngjin

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, në vizitën e tij të parë zyrtare në portin më të madh të vendit, në Durrës, inspektoi nga afër terminalin e udhëtarëve, si dhe një nga tragetet e linjës Durrës – Bari. Duke iu përgjigjur interesimit të medieve të pranishme, lidhur me të ardhmen e koncesioneve të kohëve të fundit, në shërbimin e udhëtarëve dhe në terminalin lindor, deklaroi se “qeveria shqiptare, në zbatim të legjislacionit, do të monitorojë rezultatet e punës së këtyre koncesioneve, të cilat do të jenë treguesi kryesor për të ardhmen e tyre”. Ndërkohë i pyetur lidhur me një deklaratë të tij, lidhur me të ardhmen e kroçerave në Durrës, ministri Haxhinasto konfirmoi: “Qeveria po punon për ngritjen e një porti të madh për përpunimin e mallrave në Shëngjin. “Durrësi është një qytet turistik dhe në të ardhmen edhe porti i tij do t’i përkushtohet pritjes së kroçerave me turistë, përpunimit të udhëtarëve dhe trafikut të jahteve”. Më tej, ministri pohoi se portet duhet të profilizohen në përpunimet përkatëse dhe kjo sipas tij është një nga mënyrat për të pasur shërbime të niveleve të larta. “Porti i Durrësit duhet të rrisë nivelin e konkurrueshmërisë në rajon, duke u bërë më tërheqës për bizneset vendase dhe të huaja”, – deklaroi ai. Më pas, ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, i shoqëruar nga drejtuesit e portit dhe të kompanisë koncesionare gjermane, vizitoi një nga tragetet e linjës, ku tha se do të njihej më nga afër me kushtet e lundrimit dhe standardet e trageteve, pasi ka pasur, sipas tij, vërejtje lidhur me çmimet e larta të udhëtimit, krahasuar me kushtet në tragete.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency