Buxheti i shëndetësisë Ndryshimet që do të pësojnë rrogat e infermierëve dhe mjekëve

0
155

Ministri i Shëndetësisë nuk flet për ulje të çmimit të ilaçeve. Buxheti i shëndetësisë për vitin 2014 do të jetë 38,7 miliardë lekë. Për rreth 15 mijë infermiere dhe infermierë taksa mujore mbi pagën do të ulet nga rreth 4.000 lekë në muaj rreth 1.300 lekë në muaj

 

shendetesi banner_spitali_i_traumes_(1)Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, bëri dje prezantimin e buxhetit për vitin 2014. Sipas Beqajt, buxheti i shëndetësisë për vitin 2014 do të jetë 38,7 miliardë lekë, ky buxhet është sa 2,77% e PBB-së. Për rreth 15 mijë infermiere e infermierë taksa mujore mbi pagën do të ulet nga rreth 4.000 lekë në muaj rreth 1.300 lekë në muaj. Kjo do të sjellë që çdo infermier të ketë çdo muaj 2.700 lekë më shumë apo rreth 32.400 lekë më shumë në vit. Praktikisht, secili infermier do të ketë një pagë neto të 13-të shtesë. Për rreth 3700 mjeke dhe mjekë taksa mujore mbi pagën do të ulet nga rreth 6000 lekë në muaj, në rreth 3900 lekë në muaj. Kjo do të sjellë që çdo mjeke e mjek të ketë çdo muaj 2100 lekë më shumë apo rreth 25.200 lekë më shumë në vit. Praktikisht, secili mjek do të ketë një gjysmë page neto të 13-të më shumë. Duke nisur nga data 1 janar 2014 do të ulet kontributi i detyrueshëm i sigurimeve shëndetësore për të vetëpunësuarit në qytet nga 3,4% e trefishit të pagës minimale në 3,4% të dyfishit të pagës minimale. Secili prej rreth 75 mijë të vetëpunësuarve në qytet do të paguajë çdo muaj 650 lekë më pak apo rreth 7800 lekë në vit. Me buxhetin e vitit 2014 do të rritet ndjeshëm kujdesi për sëmundjet tumorale. “Fondet për furnizimin e spitalit Onkologjik me barna citostatikë do të rriten me rreth 2,5 herë, duke arritur në nivelin e rreth 8 milionë USD. Do të ndërtohet një bunker i ri për akselaratorin linear pranë spitalit Onkologjik dhe do të vihet në përdorim akseleratori i ri linear. Do të blihen edhe dy mamografë të lëvizshëm”, – theksoi Beqaj. Me buxhetin e vitit 2014 do të bëhet e mundur të financohen edhe transplantet e veshkës dhe të mëlçisë. Është nisur puna për hartimin e paketave të këtyre shërbimeve spitalore. Më tej, ministri i Shëndetësisë u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ku ka prekur edhe ndryshimet që do të pësojnë çmimet e ilaçeve pas heqjes së TVSH-së.

Heqja e TVSH-së së ilaçeve, mendoni se do të ndikojë në rritjen e çmimeve apo uljen e çmimeve të barnave, pasi opozita ka deklaruar se do të ketë rritje dhe çorientim të tregut? Si do të veprohet për të ndikuar në uljen e çmimit të ilaçeve?

Barnat në Shqipëri kanë një mekanizëm të rregulluar të çmimit të tyre. Fillimisht, shteti shqiptar, nëpërmjet institucioneve përfaqësuese negocion me prodhuesit vendas apo me përfaqësuesit e ligjshëm të prodhuesve ndërkombëtarë. Mbi këtë çmim që negociohet çdo vit, ka marzhe të tregtimit me shumicë dhe pakicë, tavanet e të cilëve caktohen po nga Qeveria dhe këto 3 vite, mbi to aplikohet edhe TVSH-ja prej 10%. Do të thotë më thjeshtë, se nëse është pranuar negociata që një bar i caktuar do të vijë në Shqipëri me 100 lekë, përfundon sipas kësaj skeme me 162 lekë. Sigurisht, është e nevojshme të ndërhyhet në të gjithë elementët që e përbëjnë këtë kosto të barit. E para është TVSH-ja, ku padyshim heqja e TVSH-së e ul me të paktën 9.5% koston e barit, por ne po punojmë edhe për të realizuar uljen e çmimit në procesin e negocimit dhe besoj, se procesi i negocimit duhet të mbarojë dhe zyrtarisht në datën 30 dhjetor, por gjithashtu, po përpiqemi të rregullojmë skemën aktuale, siç unë e thashë më lart, tregu farmaceutik ka problem.

Sa u takon dy vendimeve të qeverisë, keni rritur tatimin mbi fitimin për pagat e larta dhe po prapë pagat e larta penalizohen nga heqja e tavanit të kontributit të sigurimeve. A ka qenë kjo pjesë e programit të qeverisë?

Vendosja e taksës progresive, është përcaktuar në programin e qeverisë. Kush do të fitojë më shumë do të paguajë më shumë. Lidhur me kontributin shëndetësor, po e përsëris: E quaj të papranueshëm faktin që unë si Ministër i Shëndetësisë të kem për kujdesin tim shëndetësor një barrë kontributive 2 herë më të vogël se të gjithë mjekët dhe infermierët në Shqipëri.

 

 

 

Fondet e Ministrisë së Shëndetësisë do të përdoren:

– për ndërtimin e spitalit “Shefqet Ndroqi”, 600 mijë USD

– për rikontruksionin e maternitetit “Koço Gliozheni” (350 mijë USD)

– për bunkerin e akseleratorit linear në shërbimin e neurokirurgjisë

– do të vijojmë pagesat për ndërtimin e spitalit të ri psikiatrik në Vlorë (600 mijë USD)

-do të hartojmë projektin e zbatimit për kirurgjinë e re në QSUT

-për rehabilitimin e spitalit Onkologjik në QSUT

-për rehabilitimin e spitalit të Pediatrisë në QSUT

– për rehabilitimin e spitalit të Sëmundjeve të Brendshme në QSUT

– për ndërtimin e spitalit të ri rajonal në qarkun e Fierit

 

 

 

Shkurte

 

Stafi i ALBtelecom-it gëzon në këtë vit të ri disa familje nga Baldushku

 

Punonjësit e ALBtelecom dhe Eagle Mobile u kanë dhuruar momente gëzimi disa familjeve në Komunën e Baldushkut. Ka qenë një prej punonjësve të kësaj kompanie që inicioi këtë nismë në prag të festave të fundvitit, për më shumë përkrahje për ata që kanë nevojë. Stafi i ALBtelecom dhe Eagle Mobile, me një përkushtim afro 2-javor ka arritur të grumbullojë për këto familje një vlerë të konsiderueshme monetare, një fugon me artikuj të ndryshëm ushqimorë, si dhe lodra e veshmbathje. Me anë të kësaj nisme që shuan sadopak nevojat e shumta të pjesëtarëve të këtyre familjeve nga Baldushku, stafi i kompanisë synon që krahas ndihmës konkrete, të arrijë të japë një shembull të mirë edhe për punonjësit e kompanive të tjera që operojnë në Shqipëri, në mënyrë që edhe ata të japin kontributin e tyre për familje apo njerëz në nevojë. Familja e Shkëlqim Karajt përbëhet nga 6 pjesëtarë, ku nëna dhe babai janë të sëmurë, ndërkohë që 4 fëmijët e tyre po rriten me shumë vështirësi për shkak të të ardhurave të kufizuara dhe kushteve të rënda të jetesës. Ndërkohë, edhe dy familjet e tjera, familja Balla dhe familja Pojana përkatësisht me nga 7 pjesëtarë, jetojnë në vështirësi të mëdha ekonomike. Kompania ALBtelecom u bën thirrje edhe bizneseve të tjera në vend që t’u kushtojnë më shumë vëmendje shtresave në nevojë dhe t’u dhurojnë atyre një buzëqeshje më shumë në këtë atmosferë festash, për të kaluar të gjithë sa më gëzuar.

 

 

Anulohet greva, transportet, marrëveshje për pagat

Anulohet greva 24-orëshe e punonjësve të transportit urban në Tiranë. Të hënën të gjashta linjat e kryeqytetit do t’u shërbejnë të gjithë qytetarëve, duke filluar nga ora 05:30 e mëngjesit. Ky ka qenë vendimi që kanë marrë punonjësit e këtij transporti në bashkëpunim edhe me sindikatën. Në bazë të negociatave me shoqëritë e transportit urban është rënë dakord që deri në fund të muajit dhjetor të paguhen gjysmat e pagave, në të kundërt greva do të nisë në fillim të janarit. “Ne si sindikatë deklarojmë dorëheqjen tonë nga veprime sindikaliste, duke rezervuar të drejtën, nëse pagat e punonjësve nuk paguhen deri më 29 ose fillimi i janarit do të jetë përsëri me grevë. Ne kemi kërkuar pranë qeverisë zbatimin e legjislacionit në shkallë kombëtare, pasi shërbimi i transportit të udhëtarëve zhvillohet plotësisht në veprime antiligjore me konkurrencë të pandershme”, – tha Zija Hasani. Ndërkaq, sindikalistët kanë shprehur shqetësime edhe kushtet e vështira që has transporti publik në Tiranë. Mungesa e korsive të posaçme, rritja e karburantit dhe mos subvencionimi në kohë, çmimi i biletës më i ulëti në rajon, janë disa nga arsyet e përkeqësimit të situatës që punonjësit nuk marrin pagat nga shoqëritë private, pasi këto të fundit kanë shumë shpenzime.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency