Pengmarrja “Presione dhe kërcënime se po e ndaja nga i dashuri”

0
291

Anxhela Tato

 

 

Rrëfimi i pengut për dy orët e mbajtjes së ngujuar në një dhomë hoteli nga 3 të arrestuarit

 Dy djemtë që shoqëruan Ertën, mohojnë akuzën: Albana shpif, ne thjesht pimë kafe

 

Erta Bode“Më akuzonte se po e ndaja nga i dashuri dhe më bëri presion psikologjik”, – pjesë nga dëshmia e Albana Lazrit dhënë para oficerëve të policisë. Pengu i xhelozisë së 25-vjeçares Erta Bode ka kallëzuar në polici se tre të rinjtë i kanë kërkuar takim për një kafe, duke e tërhequr me zor në një hotel në zonën e “21 Dhjetorit”. Aty e kanë mbajtur për gati dy orë, duke i bërë presion dhe duke e kërcënuar që të pohonte lidhjen e saj me të dashurin e Ertës dhe të largohej nga ai. Ndërkohë, pengu tregon se mes saj dhe të dashurit së Ertës nuk ka pasur asgjë, përveçse një raporti shoqëror. “Nuk është faji im që ai është ftohur nga Erta, ne jemi thjesht shokë dhe asgjë më tepër”, – shton më tej 25-vjeçarja. Ndërkohë, dy shokët e ideatores së dyshuar për pengmarrje e quajnë si sajesë këtë akuzë. “Nuk është e vërtetë, ne thjesht shoqëruam Ertën, e cila donte të sqarohej me Albanën. Nuk i kemi bërë asgjë nga ato që ajo thotë, thjesht kemi pirë një kafe dhe qëndruam shumë pak. Çdo gjë është një sajesë dhe mashtrim i saj”, – kanë dëshmuar dy të arrestuarit Eduart Karaj dhe Renato Masmalaj. Nga të dhënat e policisë mësohet se ka qenë Erta, e cila ka njoftuar në celular pengun, duke i kërkuar që të takoheshin për një kafe. 25-vjeçarja ka thirrur edhe dy shokët e saj, duke u sqaruar planin. Në momentin që janë takuar me Albana Lazrin, ata i kanë thënë se do të shkonin në një vend dhe e kanë tërhequr deri tek një hotel. Janë futur në njërën nga dhomat, ku e kanë mbajtur vajzën për rreth një orë. Ndaj Albana Lazrit nuk është ushtruar dhunë fizike, por vetëm presion psikologjik. Më pas e reja është lënë e lirë dhe të tre autorët janë larguar me qetësi, por pas denoncimit blutë kanë gjetur vendndodhjen e tre autorëve, duke i vënë pas hekurave. Ditën e djeshme, Ministria e Inovacionit dhe Teknologjisë, me anë të një deklarate për shtyp, ka mohuar që 25-vjeçarja Erta Bode të ishte punonjëse tek ta. Ndërkohë, në profilin e “Facebook”-ut të 25-vjeçares thuhet se ajo punon drejtore në organizatën “E Ardhmja Jonë”, si dhe tek Ministria e Teknologjisë dhe Inovacionit. Vetë organizata sqaron se Erta ka punuar një muaj drejtore dhe më pas është larguar për mospërmbushje kriteresh. Data e fundit e punës ka qenë 20 shtatori.

 

Dëshmia e të arrestuarve

 “Ne na thirri shoqja jonë që ta shoqëronim, pasi donte të sqaronte një muhabet me Albanën. Erta ishte e shqetësuar, pasi ajo vajza ishte afruar shumë me të dashurin e saj dhe ne vajtëm e shoqëruam. Me Albanën kishte folur Erta dhe kishte lënë një orar dhe pikë takimi. Pasi u takuam, ne u ulëm dhe folëm, asgjë më shumë. Erta po i kërkonte shpjegime dhe asgjë tjetër nuk ndodhi. Albana gënjen dhe ne as e kemi marrë peng dhe jo më ta dhunonim apo t’i bënim presion. Ne nuk jemi ajo kategori, thjesht vajtëm për të shoqëruar shoqen tonë, se na donte si mbështetje. Të dyja vajzat kanë njohje me njëra-tjetrën, madje kemi ndenjur shumë pak në kafe dhe secili është shpërndarë në drejtim të vet. Çdo fjalë e Albanës është një mashtrim dhe e bën nga inati, pasi do t’i marrë të dashurin Ertës”, – përfundon rrëfimi i dy djemve.

 

Rrëfimi i pengut

 “Më thirri Erta për një kafe dhe vajta të flisja. U tremba dhe u habita kur pashë që ishte edhe me dy shokë të saj. Ajo më kërkonte llogari pse i dashuri i saj ishte ftohur nga ajo dhe më akuzonte mua si dashnore. Nuk është e vërtetë dhe s’kam faj unë që i dashuri është larguar nga Erta. Unë thjesht e kam shok dhe asgjë më tepër, nuk kam lidhje me të dhe thjesht shoqëroheshim kohët e fundit. Ertën e njoh, por ajo më tërhoqi zvarrë dhe dy djemtë më mbanin nga krahët, që të mos ikja. Më ka bërë presion psikologjik për dy orë dhe më thoshte që t’i thosha të vërtetën dhe të pranoja që isha e dashura e të dashurit të saj. Më kërcënonte t’i tregoja të vërtetën dhe t’i kërkoja falje dhe të largohesha nga i dashuri i saj. I thashë që nuk kisha lidhje fare me të dashurin e saj dhe nuk e kisha unë fajin që ai ishte ftohur nga ajo. Por më kërcënonin dhe më lëshuan pas dy orësh. Unë erdha në polici dhe denoncova çfarë kishte ndodhur”, – përfundon dëshmia e Albana Lazrit.

 

 

Aksion

Sekuestrohet arsenal armësh, 2 në pranga

 Tre persona janë vënë në pranga nga policia, pasi u janë kapur armë. Policia e Tiranës ka bërë të ditur se në një aksion në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, janë arrestuar Fatbardh Bardhi, 27 vjeç, dhe Sajmir Bardhi, 22 vjeç, të dy banues në Tiranë. Arrestimi i tyre është bërë, pasi gjatë një kontrolli në një makinë tip “Mercedes-Benz” me targë TR 2081 K, në afërsi të Piramidës, ka gjetur tri armë zjarri, dy pushkë dhe një çifte. Bashkë me armët janë sekuestruar edhe fishekë. Menjëherë ata janë vënë në pranga nga efektivët e komisariatit nr. 1, ndërsa janë duke u marrë në pyetje nëse armët do shiteshin apo do të kryhej ndonjë krim. Paralelisht me këtë aksion, një tjetër person është arrestuar për armë, këtë herë në Kashar. Policia e Tiranës bëri të ditur se është vënë në pranga Neritan Sulaj, 27 vjeç. “Pas kontrollit të imtësishëm të ushtruar, falë posedimit të informacioneve, u gjetën një armë zjarri tip Shot Gan si dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh automatike”, – bëri të ditur policia e kryeqytetit. Ndaj tre personave të arrestuar është ngritur akuza e “Armëmbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” dhe dosja i është dërguar Prokurorisë së Tiranës.

 

 

Gjirokastër

I gjenden 69 mijë euro në makinë, dyshohet për pastrim parash

 Kapet në flagrancë me 69.400 euro para kesh, ndërkohë që ndiqej për krim ekonomik dhe pastrim parash. Kapja u realizua nga policia e Gjirokastrës në segmentin rrugor Subash – Gjirokastër dje pasdite rreth orës 17:00 gjatë kontrollit të bërë në një automjet, tip “BMW X6”, që drejtohej nga shtetasi K. S. Ky i fundit është proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Shuma e eurove dhe automjeti luksoz me vlerë 5.1 milionë lekë të reja janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Të dhënat më të hollësishme policia nuk jep për arsye të hetimit. Po gjatë ditës së djeshme, specialistët për Krimin Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër rreth orës 19:00 në qytetin e Këlcyrës kanë bllokuar dy makineri të lojërave të fatit dhe një ruletë.

 

 

Fier

Aksidentohet makina ku ndodhej Baba Mondi, asnjë i dëmtuar

 Aksidentohet gjatë pasdites së djeshme makina me të cilën udhëtonte Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi, e bashkë me të ishte edhe gazetari Ferdinand Samarxhi. Burime nga policia kanë bërë të ditur se makina me të cilën udhëtonte kreu i bektashinjve ka ndodhur në rrugën Fier – Lushnjë. Aksidenti mësohet se ka ndodhur për shkak të devijimit të rrugës nga makina për të shmangur përplasjen me një motor në fshatin Rrapë. Mësohet se nga aksidenti asnjëri nga pasagjerët, Baba Mondi dhe gazetari Samarxhi, nuk kanë pësuar dëmtime, ndërsa janë nisur drejt Tiranës sërish. Makina drejtohej nga shoferi i Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency