Maskat në Tepelenë Sulmohet autobusi i linjës Athinë-Tiranë, vdes 25-vjeçari

0
148

Nga vendngjarja Telnis Skuqi

Anxhela Tato

 

Dëshmia e emigrantit Elidon.F:  Menduam mos kishin defekt gomat, shoferi ndaloi për të kontrolluar. Jashtë rrezikut për jetën 19-vjeçarja Q.Dihani

 

 

AUTOBUZI-GJIROKASTER-27 JANAR 2014TEPELENË – U ndodh në vendin dhe kohën e gabuar emigranti nga Elbasani, Laurent Tabaku, 25 vjeç, i cili humbi jetën nga dy plumba “qorr” mesnatën e hënës, teksa udhëtonte në autobusin e linjës ndërkombëtare Athinë (Greqi)-Tiranë, në vendin e quajtur “Mogila”, pranë fshatit Krahës, rreth 20 km larg Tepelenës. Ndërsa plumbi i tretë ka kursyer 19-vjeçaren Q. Dihani nga Fieri, e cila doli nga incidenti vetëm me një gërvishtje në fytyrë. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:20 minuta të mëngjesit të djeshme, tha Gentian Mullai, zëdhënësi i policisë së qarkut të Gjirokastrës. “Mendohet se autobusi ishte piketuar për të grabitur, por dështoj qysh në fillim”, shton ai. Sipas tij, policia lokale ka nisur një hetim, ndërsa në vendngjarje mbërritën dy grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejt (FNSH) për të identifikuar dhe ndaluar autorët. “Deri tani janë shoqëruar në polici si të dyshuar 13 persona, ndërkohë hetimet vazhdojnë”, – specifikon zyrtari i policisë. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion 10 mijë euro për çdo informacion të vlefshëm lidhur me autorët që qëlluan mesnatën e dje autobusin e linjës ndërkombëtare Athinë (Greqi)–Tiranë. “Policia e Shtetit ofron një shpërblim prej 10 mijë euro për çdo person që jep informacion të vlefshëm në drejtim të identifikimit dhe kapjes së autorëve, në çdo rast duke ruajtur anonimatin”, thuhet në komunikatën e policisë.

Dëshmia e emigrantit dhe menaxherit

Elidon.F., emigrant, i cili i ndodh në autobusin fatkeq, tregon se kishte dëgjuar tre shkrepje të njëpasnjëshme, por pas pesë minutash ngjarja u qartësua. “Ishte vet viktima që kërkoj ndihmë. Ai kishte marrë dy plumba në trup, ndërsa 19-vjeçarja ishte gjakosur në fytyrë”, – rrëfen Elidoni, emigrant në Greqi për 17 vitesh. Në fillim, vijon Elidoni, kujtuam se kishin të bënin me një defekt në gomat e autobusit. “Shoferi ndaloi për të kontrolluar gomat, por nuk ishte e thënë. Në vend të gomave ishte shpuar xhami”, – specifikon Elidoni. Më tej, Elidoni shton se të plagosurit janë dërguar me një automjet tjetër në spitalin e Fierit, që u ndodh rastësisht në vendngjarje, ndërsa policia ka mbërritur 20 minuta me vonë, i shoqëruar nga dy grupe të gatshme të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejt (FNSH). “Ishim 20 udhëtarë në autobus dhe asnjëri prej nesh nuk pa të armatosur në rrugë”, – nënvizon Elidoni. “Për mua 25-vjeçari ishte i vdekur qysh në vendngjarje. Ai u zbeh totalisht dhe nuk fliste më, ndërsa krejt kundër ishte me 19-vjeçaren, e cila vazhdimisht kërkonte ndihmë”, – shton emigranti. Edmond Tafa, menaxher i linjës, ka qenë i ulur pranë shoferit, kur ka pikasur i pari një person në cep të rrugës. Për shkak të errësirës, pasi ora shënonte 01:30 pas mesnate, 27 janar, Tafa ka menduar se ishte bari. Por në momentin që autobusi ka ulur shpejtësinë, janë dëgjuar të shtënat me armë në drejtim të autobusit. Duke qenë se të shtënat dallohej se vinin nga armë të ndryshme, menaxheri thotë se mund të ishin më shumë se dy vetë ata që i sulmuan.

Hetimet

Ka qenë ora 12:45 e mesditës së djeshme kur autobusi mbërriti në kryeqytete. Shenjat e plumbave dhe dëmtimet që ka pësuar autobusi janë të dukshme. Njëri nga xhamat në anën e shoferit është thyer krejtësisht nga plumbat, dhe copat janë shpërndarë në të gjithë pjesën e brendshme të autobusit. Shenjat e plumbave të shumtë të cilët janë gjuajtur në drejtim të autobusit dallohen qartë, dhe pothuajse të gjithë janë nga ana e krahut të shoferit dhe në pjesën e pasme të autobusit, pasi mjeti nuk ka ndaluar. Drejtuesit e autobusit thonë se e bëjnë çdo ditë këtë linjë, por kjo ishte hera e parë që i ndodhte një incident i tillë. Ndërsa janë marrë në pyetje pasagjerët, të cilët kanë rrëfyer momentet e panikut. Para bluve ata kanë treguar se kanë dëgjuar të shtëna dhe i kanë kërkuar shoferit që të mos ndalonte, por të vijonte udhëtimin. Ndërkohë që asnjë nga pasagjerët nuk ka mundur do të shikojë autorët, për shkak të errësirës dhe panikut.

 

 

Hetimet

Vrau besimtarin në xhami, gati kërkesa për gjykim

Vrasja e ndodhur në xhaminë e Lushnjes çon në gjykatë të pandehur Arjan Allën. Në ngarkim të tij është ngritur akuza e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese. Prokuroria ka përfunduar hetimet dhe dosja është depozituar në gjykatë, ku do të hidhet në shortin e elektronik. Ende nuk janë të qartë arsyet që çuan Allën të vriste 83-vjeçarin Shamshir Muça, Ndonëse nga hetimet ka rezultuar se i pandehuri fillimisht ka tentuar të ngatërrojë policinë në hetime dhe është shtirur si me çrregullime psikike. Ngjarja ka ndodhur me 12 prill të vitit 2013 rreth orës 17:15 në xhaminë e fshatit Dushk. “Nga këqyrja e afërt e viktimës rezultonte se: Të ndjerit Shamshir Muça i kishin prerë fytin dhe mjetin prerës një biçak me ngjyrë të kuqe e kishin lënë të ngulur në vertebrën e tretë cervikale dhe më pas e kishin zhveshur nga mesi e poshtë. Ndërsa mbi dorën e djathtë të viktimës ishte vendosur një unazë floriri në formë rrethi e hequr nga dora e viktimës dhe mbi dorën e majtë ishin vendosur një orë dore, ku zinxhiri ishte i këputur dhe syzet e viktimës”. I pandehuri Arjan Alla pas kryerjes së krimit e ka zhvendosur trupin e të ndjerit në mesin e xhamisë me kokë nga perëndimi dhe e ka zhveshur plotësisht atë nga mesi e poshtë. Gjithashtu i pandehuri ka hequr nga gishti i dorës së viktimës unazën e floririt, duke ia vendosur atë mbi dorën e djathte. Këto veprime të të pandehurit janë kryer me qëllim që hetimi i kësaj vrasje të drejtohej në rrugë të gabuar me dyshimin kryesor të vrasjes për motive morali. Menjëherë pas kryerjes së veprës penale i pandehuri Arjan Alla është përpjekur të fsheh provat e krimit. Ai nuk ka shkuar në shtëpinë e tij, por tek shtetasja M.B, ku dhe ka lënë teshat e gjakosur. Më pas këto tesha pa dashje ishin larë, pasi i pandehuri Arjan Alla do t’i merrte me vete në Greqi. Pas identifikimit të të pandehurit Arjan Alla si autor i veprës penale, ky i pandehuri është përpjekur t’i shmanget përgjegjësisë duke u sjelle si një i sëmurë psikik, sjellje të cilën e ka manifestuar tek familjarët e tij, të cilët edhe e kanë vizituar tek një mjek psikiatër. Fakti që i pandehuri nuk jep asnjë lloj motivi që ta ketë shtyrë në kryerjen e veprës penale, vrasjes së shtetasit Shamshir Muça, tregon se i pandehuri është i parapërgatitur për një situatë të tillë

 

 

Atentatet me eksploziv

Ministri Tahiri: Të mbyllen numrat pa pronarë

Atentatet e shtuara të eksplozivëve që aktivizohen me celularë ka detyruar Ministrinë e Punëve të Brendshme të kërkojë mbylljen e menjëhershme të numrave aktivë të telefonisë celulare, që nuk kanë pronarë të individualizuar apo kur një person ka shumë numra të regjistruar në emrin e tij. Me një letër që mban datën e djeshme Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i drejtohet AKEP-it duke i kërkuar që të mbyllen të gjithë ata numra “për të cilët nuk ka një pronar të individualizuar si dhe mbylljen e menjëhershme të numrave të tepërt të regjistruar në emrin e të njëjtit person”. Letra i adresohet kryetarit të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), me cilësinë e autoritetit më të lartë përgjegjës në fushën e Telekomunikacionit Elektronik dhe Postar. Në këtë letër shprehet shqetësimi tepër serioz, lidhur me disa elementë të punës së operatorëve telefonikë celularë. Ministri Tahiri shprehet në letrën drejtuar z. Pirro Xhixho se, “nga hetimet paraprake mbi disa çështje me rrezikshmëri kriminale të theksuar është evidentuar një element i përbashkët që mund të ketë lehtësuar kryerjen e veprimtarisë kriminale: numrat celularë pa pronar të identifikuar. Sipas ministrit ky fenomen i trashëguar prej kohësh është kthyer në një problem që cenon drejtpërdrejt sigurinë kombëtare, rendin publik e mbi të gjitha jetën e qytetarëve”. “Për këtë arsye Ministria e Punëve të Brendshme kërkon nga AKEP zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje, duke ofruar të gjithë ekspertizën e nevojshme për të bërë ndryshimet ligjore përkatëse, që do t’i japin fund një herë e mirë tregut të paligjshëm të kartave celulare, duke përfshirë sanksione penale për të gjithë përgjegjësit, nga operatorët celularë deri te shitësit dhe blerësit e numrave celularë fantazmë”, thuhet në letrën e drejtuar.

 

Durrës

Kapet me 6 kg heroinë në çantë, pranga poseduesit

Një person është vënë në pranga nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike mbrëmjen e djeshme në qytetin bregdetar të Durrësit. Mircea Hysenllari nga Tirana u arrestua nga policia, pasi në automjetin që po drejtonte ju gjetën 6 kg heroinë. Poseduesi i lëndës narkotike e kishte fshehur drogën në shasinë e mjetit tip ‘Benz” me targë AA468IN.

 

Gramsh

Përdhunoi të miturën, arrestohet 27-vjeçari

Një 27-vjeçar i akuzuar për marrëdhënie seksuale me të mitura është vënë në pranga nga policia e Gramshit. Sipas policisë Fatbardh Çekrezi 27-vjeç ishte shpallur në kërkim pasi gjykata e Elbasanit e ka dënuar me arrest me burg nën akuzën e marrëdhënieve seksuale me të mitura.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency