Aleatët e PS-së 29 Nëntori bashkon pas 5 muajsh Ramën me Milon e Gjinushin

0
129

Gëzim Saliu

Ndarja e pushtetit, aleatët e koalicionit të majtë mbeten në pritje të takimit me Kryeministrin

 

rama, miloPas thuajse pesë muajve nga përfundimi i zgjedhjeve dhe tre muajve nga dekretimi i qeverisë së re, Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar dje takimin e parë publik me aleatët tradicionalë të Partisë Socialiste, kreun e PSD-së Skënder Gjinushi dhe atë të PDS-së Paskal Milo. Në kuadër të festimeve të 29-nëntorit, ditës së çlirimit të vendit që festohet nga të majtët, në aktivitetin e organizuar nga kreu i qeverisë dhe ai i Kuvendit kanë qenë pjesëmarrës edhe dy aleatët e PS-së. Gjatë bashkëbisedimit mes tyre në një kafe para nisjes së aktivitetit, ku merrnin pjesë, Rama, Meta, Gjinushi, Milo, nuk kanë munguar diskutimet për zhvillimet politike si edhe batutat nga ana e palëve. Gjatë aktivitetit, kreu i PSD-së Milo është parë shumë afër me kreun e qeverisë Rama duke biseduar për çështje të ndryshme e ndërkohë të dy së bashku iu drejtuan më pas sallës së ambientit privat ku edhe u zhvillua aktiviteti në nder të ditës së 29-nëntorit. Ndërkohë pas aktivitetit, ku edhe u përfol për një takim të pritshëm me kreut të mazhorancës dhe dy aleatëve tradicionalë të PS-së, kreu i PSD-së Gjinushi i pyetur nga gazetarët tha shkurt: “Sot ishte dite feste, ditë përkujtimore, i paharruar kujtimi i dëshmorëve”.

 

Aleatët

Pas përfundimit të zgjedhjeve dhe fitores të së majtës, 34 aleatët e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” kanë mbetur “pezull” lidhur me ndarjen e pushtetit në bazë të marrëveshjes paraelektorale. Deri më tani, vetëm LSI, PBDNJ janë përfshirë në ndarjen e përgjegjësive qeverisëse mes PS-së dhe aleatëve, ku pas mbylljes së marrëveshjes, partia e Metës u përfaqësua në qeveri me 5 portofola ministrorë dhe 9 poste zv.ministrash. Nga ana tjetër, Vangjel Dule mori postin e nënkryetarit të parlamentit si edhe partia e tij u përfaqësua me 2 zv.ministra në kabinetin qeveritar. Po ashtu edhe kreu i G-99 Ervin Mete u përfshi në kabinet në postin e zv.ministrit të Financave, përzgjedhje të cilën Kryeministri e përcaktoi falë aftësive dhe jo përkatësisë politike. Ndërkohë aleatët tradicionalë të së majtës PSD e Gjinushit, PDS e Milos, si edhe partitë që morën votat e duhura sipas marrëveshjes për tu përfaqësuar në pushtetin e nivelit të dytë dhe të tretë ende nuk kanë marrë përgjigje lidhur me kërkesat e tyre, edhe pse ka kaluar thuajse tre muaj nga dekretimi i qeverisë së re. Partia e Milos, mori 12 mijë vota ndërsa PSD e Gjinushit mori 11 mijë dhe duhet të përfaqësoheshin politikisht në poste në nivel kombëtar dhe vendor. Në këtë listë përfshihet edhe PDK e Mark Frrokut, e cila edhe pse përfaqësohet në kuvend me 1 deputet, nuk mori një portofol ministror por edhe as poste zv.ministri. Sipas marrëveshjes elektorale të nënshkruar mes PS-së dhe aleatëve të koalicionit të majtë, ato parti që do të merrnin nga 500 deri në 1 mijë vota në qark, kishin të drejtë të kërkonin përfaqësim në qeverisjen lokale. Ndërkohë po sipas kësaj marrëveshjeje, partitë që merrnin mbi 5 mijë vota duhej të përfaqësoheshin në administratën publike, gjë që nuk ka ndodhur për Aleancë Popullore të Artur Dojakës dhe Partinë Socialiste të Vërtetë të Petro Koçit. Deri më tani aleatët e PS-së megjithëse kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për ndarjen e pushtetit, kanë bërë të ditur se mbeten në pritje të negociatave me Kryeministrin Rama, duke “shmangur” disi nga përgjegjësitë kreun e mazhorancës për shkak sipas tyre të angazhimeve të ngutshme në tre muajt e parë të qeverisë.

 

 

Marrëveshja e PS-së me aleatët

Bashkëqeverisje me çdo forcë politike që përfaqëson një numër votash si shprehje të vullnetit të popullit, në nivel qarku nga 500 deri 1000 vota dhe në nivel kombëtar 5000 deri 10.000 vota

Për subjektet politike që do të arrijnë të marrin mbi 10.000 vota, do të ketë një bashkëqeverisje të shtrirë në nivel lokal dhe qendror

Kur një parti politike e koalicionit, drejtpërsëdrejti, ka fituar një mandat në zgjedhjet e 23 qershorit, atëherë ajo ka të drejtë që të kërkojë një vend në qeverinë e koalicionit pas zgjedhjeve; Partia që ka fituar një mandat me anë të zbatimit të formulës së shpërndarjes së mandateve, përfitimin e saj në lidhje me qeverisjen sipas pikës 3.5 duhet ta diskutojë edhe me partitë e tjera, të cilat kanë plotësuar numrin që u është dashur për të fituar një mandat.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency