Ndryshimet në ligj Sigurimet shëndetësore, ja se si do të llogariten

0
172

Formula e re për llogaritjen e sigurimeve

 Hiqet kufiri maksimal i bazës për llogaritjen e kontributeve për të punësuarit

sigurimetZbardhet formula që do të përdoret për llogaritjen e sigurimeve shëndetësore. Gjatë një raportimi në Komisionin e Shëndetësisë, përfaqësues të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore kanë bërë publike mënyrën e re të llogaritjes që parashikon ligji i ri. Sipas projektligjit, baza për llogaritjen e kontributit për personat e siguruar të punësuar është paga bruto e të siguruarit. Për personat e vetëpunësuar si dhe për personat që duan të përfshihen në skemën e sigurimit shëndetësor vullnetar, baza e llogaritjes së kontributit është dyfishi i pagës minimale për efekt të llogaritjes së kontributit. Ky ndryshim është hapi i parë drejt reduktimit të kontributit nga të vetëpunësuarit në qytet dhe në fshat si dhe për sigurimin vullnetar. Në bazë të ligjit që është në fuqi, baza për llogaritjen e kontributit për punonjësit e vetëpunësuar dhe për të siguruarit vullnetarë në skemën e sigurimeve shëndetësore, është mesatarja ndërmjet pagës minimale dhe maksimale për efekt të llogaritjes së kontributeve. Në shifra konkrete baza për llogaritjen e kontributit të sigurimit të detyruar shëndetësor është 57 078 lekë në muaj, [(19 026 + 95 130)/2], duke përcaktuar një detyrim mujor për t’u paguar prej 1 941 lekë, nga kjo kategori të siguruarish.

 

Ndryshimet

 

Me ndryshimin e paraqitur, baza për llogaritjen e kontributit për punonjësit e vetëpunësuar dhe për të siguruarit vullnetarë në skemën e sigurimeve shëndetësore, është dyfishi i pagës minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve, ose 38 052 lekë (19 026 x 2), duke përcaktuar një detyrim mujor për t’u paguar prej 1 294 lekë, nga kjo kategori të siguruarish. Pra për çdo të siguruar sipas kësaj kategorie do të ketë ulje mujore të detyrimit, prej 647 lekë. Ndryshimi tjetër që paraqitet është heqja e kufirit maksimal të bazës për llogaritjen e kontributeve për të punësuarit. Ky ndryshim konsiston në përcaktimin si bazë të llogaritjes së kontributit prej 3.4%, pagën bruto të personit të siguruar.

Efektet financiare vjetore të ndryshimit të bazës së llogaritjes së kontributit të detyruar të sigurimit shëndetësor për të vetëpunësuarit dhe për të siguruarit vullnetarë, duke pasur parasysh numrin aktual të kontribuuesve të kësaj kategorie, janë rreth 500 milionë lekë, të cilat i ulen vlerës së kontributeve të sigurimeve shëndetësore qe paguhen nga të vetëpunësuarit në qytet dhe në fshat dhe të siguruarit vullnetarë.

 

 

Propozime për ndryshimet në listën e barnave

Fondi i Sigurimeve Shëndetësore bën me dije se afati i dorëzimit të propozimeve për ndryshime në listën e barnave që rimbursohen është deri më datë 10 janar 2014. Pas kësaj date propozimet nuk do të pranohen. Dorëzimi do të bëhet pranë Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor nëpërmjet protokollimit në zarf të mbyllur drejtuar Komisionit Teknik të Barnave të Rimbursueshme. Propozimet për në listën e barnave të rimbursuara mund të jenë të dy kategorive: -Ndryshime në listën e barnave të rimbursuara për sëmundje trajtimi i të cilave është i rimbursuar. -Ndryshime në listën e barnave të rimbursuara për sëmundje trajtimi i të cilave rimbursohet pjesërisht ose nuk rimbursohet.

 

Bozdo: Deri në 2011 në Tiranë derdhej beton, sot po shtohen hapësirat e gjelbra

Bashkia e Tiranës ka vijuar mbjelljen e pemëve në Tiranë. Dje aksioni ka vijuar në rrugën “Dritan Hoxha”, ku me kontributin e një banke e nivelit të dytë janë mbjellë 2500 bimë dekorative të tipit orleando. Nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo, rikonfirmoi edhe një herë angazhimin e bashkisë për të shtuar gjelbërimin në Tiranë. Ndërkohë, deri në vitin 2011 në Tiranë derdhej vetëm beton. Bashkia, sipas Bozdos, po krijon hapësira të gjelbra përmes rikualifikimit urban dhe mbjelljes së pemëve. “Në këtë sezon ne parashikojmë të mbjellim më shumë se 4 mijë pemë dhe bimësi dekorative. Vetëm gjatë këtij mandati të Bashkisë së Tiranës kemi mbjellë gjithsej 12 mijë e 500 pemë përgjithësisht bli, gështenjë, por edhe lloje të tjera dhe 10 mijë e 600 bimë dekorative dhe kjo është një shifër shumë e kënaqshme.

Nga ana tjetër, nëpërmjet rikualifikimit urban të lagjeve brenda përbrenda Tiranës ne kemi gjelbëruar më shumë se 26 mijë metra katrorë dhe gjelbërimi i Tiranës, shtimi i hapësirave të gjelbra, përmirësimi i atyre ekzistuese ka për të qenë, është, do të jetë gjithmonë e gjithmonë në prioritetin numër një të punës së Bashkisë së Tiranës”, – përmendi Bozdo

 

 

Nikolla: Mësuesit do të kursejnë 1200 lekë në muaj

 

Komisioni i Edukimit ka filluar ditën e djeshme diskutimin e buxhetit për Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve. E pranishme në diskutime ka qenë edhe ministrja Lindita Nikolla që ka theksuar se nga taksimi mësuesit do të kursejnë gjithsej 1 200 lekë në muaj. Ministrja vuri në dukej gjithashtu se për arsimin universitar do të kalojë 85% e buxhetit akorduar këtij dikasteri. Këto para, sipas saj, do të përdoren për rikonstruksionin e 150 shkollave, ku 105 janë në rrezik shembjeje. Nikolla bëri me dije gjithashtu se fondi për transportin do të jetë rreth 600 milionë lekë në vit, fondet për bursat do të kapin shifrën e 410 milionë lekëve, 110 shkolla do të pajisen me tabletë.

 

 

Të hënën, urbanët në grevë, bllokohet lëvizja e qytetarëve

Një shkresë zyrtare nga qeveria se nuk do të subvencionojë transportin urban ka bërë që Sindikata dhe Shoqata e Transportit të paralajmërojnë një grevë ditën e hënë. Greva nuk do të zgjasë vetëm disa orë, por do të jetë një grevë 24-orëshe. Sipas burimeve, në grevë do të futen të gjithë urbanët në Tiranë, por edhe në qytetet e tjera. Kjo grevë do të sjellë bllokimin e qytetarëve ditën e hënë duke mos mundësuar qarkullimin me autobusë. Sindikata dhe Shoqata e Transportit kërkojnë nga qeveria të ndryshojë me vendim të Këshillit të Ministrave biletën e urbanit nga 30 lekë në 70 lekë. Të njëjtat burime nga Sindikata thanë për gazetën se janë të gatshëm që të bien në një marrëveshje me qeverinë, por do të pranojnë biletën edhe me 60 lekë, poshtë këtij çmimi nuk do të lëvizin.

 

 

Nis regjistrimi i praktikës profesionale për farmacistët

Të gjithë farmacistët që kanë mbaruar studimet duhet të bëjnë regjistrimin për t’iu nënshtruar praktikës profesionale, ndërkohë që Urdhri i Farmacistit ka publikuar afatet kohore dhe dokumentet e nevojshme për të kryer procedurën. Çdo praktikant duhet të paraqesë pranë zyrave të Urdhrit brenda datës 15 janar një sërë dokumentesh. Kështu, për t’u regjistruar kandidati duhet të dorëzojë diplomën dhe listën e notave origjinale. Gjithashtu, nevojiten 3 fotografi dhe një dokument identifikimi. Ndërkaq, praktikanti duhet të kryejë edhe pagesën prej 6000 lekësh në numrat e llogarive bankare, të cilat mund t’i gjeni në tabelën bashkëngjitur këtij shkrimi, ndërkohë që mandat-pagesa duhet të bashkëngjitet me dokumentacionin që do të dorëzohet. Urdhri i Farmacistit saktëson se për t’u regjistruar në praktikën profesionale, kandidati duhet të paraqitet personalisht, pasi duhet të plotësojë kërkesën për regjistrimin dhe vetëdeklarimin e praktikantit. Në momentin e dorëzimit të dokumenteve të nevojshme, do të bëhet edhe nënshkrimi i kontratës, e cila rregullon marrëdhënien midis praktikantit dhe drejtuesit të praktikës, ndërsa një kopje e saj duhet të dorëzohet në zyrën e Urdhrit të Farmacistit të Shqipërisë në momentin e fillimit të praktikës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency