Selami Xhepa: Buxheti, një akt tepër i nxituar dhe jotransparent

0
144

Dr. Selami Xhepa mendon se buxheti 2014 dhe paketa fiskale janë hartuar në nxitim, pa iu nënshtruar një diskutimi me grupet e interesit

 

selami-xhepaDekani i Institutit Kanadez të Teknologjisë (CIT), dr. Selami Xhepa, mendon se buxheti 2014 dhe paketa fiskale janë hartuar në nxitim, pa iu nënshtruar një diskutimi me grupet e interesit, në veçanti nga studiuesit dhe kërkuesit, dhe që krijon hapësira të mëdha për më shumë pasiguri. Sigurisht që ky ishte viti i parë i qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet dhe është e mirëkuptueshme shkelja e afatit kohor dhe aspekteve procedurale sipas parashikimeve që ka ligji buxhetor, thotë ai. Por, duke pasur parasysh shkallën e ndjeshme të ndërhyrjeve që i janë bërë sistemit fiskal në vend, qoftë në taksat direkte dhe në ato indirekte, një periudhë më e gjatë kohore debati publik do të ishte shumë e dobishme. Një debat më i plotë duhet të ishte bërë edhe për alokimin e shpenzimeve publike, pasi sërish ndryshimet që janë kryer janë relativisht të ndjeshme, në raport me prioritetet e reja strategjike, një debat që mund të ndriçonte projektet kryesore që do të financoheshin sipas sektorëve dhe impaktin e tyre ekonomik e social, thekson ish-deputeti i PD-së.

 

Kritikat

Sipas tij, nëse do të ndalemi më hollësisht në ndryshimet që janë bërë në krahun e të ardhurave, rritja e parashikuar prej 13% e tyre pritet të vilet kryesisht nga rritja e tatimeve mbi biznesin (me 51%) dhe rritja e akcizës (36%), ndërsa tatimi mbi të ardhurat personale do të ndikojë negativisht në të ardhurat e buxhetit. Pra, në tatimet direkte duket një zhvendosje e dukshme e barrës fiskale nga individi tek biznesi, që do të realizohet nga rritja e tatimit mbi fitimin nga 10% në 15%. Por, barra fiskale e individit rritet kryesisht nëpërmjet tatimeve indirekte, si, rritja e akcizës për disa mallra konsumi, rritja e taksës së qarkullimit mbi naftën, si dhe nga rritja e tatimit mbi të ardhurat personale (deri në 23%) për grupet me të ardhura të larta dhe vendosja e një takse të re për shtëpi të dyta etj., rritje që parashikohet t’i japin arkës së shtetit gati 20 miliardë më shumë lekë. Në këtë kuptim, rritja e të ardhurave, nëpërmjet një rritje të barrës fiskale, në pothuaj të gjitha kategoritë e tatimeve, është një çështje shumë e ndjeshme dhe me ndikime ekonomike të dyshimta.

 

Borxhi

Një tjetër tipar shumë i debatueshëm i këtij buxheti, sipas Selami Xhepës, është shifra e borxhit publik: huamarrja e qeverisë e kalon shifrën e 95 miliardë lekëve, nga mesatarisht 45-50 miliardë që kanë qenë historikisht (tre-katër vitet e fundit) kufiri vjetor i huamarrjes publike. Duke qenë se të ardhurat shtesë (prej 20 miliardë) pothuaj barazohen me shifrën e borxhit të trashëguar, shtesa e huamarrjes së re për efekt të detyrimeve të prapambetura, duhet të ishte shumë modeste, në raport me atë që është parashikuar. Në këtë kuptim, kjo rritje impresionuese e deficitit fiskal është njëherësh edhe rreziku kryesor me të cilën do të përballet ekonomia gjatë vitit të ardhshëm. Zhvillimet e pritshme do të varen shumë nga ecuria e normave të interesave në treg e cila do të reflektojë mënyrën se si do të perceptohet rreziku i borxhit publik shtesë. Nëse tregu do të jetë neutral, manovra fiskale do të ketë një efekt pozitiv të fortë, si një stimul i shtuar fiskal.

 

Efektiviteti

Dr. Xhepa thotë se rregullimi strukturor i ekonomisë kërkon një sistem fiskal jo vetëm të lehtë nga aspekti i taksimit normativ, por mbi të gjitha një administrim eficient, jo diskriminues dhe të kulturuar në raport me taksapaguesit.

Ky buxhet i parashikon që të dyja, edhe rritjen e taksave, edhe rritjen e borxhit. Në gjykimin e tij, rritja e borxhit është gjithnjë mënyra më e mirë për të ruajtur ekonominë nga një rrezik recesionit, pasi ky kanal ndikon më shpejt në afat të shkurtër, ndërkohë që rritja ekonomike në afat të gjatë nëpërmjet borxhit, është pa asnjë dyshim një rritje shumë e rrezikshme, sepse në një moment të caktuar kohor, ai do të bëhet i paqëndrueshëm. Dhe siç u provua edhe së fundmi, krizat e borxheve e zhbëjnë progresin e shoqërisë, progres i krijuar në mënyrë artificiale, përveçse ato krijojnë një proces të pandershëm rishpërndarje e të ardhurave si dhe mund të ketë edhe implikime sociale e politike të paparashikueshme. Prandaj, rritja ekonomike me borxhe është e rrezikshme dhe e padëshirueshme. Ndërkohë, një sistem fiskal i lehtë, asnjanës/neutral, dhe i miradministruar, janë mënyra e duhur. Rritja e taksave, përkundrazi është dekurajuese në aspektin ekonomik, dhe në planin social, krijon nxitje për deformimin e vlerave morale të shoqërisë, thekson ai.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency