Vendimi Shfrytëzoi mbesat për vjedhjen e dajës-tregtar, dënohet me 5 vite burg

0
177

Sonja Caka

 

E pandehura Afërdita Pecmarkaj ishte shoqe me njërën nga dy vajzat, të dënuara 10 muaj më parë. Vodhën rreth 15 milionë lekë në banesën e tregtarit të bizhuterive

 

 

leket jashtePas dënimit të dy vajzave të reja, shoqe të saj, si dhe vëllait të një tjetër shoqeje, dënohet bashkëpunëtorja e katërt në vjedhjen e rreth 15 milionë lekëve në banesën e një tregtari bizhuterish, vjedhje të kryera 2 vjet më parë. E pandehura Afërdita Pecmarkaj është dënuar me 5 vjet burg nga gjykata, ndërsa dy shoqet e saj, mbesa të të dëmtuarit u dënuan me 6.4 vjet burg për vjedhje të përsëritura në banesën e dajës së tyre. Gjithashtu, gjykata ka dënuar me 2 muaj burg për tentativë vjedhje një tjetër të pandehur, i cili ka mundur të futet në banesën e dajës së dy vajzave, por që nuk ka mundur ta realizojë vjedhjen pasi nuk gjeti valixhen ku mbaheshin paratë e kursyera nga dy tregtarët. E pandehura Agushi mësohet të ketë hedhur idenë e vjedhjes së parave në shtëpinë e dajës dhe për këtë fakt ka biseduar me kushërirën e saj Lauretën dhe shoqen Afërditën. Më pas ato kanë bërë planin kur do ndërhynin në banesë dhe e kanë konkretizuar në dy faza planin, ndërsa një herë kanë dështuar, kur futën në veprim edhe një të njohurin e Afërditës, Gynter Jaupin.

 

Plani

 Sipas vendimit të gjykatës, rreth datës 9 tetor të vitit 2011, e pandehura Oligerta Agushi ka rënë dakord me Afërdita Pecmarkaj (shoqe e saj) të vjedhin para në banesën e shtetasit Abdyl Projko, i cili është daja i saj. Planin e tyre të pandehurat ia kanë thënë edhe të pandehurës tjetër Laureta Kormaku (vajza e tezes së të pandehurës Agushi). E pandehura Laureta Kormaku ka rëndë dakord që të vjedhin para në banesën e dajës së saj me Oligertën dhe Afërditën. Dy vajzat kushërira mes tyre i kanë banesat pranë shtëpisë së dajës, ndërsa në vilën 3-katëshe të tij jetojnë edhe gjyshërit e të pandehurave, gruaja dhe fëmijët e të dëmtuarit dhe vëllai beqar i këtij të fundit. Duke qenë në marrëdhënie të afërta gjinore mes tyre, vajzat Agushi dhe Kormaku e dinin që daja i tyre kishte para, madje Oligerta e dinte dhe vendin ku ai i mbante ato, duke qenë se ka pasur raste kur ajo ka ndihmuar gjyshen që jetonte me dajën për të bërë punët e shtëpisë dhe pastruar dhomën e gjyshes. I dëmtuari Abdyl Projko ka që prej viteve 1997 që merret me tregti me të vëllain dhe tregtojnë tek tregu industrial “5 Maji” mallra që Adbyli merr në Turqi. Kështu, ai kursimet që kanë grumbulluar i ka pasur të fshehura në shtëpi. Sipas gjykatës, paratë që kishte kursyer në vite, i dëmtuari i kishte futur 22.000.000 lekë në një kasafortë, ndërsa 14.900.000 lekë në një valixhe druri që e kishte mbyllur me dry dhe e mbante në dhomën e prindërve të tyre poshtë krevatit dopio. Në lidhje me faktin që valixhja kishte lekë e dinin edhe familjarët.

 

Vjedhjet

 Pas përfundimit të planit, për tri vajzat vjen momenti i realizimit të vjedhjeve. Ditën që ato kanë ndërhyrë në banesë nuk ka pasur njeri pasi kishin shkuar në Durrës. Oligerta pak kohë më parë i kishte bërë kopje çelësit të derës duralumini që të çonte tek kati i dytë i banesës dhe me këtë çelës ka hapur derën dhe është futur në katin e dytë. Afërdita dhe Laureta kanë qëndruar roje. Oligerta është futur në dhomën e gjyshërve të saj dhe ka nxjerrë nga poshtë krevatit valixhen prej druri në të cilën ndodheshin paratë. Pasi ka nxjerrë valixhen i ka bërë asaj një vrimë me kaçavidë dhe ka mundur të nxjerrë prej andej disa tufa parash të lidhura me llastik dhe të gjitha ato që ka marrë ishin kartëmonedha 5000-lekëshe. Pasi i kanë numëruar u rezultoi se ishin 2,5 milionë lekë. Nga këto para, 500.000 lekë ia kanë dhënë Lauretës dhe të tjerat i ka mbajtur Afërdita në shtëpinë e saj dhe i kanë shpenzuar së bashku me Oligertën duke blerë sende të ndryshme, veshje, si dhe kanë marrë me qira një dyqan për parukeri dhe një banesë. Pas këtij episodi diku nga fillimi i muajit nëntor 2011, sërish Oligerta është futur në shtëpinë e dajës së saj diku nga dreka. Kushërirat në bashkëpunim kanë vepruar, ndërsa Afërdita sërish roje. Pasi ka marrë paratë, i kanë numëruar te një lokal në Petrelë dhe rezultoi të kenë qenë 2,5 milionë lekë të gjitha në kartëmonedha 5000-lekëshe. Përsëri nga kjo shumë i dhanë të njëjtën Lauretës dhe vetë blenë sende të ndryshme, morën një dyqan dhe një banesë me qira.

 

Vjedhja e fundit

 Nga fundi i muajit dhjetor 2011, rreth një jave para vitit të ri, Afërdita Pecmarkaj fut në lojë të pandehurin Gynter Jaupi, pasi i njihte motrën. Me të ka rënë dakord për të kryer vjedhje sërish në banesën e të dëmtuarit Abdyl Projko, duke u futur në të i pandehuri Gynter Jaupi për të kryer vjedhjen. Për të realizuar vjedhjen janë takuar të tre së bashku Afërdita, Oligerta dhe Gynteri dhe kanë biseduar në lidhje me vjedhjen që do kryenin. Kështu, Gynteri e ka lënë me Afërditën që të takoheshin për t’i treguar banesën. Afërdita i ka thënë Oligertës të interesohej se ku ndodheshin pjesëtarët e familjes së dajës së saj. Oligerta ka marrë në telefon kushëririn dhe pasi është interesuar se ku ishin dhe është bindur se ndodheshin në katin e parë të shtëpisë, ajo ka njoftuar me telefon Afërditen dhe i ka thënë se ku ndodheshin ata. Rreth orës 21:10, Oligerta ka parë Gynterin të hyjë nga dera e oborrit të banesës së saj, e cila ishte lënë hapur dhe nëpërmjet oborrit të banesës së Oligertës, ai ka kaluar tek banesa e dajës së saj. Pas rreth 10 minutash, Gynteri ka dalë nga banesa e shtetasit Abdyl Projko dhe Oligerta nuk i ka parë gjë në dorë dhe ai ka dalë përsëri nga dera nga ka hyrë. Oligerta ka marrë në telefon Afërditen rreth orës 21:20 duke i thënë se ç’kishte ndodhur. Afërdita i ka thënë se Gynteri nuk kishte gjetur para dhe se ai e kishte fyer se përse e kishte gënjyer. Pas kësaj dite, Oligerta është takuar normalisht me Afërditën deri ditën kur është shoqëruar nga policia. I dëmtuari Abdyl Projko ka hapur valixhen dhe ka vënë re se në të nuk ishin lekët dhe konkretisht sasia prej 14.900.000 lekë që ai ruante. Menjëherë ka bërë kallëzimin në polici, duke deklaruar paratë e vjedhura, ndërsa paratë në kasafortë nuk ishin prekur.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency