Bankat dhe individët tremben të investojnë në bono të qeverisë

0
181

Ervin Kaduku

 

Rënie e theksuar e investimeve nga institucionet bankare dhe persona privatë për të blerë letra me vlerë nga Financat

Besueshmëria e aftësisë menaxhuese të Financave publike, në pikiatë, theksuar edhe nga ulja e vlerësimit të agjencive ndërkombëtare për borxhin publik shqiptar

 

banka shqip Blerja e bonove të thesarit të shtetit dhe e obligacioneve afatgjata, me një fjalë e letrave me vlerë që hedh në treg qeveria shqiptare, ka pësuar një ndryshim të dukshëm në fund të vitit të kaluar. Dhe ky trend po vazhdon edhe në muajin e parë të 2014-ës.

Pas tërheqjes së bankave në blerjen e letrave me vlerë të qeverisë në tremujorin e tretë ishin institucionet financiare jo-banka, kryesisht kompanitë e sigurimit, ato që kanë investuar më shumë në bono thesari e obligacione shtetërore. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, gjatë periudhës janar – tetor të vitit 2013 vihet re një tendencë në rritje e peshës së institucioneve jo-banka me 411 pikë përqindje. Pesha e tyre në totalin e borxhit arriti në 11.3%, nga 6.2% në fund të vitit 2012.

Në tremujorin e tretë 2013, bankat shfaqën një tërheqje nga investimi në letrat me vlerë të qeverisë. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, zëri i “Veprimeve të letrave me vlerë” nuk shënoi rritje, duke mbetur rreth 288 miliardë lekë, ndryshe nga dy tremujorët e mëparshëm të vitit, kur ai kishte qenë treguesi kryesor që kishte ndikuar në rritjen e aktiveve. Në rënie me rreth 2 miliardë lekë ka qenë dhe zëri i “Bonove të thesarit”.

Sipas Ministrisë së Financave, në fund të tetorit 2013, pesha e bankave në totalin e borxhit u ul në 63%, nga 64% në fund të 6 mujorit, kryesisht si rrjedhojë e uljes së investimit nga Raiffeisen, por dhe mungesës së agresivitetit të bankave të tjera.

Megjithatë, kjo nuk u reflektua në plotësimin e nevojës së qeverisë për borxh, të paktën deri në fund të nëntorit, ku Financat arritën të siguronin të gjithë shumën e kërkuar dhe yield-i, interesi, i bonove vijoi uljen.

 

Ndryshimi i qeverive

 Por, menjëherë sa u krye ndryshimi qeveritar, duket se performanca e Ministrisë së Financave drejt thithjes së parave të lira nga tregu financiar për letra me vlerë pësuan një rënie drastike. Sinjalet e para se qeveria po hasej në vështirësi në financimin e borxhit të brendshëm (mosplotësim i shumës së kërkuar dhe rritje të interesave) u shfaqën në ankandet e fundit të dhjetorit, ndoshta dhe pse institucioneve financiare jo bankare duket se u shteruan paratë e lira, që kishin vënë më parë në dispozicion të qeverisë shqiptare.

Sidomos e thellë ka qenë ulja e pjesëmarrjes së Bankës Raiffeisen. Pesha e saj në totalin e borxhit ka rënë nga 34% në dhjetor 2011 në 29.4% në fund të 2012-s për të zbritur në 24% në tetor 2013.

Ministria e Financave ka pranuar se mbështetja tek sistemi bankar dhe angazhimi i një pjese të konsiderueshme të aseteve të tij përbën risk të konsiderueshëm për ecurinë në terma afatgjatë.

 

Individët

 Ndërkohë, i njëjti largim nga tregu i letrave me vlerë ka ndodhur edhe me individët. Vitet e fundit, individët e panë si një alternativë të leverdishme investimin e kursimeve të tyre në blerjen e letrave me vlerë të qeverisë. Interesat më të larta në raport me depozitat ishin avantazhi kryesor që ofronte blerja e bonove të thesarit, 3, 6 apo 12-mujore, apo obligacioneve me afat maturimi me më shumë se një vit. Në fund të vitit 2012, sipas statistikave të Ministrisë së Financave, investimet e individëve në letrat me vlerë të qeverisë kishin arritur madje në një nivel rekord, ku individët arritën të mbanin rreth 14.5% të totalit të borxhit.

Por gjatë 2013-ës, pesha e tyre filloi të tkurrej, për të arritur në 12.9% në fund të tetorit 2013, siç del nga të dhënat e fundit të disponueshme nga Ministria e Financave. Një nivel i tillë ishte parë vetëm në fund të 2011-ës.

Kjo tendencë është e njëjtë me atë të ngadalësimit të rritjes së depozitave në sistemin bankar, duke reflektuar krizën ekonomike, që ka prekur tashmë dhe kursimet e individëve. Sipas të dhënave më të fundit të Bankës së Shqipërisë, për 11-mujorin e vitit kaluar, të krahasuara me bazë vjetore (nëntor 2013/nëntor 2012), depozitat ishin 20 miliardë lekë, apo 2.2% më të larta, duke qenë tre herë më të ulëta në raport me një vit më parë, ku ndryshimet përkatëse ishin 7.8% dhe 60 miliardë lekë.

 

 

 

Mbajtësit e Borxhit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë

 

Çfarë po ndodh

 Po të shihet me vëmendje procesi i ecurisë së borxhit të brendshëm, vihet re lehtësisht se në momentet kur ekonomia shqiptare filloi të ecë me shpejtësi maksimale, të gjithë faktorët e mundshëm kërkonin të blinin letra me vlerë, duke nisur nga bankat, për të përfunduar me individët. Kjo solli që, deri vitin e kaluar, norma e interesit e bonove dhe obligacioneve të arrinte në një pikë rekord të ulët, duke e lehtësuar shtetin nga barra e interesave të letrave me vlerë. Në këtë gjendje e gjeti qeveria Rama situatën e letrave me vlerë kur mori pushtetin ekzekutiv.

Shpallja e një strategjie të dëmshme, që e lidh rritjen ekonomike më shumëfishimin e borxhit publik, nga ana e kësaj qeverie doemos do të sillte si pasojë edhe tërheqjen e shumë subjekteve seriozë nga blerja e bonove dhe obligacioneve. Kjo strategji bëri që të shihen me dyshim rezultatet e premtuara nga dyshja Rama-Cani në fushën ekonomike. Këta të fundit vunë sirenat e alarmit kur mazhoranca e djathtë hoqi kufirin e borxhit publik, që më parë ishte me ligj në masën 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Me të ardhur në pushtet, mazhoranca e majtë jo vetëm që e shfrytëzoi djallëzisht këtë mundësi që ja kishte krijuar e kaluara, por, sipas vlerësimeve nga Departamenti Ekonomik pranë Komisionit Evropian në Bruksel, pritet që vetëm brenda 12 muajve të këtij viti borxhi publik të kërcejë në afro 74 për qind të PBB-së. Në këto kushte, tregu reagon negativisht, duke tërhequr investimet e mëparshme. Kjo ka bërë që edhe banka, por edhe individë të largohen nga ky treg, duke krijuar një boshllëk në financime, që qeveria “Rama” mendon ta mbushë vetëm duke iu drejtuar bankave të huaja.

Kjo ndodh në një kohë kur kredia e re për investime në 11 muajt e vitit 2013 ka arritur nivelin më të ulët në gjashtë vitet e fundit. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, deri në fund të nëntorit bankat i akorduan biznesit 23.8 miliardë lekë kredi për investime, në rënie me 35% ndaj të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Po kështu, kur arritja e marrëveshjes me FMN për financimin e borxhit që qeveria u ka bizneseve për punët publike, duket se rezultatet do t’i ketë vetëm në 3 mujorin e parë të këtij viti.

Ervin Mete, zëvendësministër i Financave, u shpreh pak ditë më parë se paratë e premtuara nga BB dhe FMN do të fillojnë të disbursohen në disa transhe, ku i pari mund të ishte në muajin mars dhe i fundit në shator, duke shtyrë shumë në kohë rimbursimet e premtuara nga qeveritarët më parë.

Pra, burimet e financimit po bien, biznesi sheh me shqetësim se rregullimet fiskale po mbeten krejtësisht në letër që në fillim dhe qeveria nuk po krijon brenda vendit besueshmërinë e kërkuar për të qenë lokomotivë për ekonominë shqiptare.

 

 

Rritje e frikshme e borxhit për frymë

 Sipas statistikave zyrtare të publikuara nga Ministria e Financave, si dhe atyre të Buxhetit të Rishikuar dhe Buxhetit Fillestar për 2013-2014, më 2010-2012 kostoja e borxhit për frymë të popullsisë ka pësuar luhatje të vogla, duke lëvizur nga 14.494 lekë në vitin 2010, në 14.738 lekë apo 1.68% më shumë në 2012-n. Në vitin 2013 treguesi rritet me 1.333 lekë krahasuar me vitin 2012, apo 16.071 lekë për çdo shqiptar rezident.

Por, “kërbaç” pritet për vitin në vazhdim. Në vitin 2014, kjo vlerë pritet të rritet akoma më shumë, për të arritur në 16.645 lekë për frymë. Sipas këtyre përllogaritjeve, një familje mesatare me katër persona “duhet të kontribuojë” me 66.580 lekë në vit në Buxhetin e Shtetit vetëm për të shlyer interesat e borxhit të marrë.

 

 

Më keq se kaq, nuk mund të fillohej 2014-a!

 

Ngadalësohet ndjeshëm industria nxjerrëse

Industria nxjerrëse, një nga sektorët kryesorë që ka nxitur rritjen e eksporteve në dy vitet e fundit, ka shfaqur shenjat e para të një ngadalësimi të ndjeshëm në tremujorin e tretë të vitit 2013. Sipas statistikave afatshkurtra të INSTAT-it, në tremujorin e tretë kjo industri u rrit me vetëm 19%, duke qenë 45% më e ulët se rritja mesatare e gati katër viteve të fundit.

Rolin kryesor në rritjen e kësaj industrie e zuri nxjerrja e naftës nga kompania Bankers Petroleum, e cila është aktualisht kompania më e madhe në vend për sa i përket xhiros, por edhe eksportuesi më i madh në vend.

Ngadalësimi i kësaj dege është reflektuar dhe në të njëjtin trend për eksportet shqiptare. Sipas të dhënave të tjera të INSTAT, për periudhën janar-nëntor 2013, kompanitë shqiptare kanë shitur jashtë vendit rreth 224 miliardë lekë, me një rritje prej 15% në krahasim me të njëjtën periudhë, duke ngadalësuar ritmet e rritjes për herë të parë gjatë këtij viti dhe duke dhënë sinjalet e para se eksportet mund të mos kenë një tendencë kaq pozitive vitin e ardhshëm. Për 10-mujorin, eksportet ishin rritur me 16% me bazë vjetore.

Eksportet e “Minerale, lëndë djegëse e energji” u rritën me 31% për janar-nëntor 2013 (nga rreth 35% që ishte rritja për 10 mujorin), duke arritur në 91 miliardë lekë dhe duke përbërë zërin kryesor të eksporteve vendase, me rreth 40% të totalit. Prej dy vitesh ky grup-mall po rritet me shpejtësi, si rrjedhojë e eksporteve të larta të naftës nga kompania Bankers Petroleum. Megjithatë, ritmet e rritjes së këtij grup-malli u ngadalësuan për 11 mujorin, duke nxjerrë në pah strukturën e paqëndrueshme të eksporteve tona, që janë tepër të varura nga shitja e pasurisë kombëtare të papërpunuar jashtë vendit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency