“100 ditët e para të qeverisë” Basha: Rama humbi përballë rinisë, Kushtetueses dhe BE-së

0
142

Florenc Drizari

“Rama është rrëzuar në çdo ballafaqim, i tha JO rinia, Gjykata Kushtetuese dhe BE”

Kreu i PD-së: Qeveria e ka bërë shumë mirë këto 100 ditë propagandën dhe Shoun mediatik

 

lulzim basha konferenca shtypi (1)Njëqind ditët e para të qeverisë cilësohen nga opozita shqiptare si kohë e humbur për Shqipërinë dhe kthim mbrapa përsa i përket sigurisë në vend, zbatimit të ligjeve dhe integrimit në Bashkimin Euvopian. Gjatë një analizë që kryetari i Paritsë Demokratike i bëri “100 ditëshit” të mazhorancës socialiste, kritikoi ashpër disa nga vendimet kryesore të qeverisë Rama-Meta. Z. Basha tha se gjatë kësaj periudhe kryeministri ka humbur çdo përballje si me qytetarët e tij, me rininë, ashtu me opozitën dhe partnerët ndërkombëtar. Në reagimin e tij të mbajtur për mediat në selinë e PD-së, Basha tha se bilanci i qeverisë është negativ dhe nuk premton zhvillim ekonomik siguri për qytetarët.

LULZIM BASHA
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se 100 ditët e para të qeverisjes janë të mjaftueshme për të kuptuar ecurinë e saj dhe me vendimit e fundit të ekzekutivit, dhe përtej pritshmërive të larta që janë premtuar nga krerët socialist, Basha tha se shqiptarët jetojnë me keq dhe në tërësi është ngritur një frymë pesimizmi. Kreu i opozitës ironizoi arritjet e qeverisë duke thënë se sukses ka pasur vetëm në shfaqjen e propagandes dhe shfaqjeve televizive. Duke mbeturu tek bilanci për 100 ditët e para të qeverisë, z. Basha renditi tre çështje ku kryeministri Rama nuk ka pasur sukses në përballjet e tij.  

“E kundërta ka ndodhur. Çdo shqiptar ndihet dhe jeton sot më keq, përveç qeveritarëve, dhe më e rëndë është se Edi Rama ka goditur në mënyrë fatale shpresën dhe optimizmin e tyre.

Në të gjitha ballafaqimet e rëndësishme që ka pasur në këto 100 ditë, Edi Rama është refuzuar. I tha JO rinia para zyrës së tij, i tha JO Gjykata Kushtetuese, i tha JO Bashkimi Europian. Ende pa kaluar në kapërcyellin e vitit tjetër, ka humbur 3 herë konsensusin më të rëndësishëm. Të rinisë dhe qytetarëve të lirë të këtij vendi, të ligjit, të familjes europiane.

Kush e kishte menduar se një kryeministër mund të kishte një bilanc kaq negativ në 100 ditë, as ne, që e njohim Edi Ramën”, – deklaroi Lulzim Basha.

Gjatë analizës së tij, z. Basha u ndal posaçërisht tek buxheti i vitit 2014 dhe tek ndryshimet që propozohen për paketën fiskale. Në lidhje me buxhetin kreu i opozitës tha se nuk prashikohen investime dhe rrezikohet mbyllja e shumë vendeve të punës. Në tërësi projekti financiar i mazhorancës sipas z. Basha, nuk parashikon rritje rrogash dhe frenon nxitjen për zhvillim të ekonomisë. Në fjalën e tij, kreu i PD-së u ndal edhe tek ndryshimet në paketën fiskale të qeverisë. Ulja e taksave e premtuar në fushatën e kaluar elektorale për kreun e partisë më të madhe opozitare në vend, është mashtrim. Sipas tij, premtimet për lehtësira fiskale për 95 për qind të shqiptarëve nuk qëndrojnë më, sepse taksa progresive dhe ndryshimet e tjera që shoqërohen me paketën fiskale, bëjnë të mundur konsumatorët të paguajnë më shumë. Duke folur për situatën e rendit në vend, z. Basha e quajti atë të pasigurt, me një kriminalitet të trefishuar.

“Krimi dhe pasiguria e jetës është dy dhe trefishuar. Administrata është gjymtuar. Ekonomia është në ditët më të errëta. Këto janë kolonat e bilancit 100 ditor të Edi Ramës”, – deklaroi Basha. Në fund të fjalës së tij, kryetari i Partisë Demokratike e mbylli me premtimin se opozita nuk do të mbrojë interesat e shqiptarëve dhe se do të përpiqet që qeveria të mos kalojë nismat e fundit në Kuvendin e Shqipërisë, siç janë projektbuxheti dhe paketa e ligjeve që e shoqërojnë.

 

 

Analiza e kreut të PD-së Lulzim Basha për 100 ditët e para të qeverisjes

PËR RENDIN

Premtoi rend, siguri për jetën e pronën por policinë e ka shndërruar në detashment të partisë, që merret me ndërtime e baste, bilance kontabël, fatura e gjoba. Veç me rend e siguri nuk merret. Emëroi kund ligjit militantë partiakë në të gjithë kupolën drejtuese. Brenda një nate pezulloi, e me pas përjashtoi e shkatërroi strukturën e suksesshme e të mirënjohur ndërkombëtarisht të policisë për hetimin e krimit ekonomik, financiar e të korrupsionit. Bëri çorap strukturën organizative të policisë së rendit, atë rrugore, e të ndërhyrjes së shpejtë, kriminales, etj.

 

INSTITUCIONET E PAVARURA

Sulmoi Presidentin e Republikës, i ofendoi me të tijtë përreth. Me kompleksin e mëkatarit ndaj ligjit i është turrur prokurorisë dhe gjykatave, gjoja për t’i reformuar e në fakt për t’i kontrolluar. I janë turrur Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ISNTAT-it, AMA-s, çdo institucioni tjetër të pavarur për t’i nënshtruar  e për t’i marrë nën kontrollin e partisë e jo të ligjit. Propozon ndryshime thelbësore ligjore të kodeve për gjoja luftë kundër korrupsionit e për këtë merr kundërshtimin e hapur të ShBA, BE, OSBE, që i thonë se kjo jo vetëm që nuk lufton korrupsionin por komprometon edhe luftën kundër krimit të organizuar.

 

 

 

 

AKTI NORMATIV

Prish konsensusin për administratën e për më tepër, me mënyrën më të mbrapshtë e me instrumentin me diabolik, aktin normativ, me të cilin ndryshoi brutalisht një ligj që kërkon të paktën 84 vota në Kuvend. Kushtetuta qartësisht ia ndalon, po ai nuk pyet.

E mori mësimin nga Gjykata Kushtetuese. Por përsëri vazhdon, me paligjshmëri të largojë në shkelje flagrante të të gjitha ligjeve të vendit, me mijëra burra e gra, të rinj e të reja,  e të mbushë administratën me anëtarë  të klaneve e rretheve të ngushta të bashkëpunëtoreve, fis e farefis, administratorë biznesesh private të koçove e moçove.

 

 

PËR INUK-UN

Nxjerr vendim qeverie për kompetenca antiligjore te Inspektoratit Ndërtimor, duke dhunuar të drejtat civile të qytetareve, të drejtat dhe kompetencat e qeverisjes vendore, pushtetin e gjykatave, procesin e rregullt ligjor për pronën. Ne emër të mbrojtjes dhe çlirimit të territorit, ndërmori ekspedita ndëshkuese, në shkelje flagrante te ligjeve dhe thellësisht diskriminuese e selektive.

Ndërmori një fushatë në shkallë të gjerë kundër lojërave të fatit. Premtoi e kërcënoi se të gjitha lojërat e fatit do të mbyllen. Në këtë skenar u përfshinë edhe interesa të pista bashkëpunëtorësh. Tashmë këtij aksioni i ka dalë boja. Lojërat e fatit u rikthyen edhe më shumë dhe më të fuqishme se më parë sepse sot kanë bekim kryeministror.

 

 

PËR STATUSIN

Një vit e humbëm statusin për shkak të  Ramës shef opozite. Gjashtë muaj  humbën pardje me Ramën kryeministër. Kësaj radhe kishim maksimumin e shanseve, të gjitha kërkesat e plotësuara, të gjitha kriteret e arritura, përfshirë edhe zgjedhjet e lira e të ndershme për aq sa kishte në dorë qeveria jonë ndonëse ata manipuluan e blenë siç u faktua edhe në zgjedhjet e Korçës.

Ne pranuam rezultatin dhe dorëzuam paqësisht pushtetin. Gjithçka u vlerësua tejet pozitivisht nga Komisioni Europian. Duhej veç që gjerat të vazhdonin në drejtimin e duhur edhe këto tre muaj.

Statusin nuk na e dhanë. Fajin sipas kryeministrit e kishte opozita dhe Britania, Gjermania, Franca, Holanda, Danimarka, etj. Të akuzosh partnerët europianë si ekstremistë a nën diktatin e ekstremizmit, kjo nuk është gjë tjetër veçse papërgjegjshmëri. Deklaratat e partnerëve tanë që pasuan qëndrimin e Kryeministrit ishin më të ashprat që kemi dëgjuar ndonjëherë.

 

PAKETA FISKALE

Kryeministri premtoi lehtësim fiskal për 95% të taksapaguesve, pretendon se e realizoi me tejkalim ne 97% e ne fakt rendon me taksa, te drejtpërdrejta apo konsumi 100% te taksapaguesve ne qytet e fshat; rrogëtare e sipërmarrës; sipërmarrës te vegjël, te mesëm e të mëdhenj; te punësuar, te vetëpunësuar, te papune a pensioniste; te varfër, me pak të varfër; a jo të varfër; të pastrehë, me një shtëpi a me më shumë, këdo që lëviz me makinë, me furgon a autobus, këdo qe freskohet me një birre, qoftë edhe vendi, e që dredh një cigare. As qe i bie ndërmend për fermerët, familjeve te të cilëve iu merr me rritje të taksave për naftë, cigare, shtëpi, sigurim shëndetësor trefishin e asaj qe ju jep me kacidhe përmes buxhetit.

 

PËR PROJEKTBUXHETIN E VITIT 2014

Të gjithë e kemi pare projektbuxhetin. Por as aktorët në këto shfaqe nuk arrijnë të artikulojnë dot të vërtetën. Nuk ka rritje rrogash, nuk ka rritje pensionesh, nuk ka rritje investimesh, nuk ka rritje por ulje te fondit për te përndjekurit politike, për pronarët, s’ka legalizime falas, s’ka shëndetësi falas.

Çdo shqiptar ka të drejtë të pyesë me zë të lartë e protestues: Atëherë, ku shkojnë paratë e shqiptarëve z. Kryeministër.

E po kështu sipërmarrja shqiptare dhe e huaj në Shqipëri, profesionistet, akademia, kushdo ka të drejtë të pyesë me zë të lartë e protestues: Pse po e hedh ekonominë në humnerën e borxhit.

Çdo i papunë ka të drejtë të revoltohet sepse nuk sheh mundësi për asnjë vend të ri pune, e çdo i punësuar ka të drejtë të shqetësohet se mund të përfundojë shumë shpejt i papunë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency