Administrata Rama: Do ta ndajmë nga politika. Basha: Farsë tragjikomike, flet për ligj kur spastron

0
135

Gëzim Saliu

Konferenca për administratën, Kryeministri me ministret paraqesin reformën për administratën

 

Rama KKTKryeministri Edi Rama deklaron se qeveria synon reformimin e administratës publike me synim shërbimin e saj për shoqërinë dhe ndarjen e qartë nga politika. Në konferencën “Një administratë evropiane për Shqipërinë e gjeneratës tjetër” të zhvilluar dje në Teatrin e Operas dhe Baletit, kreu i qeverisë theksoi se vendi ka domosdoshmërinë e krijimit të një administrate publike me trajtë evropiane, solide dhe të respektueshme nga të gjithë. “Administrata do të jetë themeli i Shqipërisë evropiane, anëtare e Bashkimit Evropian. Në një realitet që jetësohet këtu në vend. Realitetin evropian të jetës së këtij vendi dhe që pikë së pari fillon aty ku qytetari troket dhe dera e administratës hapet për ta dëgjuar dhe për ti shërbyer. Administrata i përket shoqërisë, që kërkon me të drejtë që administrata publike të ndahet nga politika”, – u shpreh Kryeministri. Nga ana tjetër, sipas Ramës, kjo nuk do të thotë që administrata publike të mos shprehë prirjet e saj politike, qofshin këto, theksoi ai, të krahut opozitar. “Kjo nuk do të thotë që kush shërben në administratë ti shmanget nga frika aktiviteteve politike apo të ngurojë nga frika të bëhet pjesë e diskutimeve që politika hap për një arsye apo për një tjetër. Kjo nuk do të thotë po ashtu që politika ta uzurpojë administratën, por përkundrazi që politika të jetë një mjet i njerëzve për të bërë jetën më të mirë. Kjo nuk do të thotë që politika ta uzurpojë administratën përmes të besuarve të vet, por përkundrazi që politika si besimi njerëzve për ta bërë jetën më të mirë të mos ndahet nga bindja e çdo nëpunës, se në i duhet shërbyer çdo qytetari njësoj pavarësisht bindjeve politike të tij. Administrata është mjet për ta bërë më të mirë bashkëjetesën mes njerëzve”, – tha Rama. Po ashtu në konferencën e djeshme, ku merrnin pjesë anëtarë të administratës publike, ministrja e Administratës Milena Harito, ajo e Arsimit Lindita Nikolla dhe ministrja e Integrimit Klajda Gjosha nënvizuan rëndësinë e reformimit si edhe vendosjen e parimit të meritokracisë. “Për ne meritokracia dhe integriteti moral janë të pandashme. Kush e merr pozicionin me meritë ka mundësi t’i dalë për zot”, – tha Harito. Ndërkohë, ministrja e Integrimit Evropian u shpreh se në momentin që ndodhet Shqipëria, mirëfunksionimi i administratës merr rol të veçantë “Rikrijimi i një administrate profesionale është një kusht për hapjen e negociatave. Pjesë përbërëse e negociatave është edhe një vlerësim i rregullt i kapaciteteve administrative të administratës, për funksionet dhe karakteristikat që duhet të kenë këto struktura”, – tha Gjosha.

Basha

Ndaj konferencës së organizuar nga qeveria për administratën publike, reagoi dje kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i cili e cilësoi atë një farsë tragjikomike. Në një reagim në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Basha shkruante: “Ç’farsë tragjikomike! Rama detyron me zor administratën të dëgjojë barsaletat e përditshme monotone. Fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë. Flet për ligjin dhe pa ligj e kundër ligjit heq përditë nga puna burra dhe gra, të rinj e të reja. Flet për konkurse profesionale dhe profesionistët e vetëm që fitojnë janë kryetarët e PS-së apo aktorët në spotet elektorale. Flet për Kushtetutë kur Kushtetutës i vuri shkelmin për të nisur spastrimet e paligjshme”.

 

 

Rama: Nuk kemi mundësi të rrisim rrogat e administratës

Në konferencën e djeshme për administratën publike, Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se qeveria nuk ka mundësi të rrisë rrogat për këtë pjesë. Sipas tij, një ndër lehtësimet më të mëdha për administratën do të jetë sistemi i ri i taksimit në vend, i cili do të bëjë të mundur, theksoi Rama, që nëpunësit të paguajnë më pak. “Ne sot nuk kemi mundësi të rrisim rrogat e administratës publike, por ama ne jemi të bindur se në çdo vit do të lehtësojmë kushtet e atyre që punojnë dhe të gjithëve atyre që i shërbejnë shtetit tonë. Për këtë arsye do të keni një lehtësim të parë me sistemin e taksimit. Duke filluar vitin e ardhshëm mësuesit, infermierët dhe të gjithë nëpunësit të paguajnë më pak taksa. Kjo do të sjellë rritjen e fuqisë të tyre blerëse. Ne duam që të kemi një dialog të vazhdueshëm me administratën me të gjithë pjesën e shoqërisë të angazhuar brenda strukturave të shtetit dhe ta vëmë qeverinë në dispozicion për të përfituar nga ky dialog, sigurisht pa u futur në punët e njëri-tjetrit, kam parasysh këtu anën politike”, – deklaroi kreu i qeverisë “Rama”.

 

 

Takimi me administratën

PD: Rama theu premtimin, thirri me listë nëpunësit për ta duartrokitur

Partia Demokratike reagoi dje përmes zëdhënëses së saj, Laura Vorpsi, për konferencën e organizuar dje nga qeveria me administratën publike. Duke e cilësuar këtë takim si një thyerje të premtimit të dhënë më parë nga Kryeministri për mos përdorim politik të administratës, PD theksoi se ky takim shërben si ovacion në kuadër të 100 ditëve të para të qeverisë. “Kryeministri Edi Rama ka thirrur sot një miting me administratën publike, ndërkohë që qindra e mijëra punonjës janë urdhërua nga shefat e tyre që të jenë prezent. Kundër vullnetit të tyre, nëpunësit do të jenë të detyruar të duartrokasin sot Kryeministrin pas orarit zyrtar të punës, sepse shefit të madh i nevojiten ovacione në krye të 100 ditëve me bilancin më të dështuar në historinë e qeverive shqiptare. Ka qenë përbetuar Edi Rama se asnjëherë nuk do të detyronte administratën që ta ndiqte atë pas, por sot shefat e ministrive e të institucioneve të tjera kanë bërë gati në mënyrë ushtarake listat e pjesëmarrjes, listat e duartrokitjeve të sforcuara”, – tha Vorpsi. Më tej, zëdhënësja e PD-së nënvizoi se takimi i Kryeministrit me administratën vjen pas spastrimeve që qeveria ka zhvilluar në tre muajt e fundit ndaj nëpunësve civilë. “Kryeministri Edi Rama bën takim me administratën, pasi ka larguar mijëra specialistë, zonjë e zotërinj të përkushtuar në detyrë, dhe i ka zëvendësuar ata me duartrokitësit e orës 5. Sot administrata ka nevojë për ligjshmëri, për forcim të kapaciteteve, për stabilitet. Këtë kërkon integrimi evropian dhe partnerët tanë. Mitingjet qeveritare, demagogjia për të fshehur terrorin mbi nëpunësit civil dhe farsat e konkurseve që sjellin ën drejtim të arsimit drejtuesit e partisë socialiste, janë e kundërta e nevojave të vendit”, – përfundoi deklaratën e saj zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency