Sistemi fiskal që shpëtoi Shqipërinë nga kriza, ja çfarë po hidhet pas krahëve nga qeveria Rama

0
136

Ervin Kaduku

–   Për çfarë i detyron shteti shqiptar qytetarët e vet të paguajnë?

–   Taksat komëbëtare e vendore, sistemi që u perfeksionua tetë vjetët e fundit, duke u bazuar në taksën e sheshtë

–   Publikohet lista e plotë e ngarkesave fiskale për ndërmarrjet, individët, shqiptarë e të huaj; shërben për të kuptuar se cila ka qenë politika, që ka mbajtur larg recesioneve vendin

 

minDje Komisioni parlamentar i Ekonomisë ka miratuar në parim projekt-buxhetin për vitin 2014. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, tha se ky buxhet do të rimëkëmbë ekonominë e vendit dhe se marrëveshja me FMN-në do të përdoret kryesisht për të shlyer detyrimet ndaj sipërmarrjes private. Cani tha gjithashtu se kredia e marrë nga qeveria është me interes 2%, ndërkohë që ish-zv/ministri i Financave dhe deputet i PD-së, Sherefedin Shehu, akuzoi qeverinë për sistemin e ri të taksave të cilat do të rëndojnë mbi biznesin. Sipas tij, parashikimi për rritjen e të ardhurave me 40 miliardë lekë nuk është real.

Gjatë javës së ardhshme buxheti i shtetit 2014 do të diskutohet nen për nen në Komisionin e Ekonomisë para se të kalojë për aprovim në Kuvendin e Shqipërisë.

Ajo që pritet të ndodhë, në fakt, është që, nga 1 janari i vitit 2014, biznesi, sidomos ai i madh, duhet të bëjë planet duke u bazuar në një sërë ndryshimesh të legjislacionit fiskal, duke filluar që nga tatimfitimi e deri te rritja e akcizës (për ato sipërmarrje që preken), apo dhe shtimin e kostove të karburanteve. E gjithë kjo në një mjedis ku konsumi mbetet i ulët dhe nuk pritet rritje pagash për buxhetorët, çka do të gjallëronte disi blerjet në vend. Sipërmarrjet, sidomos ato të fushës së ndërtimit dhe eksporteve, mund t’i gëzohen premtimit – në rast se mbahet! – të qeverisë se do të shlyejë borxhet e prapambetura dhe do të rimbursojë TVSH-në.

Për bizneset e vogla pritet një periudhë më pozitive, me taksa të lehtësuara që mund të shoqërohet me rritje të numrit të bizneseve të vogla në vend, apo dhe tendencë të sipërmarrjeve të mëdha për të copëzuar aktivitetin dhe për të kaluar në të vogla.

Por, ndërkohë që “Standard” e ka njohur tashmë lexuesin e vet me të gjitha ndryshimet e parashikuara në paketën fiskale të përgatitur nga Ministria e Financave, nuk është pa vend të hidhet edhe një vështrim edhe për atë, se cili është sistemi aktual i taksave në vend. Kjo do të shërbente për të kuptuar se cila ka qenë politika e deritanishme e qeverisë, që ka shpëtuar Shqipërinë nga kriza globale, duke e mbajtur larg recesioneve. Po kështu, mund të shërbejë edhe për çdo studjues, student apo biznesmen, madje për çdo lexues të interesuar, duke marrë parasysh se është paraqitur në gjuhën më të thjeshtë të mundshme.

Sa më poshtë, vijon paraqitja e plotë e sistemit të taksave dhe tatimeve të të gjitha llojeve, në fuqi në Republikën e Shqipërisë, me përjashtim të atyre që lidhen me peshkimin.

 

*  *  *

 

TAKSAT DHE TATIMET KRYESORE NË SISTEMIN TATIMOR SHQIPTAR

 

Legjislacioni tatimor

 

Regjimi tatimor në Republikën e Shqipërisë përbëhet nga një paketë ligjesh, direktivash, rregulloresh, marrëveshjesh tatimore me vendet e tjera, të cilat paraqesin një përmbledhje të plotë të të gjitha llojeve, niveleve, llogaritjeve, procedurave, si dhe metodave dhe formave të kontrollit tatimor për taksat, tarifat dhe tatimet që përfshin sistemi tatimor shqiptar.
Shkalla tatimore

 

Personat juridikë dhe fizikë në Republikën e Shqipërisë janë subjekt i tatimeve të mëposhtme:

 

Lloji i tatimit

Norma e tatimit

Tatimi mbi fitimin

10%

Tatimi mbi të ardhurat personale

10%

Tatimi i mbajtur në burim

10%

Tatimi mbi vlerën e shtuar

20%

 

Norma e tatimit mbi pagat do të ndryshojë në vitin 2014 dhe në vend të saj do të zbatohet një normë progresive tatimi.

 

Tatimi mbi fitimin

 

Të gjitha kompanitë (të huaja ose jo), që janë të regjistruara në regjistrin tregtar dhe paguajnë TVSH, janë subjekt i tatimit mbi fitimin.

Tatimpaguesit rezidentë i nënshtrohen tatimit vetëm për të ardhurat e gjeneruara në territorin e Republikës së Shqipërisë.

 

Një person juridik konsiderohet rezident në Shqipëri, nëse:

a)      ai ka një vendbanim të përhershëm (zyrat qendrore) në Republikën e Shqipërisë;

b)      ai ka një qendër efektive të menaxhimit të biznesit në Republikën e Shqipërisë
Norma e tatimit mbi fitimin është 10 %.
Në mënyrë që të përcaktohet fitimi i tatueshëm në Republikën e Shqipërisë, konsiderohen si shpenzime të gjitha shpenzimet e kryera për të planifikuar, mbajtur dhe siguruar fitim, në rastin kur këto shpenzime janë të certifikuara dhe të dokumentuara nga tatimpaguesi, si dhe kur ato u nënshtrohen kufizimeve të specifikuara nga ky ligj.

Dokumentet bazë që përdoren për të justifikuar shpenzimet për efekt tatimor janë: fatura tatimore me TVSH, fatura e thjeshtë tatimore dhe çdo dokument tjetër i përpiluar dhe lëshuar në përputhje me udhëzimet e ministrit të Financave, në zbatim të legjislacionit tatimor. Norma e tatimit për korporatat do të rritet pak në vitin 2014 krahasuar me normën aktuale

Tatimi mbi vlerën e shtuar
Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) paguhet:

  1. për të gjitha furnizimet e tatueshme të mallrave dhe shërbimeve të realizuara kundrejt pagesës nga personi i tatueshëm, si pjesë e veprimtarisë së tij ekonomike në territorin e Republikës së Shqipërisë;

b. për të gjitha importet e mallrave në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Pragu i TVSH-së për regjistrim është 5 milionë lekë (për vitin kalendarik) për xhiron vjetore të biznesit.

Të gjithë personat fizikë dhe juridikë të përfshirë në aktivitetet e eksportit apo importit, janë të detyruar të regjistrohen, në mënyrë që të paguajnë TVSH-në.
Çdo subjekt tjetër i tillë si: individët, njësitë e qeverisjes qendrore dhe vendore, organizatat shoqërore, politike dhe ndërkombëtare, misionet diplomatike etj., të cilat kryejnë veprimtari import-eksporti, pavarësisht nga xhiroja, janë gjithashtu të detyruara të regjistrohen. Për çdo subjekt që ushtron veprimtarinë e import-eksportit, operacionet doganore do të vazhdojnë pasi ai të dorëzojë origjinalin ose kopje të noterizuar të Certifikatës së Numrit të Identifikimit për Personin e Tatueshëm (NIPT).
Xhiroja e përgjithshme vjetore llogaritet në bazë të çmimit total të paguar nga blerësi dhe përfshin edhe taksat, edhe gjobat.
Deklarimi i TVSH-së dhe formulari i pagesës plotësohen në dy kopje dhe personi i tatueshëm e paraqet atë në bankën përkatëse me të cilën Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) ka një marrëveshje në lidhje me pranimin e pagesave të TVSH-së, brenda 14 ditëve pas përfundimit të periudhës tatimore.

TVSH-ja zbatohet në masën 20%, me përjashtim të furnizimit të barnave dhe shërbimeve shëndetësore nga institucionet shëndetësore, publike dhe private, të cilat tatohen me një normë prej 10 për qind.

 

Veprimet e mëposhtme përjashtohen nga pagesa e TVSH-së:

  • Furnizimi me shërbime financiare;
  • Furnizimi me ar, kartëmonedha apo monedha të Bankës së Shqipërisë;
  • Furnizimi me pulla postare, të cilat përdoren për shërbimin e postës ose pulla të ngjashme;
  • Furnizimi me kusht nga një organizatë jofitimprurëse kundrejt një pagese të reduktuar konsiderohet një furnizim i përjashtuar në kushtet e përcaktuara në nenin 24;
  • Furnizimi i tokës dhe marrja me qira e saj është furnizim i përjashtuar, përveçse kur toka përdoret për parkim apo si garazh për automjetet dhe mjetet e tjera të lëvizshme;
  • Furnizimi i ndërtesave, përveç procesit të ndërtimit;
  • Dhënia me qira e ndërtesave është furnizim i përjashtuar, përveç rasteve:
    a) kur periudha e qiradhënies nuk i kalon dy muaj;

b) të strehimit në hotele ose vende pushimi;

  • Furnizimi i shërbimeve arsimore nga institucionet e arsimit publik dhe privat, në bazë të rregulloreve të veçanta;
  • Ministri i Financave përcakton udhëzimet për përjashtimin e furnizimit të misioneve diplomatike dhe konsullore dhe personelit të tyre mbi bazën e reciprocitetit dhe përjashtimin e furnizimit të organizatave ndërkombëtare mbi bazën e marrëveshjeve ndërkombëtare;
  • Operacionet e naftës;
  • Ambalazhimi dhe materialet e barnave;
  • Shitja e librave, gazetave dhe shërbimi i publicitetit të tyre;
  • Furnizimi për emergjencat civile;
  • Përpunimi i mallrave jo shqiptare të destinuara për rieksport;
  • Furnizimi i shërbimeve të lojërave të fatit, kazinove dhe hipodromeve;
  • Furnizimi i kartave të identitetit;
  • Furnizimi i hekurit dhe çimentos;
  • Përjashtimi i importeve si më poshtë:

 

 

Tatimi i mbajtur në burim
Të gjithë rezidentët në Republikën e Shqipërisë, njësitë e qeverisjes qendrore dhe vendore, organizatat jofitimprurëse dhe çdo subjekt tjetër i njohur nga legjislacioni në fuqi, janë të detyruar të mbajnë në burim tatimin në masën 10% nga shuma bruto e pagesave të mëposhtme, të gjeneruara nga një burim në Republikën e Shqipërisë.

 

Interesat

10%

Pjesa e fitimit

10%

Tarifa për shërbimet teknike, të menaxhimit dhe ato financiare etj.

10%

Tarifa për qira

10%

Dividend

10%

Pagesa për të drejtën e autorit dhe pronësinë intelektuale

10%

 

Shpenzime të zbritshme
Ashtu si në vendet e tjera të rajonit, shpenzimet që zbriten nga taksat, janë ato që prodhojnë të ardhura, që sigurojnë dhe ruajnë të ardhurat e tatueshme. Shpenzimet janë të zbritshme, në qoftë se:

• Rezultojnë nga aktivitetet ekonomike që prodhojnë të ardhura, ose në qoftë se ato janë

të lidhura me menaxhimin e zakonshëm të aktivitetit të biznesit të tatimpaguesit;
• Ofrohen dokumente të mjaftueshme, të cilat konfirmojnë destinacionin e këtyre

shpenzimeve;
• Pasqyrohen në librin e llogarive duke ulur asetet neto.

 

 

Tatimi mbi të Ardhurat Personale
Të gjithë individët rezidentë në Shqipëri u nënshtrohen tatimeve për të gjitha të ardhurat e prodhuara kudo në botë, ndërsa jo-rezidentët janë subjekt i tatimeve vetëm për të ardhurat e prodhuara brenda kufijve të territorit shqiptar.

 

Tatimi mbi të Ardhurat Personale nga puna

 

Të ardhurat e tatueshme

(lekë/muaj)

Norma e tatimit (%)

Mbi Deri në  
0  30,000  
30.001 +  Dhe më shumë +  10%  mbi pagën bruto

 

 

Llojet e taksave kombëtare
Taksat kombëtare janë:

 

Taksa portuale

Taksa portuale është 1 euro. Kjo taksë paguhet nga çdo anije që është ankoruar dhe tregton në të gjitha portet shqiptare.

 

Taksa e qarkullimit mbi benzinën

Taksa e qarkullimit mbi benzinën ​​dhe gazoilin caktohet në masën 7 lekë për litër. Kjo tarifë vlen për benzinën ​​dhe gazoilin e importuar, si dhe për ato të prodhuara në vend.

 

Taksa mbi automjetet e përdorura të transportit

Taksa mbi automjetet e përdorura të transportit është e vlefshme për 365 ditë dhe llogaritet sipas kësaj formule:

Cilindër në cm3 x koeficienti i fiksuar sipas moshës x tarifa fikse për llojin e karburantit. Tarifa fikse për llojin e karburantit është 12.5 lekë për naftën dhe 10 lekë për benzinën. Koeficienti sipas moshës së automjetit paraqitet në shtojcën 1 bashkëngjitur këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij. Mjetet nga 0-3 vjeç nuk janë subjekt i kësaj takse.

 

Taksa e karbonit për benzinën, naftën dhe gazoilin

Taksa e karbonit është 1.5 lekë/litër për benzinën, 3 lekë/litër për gazoilin, 3 lekë/kilogram për qymyrin, 3 lekë/litër për solarin, 3 lekë/litër për mazutin, 3 lekë/litër për vajgurin ​​dhe 3 lekë/kilogram për koks nafte.

 

Renta minerare

Çdo person fizik ose juridik, i cili është i licencuar dhe/ose vepron në industrinë minerare, sipas një marrëdhënieje kontraktuale me ministrin përgjegjës për ekonominë, duhet të paguajë qira për burimet natyrore të nxjerra nga, mbi dhe nën tokën e Republikës së Shqipërisë. Renta minerare llogaritet si një detyrim mujor i tatimpaguesit, në kohën kur ai shet produkte minerale. Në rastin e eksportit të produkteve minerale, qiraja paguhet në kohën kur bëhet deklarata e eksportit. 25 për qind e të ardhurave nga renta minerare i kalon pushtetit lokal, ku kryhet aktiviteti.

 

Taksa e akteve dhe e pullës

Masa e taksës

Në lekë

 

1. Për lëshimin e certifikatave për përdorim brenda vendit                                   50

2. Për lëshimin e dokumentit “Certifikatë për lidhje martese”                         200
në gjuhë të huaj

3. Për lëshimin e dokumentit “Certifikatë lindjeje” në gjuhë të huaj             200       4. Për lëshimin e dokumentit “Certifikatë martese” në gjuhë të huaj       2000
5. Për regjistrimin e shtetasve të huaj pas dhënies së shtetësisë shqiptare        2000

6. Për të regjistruar vendimin e ndryshimit të emrit/mbiemrit                   1000         7. Për mbajtjen e akteve të lidhjes së martesës                                                  1000

8. Për procedurën për veçim/bashkim familjesh të shtetasve                            1000

 

 

Taksat për ambalazhet plastike njëpërdorimëshe dhe ambalazhet e qelqit

 

Taksa për ambalazhet plastike njëpërdorimëshe është vendosur 100 lekë/kg dhe aplikohet mbi produktet vendase dhe ato të importit. Vetëm për industrinë e riciklimit, tarifa e ambalazhit, i prodhuar nga mbeturinat plastike të riciklueshme të gjeneruara në vend, është vendosur 50 lekë/kg. Kjo taksë mblidhet nga administrata doganore për produktet e huaja, në kohën kur ato importohen, ose nga administrata tatimore në rastin e produkteve vendase.

Taksa për ambalazhet e qelqit njëpërdorimëshe është 10 lekë/kg dhe aplikohet për produktet vendase dhe ato të importit. Kjo taksë mblidhet nga administrata doganore për produktet e huaja, në kohën kur ato importohen, ose nga administrata tatimore në rastin e produkteve vendase.

 

Taksat vendore

 

a)      Taksa vendore mbi biznesin e vogël

Çdo subjekt që kryen një biznes, përmes të cilit qarkullojnë, gjatë vitit fiskal, të ardhura vjetore bruto (qarkullim) më të ulëta ose të barabarta me 8.000.000 (tetë milionë), është subjekt i detyrimit për të paguar taksën vendore mbi biznesin e vogël.
Këshilli komunal ose bashkiak vendos për nivelin e taksës për secilën kategori bazë tatimore minimale që do të zbatohet, paraqitur në shtojcën 5 të këtij ligji, në kufijtë e plus 10/ minus 30% e nivelit tregues të taksës për kategorinë përkatëse dhe për secilin interval të qarkullimit, në përputhje me udhëzimet përkatëse.

 

 

b)     Taksa mbi pasurinë e paluajtshme
Subjekt i taksës mbi pasurinë e paluajtshme janë të gjithë personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, pronarët e pasurive të mësipërme në territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga niveli i shfrytëzimit të kësaj pasurie. Përjashtohen rastet e  përcaktuara ndryshe në ligj. Pronari ose bashkëpronarët janë të detyruar të paguajnë taksën mbi pasurinë e paluajtshme, në bazë të përqindjes së pronës në posedim.
Taksa mbi pasurinë e paluajtshme përfshin:

a) taksën mbi ndërtesat;

b) taksën mbi tokën bujqësore.

 

–          Taksa mbi ndërtesat

Baza e taksës mbi ndërtesat është sipërfaqja e ndërtimit (vendi) në metra katrorë të ndërtimit apo pjesë të tij, mbi dhe nën nivelin e tokës, dhe sipërfaqja e çdo kati. Sipërfaqja në pronësi të tatimpaguesit vlerësohet në bazë të dokumenteve që vërtetojnë një pasuri të tillë. Kategoritë minimale të ndërtesës, për efekt të bazës së tatueshme, jepen në shtojcën 1 të këtij ligji. Këshilli bashkiak ose komunal mund të miratojë nënkategoritë e ndërtimit, për çdo kategori minimale ndërtimi në territorin që mbulon komuna apo bashkia përkatëse. Niveli i taksës është përcaktuar në lekë për metër katror. Detyrimi i taksës llogaritet duke shumëzuar nivelin e taksës me bazën e tatueshme.

–          Taksa mbi tokën bujqësore

Baza e taksës mbi tokën bujqësore është sipërfaqja e tokës bujqësore në hektarë, në pronësi të tatimpaguesit. Pronësia e këtyre tokave bujqësore përcaktohet në dokumentet që e vërtetojnë atë. Kategoritë minimale të tokës bujqësore jepen në shtojcën 2. Këshilli bashkiak ose komunal mund të miratojë nënkategoritë për çdo kategori minimale të tokës bujqësore.

Niveli i taksës përcaktohet në lekë për hektar. Detyrimi tatimor llogaritet duke shumëzuar normën e taksës me bazën e tatueshme. Në shtojcën 2 të këtij ligji, jepet niveli i taksave për çdo kategori minimale të bazës së taksës.

 

 

c)      Taksa e fjetjes në hotel

Baza e tatueshme për fjetje në hotel është çmimi që paguhet për fjetje, i cili mund të shprehet si çmimi për dhomë ose çmim për person/natë. Niveli i taksës është deri në 5% të pagesës për fjetje. Këshilli bashkiak ose komunal mund të miratojë kategoritë dhe nënkategoritë për klasifikimin e hoteleve, si dhe të përcaktojë nivelet e taksave për kategoritë dhe nënkategoritë e miratuara, brenda kufijve të nivelit të taksave. Ky detyrim tatimor llogaritet duke shumëzuar nivelin e taksave të miratuar nga bashkia ose komuna, me tarifën e fjetjes për një natë, sipas netëve të fjetjes në hotel. Klienti është subjekt i kësaj takse, e cila mbahet nga hoteli dhe derdhet në llogarinë bankare të bashkisë ose komunës, në territorin e së cilës ndodhet hoteli. Fatura e lëshuar nga hoteli përfshin tarifën e fjetjes dhe vlerën e taksës.

 

d)     Taksa për efektin në infrastrukturë (dëmet) nga ndërtimet e reja

 

Baza e taksës është vlera e një investimi të ri që kërkohet të kryhet. Klasifikimi si investim i ri dhe vlera përkatëse e tij përcaktohet në përputhje me legjislacionin në fuqi mbi dhënien e lejes së ndërtimit. Vlera e taksës shprehet si përqindje ndaj vlerës së investimit, 1% deri në 3% e vlerës së këtij investimi, ndërsa për bashkinë e Tiranës është 2% deri 4% e vlerës së investimit. Investitori është subjekt i këtij tatimi.

 

e)      Taksa mbi të drejtën e transferimit të pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme

Taksa mbi të drejtën e kalimit të pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme vendoset mbi ndërtesat dhe të gjitha pasuritë e tjera të paluajtshme, mbi të drejtën e transferimit të kësaj pronësie. Ajo paguhet nga transferuesi i së drejtës mbi pasurinë e paluajtshme, përpara regjistrimit, sipas legjislacionit në fuqi. Baza e taksës e transferimit të së drejtës mbi pasuritë e paluajtshme mbi ndërtesat është sipërfaqja e ndërtesës, për të cilën transferohet e drejta e pronësisë. Niveli i taksës përcaktohet në lekë për metër katror të bazës tatimore. Detyrimi i taksës llogaritet duke shumëzuar nivelin e taksës me bazën e taksës. Baza e taksës mbi të drejtën e transferimit të pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme për pasuritë e tjera të paluajtshme është sa vlera e shitjes e kësaj pasurie. Niveli i taksës përcaktohet në përqindje dhe niveli tregues i saj është 2%. Detyrimi i taksës llogaritet duke shumëzuar nivelin e taksës me bazën e saj.

 

f)       Tarifa mbi zënien e një vendi publik në treg dhe taksa mbi tabelën
Këshilli bashkiak ose komunal përcakton shkallën tatimore për zënien e një vendi publik për qëllime të biznesit, bazën dhe nivelin e taksës mbi tabelën. Në rastin e taksave mbi zënien e një vendi publik për qëllime të biznesit, detyrimi tatimor llogaritet mbi baza mujore dhe baza e taksës shprehet në metra katrorë të zonës publike të zënë.

 

g)      Tarifat e përkohshme

 

Këshilli  bashkiak ose komunal, në rastet kur e sheh të nevojshme, mund të vendosë taksa me karakter të përkohshëm, të cilat janë në interes të përbashkët të popullsisë që jeton në territorin nën juridiksionin e bashkisë apo të komunës. Masat tatimore të një natyre të përkohshme, së bashku me taksat dhe tarifat e aplikueshme, nuk duhet të kalojnë kufirin prej plus 10 për qind të nivelit tregues të taksës mbi biznesin e vogël.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency