Kontrabanda e Ikonave Bashkëshortja e Gjergji Thimos letër Ambasadës Amerikane

0
155

Anxhela Tato

Rrëfimi: “Burri im është licencuar nga shteti si koleksionist dhe jo trafikant”

Bashkëshortja e Thimos: Ikonat janë të regjistruara në qendrën e Invetarizimit dhe jo të grabitura

 

ikonat“I kam dërguar një letër Ambasadës Amerikane që të ndërhyjë për arrestimin e Gjergjit. Akuza është një sajesë dhe ai është pa faj”, – shprehet Esmeralda, bashkëshortja e koleksionistit Gjegj Thimo. Kanë kaluar tre muaj nga lajmi i prangosjes së Gjergjit dhe ende nuk ka prova konkrete për akuzën e kontrabandës së ikonave. Familjarët janë në pritje të përfundimit të hetimeve dhe me shpresën se prokuroria do e lirojë të afërmin e tyre, duke i rikthyer gjithë ikonat e sekuestruara. Në një intervistë bashkëshortja e Thimos shpreh keqardhje për politizimin e çështjes, ndërsa sqaron se asnjë nga ikonat nuk është e vjedhur. Ajo tregon se për Gjergjin ikonat ishin gjërat më të çmuara, të cilat ai i mblidhte dhe i ruante me kujdesin më të madh. Ikonat janë të gjitha të regjistruara në qendrën e Invetarizimit dhe nuk është aspak e vërtetë që ato janë shitur, shton Esmeralda. Në lidhje me dëshminë e Arben Spahos, ajo e cilëson si një mashtrim dhe sajesë për të mbajtur në qeli Gjergjin. Ndërsa është në pritje të përfundimit të procesit hetimor për të ndërmarrë veprimet e duhura ligjore. Esmeralda tregon se gjatë takimeve Gjergji ka shprehur besim te drejtësia me bindjen se do të lirohet duke pretenduar kthimin  gjithë ikonave, të cilat janë pronë e tij. Ndërkohë që për Esmeraldën është shumë e habitshme sesi një person që u liçensua për muze, u vlerësua nga qeveri të ndryshme dhe madje u konsiderua si engjëll i ikonave, përfundon në pranga.

Rrëfimi  

“Na kanë thënë që sot përfundojnë hetimet, por nuk e di se çfarë është bërë në të vërtetë. Gjergji ka shpresë që të fitojë procedimin në gjendje të lirë,por nuk e di. Shpresat i kam të mëdha. Gjergji është koleksionist dhe kurrë nuk do t’i shiste ikonat e ti. I dërgonte ato në qendrën e inventarizimit, për të verifikuar dhe të regjistruar objektin. Ai i kishte ruajtur ikonat, as nuk i ka shituar dhe as nuk i ka kontrabanduar. Nuk e di se përse po e mbajnë Gjergjin të burgosur dhe i gjithë opinioni është i çuditur me arrestimin e tim shoqi, kur në të vërtetë dihet puna e Gjergjit se kush është në të vërtetë. Arrestimi i tij u politizua shumë dhe unë nuk do të doja që çështja e tij të merrte ngjyra të tilla politik, sepse Gjergji nuk ka të bëjë me politikën. Gjergji ka ruajtur me fanatizëm një pjesë të kulturës dhe identitetit  tonë. Dëshmia e shoferit është një sajesë. Gjergji nuk merret as me hajdutë dhe as e trafikantë. Ai i ruante ikonat sepse i ka pasion ato. Po të ishte trafikant, nuk do isha sot në mes të rrugëve unë, të jetoja me qira dhe të punoja dite e  natë, për të mbijetuar. Mjaftonte që Gjergji t’i kontrabandonte ato dhe jeta jonë do të ishte më e lehtë. Gjergjin vetë shteti e licencoi, vetë e lejoi që të hapte ekspozitë, muze. Nëse ai ishte në rrugë të gabuar, shteti nuk kishte pse ta lejonte që ta bënte për 20 vjet këtë punë dhe sot e arrestojnë si trafikant. Në fillim e quajtën mbrojtës të ikonave, engjëlli ikonave, ndërsa sot e quajnë trafikant. Edhe nëse ankohem nuk të dëgjon njeri. Nuk e di se çfarë do bëhet me fatin e trim shoqi. Jam ankuar edhe në Ambasadën Amerikanë, por nuk më kanë kthyer përgjigje. Nuk e di nëse i ka shkruar letra apo jo. I kam kërkuar që ai të mos qëndrojë në burg, sepse është i pafajshëm. Ai nuk duhet të rrijë atje pasi nuk ka bërë ndonjë krim që ta meritojë një gjë të tillë. Avokati pret që të mbarojë hetimi. Ka shpresë që drejtësia do e nxjerrë nga burgu. Edhe ikonat nuk kanë pse t’i mbajnë sepse unë i kam të regjistruar, sipas ligjit”.

 

 

 

Aksidentet rrugore

Brenda 24 orëve  3 të plagosur dhe 1 i vdekur

Viti i Ri 2014 nis me aksidente, ku vetëm brenda ditës së djeshme në mbarë vendin janë regjistruar tre raste me një të vdekur dhe tre të plagosur. Shpejtësia tej normave dhe mos respektimi i rregullave të qarkullimit rrugor janë motivet e aksidenteve rrugore në Durrës, Elbasan dhe Tiranë. Tre persona janë plagosur mbrëmjen e djeshme, si pasojë e një aksidenti në aksin rrugor Peqin-Elbasan. Burime nga policia bëjnë të ditur se një fugon pasagjerësh është përplasur me një veturë dhe për pasojë tre persona janë plagosur rëndë. Të lënduarit janë dërguar menjëherë në spital, prej ku mësohet se njëri prej tyre është në gjendje kritike, ndërsa dy të tjerët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Një aksident me pasojë vdekjen e një këmbësoreje ka ndodhur sot rreth orës 17:30 në Durrës. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Plazhit, tek sektori Iliria, teksa një automjet tip “Benz” me targë “AA077EK” ka përplasur një këmbësore, Lavdie Blloshmi, rreth 40 vjeç, duke i shkaktuar asaj vdekjen. Ndërkohë, policia është lajmëruar nga vetë drejtuesi i automjetit, i cili nuk është larguar nga vendngjarja. Policia e ka ndaluar 22-vjeçarin Genc Gjeçi, dhe e ka marrë atë në pyetje në kuadër të hetimeve përkatëse. Dy automjete janë përplasur në kryeqytet, por fatmirësisht nuk ka të lënduar në njerëz. Ngjarja ka ndodhur pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Blutë, që kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, bëjnë me dije se në momentin që dy automjetet janë përplasur me njëra-tjetrën nuk ka funksionuar semafori. Në aksident janë përfshirë një makinë me targë “AA258HR” dhe makina me targë “AA002ET”. Pasi është përplasur një nga mjetet ka përfunduar në trotuar. Policia bën me dije se nga përplasja ka dëme të shumta materiale. Ndërkohë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vazhdojnë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency