Plagosja “Babai u sulmua nga 3 persona të armatosur”

0
163

Anxhela Tato

 

 Rrëfimi i kreut të PS-së së Prezës, dyshime se ngjarja ka nuanca politike

 Lavdrim Kajmaku: Kërkoj nga policia të bardhë ngjarjen, përndryshe do të detyrohem të veproj vetë

  

lavdi-kajmaku“Plagosja e babait tim mund të ketë nuanca politike. Nuk jam i sigurt, pasi nuk mund ta vërtetoj, por ky mbetet i vetmi dyshim”, – pjesë nga rrëfimi i Lavdrim Kajmakut, kreut të PS-së për Prezën. Vazhdon të jetë ende në gjendje kome babai i tij, i cili mbrëmjen e së mërkurës mori një plumb në këmbë. Ngjarja e rëndë ndodhi në lokalin në Fushë-Prezë, në pronësi të Shefqet Kajmakut, i cili u sulmua nga tre persona të armatosur. Djali i tij, Lavdrim Kajmaku, rrëfen se tre persona të maskuar dhe me armë janë futur në lokalin e babait të tij. Mes tyre ka pasur konflikt dhe autorët kanë dhunuar 55-vjeçarin Shefqet Kajmaku dhe e kanë plagosur në këmbë, ndërsa për t’u larguar nga vendi i ngjarjes kanë përdorur makinën e 55-vjeçarit. Kreu i PS-së për Prezën hedh poshtë pistën se kjo ngjarje mund të jetë e lidhur me problem pronësie, por ai ka dyshime se plagosja mund të jetë pjesë e episodeve të sulmit ndaj familjes së tij. Lavdrim Kajmaku kërkon që policia të zbardhë sa më shpejt ngjarjen, në të kundërt do të ndërmarrë vetë iniciativën e zbulimit të autorëve. Në lidhje me akuzat ndaj kreut të komunës, Kajmaku shprehet se mes tyre nuk ka pasur komunikim dhe as konflikte. I vetmi shqetësim për të është siguria e jetës së familjes së tij. Familja Kajmaku ka qenë objektiv i sulmeve të shumta kohët e fundit, ndërsa kanë akuzuar eksponentë të Partisë Demokratike në Prezë. Në muajin maj, familja Kajmaku u vu në shënjestër të disa sulmeve, duke iu djegur edhe biznesin.

 

Rrëfimi

 

“Natën e ngjarjes babai ka qenë në lokalin e tij dhe aty kanë shkuar tre persona me armë dhe me maskë. Janë konfliktuar dhe e kanë qëlluar babain nga përpara, duke i nxjerrë gjak nga goja. Autorët e kanë qëlluar nga pas me armë zjarri, e kanë plagosur në këmbë dhe i kanë marrë makinën dhe kanë ikur. Nuk e di pse janë konfliktuar. Këtë gjë e di vetëm babai dhe unë nuk e kam idenë fare. Nuk kam qenë prezent aty, që të di cili ishte motive i konfliktit. Ende nuk kam arritur të flas me babain, pasi ai ndodhet në gjendje kome, i shtruar në reanimacion. As me policinë nuk kam pasur kontakte, pasi kam që mbrëmjen e së mërkurës në Spitalin Ushtarak. Nuk kam lëvizur nga këtu, pasi kam merak për shëndetin e babait. Ende nuk kam ndonjë dyshim dhe asgjë konkrete për motivin e këtij krimi kaq të rëndë. Duhet të flas fillimisht me babain. Nuk e di nëse mund të them se ngjarjet e ndodhura këto kohë kanë lidhje me këtë plagosje, por mua vetëm ato episode më kanë ndodhur, por dua të theksoj se kjo nuk ka lidhje me konflikte e pronësisë, pasi unë nuk kam të tilla. Mund të jetë edhe çështje politike, tani nuk është se e vërtetojmë dot dhe mbetet vetëm të dyshoj, pasi çfarë tjetër mund të jetë. Kërkoj nga policia që të zbardhë sa më shpejt këtë ngjarje, përndryshe do të veproj vetë. Unë nuk kam frikë për jetën time, por për jetën e familjes sime, ndërsa me Halilin nuk kam komunikuar fare. Edhe pas akuzave që bëra në media, ai nuk ka folur dhe nuk ka reaguar”.

 

 

 

Arratisja nga burgu i Drenovës, Apeli lë në burg 4 gardianë

Gjykata e Apelit në qytetin e Korçës ka lënë në burg pa afat katër punonjësit e burgut të sigurisë së lartë në Drenovë. Seancat janë zhvilluar me dyer të mbyllura për shkak të rëndësisë së çështjes. Për Valdet Brahollarin, me detyrë përgjegjës i sigurisë së burgut, është vendosur masa e sigurisë arrest me burg, për Shpëtim Peronkën me detyrë gardian është vendosur masa e sigurisë arrest me burg, për Riza Spahiun me detyrë përgjegjës i zyrës së Informacionit është vendosur masa e sigurisë arrest me burg, për Margel Rrushanin me detyrë në grupin e gatshëm është vendosur masa e sigurisë arrest me burg. Punonjësit e burgut të sigurisë së lartë të Drenovës u arrestuan pas arratisjes nga ky burg të shtatë të burgosurve. Punonjësit e burgut akuzohen për shpërdorim detyre, ndërsa sot do të jepet masa e sigurisë për katër punonjësit e tjerë në Gjykatën e Apelit. Kërkesat ankimore ishin apeluar nga avokatët mbrojtës të gardianëve të cilët i kanë kërkuar gjykatës rrëzimin e vendimit të Shkallës së Parë të gjyqësorit për mungesë provash. Ngjarja e rëndë u regjistrua në 23 nëntor në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës, ku 7 të dënuar, katër prej të cilëve me burgim të përjetshëm nën organizimin e Admir Tafilit mundën të arratisen në mënyrë spektakolare. Policia e Shtetit pak orë pas arratisë vuri në pranga katër nga të arratisurit: Admir Tafilin, Fran Marashin, Gëzim Gurin dhe Artur Gorën, ndërsa tre të dënuarit e tjerë mundën të kalonin kufirin. Ishte policia greke ajo e cila i dha fund arratisë katërditore të tre të arratisurve të tjerë pikërisht Gëzim Tomës, Eduard Lulos dhe Reiz Haxhirajt. Pas ngjarjes Policia e Shtetit arrestoi 21 gardianët e burgut të Drenovës me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

 

 

 

Durrës, kapet me pistoletë në furgonin me 15 nxënës, pranga faturionos

 Policia parandalon një ngjarje kriminale që mund të ishte kthyer në një tragjedi për nxënës të një shkolle 9-vjeçare në Shijak. Një 32-vjeçar është arrestuar, sepse u kap me një pistoletë në automjetin furgon, me të cilin transportoheshin fëmijët e një shkolle. Policia ka vënë në pranga 32-vjeçarin Fatmir Bylyshaj, faturinon e një furgoni, ndërsa ky i fundit ishte brenda mjetit dhe shoqëronte 15 nxënës të një shkolle 9-vjeçare që synonin të udhëtonin drejt Ardenicës. Sipas policisë, Bylyshaj, një person me precedent të shumtë penale, ishte konfliktuar me një drejtues të një furgoni tjetër të linjës Sukth – Hamallaj për shkaqe konkurrence dhe kishte planifikuar një sulm me armë ndaj tij në fshatin Hamallaj. Policia e ka arrestuar duke parandaluar një krim, që do të rrezikonte jetën e 15 nxënësve pjesëmarrës në një ekip futbolli, që ndodheshin brenda furgonit. Bylyshajt iu sekuestrua një armë zjarri pistolete “TT”, me 7 copë fishekë, ndërsa policia bën të ditur se 32-vjeçari është akuzuar e dënuar disa herë për vepra të ndryshme penale, mes të cilave plagosje të ndryshme, armëmbajtje pa leje dhe ishte i përfshirë në disa konflikte. Në momentin e arrestimit në fugon ndodheshin edhe fëmijët, nxënës të një shkolle 9-vjeçare.

 

 

 

Kavajë, përleshje mes policisë dhe një grupi trafikantësh

 Shkëmbim zjarri mes policisë dhe disa trafikantëve të armëve dhe drogës në Kavajë. Arrestohen 3 ditë pas ngjarjes 10 persona. Gjithçka ka ndodhur pas një aksioni të policisë në një banesë, bazë të trafikut të armëve dhe drogës në fshatin Hajdaraj të Kavajës. Policia pati sinjalizime për një trafikim armësh dhe droge në banesën e shtetasit Arbes Kotorri dhe mbrëmjen e 16 dhjetorit mbërriti për një kontroll në këtë banesë, brenda së cilës nuk u gjet asnjë person, por vetëm një sasi e vogël lënde narkotike. Ndërsa efektivët e policisë kanë qenë duke dalë në oborrin e banesës u është zënë pritë nga disa persona, me të cilët ka pasur shkëmbim zjarri. Në ndihmë kanë shkuar edhe forca të policisë nga Tirana, duke arrestuar dy trafikantët Skerdilajd Gjoni dhe Taulant Hasa. Pas hetimit sot janë arrestuar edhe 8 persona të përfshirë në ngjarje. Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Orion Peqini janë gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale një sasi municionesh luftarake dhe një sasi lënde narkotike.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency