Vrasja Atentat 51-vjeçarit, ishte i zhytur në borxhe

0
172

Anxhela Tato

 

Policia: Viktima ishte në lokal, kur i është afruar një djalë me kapele dhe e ka qëlluar 3 herë

Dëshmitarët, atentatori e nxori armën nga xhepi i xhupit, u largua me shumë qetësi

 

shkoder vrasjaBorxhet në të cilat ishte zhytur viktima dyshohet se janë motivi i atentatit të ndodhur mesditën e djeshme në fshatin Melgushë të Shkodrës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00 në vendin e quajtur Ura e Dervishbegut, kur viktima sapo ishte ulur në një lokal. Nga të dhënat e para të policisë mësohet se viktima Palokë Lazri ishte ulur në ambientet e jashtme të një lokali, kur i është afruar një person me kapele në kokë dhe e ka qëlluar tre herë në gjoks. Atentatori zbriti nga një motor dhe nxori armën me silenciator nga xhepi i xhupit. Pasi e ka qëlluar viktimën autori është larguar me shumë qetësi dhe momentalisht asnjë nga klientët e lokalit ose kalimtarët nuk e ka konstatuar se çfarë ka ndodhur. Vetëm pasi viktima është këputur dhe është rrëzuar disa nga klientët kanë parë gjak, por asnjëri prej tyre nuk i është afruar për t’i dhënë ndihmë. Është njoftuar policia, e cila ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka transportuar viktimën për në spital. 51-vjeçari Palokë Lazri nuk ka mundur t’i bëjë ballë plagëve të mara, ndonëse ndërhyrjes së mjekëve për t’i dhënë ndihmën e parë. Viktima kishte tri plagë depërtuese nga plumbi në gjoks, të cilat i kishin prekur zemrën. Nga ana e bluve dyshohet se borxhet mund të jenë shkaku kryesor i kësaj ngjarjeje kaq të rëndë. Ndërsa ka nisur puna për identifikimin e autorëve të kësaj ngjarjeje. Siç bëhet me dije nga dëshmitë, është ndërtuar identikiti i atentatorit dhe pritet rezultati i ekspertizës mjekoligjore.

Dëshmitë

Nga ana e forcave të policisë janë marrë në pyetje dëshmitarët okularë të kësaj ngjarjeje. Klientë të lokalit dhe kalimtarë kanë rrëfyer se viktima sapo ishte ulur në kafe, kur i është afruar një djalë me kapele, i cili ka zbritur nga një motor. Djali nuk i ka folur, por thjesht i ka drejtuar armën me silenciator, të cilën e ka nxjerrë nga xhupi. Autori ka qëlluar nga një distancën e afërt viktimën me tre plumba në gjoks. Ndërsa kalimtarët janë habitur me qetësinë sesi është larguar ai nga vendi i ngjarjes. Fillimisht asnjë nuk e ka konstatuar se 51-vjeçari ishte qëlluar me armë, por vetëm në momentin që ka rënë në tokë i janë afruar disa burra. Ata kanë parë gjak dhe kanë njoftuar menjëherë policinë. Por asnjë prej tyre nuk ka ndërhyrë për t’i ardhur në ndihmë dhe kjo për të evituar qëndrimin me orë të tëra në komisariat duke dhënë dëshminë. Ndonëse nuk kanë mundur t’i shpëtojnë dot marrjes në pyetje nga blutë në vendin e ngjarjes. Nga përshkrimi i dhënë nga dëshmitarët okularë, autori është një djalë i gjatë dhe i hollë, i veshur me xhins dhe me një xhup të errët. Ndërsa në kokë mbante një kapele, duke mos pasur shumë mundësi për t’iu identifikuar tiparet dalluese të fytyrës.

Ngjarja

Policia ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të detajeve të kësaj ngjarjeje të rëndë që tronditi fshatin Melgushë. Sipas burimeve të policisë viktima është identifikuar si një person, i cili ka ushtruar aktivitete të ndryshme private. Dyshohet se viktima kishte marrë shumë borxhe, të cilat nuk ka pasur mundësi t’i shlyejë. Nga ana e bluve janë marrë në pyetje familjarët e 51-vjeçarit nëse viktima pa pasur probleme, shqetësime ose kërcënime kohët e fundit. Këto dëshmi do të orientojë blutë për të zbuluar identitetin e personave, të cilëve viktima i ka pasur borxhe. Ndërsa postblloqe policie u ngritën në pikat kryesore të Shkodrës, ku është vënë nën kontroll çdo lloj lëvizje e dyshimtë. Gjithashtu policia ka mundur të sekuestrojë edhe pamjet e kamerave, të cilat kanë fiksuar momentin e krimit. Kjo do të ndihmojë blutë për të arritur në identifikimin e autorit të krimit si dhe zbulimin e dinamikës së ngjarjes. Viktima Palokë Lazri ishte babai i tre fëmijëve dhe banues në fshatin Melgushë, vetëm 15 kilometër larg qytetit të Shkodrës.

Aksidenti me 4 viktima, përgjegjës, automjeti “Seat”

Mjeti tip “Seat” shkaktoi aksidentin tragjik me katër viktima. Ekspertët kanë nxjerrë se si ndodhi përplasja të hënën në rrugën Elbasan – Peqin, ku humbën jetën katër persona dhe u plagosën rëndë dy të tjerë. Sipas ekspertizës, automjeti tip “Seat” me drejtues Xhevit Karaj nga Kavaja tentoi të parakalojë “Benz”-in me targë EL që drejtohej nga Besim Dupi. Të dy këto automjete udhëtonin nga Durrësi në drejtim të Elbasanit. Por në këtë moment, papritur u shfaq “Ford”-i me drejtues Halit Tabakun, i cili ndodhej në kahun e tij dhe lëvizte nga Elbasani në drejtim të Durrësit. Përplasja ishte e menjëhershme mes tri makinave. Dy prej tyre tentuan të shmangeshin, por sipas ekspertëve ishte vonë, pasi të gjithë ishin me shpejtësi të lartë. Të tre shoferët vdiqën në vend, kurse një nga pasagjerët humbi jetën në spital. Sipas të dhënave të policisë që po heton në lidhje me ngjarjen, dy automjetet “Benz” dhe “Seat” po ecnin paralel me shpejtësi përtej normave, gati në një gare mes tyre në parakalim. Përballë në kthesën për në Peqin të dyja mjetet janë përplasur me një automjet tip “Ford”, i cili është shkatërruar plotësisht nga goditja. Ndërsa dy mjetet e tjera janë dëmtuar rëndë me pasojë vdekjen e drejtuesve të mjetit. Ndërkohë që në pyetje janë marrë edhe dëshmitarë okularë, të cilët kanë rrëfyer se dy automjetet po ecnin shumë shpejt dhe gjatë gjithë kohës po tentonin të parakalonin. Ky vend është një pikë e zezë në gjitha aksin me një numër shumë të madh aksidentesh dhe viktimash. Në këtë zonë nuk ka më as shenja në rruge, as tabela rrugore dhe mesa duket as ndonjë polic rrugor që mund të ndalte këtë garë të çmendur drejt vdekjes.

 

 

 

Ministri Tahiri: Blerja e karrigeve, pa dijeninë time

Rreth 1 mijë e 400 dollarë nuk ka kushtuar vetëm një ulëse për Ministrin e Brendshëm, por dy të tilla. Sqarimi është bërë nga zoti Tahiri, i cili rrëfen të jetë ndier i befasuar nga ajo që i ka bërë ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë, Isuf Çela, me këtë prokurim, i cili ndonëse ka një vlerë të madhe, është bërë nën titullin “Për blerjet me vlera të vogla”. Ministri thotë se është bërë pa dijeninë e tij dhe madje as nuk e ka përfituar këtë mall luksoz. Sipas Tahirit, sekretari i Përgjithshëm ka marrë një nga karriget për zyrën e vet dhe tjetra aktualisht është në magazinë. Për këtë shkelje dhe të tjera, Çelës i është kërkuar largimi nga Shërbimi Civil, gjë që është përmbushur me dorëheqjen e tij të 11 tetorit. Ish-zyrtari i lartë i Ministrisë do të kallëzohet edhe në Prokurori. Isuf Çela ka hedhur poshtë akuzat dhe ka deklaruar se është i gatshëm të përballet me to.

 

Berat, trafikoi për prostitucion një vajzë, pranga tutorit

Shfrytëzoi një vajzë, duke e dërguar për prostitucion në Greqi, bie në prangat e policisë. Lajmi është bërë me dije nga blutë e Beratit, të cilët kanë arrestuar Shkëlzen Qaton. “Në orën 15:30 minuta është vënë në pranga Shkëlzen Qato, 33 vjeç, nga Skrapari. Ky person është vënë në pranga, pasi akuzohet se ka shfrytëzuar për prostitucion në rrethana rënduese një vajzë të re”, – thuhet në njoftimin për shtyp të bluve. Siç bëhet me dije, 33-vjeçari e kishte trafikuar vajzën në Greqi. Policia ka bërë të ditur se periudha e shfrytëzimit të vajzës ka qenë nga muaji janar i vitit 2010 deri në nëntor të 2013-ës. Shkëlzen Qato ka qenë edhe më parë i njohur për policisë, pasi ka qenë i dënuar për prishje të rendit publik.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency