23-vjetori i themelimit të PD-së në Elbasan Basha: Procesi zgjedhor në PD, me rëndësi kapitale, votat e blera do t’i dalin prej hundësh mazhorancës

0
279

Florenc Drizari

 

Kreu i PD-së: Dyshja Rama-Meta nuk do t’u shmanget përgjegjësive për premtimet e pambajtuara

  

Basha ne ElbasanNë kuadër të 23-vjetorit të themelimit të degëve të Partisë Demokratike në rrethe, krerët e së djathtës zhvilluan dje një takim festiv në qytetin e Elbasanit. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, kritikoi ashpër vendimet e fundit të qeverisë, kryesisht ato në fushën ekonomike, dukë vënë theksin tek rritja e taksave me paketën e re fiskale që u miratua në fund të muajit dhjetor. Zoti Basha ka deklaroi se shqiptarët mund ta bëjnë dallimin mes qeverisë se PD-së dhe asaj që është në pushtet, ndërsa bëri një krahasim me bilancet e 100 ditëve të para të qeverisë.

Lulzim Basha

“PD është krijuar dhe do mbetet partia e njerëzve të lire. Liria dallon demokratët nga kundërshtari, nga qeverisja Rama-Meta. Në 8 vite, ne rritëm rrogat dhe ulëm taksat. Më shumë mjete, më shumë para, më shumë liri për të vendosur e zgjedhur. Çfarë ndodhi me ardhjen e shpresave të Bllokut?! Kohë të reja, zakone të vjetra. Në 100 ditë bënë atë që dinë të bëjnë më mirë, të rrisin taksat, t’u marrin paratë shqiptarëve, t’u marrin lirinë, rritën koston e jetesës, të ushqimeve, përmes shtrenjtimit të karburantit dhe së shpejti të energjisë. E mbani mend kur hoqëm tatim-fitimin për 56% të shqiptarëve me të ardhura deri në 300 mijë lekë të vjetra!? Çfarë ndodhi me ardhjen e shpresave të Bllokut?! Rrezikojnë vendet e punës përmes klimës mbytëse që kanë krijuar ndaj sipërmarrjes”, – deklaroi z. Basha.

Gjithashtu, kryetari i partisë më të madhe opozitare në vend risolli në vëmendje fenomenin e votave të blera në Korçë, duke i kërkuar mazhorancës që të mos luajë me fatet e vendit kur krerët e saj përmendin një milion votat e marra në 23 qershor.

“E pra, sipërmarrja është gjeneratori i punësimit dhe punësimi gjenerator i mirëqenies dhe kur i pyet: Çfarë po bëni, po rrezikoni ekonominë, bukën e gojës, mirëqenien e shqiptarëve?! – me arrogancë përgjigjen: “Kemi marrë 1 milion vota”. Po ju them në emër të çdo demokrati këtu në Elbasan e në gjithë Shqipërinë: Po luani me fatet e shqiptarëve. Mos luani me fatet e shqiptarëve, mos luani me jetën e shqiptarëve sepse do ju dalin prej hundësh votat e marra, të blerat dhe të grabiturat!”, – tha Basha. Ndërsa demokratët u dhanë lirinë shqiptarëve përmes sigurimit të mirëqenies, sot kjo u është cenuar nga qeveria që i ka zhytur në varfëri dhe mjerim. Kryetari i PD-së theksoi se Rama-Meta mendojnë se gjykimin e drejtë popullor mund ta blejnë, siç e bënë në Korçë, duke u angazhuar vetëm të sigurojnë fonde të mjaftueshme për t’i blerë votën qytetarëve dhe të mos japin llogari për premtimet e pambajtuara.

Lideri i opozitës theksoi në fjalën e tij se përpos vendimeve të qeverisë, po shihet një frymë revolte nga qytetarët. Kjo frymë revolte në mbarë vendin, sipas tij, ka kthyer sytë e shpresë së shqiptarëve tek Partia Demokratike.

“Atëherë, kur nuk jep dot bukë, jepu gjak, – thoshin romakët. Kanë filluar me goditje të njëpasnjëshme të themeleve të shtetit ligjor, të konsensusit politik, vendimeve të gjykatave, institucioneve të pavarura. Kanë vijuar me goditjen e themelit të demokracisë që është vota e lirë. Asnjë fije shprese, asnjë shkëndijë optimizmi nuk është ndezur nga kjo qeveri. Një frymë revolte po ndihet. Po ndihet e do të ndihet më shumë dhe po ngrihet dhe do ngrihet më shumë, sepse njerëzit e lirë mbi gjithçka çmojnë dinjitetin dhe njeriu me dinjitet nuk e pranon dhe nuk do e pranojë kurrë mashtrimin. Ndaj shqiptarët, gjithnjë e me shumë po i kthejnë sytë nga demokratët, e ne demokratët duhet t’i përgjigjemi pritshmërisë së tyre. Për këtë arsye, procesi i ardhshëm zgjedhor brenda radhëve tona merr një rëndësi kapitale”, – tha Basha.

Takimi i demokratëve në qytetin e Elbasanit vjen pas një turi në disa qytete kryesore të vendit si në Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier, Shkodër, Lezhë. Pas kremtimit të 23-vjetorit të themelimit të degëve të PD-së në qytete të ndryshme të vendit, krerët e opozitës pritet të nisin një tjetër proces brenda radhëve të së djathtës, atë të analizës së zgjedhjeve të shkuara parlamentare si dhe të zgjedhjes së strukturave të reje të partisë.

 

 

Reagon pozita

“Vendimi i Kushtetueses”, PD: Emërimet e militantëve, të paligjshme

 Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që rrezoi aktin normativ të qeverisë për ligjin e nëpunësit civil, sipas demokratëve, ndalon çdo rekrutim në administratë që nga 1 janari i këtij. Deputeti i opozitës, Oerd Bylykbashi, tha dje se edhe pse vendimi i Kushtetueses nuk është zbardhur, qeveria vazhdon të punësojë militantë në administratë, gjë që sipas tij, është antiligjore. Partia Demokratike, sipas tij, i bën thirrje qeverisë të ndalë shkarkimet e paligjshme si dhe paralajmëron sërish drejtoren e Departamentit të Administratës Publike dhe çdo drejtues institucioni apo zyrtar tjetër me përgjegjësi në procesin e rekrutimit të nëpunësve civilë se do të mbajnë përgjegjësi penale për shpërdorim detyre dhe dëm ekonomik. “Qeveria vazhdon shkarkimet e nëpunësve dhe rekrutimet e paligjshme të militantëve socialiste sipas këtij akti normativ antikushtetues, dhe ne i kujtojmë kësaj qeverie se, që nga data 1 janar 2014, edhe sipas aktit normativ, ndalohet çdo rekrutim sipas ligjit të vjetër. Neni 68, pika 1 e ligjit të ri përcakton pa ekuivok se: “Asnjë procedurë e re e plotësimit të një vendi të lirë, nuk fillon 3 muaj përpara datës së shtrirjes së efekteve të këtij ligji”. Sipas aktit normativ antikushtetues, ligji i ri hyn në fuqi më 1 prill 2014 dhe sipas nenit të mësipërm, duke filluar nga 3 muaj para 1 prillit, pra duke filluar nga data 1 janar, nuk mund të bëhet asnjë rekrutim i ri sipas ligjit të vjetër. Edhe truku që kjo qeveri përdori në shkelje të Kushtetutës, duke filluar nga data 1 janar 2014, nuk funksionon më. Çdo vend vakant tashmë mund të plotësohet vetëm me procedurat e ligjit të ri të nëpunësit civil”, -deklaroi Bylykbashi. Deputeti i opozitës siguroi të gjithë nëpunësit civilë të shkarkuar pas datës 1 tetor 2013 se edhe këto shkarkime do të shpallen nul dhe absolutisht të pavlefshme, sapo Gjykata Kushtetuese të zbardhë vendimin e saj.

 

 

Paloka: Arrestimet e paligjshme shthurin policinë dhe qeverisjen. Rilindje!

Vendimet e fundit të gjykatave për lirimin e disa personave që janë arrestuar për çështje korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin, sipas kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, kanë treguar keqpërdorimin e policisë së shtetit. në një koment në rrjetin social “Facebook”, z. Paloka ka shkruar:  “Po regjistrohen dhjetëra raste të shpërdorimit të detyrës nga ana e Policisë dhe strukturave të tjera të pushtetit, të cilat organet e drejtësisë po i certifikojnë si të paligjshme. Bllokimi i revanshit po mbjell panik në radhët e mazhorancës, si dhe po shthur qeverisjen dhe aksionin e Policisë së Shtetit. Rrënimi i hakmarrjes edviniste duhet të shoqërohet jo veç me kthimin e dinjitetit për personalitetet që arrestohen padrejtësisht, por edhe me dënimin e atyre faktorëve qeveritarë që po keqpërdorin policinë dhe akuzën për interesat e tyre personale. Rilindje!, EP”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency