Berisha rrëfehet për jetën e tij: Ja kapitulli i zi që s’u shkrua kurrë për diktaturën

0
166

Intervista e parë në opozitë

Berisha: Diktatura komuniste, një sistem skllavopronar, që i çonte në vdekje qytetarët, për shkak të urisë kronike

 

berisha-mbledhjeIsh-kryeministri Sali Berisha gjatë një interviste të dhënë për emisionin “Kontrata” të gazetares Sonila Meço, rrëfen për jetën e tij që në fëmijëri e deri në ditën e sotme. Në intervistën e parë televizive që pas daljes në opozitë, Berisha tregon për vitet si student i Mjekësisë si dhe vendimi për t’i hyrë politikës. Gjithashtu ish-kryeministri shpjegon edhe raportet e reja të opozitës me qeverinë që pas zgjedhjeve të 23 qershorit.

Sonila Meço: Zoti Berisha, që nga dalja juaj në opozitë kjo është intervista e parë televizive që ju jepni.

E vërtetë.

Keni braktisur studiot televizive?

Jo, nuk i kam braktisur, por erdha këtu, sepse një burim i fuqishëm informacioni për shqiptarët po lind dhe TV “Agon” është një emër që po lakohet gjithnjë e më shumë nga teleshikuesit shqiptarë. Kjo është një meritë e veçantë e pronarit, stafit dhe e gjithë ekipit dhe meriton përgëzimet e mia më të sinqerta.

Z. Berisha, “Kontrata” ka si protagonist të saj udhëheqësit, politikanët liderë. Sondazhet tregojnë se jo vetëm shqiptarët, por jo vetëm pak u besojnë politikanëve, më shumë njeriut. Unë do të përpiqem në këtë pjesë të parë, njeriun Sali Berisha, formimin e tij ngjarjet që e kanë shenjuar, sepse aty gjejmë përgjigjen për mënyrën se si përballohet jeta me sfidat e saj.

Rrëfimin tim dua ta nis te origjina. Lindur në 15 tetor në Viçidol në Tropojë, në një zonë shumë afër kufirit. Familja është fati ynë, nuk e zgjedhim dhe fati juaj ka qenë ky. Kulla e Berishajve dhe dy Berisha.

Mësimi më i vyer që ju ka dhënë nëna, cili ka qenë?

Mësimi më i vyer, më i çmuari ishte ky. Ne kemi qenë një familje partriarkale qartësisht, por në aparencë në të vërtetë ne ishim një familje matriarkale. Familje në të cilën nëna ishte shumë influente në vendimet dhe vendimi i saj më pozitiv në jetën time ka qenë fakti se ajo më imponoi mua kultin e motrës. Po.

Kulti i motrës, që do të thotë?

Ne ishim tre fëmijë, dy vëllezër dhe një motër. Çfarë ndodhte në familjen tonë? E para ishte motra, në mënyrën më të padiskutueshme.

Mbështetje emocionale e të voglit Berisha…

Motra ishte 6 vjet para meje, ajo bënte gjithçka që të derdhte të gjithë dashurinë mbi mua, më ka mësuar të lexoj 5 vjeç. Nuk kanë të përshkruar aktet e saj të dashurisë ndaj meje. Por në familje ajo ishte mbretëresha dhe nëna që vigjilonte me angazhimin total se mos po ndodh ndryshe dhe ndryshe nuk mund të ndodhte. Pse më ka shërbyer kjo? Për të më dhenë sensin e barazisë shumë të domosdoshëm. E kam thënë edhe dikur, shumë vite më vonë lexoja Frojdin, kam qenë shumë i apasionuar pas frojdizmit dhe lexoj që në familjen Frojdi në Vjenë, motra Ana bleu një piano dhe tani Frojdi nuk duronte dot tingujt e pianos, kur kjo luante dhe e ëma e Frojdit ia mori dhe ia shiti pianon. Të kishte qenë për nënën time, do më detyronte…

Në fakt, teksa ju më flisnit për leximin, ju mësonte të lexonit që 5 vjeç, ka diçka në të cilën ka kaluar fëmijëria e Berishës dhe janë disa objekte të cilat na shenjojnë. Kam kërkuar sëndukët e famshëm të Gjakovës dhe nuk i kam gjetur. Vajza jonë e emisionit më ka sjellë një sënduk që në mos jua kujton sëndukët e Gjakovës, ju kujton libra. Si për shembull, Fan Noli, Heminguei, Lasgush Poradeci, Tolstoi, libra të tërë me radhë, të cilët çuditërisht ngjitur me kufirin dhe dihet se si janë rrethanat e jetës në një shtëpi pranë kufirit përbënin lëndën e parë, e cila do ta fuste në një dilemë shumë të fortë Sali Berishën. Leximi dhe letërsia do t’ju fusnin në dilema të mëdha, si shpjegohet?

Motra më mësoi mua shkrim e këndim 5 vjeç dhe natyrisht unë kam pasur një tipar, unë isha një fëmijë fotografik, me një memorie shumë të fuqishme dhe nga gjërat më të para që unë mësova ishte Fishta. Në atë periudhë funksiononte oda, akoma nuk ishte zhdukur oda e burrave, që ishte një si të thuash një debat jo televiziv që zhvillohej çdo natë dhe kishte si moderator në familjen tonë, xhaxhain. Ishte shumë i zhdërvjelltë. Kjo është një bibliotekë moderne, por besoj se në një qoshe të odës do ishin edhe sëndukët e Gjakovës të mbushur me libra. Unë tani mësoj Fishtën, sepse doja të përfillesha, kishte një kujdes ndaj nesh. Na lejonin në odë, por me një kod shumë të veçantë, nuk mund të flisnim, nuk mund të pyesnim, mund të dëgjonim, mund të hanim darkën, po në një sofër të veçantë, kur ishin miqtë, por gjithçka shumë të rregullt, përndryshe i humbisnim këto atribute. Të gjithë mësonim Fishtën, kushdo e donte Fishtën. Dhe unë nëpërmjet Fishtës bëhesha pjesë e odës, sepse pasi bisedonin, pasi dëgjonin eposin e kreshnikëve me lahutë dhe pastaj ndonjëri do më thoshte: A do na e recitosh Fishtën? Dhe bëheshe protagonist. Më ka dhënë shumë kënaqësi kjo gjë.

Më rezulton të jeni shumë i vërtetë në atë që thoni se duke qenë që kujtimet e vegjëlisë kanë ngjyra më harmonike ne shkuam, “Kontrata” udhëtoi pikërisht në vendet e Sali Berishës dhe takuam këtë mik lojërash tuat. Ky çunak është Dem Berisha, djali i djalit të xhaxhait. U bë udhërrëfyesi ynë në këtë udhëtim në vendin tuaj. Madje Dash Kaloci, gazetari, më tregonte edhe një detaj tjetër. Edhe kur ngarkonit kovat me ujë që ju jepte familja në njërën dorë, kishit kovën, në tjetrën librin. Ky pasion për librin do të shndërrohej në një dilemë në një moshë adoleshente midis dëshirës për të vijuar letërsinë dhe më pas për të bërë një zgjedhje profesionale. Për sa kohë ju ka shoqëruar kjo dilemë?

Gjatë gjithë rinisë sime unë kam qenë tmerrësisht i lidhur me librat. Natyrisht, jam përpjekur që një pjesë të kohës ta ndaj për lojë me shokë e shoqet e mia, por libri ishte pasioni më kryesor.

Libri të cilit i jeni rikthyer më shumë dhe që daton që nga ajo periudhë?

Xhek London, Tolstoi dhe një gjë dua të them. Fëmijëria e hershme ndofta mund të jetë më e rëndësishmja në formimin e njeriut.

Jeni i lumtur për fëmijërinë që keni kaluar?

Jam, sepse kam marrë… sigurisht, fëmijëria ime nuk ka qenë kurrë bahçe me lule. Ka qenë me vështirësitë e veta, ka qenë me gëzimet e veta, por jam i lumtur. Domethënë sivjet lexova një libër dhe jua këshilloj të gjithëve ta lexoni. Libër i shkruar nga Malcolm Greedwell, “Outliers”, dhe në këtë libër, ku ai shqyrton se si formohen njerëzit më të shquar, ai thotë një të vërtetë: “Është shumë e rëndësishme fëmijëria, se si me qëllime ndaj fëmijëve ne humbasim shumë të mëdhenj, gjeni të shquar”. Andaj kujdes fëmijët!

T’ju rrëfesh ju do të thotë të rrëfesh shumë ngjarje, andaj unë do të vijoj përshkrimin kronologjik. Në vitin 1958 adoleshenti Sali Berisha lë Tropojën dhe vjen në Tiranë. E vështirë përballja e parë me kryeqytetin?

Shumë e vështirë. Imagjinoni një njeri që vjen nga një fshat i Tropojës. Të marrim ushqimin, me një ushqim të ndryshëm si dita me natën me ushqimin e konviktit.

Ju rrinit tek teknikumi mjekësor, te Medreseja…..?

Po, ku pothuajse çdo gjë që më servirej ishte jofamiljare për mua. Mëngjeset ishin një gotë çaj me një riskë djathë. Ky ishte mëngjesi. Dreka: ishte një grosh e zier, por ishte groshë e kuqe, groshët e Tropojës janë të shkëlqyera, nuk kisha provuar kurrë, këto nuk më përshtateshin kurrkund dhe darka që ishte një supë. Po supa ka historinë e vet. Vinte një supë e cila na hidhej në një pjatë alumini njëlloj si në romanet e Çarls Dikensit, ajo mbante erë pishë. Unë nuk arrija ta kuptoja, s’e haja sigurisht. Kur ç’ndodhi?! Si nxënës bënim shërbim në mensë. Shkoj unë ditën e shërbimit, shikoj kazanët, ata hunjtë që përzienin supën kishin rrëshirë pishe. I them asaj kujdestares: Ju me këto na jepni. I mori, i hoqi, gjeti ca shkopinj ahu. Por, në qoftë se kushtet ishin këto, mësuesit ishin të shkëlqyer. Ne kemi pasur mësues në atë shkollë në lëndë të përgjithshme, të gjithë të shkolluar jashtë. Në gjuhë kishim një nga më të shkëlqyerit që kam njohur, Peter Elezi…

Por jetën ua nxinit mësuesve, keni qenë kritik…?

Kisha edhe një sens unë. Sensi ishte se unë nuk ndiqja dot, unë ndiqja orbitën time dhe ata ndiqnin orbitë shumë më të pasur se unë, në lodra, në aktivitete dhe kjo më bënte mua që të isha shumë i respektueshëm ndaj tyre dhe jashtëzakonisht korrekt dhe gjithnjë shumë i dashur. Lexoja 8 muaj rresht dhe e shikoja pastaj që kisha humbur sensin e realitetit dhe e ndërprisja leximin 1 muaj për t’u pasuruar me informacione të realitetit, u thosha të mos fluturoj në orbitën totale sureale.

Duke ndjekur kronologjinë e çështjeve, pas dilemave letërsi, mjekësi, nëpërmjet përhumbjes në realitete virtuale, në realitete librash, Sali Berisha vendos: “Do të studioj mjekësi”. Nga lindi ky pasion për mjekësinë z. Berisha?

I gjithë pasioni im ishte letërsia, historia, por kryesisht letërsia dhe deri vitin e tretë të fakultetit bëra përpjekje të jashtëzakonshme që të më lejohej që të vazhdoja dy fakultete. Mjekësi dhe letërsi, por pasioni i parë ishte letërsia. Kjo nuk m’u lejua dhe më në fund dështova në përpjekjen time dhe pastaj i gjithë si të thuash, pasioni, m’u drejtua drejt mjekësisë dhe disa shkencave të saj, si biokimia molekulare, shkencat e fizikës ose gjenetika. Të gjitha këto filluan të më tërhiqnin shumë. Dhe pastaj unë dija gjuhë të huaja, lexoja tekste në gjuhë të huaja.

E vërtetë që i mësonit edhe fjalorët e gjuhëve të huaja përmendësh z. Berisha?

Absolutisht po, lexoja shumë, kam pasur një memorie shumë të fortë.

Meqë unë jam fëmijë mjeku, e di se si të përthith energjitë, nervat, emocionet kjo punë. Ju merr malli?

Sigurisht që kam vlerësimin më të lartë, veçse mëe duhet të them se kam pasur një moment psikologjik, para vitit ‘90, kur unë vendosa që të bëja atë që s’e kisha bërë. Unë isha një studiues që kisha bërë botime në të gjithë botën, ka prej tyre origjinale që qëndrojnë edhe sot. Isha një mjek i pasionuar që mund të rrija natë e ditë me të sëmurë dhe nuk lodhesha, ishte një familje që kishte të njëjtën frymë, edhe Lili, bashkëshortja, kishte të njëjtën frymë, nuk kishim asnjë lloj problemi, u shërbenim maksimalisht njerëzve. Por, kjo ishte një jetë pa dinjitet, një jetë në të cilën ne konfirmoheshim, një jetë në të cilën unë që isha mjek dhe dilja në periferi, në rrethe të ndryshme për të vizituar njerëz, unë shihja atje, prekja mjerimin më të paimagjinueshëm, që po t’ua thuash sot këtyre të rinjve, as që e imagjinojnë dot se çfarë gjeja unë në fshatrat e Dibrës, në Himarë, në Mokër, një situatë më katastrofale, një sistem skllavopronar, i cili i çonte në vdekje qytetarët, për shkak të urisë kronike. Ky është kapitulli më i zi që s’u shkrua kurrë për diktaturën. Ne këtu në Tiranë e merrnim atë pako gjalpë, atë gjysmë pulë dhe shishen e qumështit një herë në 2-3 ditë. Kurse ata, në mënyrë absolute, për muaj e muaj të tërë nuk kishin asgjë tjetër, veçse 1 kg vaj, 1 kg sheqer, bukë misri dhe vdekje të sigurtë nga sëmundjet. Kjo ishte situata që sot është shumë e vështirë të imagjinohet. Këto më bënë mua që të mbyllja atë kapitull studimesh dhe të bëja atë që s’e kisha bërë kurrë.

Z. Berisha, ju ka tunduar qoftë edhe një herë të vetme rikthimi në mjekësi?

Jo. Pse? Sepse vendimi im për t’u larguar, për të bërë atë që s’kisha bërë, ishte një vendim për të lënë mbrapa të sëmurin, për të lënë mbrapa studimin, për të lënë mbrapa kërkimin shkencor dhe në njëfarë mënyre ndihesha edhe pak fajtor, por i detyruar që të bëja atë veprim. Ishte për të hyrë në një proces, por ky proces shkonte duke t’i zverdhur gjërat që ti kishe adhuruar aq shumë dhe kthehem tek liritë dhe të drejtat e njeriut dhe bind veten se këto janë vlerat më eprore. Këto janë të vërtetat më të mëdha që unë duhet të mbroj. Dhe po të shohësh shkrimet e mia të para, unë jam ndalur me të gjithë forcën tek liritë dhe të drejtat e njeriut.

E thashë që në fillim që ka disa lloj udhëheqësish që nxiten nga pasionet më shumë se nga posti dhe pushteti dhe ju jeni një njeri pasionant. Unë kam mësuar që një ndër pasionet tuaja është vera. Dhe mua më thonë që Sali Berisha ka një dhunti të jashtëzakonshme për të dalluar verërat me varietete, me çfarë temperature mbahen etj…

Vera mbi të gjitha është poezi. Dhe unë nuk pretendoj që jam një njohës, unë jam një dashurues i verërave dhe prapë do të kthehem tek origjina e kësaj. Unë isha fëmijë, në fillore, dhe aty në shkollë bëhet një festë dhe, siç ishim, të mëdhenj e të vegjël, të ulur nëpër tavolina, u servirnin birrë, ndofta birra ishte e prishur a nuk e di se çfarë, e futa në gojë dhe e nxora menjëherë, aq e ithët m’u duk. Edhe sot e kësaj ditë s’jam bërë mik me birrën. Dhe historia e dytë është në një fshat të Tropojës, Markaj, një zonë katolike, ata bënin verë dhe ne i kishim miq ata. Në një drekë na kishin servirur verë, a ishte verë tamam apo verë me mushtarak, akoma s’e kam të qartë, por e shijova aq shumë, sa mbeta mik me verën për gjithë jetën time. Unë çdo ditë përdor verën dhe e kam përdorur gjithë jetën, por asnjëherë më shumë se 1 gotë në ditë. Ndonjëherë në shtëpinë time, gostinë e verës e bën Lili, këngën e kam unë.

Vitet ‘90, vite në të cilat sistemi vazhdonte në agoni të qëndronte aty, por Sali Berisha përfshihet nga energjia, entuziazmi i një momenti historik. Ju merrnit pjesë në protestat e studentëve; Argita, vajza juaj e madhe, ishte në grevën e urisë, Shkëlzeni ishte i vogël në vitet ‘90. Një grua me ankth shihte atë që shqiptarët po konsumonin, gjithnjë në një sistem i cili akoma kishte gjasat e forta për t’u hakmarrë. Një grua shihte ankthin nëse familja e saj ditën e nesërme do të ishte e internuar apo projekti i ngjizur në kokën e njeriut m etë cilin ndante jetën, do të vinte shpejt. Ajo grua është Liri Berisha. Z. Berisha, jo pa qëllim kam zgjedhur këtë foto dhe kam këmbëngulur, është një foto e vitit 1990, znj. Berisha me Shkëlzenin për dore, me një kaush të mbushur me ullinj të kripur, vinte dhe ndiqte nga pas atë që ishte duke ndodhur; merrte informacione nga Argita në grevën e urisë, nga ju që ishit në protestë. E dinit ankthin e asaj gruaje në atë kohë? 

Padyshim që, pas nënës, Lili është njeriu që i detyrohem më shumë në tokë. Dhe para këtij viti, njeriu që unë i kam marrë miratimin, ishin fëmijët, natyrisht ndaj meje mund të mbaheshin qëndrime dhe pasi e pa që për mua ishte më mirë, ndihesha më mirë që të ndiqja rrugën që kisha vendosur, ajo më ka mbështetur plotësisht. Ka qenë plotësisht dakord. Ne, edhe si mjekë, po të marrësh jetën tonë familjare, në kohë ne nuk kemi pasur një jetë të plotë familjare kur kemi qenë mjekë e kur u bëmë zyrtarë, në kuptimin që ishim shumë të zënë. Ajo me fëmijët, unë me punë, por në një harmoni absolute dhe respekt për punën që bënim. Kjo ndodhi pastaj edhe në lëvizje. Lili u bashkëngjit sapo filloi lëvizja, duke mos më thënë kurrë në jetën e saj se kjo mund të ketë këtë rrezik apo atë rrezik.

Sa ndikim ka pasur në jetën tuaj?

Ajo ka, padyshim, një ndikim shumë të madh në jetën time, sepse, si të thuash, është një tërësi me mua. Nuk them se diskutoj çdo vendim me të apo s’diskutoj vendime, por vetëm me qëndrimin e saj aktiv dhe kritikat e saj, është një faktor absolut.

 

“Rama do ta çojë Shqipërinë drejt modelit të Papandreut”

 

Ku është qeverisja deri sot, taksat? Gjasat e projektit “Rama” për tejkalimin e situatës si ju duken?

Gjasat e projektit “Rama” për tejkalimin e situatës, do t’i përgjigjem me atë çka deklaroi publikisht një nga reformatorët më të mëdhenj të Evropës. Ministri rumun që shpëtoi vendin e tij nga rrokullisja e madhe me reformat, është kjo: Shanset e dështimit janë 95%, ua tha në konferencë, ua them dhe unë dhe kam bindjen më të madhe.

Ju i referoheni modelit fiskal?

Sigurisht, këtyre që paraqesin këta. Së pari, ka një dallim absolut midis të gjitha institucioneve financiare të botës, qëndrimi i tyre ndaj ekonomisë shqiptare dhe modelit të zotit Rama. Cili është ky dallim? Që të gjitha në unison, edhe me ato me të cilat kam pasur marrëdhënie normale, edhe ato me të cilat s’kam pasur fare marrëdhënie, dhe kjo është e njohur, janë detyruar të pranojnë se Shqipëria ka rritje ekonomike, 3%, 2%, 4%, dhe nuk e kanë mohuar dot kurrë. Janë detyruar të pranojnë se Shqipëria nuk ra në recesion, kurse zoti Edi Rama, me një padije totale ekonomike, përpiqet t’i bindë ata se Shqipëria është në recesion. Mirëpo, harron, nuk ka njohuri, nuk ka libër më të studiuar sot në botë, libri që studiohet sot më shumë nga think tank-et në institucionet ndërkombëtare është ekonomia, libri i ekonomisë së vendit. Të dhënat e rritjes ekonomike të Shqipërisë shkojnë prej disa vitesh online direkt në Departamentin e Statistikave të FMN, të Eurostatit, nuk janë shaka këto. Nuk bëhet shaka me ekonominë. Ky zotëri niset nga hipoteza se Shqipëria është në recesion dhe çfarë bën me këto që ka servirur, është fatal dekreti që solli në Parlament. I paimagjinueshëm dhe i pabesueshëm, njeriu që ka katër vjet që bërtet për borxhin dhe borxhi është aq sa është.

I referoheni dekretit për shtimin e tavanit të borxhit?

Dhe ky zotëri vjen pas katër vitesh, duke u rënë sirenave se vdiq Shqipëria nga borxhi dhe merr përsipër të rrisë borxhin publik të shtetit, aq sa e kemi rritur ne në katër vjet për ta rritur ky në katër muaj.

Ndoshta është kusur i trashëgimisë që i keni lënë zoti Berisha?

Jo, absolutisht, më falni zonjë! Ju them unë ju; viti i kaluar, viti më i vështirë në ekonominë e historisë së Shqipërisë, ka qenë viti i kaluar, sepse ishte vit i vështirë për Evropën, se ishte viti që ra Italia në krizë të thellë, ishte viti i një dimri të pashembullt në 30 vitet e fundit. E kapëm një rritje 1.7% të deklaruar nga FMN, i cili deklaron gjithmonë për hir të së vërtetës shifra më të ulëta sesa institucionet e tjera. çfarë ndodhi sivjet? Sivjet ndodhi ngjitja ekonomike. Filloi të ngjitej rritja, është e vërtetë ajo që thatë ju. Ne, për të rritur kompetitivitetin që duhej, ndërmorëm një seri masash nga më të shkëlqyerat.

 Kam një dëshmi, zoti Berisha, që i kalon kufijtë e Shqipërisë, për faktin se çfarë ka prodhuar modeli ekonomik shqiptar i ndjekur prej jush. Slogani i ri i Berluskonit i referohet modelit juaj të suksesshëm.

Unë do të shtoj vetëm kaq, këtë që tha Silvio Berlusconi, i cili absolutisht është një gjeni kur vjen problemi në çështje ekonomike, është gjeni i vërtetë në trajtimin e problemeve ekonomike, të njëjtën gjë ka shkruar Bloomberg, të njëjtën gjë ka shkruar Forbes për ekonominë shqiptare, dhe në mënyrë absolute do të ishte gjëja më e paimagjinueshme të mendojnë se ata investonin për lidhje personale me atë apo me këtë. Ekonomia shqiptare ishte nga më të paktat ekonomi në Evropë që nuk ra në recesion.

Pra, jeni i bindur, zoti Berisha, se modeli i taksës progresive, taksës së përshkallëzuar, nuk do t’i bënte mirë Shqipërisë në 2014?

Absolutisht, me këtë model që po ecën ky, do ta çojë Shqipërinë drejt modelit të Papandreut.

Mjedisi, zoti Berisha, nisi me anulimin e ligjit të importit të mbetjeve. A ishte kjo nisja e duhur?

Ajo ishte një hipokrizi totale antiglobaliste. Dhe unë u them shqiptarëve, Bashkimi Evropian ndoshta është bashkësia që kujdeset më shumë se çdo bashkësi tjetër në histori për mjedisin. Dhe kjo bashkësi ka një listë prej 524 mbetjesh, jo plehrash, mbetjesh, të cilat i quan jeshile dhe që u ka dhënë pasaportën për të qarkulluar pa viza në të gjithë hapësirën e Bashkimit Evropian dhe ju falënderoj për atë që keni paraqitur. Vendi më i pastër në Evropë dhe që është importues i këtyre mbetjeve është Norvegjia. Zotëria, për qëllime antiglobaliste dhe për të mashtruar njerëz… Ku ishte Shqipëria? Shqipëria në listën prej 524 mbetjesh lejonte me vendim të veçantë qeverie të importoheshin vetëm 25 dhe në çdo rast me një vendim dhe kontroll të posaçëm. Ky tani, për antiglobalizëm, thotë që do t’i ndalojë këto, se këto do të bëjnë kërdinë, paçka se nuk faktoi asnjëherë se cilat nga këto uzina, cilat nga këto fabrika ndoste mjedisin. Kur më ka ftuar prodhuesi i riciklimit të letrës në Durrës, kam shkuar me një hezitim, sepse këto fabrika zakonisht janë ndotëse shumë të këqija të ujërave, dhe unë ngela i mahnitur aty. Në mënyrë absolute nuk derdhej asnjë gotë ujë i papastruar, e sjellë në kushtet më ideale ekologjike.

Pra, nuk ishte kjo mënyra më e mirë z. Berisha?

Kjo ishte mënyra për të lënë pa punë 8 mijë punonjës. Dhe ç’bëri ky zotëri? Ligji ishte dhe thoshte në Republikën e Shqipërisë nuk lejohet importi i mbetjeve toksike dhe ligji tjetër në Republikën e Shqipërisë nuk lejohet transporti i mbetjeve toksike, përbën vepër penale. Ky ndryshoi ligjin dhe thotë nuk lejohet importi i mjeteve toksike dhe jotoksike. Dhe pas një muaji, pasi kishte bërë veprimin, shkoi në OKB dhe premtoi sjelljen në Shqipëri të potencialit kimik toksik të tretë në botë, unë e dija të tretë, por dikush thotë të parë, sepse dy kryesorët janë duke i shkatërruar dhe ndoshta u kanë mbetur më pak. A mund të besohet ky njeri se ka qëllime për mjedisin? Rikthehemi kur ishte kryetar Bashkie si e ktheu ai lumin e Tiranës, si e shndërroi ai në një lumë nga më të ndoturit në botë.

Megjithatë, aksioni i tij për pastrimin e qytetit për mbetjet nga çdo lloj, gjithsesi konsiderohet si një model që mund të përdoret në gjithë Shqipërinë.

Po të jetë kështu, aksioni i tij për lumin e Tiranës përbën ndotjen më të madhe që mund të ekzistojë dhe, e dyta, vërtet kioskat, e vërteta është që ato i filloi dikush para tij, por ç’rëndësi ka, por mos harro se 220 pallate u ndërtuan jashtë kushteve urbanistike. Ishte kryetar Bashkie ky zotëri, mos harro se u shkatërruan ¾ dhe janë të gjitha të matshme. Kur u bë gjelbërist ky? Pasi shkatërroi ¾ e sipërfaqes së gjelbër, pasi mbylli të gjitha parqet.

Bregdeti, si Lana, sot është emri i një operacioni që mëton të shtrihet nga Tirana në gjithë Shqipërinë. Zoti Berisha, sot që flasim, PD ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen për tejkalimin e kompetencave nga INUK-u.

Së pari, ne mbështesim fuqimisht prishjen e çdo banese pa leje. Ne kemi rregulla e ligje dhe kemi prishur shumë më tepër se çfarë ka prishur ky.

Por edhe keni lejuar të ndërtohet?

Do flasim edhe për atë. Kemi prishur në breg shumë herë më tepër se çfarë ka prishur ky dhe ato janë të regjistruara dhe të dokumentuara. Cili është ndryshimi ynë? Ne nuk pranojmë kurrë të preket ndërtesë me leje, jashtë kushteve ligjore. Ligjet e Shqipërisë dhe gjithë botës përcaktojnë këtë. Një ndërtesë me leje ose shtetëzohet, ose prishet me vendim gjykate, e cila përcakton një, dy, tri kushte. Kurrë, në asnjë rrethanë, ekzekutivi i vendit nuk ka fuqi t’i prekë qytetarit banesën. Në atë moment që ekzekutivi vendos të përdorë forcën e vet për të shkatërruar shtëpinë që ai ka ndërtuar me leje, ai bën të pasigurtë shtëpitë e të gjithë qytetarëve të vendit të vet. Kushtetuta e vendit ka të përcaktuar në dy nene, si mbrojtjen e pronës private, ashtu edhe pacënueshmërinë e banesës. Do t’i prishësh këtë apo atë pallat. Po, merr përsipër, bëj shtetëzimin kundrejt vlerës dhe thuaj zotëri unë tani do ndërtoj këtë gjë, brenda kushteve sigurisht, por e drejta shqiptare, evropiane, botërore, nuk lejon ekzekutivin, jo banesën, por as lejen e ndërtimit ta anulojë pa dëmshpërblim. Pse? Sepse në ligje, ekziston ajo që quhet siguria ligjore. Është cilësia e ligjit, vetë shpirti i tij. Kur unë marr një leje ndërtimi, unë i besoj ligjit dhe para se të marr lejen, para lejes, pas lejes, unë kam shkuar, kam marrë kredi në bankë. Unë kam marrë borxhe tek njerëzit, unë kam porositur projektin, unë do ndërtoj ëndrrën time aty dhe ti vjen dhe ma rrënon prapa. Absolutisht nuk ke asnjë të drejtë ta bësh këtë. Po, do ta bësh kundrejt dëmshpërblimit. Zotëria jo vetëm thotë do prishë ndërtesat me leje, por ka anuluar lejet dhe urdhëron në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet pushtetin vendor, i cili është i vetmi autoritet që jep leje.

Keni shpresë tek Gjykata Kushtetuese për kërkesat që keni parashtruar?

Plotësisht kam shpresë, kam besim të plotë tek Gjykata Kushtetuese, kam besim të plotë tek Gjykata e Strasburgut, e cila ka me dhjetëra raste, Shqipëria sa për dijeni është dënuar vetëm në një rast, e ka një vendim 16 milionë euro, vetëm në një rast, e drejta e banesës është një e drejtë që nuk diskutohet.

Një temë tjetër që lidhet personalisht me ju, sepse e keni konsideruar Shqipërinë si një vend që në një kohë të shkurtër mund të shndërrohet në një superfuqi energjetike, ka të bëjë pikërisht me energjinë. Drejtoresha e Informacionit, Mimoza Picari, ka nisur edhe një kronikë ku ka krahasuar edhe kostot oportune të të dy procedurave me CEZ. A ndieni përgjegjësi?

Së pari, një moment i mungon kësaj kronike. Fakti se qeveria ime zhduku ndërprerjen e programuar të energjisë elektrike për shqiptarët. E cili ishte ligji bazë para vitit 2007? Në Shqipëri zotëronte gjeneratori, nga jugu në veri, në qytet, në fshat dhe kudo.

Nis me një premisë pozitive puna e kësaj qeverie atëherë?

Jo, shpallëm një premtim, mbajtëm një premtim. Shqiptarët ishin mashtruar dhe gënjyer se rrjedhjet e tyre të vjedhjes nuk i mbajnë energjinë dhe ndërkohë ishte krijuar një rreth vicioz i tmerrshëm, dënim kolektiv i tyre. Ne i dhamë fund kësaj. Së dyti, ne ndërmorëm pas 30 vitesh dhe ndezëm në Shqipëri garën e ndërtimeve dhe hidrocentraleve më të paprecedentë se asnjëherë tjetër. Ne kemi lënë, kur u larguam, kontrata të firmosura për koncesione për 420 hidrocentrale nga 443 të rëndësishme që mund të ndërtohen në vend.

Megjithëse qeveria e re punën e nisi me anulimin e disa kontratave…?

Ndër këto hidrocentrale është kaskada e Devollit, e cila është në ndërtim e sipër dhe “Statkraft” është njëshi i botës në ndërtim të hidrocentraleve. Firma norvegjeze është kompania numër një në botë për ndërtimin e hidrocentraleve. Së treti, Vjosa është… studimi francez është i gatshëm për t’u hedhur në tender me studimin tonë. Vjosa përbën një pasuri shumë të madhe ujore në këtë drejtim. Së katërti, vërtet kanë përfunduar 53, por janë edhe 103 të tjerë në ndërtim e sipër. Pra, a po lëshon shtat ideja jonë “Shqipëria lider në energjinë e rinovueshme në rajon”? Çdo ditë e më shumë derisa erdhi kjo qeveri. Kjo qeveri shpalli se do shqyrtojë çdo koncesion. Çdo qeveri mund ta bëjë këtë pa asnjë vështirësi, por shpallja është ligësi ekstreme se që në momentin që ti shpall se unë do t’ju shikoj edhe një herë ju, njeri nga xhepi një qindarkë nuk ke nxjerr. Ti mund ta bëje atë pa e shpallur fare, i merrje një nga një. Mos harro se të gjitha ato janë procese ligjore, që të gjitha ato kanë kaluar në komisionet në të cilat ligji i autorizon.

I druheni arbitraritetit nga kjo?

Total, çfarë do të thotë ajo, kur një ministër shpall se po mbledhim të gjitha të dhënat nga të gjitha ministritë. Po dosjet janë vetëm në atë ministri ku thotë ai. Dosjet janë në Ministrinë e Ekonomisë apo i mbledh për të vjelë gjoba. Për t’u thënë do merremi edhe një herë për t’u vënë gjoba.

Ky është spekulim…

Më fal, por pse i mbledh? Ka procese. Kontrata, pasi firmoset, është detyrim, është kushtetutë civile, është detyrim që duhet ta zbatosh dhe nuk mund të prishësh një kontratë pa një proces ligjor. Pra, zoti Rama, shtoju këtyre suksesin e madh të Shqipërisë me TAP, se Shqipëria e vërteta është se po shndërrohet dhe do shndërrohet në një nga vendet më të rëndësishme të energjisë në rajon.

Të vijmë te CEZ.

Kam qenë, jam dhe mbetem i mendimit se privati menaxhon më mirë sesa shteti. Kjo është pikëpamja ime. Në qoftë se dikush më thotë se shteti menaxhon më mirë, unë një mijë herë mund të shpjegoj se private është më mirë. Në këtë sens u bë privatizimi. Privatizimi s’kishte asnjë qëllim tjetër, vetëm të përmirësonte cilësinë e shërbimit për qytetarët shqiptarë.

Sot që kërkohet paqja me çekët?

Paqja me çekët kërkohet kur drejtoresha Juridike e CEZ-it është bërë drejtoreshë Juridike e ministrit dhe i thotë çdo ditë, mashtron, se fajet dhe përgjegjësitë i ka pasur qeveria e kaluar.

Këtu nuk shtrohet çështja se kush i ka pasur fajet, por si do zgjidhet?

Interesi publik i shqiptarëve duhet të prevalojë në çdo rrethanë dhe druhet se mbrapa këtyre qëndrimeve ka marrëveshje, afera shumë të pandershme, që do t’i ndjekim. Ne shkuam në arbitrazh, nuk largonim ne kurrë një kompani, po të mos bënte aktet banditeske të ndërprerjes së ujit të qytetarëve, që kërcënonte direkt sigurinë direkte të vendit.

Sot kërkohet paqja…?

Unë them se sot duhet bërë drejtësia. Paqja vjen duke u bërë drejtësia dhe ne çdo hap me këtë kompani e kemi bërë me Bankën Botërore si ndërmjetës, sepse BB ka qenë kahu tregtar. Kemi marrë specialistët më të mirë të Bankës, kemi treguar durimin më të madh dhe tani nëse ndërpritet arbitrazhi dhe nuk bëhet drejtësia, ju garantoj se është një marrëveshje tmerrësisht problematike për vendin.

Zoti Berisha, pak më parë dëgjuam premtimin që i dhatë Alesio Vincit dhe e mbajtët duke vendosur dhe një institucion të rëndësishëm, atë të dorëheqjes. Tani Vinci kërkon një tjetër premtim ndaj jush, ka udhëtuar nga Rruga e Kombit, një nga veprat për të cilën ju ndiheni krenarë, e ka mbërritur në vendlindjen tuaj në Viçidol. Në fakt, në këtë vend, në këtë kullë, riktheheni shumë rrallë?

Është dëmtuar, sepse në luftën me Kosovën ata e kanë gjuajtur me mortaja 127, nuk i ranë direkt, i ranë afër, por ajo është një predhë me fuqi të hershme. Problemi është dhe unë dua të flas haptas…

 

Jeni përlotur zoti Berisha dhe unë dua ta vërej, sepse rikthimi tek ajo kullë hap shumë histori për ju…?

Sepse kulla ka pasur edhe anturazhin, çifligun e vet. Ajo rreth saj ka pasur 43 hektarë tokë, jo vetëm të familjes time, por të njerëzve më të afërt të familjes sime, e cila punohej në mënyrën më intensive dhe ata kanë qenë njerëz që punonin ditë e natë. Përtej asaj janë 74 ha, të cilët punoheshin tërësisht, por ishin sa një vrap kali. A mund ta kthejmë kullën siç ishte? Ndërtesa mund të kthehej, por toka dhe ato të tjerat…

Megjithatë, kujtimet janë aty. Zoti Berisha, kam edhe një pyetje të fundit, si do të donit t’ju kujtonin brezat në këtë histori të jetës tuaj publike?

S’kam bërë asgjë për historinë, jam përpjekur dhe do përpiqem çdo ditë të bëj detyrën time.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency