Alarmi Po rritet numri i personave të prekur me HIV AIDS

0
171

122 persona të infektuar gjatë 2013-ës, 30% e të cilëve janë femra. “Pjesa më e madhe e rasteve në Shqipëri diagnostikohen në stadin AIDS, çka është pasojë e nivelit të ulët të testimit vullnetar”

 

spitalNëse në vitin 1993 në Shqipëri kishte vetëm 3 persona të prekur me HIV AIDS, sot kjo shifër është rritur me 40 herë. Gjatë vitit 2013 janë prekur nga HIV AIDS 122 vetë, një shifër kjo shqetësuese për një vend të vogël si Shqipëria. Në total vendi ynë numëron 696 të prekur nga sëmundja HIV AIDS.

“Vihet re një trend në rritje i numrit të femrave. Pjesa më e madhe e rasteve në Shqipëri, diagnostikohen në stadin AIDS, çka është pasojë e nivelit të ulët të testimit vullnetar. 3 për qind e femrave janë testuar ndonjëherë për infeksionin HIV në Shqipëri dhe rreth 4 për qind e meshkujve”, – shprehet Roland Dani, koordinator i HIV AIDS në ISHP. “Epidemia më serioze dhe më e rrezikshme është epidemia që është shoqëruar me stigmën dhe pabarazinë gjinore. Në Shqipëri rreth 30 per qind e personave të infektuar janë femra. 2013 u mbyll me 122 raste të reja, ku 30 për qind e tyre ishin femra. Femrat janë diagnostikuar në fazën e vonshme dhe pasi është diagnostikuar partneri i tyre apo pasi është diagnostikuar fëmija i lindur me HIV”, – thotë Dani.

 

HIV AIDS në Shqipëri

 

AIDS është cilësuar si një ndër sëmundjet më problematike të viteve të fundit. Në mungesë të një kure për shërim, parandalimi ngelet mbrojtja më e mirë prej saj. AIDS mund të godasë të gjithë, të rinj, të rritur, por edhe fëmijë. Globalisht, ajo renditet e dyta si shkaktare e vdekjes së grup-moshës 20-24 vjeç dhe e para në Shtetet e Bashkuara për vdekje së grup-moshës 25-44 vjeç. Ka një diferencë midis HIV dhe AIDS. HIV (Human Immunodeficiency Virus) është virusi që mund të shkaktojë AIDS-in. Ai i përket grupit të viruseve të quajtura retro viruse apo viruse “të ngadalshme”. Ai hyn në trup nëpërmjet kontaktit seksual apo gjakut të marrë nga një person i infektuar dhe dalëngadalë fillon të godasë sistemin imunitar. Shkatërrimi i sistemit mbrojtës shpie në AIDS (Acquired Immune Deficiency Syndrome). Pra, AIDS është stadi final i infektimit me HIV. Në këtë fazë sistemi imunitar i trupit është dorëzuar dhe nuk mund të luftojë më asnjë sëmundje, sado e lehtë të jetë ajo. Kohëzgjatja e kalimit nga HIV në AIDS varet nga disa faktorë. Në ditët e sotme ka shumë ilaçe që mund të përdoren nga të infektuarit më HIV, duke i ndihmuar ata të zhvillojnë një jetë normale për një kohë të gjatë. Deri në vitin 2010, në Shqipëri kanë rezultuar 406 persona të infektuar me HIV dhe 142 janë në stadin AIDS.

 

Të dhënat

 

Deri në vitin 2000, rastet kanë qenë të pakta, por pas kësaj periudhe, numri i personave të infektuar ka ardhur në rritje me norma relativisht të larta. Në vitin 2007 rezulton rritja më e lartë e personave të infektuar, 37.5% më shumë se 2006-a. Edhe 2009-a karakterizohet nga një normë e lartë, 24.5% më shumë se sa në vitin 2008. Viti 2010 ka rezultuar me një rënie të personave të identifikuar me HIV, 33% më pak se në 2009-ën. Si një ndër shkaqet e këtij trendi është parë edhe rënia e personave vullnetar që kryejnë testin për HIV-in, nga 3143 në vitin 2009, në 2160 në vitin 2010. Deri në fund të dhjetorit, 2010 ka pasur 41 raste të reja me HIV dhe më shumë se gjysma e tyre (54%) kanë qenë në stadin e AIDS. Ky është numri më i lartë i rasteve të reja të identifikuar direkt në stadin AIDS duke e paraqitur situatën gjithmonë e më problematike. Sa më shpejt të kapet ekzistenca e virusit në organizëm aq më mirë është pasi nëpërmjet mjekimeve, mund të zgjatet faza HIV pa kaluar në AIDS.

 

Somario

Deri në vitin 2010, në Shqipëri kanë rezultuar 406 persona të infektuar me HIV dhe 142 janë në stadin AIDS

 

 

Shërbimi në spitale

Mjekim me protokoll, Beqaj: Do të shmanget abuzimi me barnat

 

Ministria e Shëndetësisë shumë shpejt do të ketë gati protokollet e shërbimit në spitale, në mënyrë që qytetarët shqiptarë, jo vetëm të marrin mjekimin e duhur për patologji të ndryshme, por në këtë mënyrë shmangen dhe abuzimet që bëhen me barnat. Kjo deklaratë është bërë nga kreu i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. “Mungesa e protokolleve korrekte dhe shkencore të mjekimit dhe procedurave standarde të punës në spitalet tona ndikojnë duke rritur ndjeshëm keqpërdorimin dhe abuzimin në barnat mjekësore. Kështu, jemi zotuar për hartimin dhe zbatimin e tyre si një hap të domosdoshëm në rritjen e transparencës, verifikueshmërisë, përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies me qëllim final për rritjen dhe përmirësimin gradual të cilësisë së shërbimit spitalor”, – tha Ilir Beqaj, ministër i Shëndetësisë. Ministri Beqaj tha se prioritet i reformës shëndetësore do të jetë edhe lufta ndaj pagesave informale, por edhe ndaj korrupsionit që ka ekzistuar me menaxhimin e fondeve publike. ”E kemi nisur punën tonë duke u bazuar edhe në gjetjet e studimeve tepër të vlefshme, siç është ai i projektit PAKA, i cili sugjeron si mund të ulen pagesat informale në shëndetësi, si mund të ulet dhe të tkurret korrupsioni spitalor, si mund të eliminohet korrupsioni në fondin e detyrueshëm shëndetësor. Çdo spital duhet të ndërtoj planin strategjik të komunikimit me popullatën në zonën gjeografike përkatëse”, – tha Ilir Beqaj.

 

 

Nxitje arsimit profesional

Veliaj: Studentë që kanë mbaruar Juridik dhe Ekonomik, sot janë pa punë

 

Shkollat e arsimit profesional, jo vetëm po braktisen nga të rinjtë, por ka gjithmonë një interes në ulje për t’i ndjekur. Ka qenë ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, i cili kërkoi të nxitet arsimi profesional dhe të investohet më shumë në të. “Kemi një pafundësi CV-sh të njerëzve që kanë mbaruar Juridik dhe Ekonomik, kemi shumë vende pune që nuk kërkojnë juristë dhe ekonomistë, por që kërkojnë teknikë të mesëm, inxhinierë të kualifikuar, specialistë me aftësi që sot fatkeqësisht tregu nuk i ka. Është një mit kur thuhet që nuk ka një punë. Nuk kemi mjaftueshëm shqiptarë që kanë aftësitë e duhura për këto punë”, – tha Veliaj. Ministri u shpreh se të rinjtë shqiptarë duhet të orientohen drejt mësimit të profesioneve, duke harxhuar më pak kohë dhe kosto. ”Për ne investimi në arsimin profesional postsekondar bën resenc ekonomik. Zakonisht kurse të tilla zgjasin 1 ose 2 vjet. Zgjat shumë më pak sesa arsimi bachelor i dikujt që studion Juridik dhe Ekonomik. Kostoja mbi shoqërinë është një 3-vjeçar dhe në thelb është vetëm një mënyrë për të shtyrë papunësinë për 3 vite të tjera për të shpenzuar paratë jo vetëm të shoqërisë, por edhe të familjes së atyre që investojnë në arsime që nuk kanë një të ardhme në Shqipëri”, – theksoi Veliaj. Fondi total për zhvillimin e projektit për punësimin kap një kosto prej 3.3 milionë eurosh.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency