Këshilli Bashkiak Miratohen kreditë për të pastrehët, ja procedura që duhet të ndjekin familjet

0
135

 

Shtyhet projektvendimi për shpronësimet

Debate në mbledhje mes mazhorancës dhe opozitës

 

Keshilli bashkiakKëshilli Bashkiak miratoi ditën e djeshme emrat e 679 familjeve, që përfitojnë kredi të buta. Lista ka marrë “OK”-in e të gjithë këshilltarëve dhe tashmë procedura u kalon përfituesve. Fillimisht, u propozua nga këshilltarët e majtë, miratimi i një liste shtesë me 70 emra, të cilët kishin aplikuar pas publikimit të listës së parë me 679 emra. Këshilltarët e djathtë kanë kërkuar që lista shtesë të miratohet në mbledhjen e radhës dhe më pas është rënë dakord që kjo listë të mos miratohej ditën e djeshme. Mbledhja që në fillimin e saj ka nisur me debate, lidhur me rendin e ditës. Ka qenë kryetari i Këshillit, Aldrin Dalipi, dhe kreu i grupit të këshilltarëve të djathtë, Ferdinand Poni, të cilët kanë debatuar për disa minuta rresht. Futja e një projektvendimi shtesë në rendin e ditës është kundërshtuar nga këshilltarët e djathtë dhe është parë si një shenjë arrogance e mazhorancës aktuale në Këshill. Në mbledhje ka qenë i pranishëm dhe nënkryetari i Bashkisë, Eno Bozdo. Pas replikave të shumta vetëm me votat e këshilltarëve të majtë është miratuar rendi i ditës.

Shpronësimet

Pika e nxehtë e mbledhjes së djeshme ka qenë projektvendimi për shpronësimet. Nënkryetari i bashkisë ka kërkuar nga këshilltarët miratimin e fondit prej 160 milionë lekësh, shumë e cila do të shkonte për familjarët që do të shpronësoheshin. “Me këtë projektvendim të Këshillit Bashkiak ne kërkojmë të alokojmë nga buxheti i vitit 2013 një shumë prej 160 milionë lekësh, të cilat do të ndryshojnë destinacionin sipas zërave përkatës dhe do të alokohen vetëm për të përballuar shpronësimet në të mirë të kësaj vepre publike. Për efektet financiare në zbatim të këtij vendimi do të përballohen duke pakësuar fondin e rezervave në shumën 70 milionë lekë dhe fondin e kontigjencës në shumën 30 milionë lekë si dhe pagesën e principalit të vitit aktual do të thosha për projektin e rrugëve një kredi e Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim në shumën prej 60 milionë lekësh”, – u shpreh Eno Bozdo. Reagimet kanë qenë të shumta nga këshilltarët e majtë, të cilët e quajtën projektvendimin për shpronësimet si jo të plotë. Banorët jashtë dyerve të Bashkisë protestonin lidhur me çmimin me të cilët u është shpronësuar toka. Këshilltarët e djathtë dhe nënkryetari i Bashkisë kanë shprehur vazhdimisht se shuma që u është akorduar banorëve nuk varet nga Bashkia, por është qeveria që e vendos. “Çdokush prej jush mund t’i kërkojë qeverisjes qendrore shfuqizimin e vendimit të qeverisë dhe përgatitjen e një vendimi të ri, me një vlerë më të lartë”, – u shpreh Ferdinand Poni. Në të njëjtin zë ka qenë edhe nënkryetari Bozdo, i cili theksoi se “bashkia nuk mund të bëjë asgjë, përveç këtij fondi, pjesa tjetër u takon institucioneve të tjera”. Vetëm me votat e këshilltarëve të majtë, projektvendimi për shpronësimet është shtyrë për një datë tjetër. Miratimin nga Këshilli mori një pjesë e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme shtetërore për të cilat Bashkia e Tiranës kërkon transferimin në pronësi të saj. Vendimi për një pjesë tjetër të këtyre pronave u shty.

Kreditë e buta, procedura

Miratimi i kredisë nga Këshilli Bashkiak nuk është hapi i fundit për familjet që do të përfitojnë. Çdo përfitues duhet të paraqitet në ditët në vijim pranë Bashkisë së Tiranës për të vazhduar procedurën. Problemi i parë që hasin familjarët janë bankat, pasi duhet të gjejnë një pasuri për ta lënë kolateral. Kjo, për shkak se banka nuk mjaftohet vetëm me banesën që do të blihet për ta lënë kolateral, por kërkon një garanci në masën 140%. Plus hipotekën e shtëpisë që do të blejnë familjarët duhet të gjejnë dhe një kolateral në masën 40% ose në të kundërt do të duhet të pranojë kushtin e bankës për të marrë kredi vetëm 60% të shumës së miratuar. Një mundësi për përfituesit është vendosja e një prone si garanci ose të paguajnë 20% të vlerës së shtëpisë, në momentin që marrin kredinë. Afati për të gjetur banesën do të jetë 6 muaj, duke filluar që nga dita e djeshme. Për ato familje që nuk arrijnë të gjejnë banesën brenda këtij afati ose nuk kanë plotësuar dokumentacionin, duhen të paraqiten pranë Entit Kombëtar të Banesave për shtyrje afati.

 

 

Debatet

Ervin Bushati: “Më duket tërësisht e papërgjegjshme nga administrata e Bashkisë apo Basha qëndrimi për pronarët e ligjshëm. Të dëgjohen qytetarët. Përderisa ata protestojnë 15 metra më larg, duhet të shkojnë në gjykatë. Nëse duam të kemi një veto, ajo s’duhet të jetë kundër popullit. Mos bëjë të shurdhrin as zoti Basha, administrata, por të gjejnë rrugën me këta banorë. Ndaj fitoi Basha, që të çojë familjet tiranase, ato në mes të Tiranës në gjykatë. Pse nuk është Basha në takim, të ishte thirrur një përfaqësi këtu dhe Basha dhe t’i dëgjonim?”

Eno Bozdo: “Nuk është e vërtetë që Basha nuk ka kontaktuar. Takime pas takimesh, me shumë vëmendje, kemi dëgjuar të gjitha pretendimet. Fokusin e kemi pasur veçanërisht në familjet. Kemi dhënë fjalën dhe realizuar që do jemi afër tyre, që të zgjidhet problemi menjëherë. I kemi marrë parasysh shqetësimet mbi çmimin, por çmimi s’është atribut i bashkisë apo i këshillit. Vërtet që çmimi nuk përbën sens, u kemi thënë t’i drejtohen gjykatës, si e vetmja mënyrë. Hera e parë që familja e Bashkisë ulet me familjet që shpronësohen. Në 2010-ën kemi trashëguar 50 milionë dollarë amerikanë, shpronësime pa asnjë procedurë. Vendime, të detyruar nga ne për t’i paguar, se Bashkia ka humbur rast pas rasti të gjitha shpronësimet. Ne hapim rrugën që kjo vepër publike të mos pengohet. Gjithë Tirana ka nevojë të shohë një bulevard të ri. 700 milionë lekë vitin tjetër për shpronësimet. Shumë më e madhe se ky aparat Bashkie ka paguar ndonjëherë. Kushdo mund të flasë për këtë proces kur të paraqesim projektbuxhetin.

Eridian Salianji: “Është e pamundur që ne të miratojmë këtë fond dhe më pas t’u themi banorëve ‘shkoni në gjykatë’. Nuk e kuptoj se si do të mundet Bashkia të ndihmojë banorët në proceset gjyqësore, kur ata do të hedhin në gjyq vendimin që ne do të miratojmë”.

Shezai Rrokaj: “Problemi më kryesor është problemi i qytetarëve-pronarë. Nuk është në nderin e një këshilltari të marrë vendime, kur për këto vendime protestohet. Basha ka shprehur vullnetin për të gjetur gjuhën mes ligjit dhe interesave. Duhet lënë dhe pak kohë, në mbledhjen e radhës, të përpiqemi të mos marrim vendim që i bëjnë karshillëk pronarëve. Ta ndërtojmë Tiranën, por jo duke lënduar qoftë edhe pak vetë. Të përpiqemi maksimalisht. Shans bashkisë të dialogojë për gjuhën e përbashkët”.

Eno Bozdo: “E kuptoj shumë mirë shqetësimin tuaj, edhe unë po të isha ndoshta në atë karrige, do të thosha të njëjtën gjë, por shfrytëzoj edhe një herë rastin të informoj Këshill i nderuar që ne kemi bërë takime pafund me përfaqësi si administratë Bashkie, por edhe në prezencën e kryetarit Basha me përfaqësi të pronarëve, ajo çka jemi munduar të sqarojmë me ta në qoftë se është vetëm për çështje sqarimi dhe për të mos lëndimit të ndjenjave që janë normale në këtë proces, se kemi të bëjmë me familje që i merret prona, i merret ndoshta edhe historia se janë familje autoktone, është fakti që ky Këshill nuk ka në tagrin e tij, as administrata sigurisht të vendosë në asnjë mënyrë për çështje të vlerës të shpronësimit për m2 dhe u kemi thënë gjithashtu që ne do t’ju zgjidhim me shumë precedent, problemin kryesorë që është problemi i strehimit, dhe këtë pothuajse e kemi të realizuar”.

 

 

 

Nis pastrimi i 10 pikave të nxehta të mbetjeve inerte në Bashkinë e Tiranës

Në kuadër të aksionit “Të mbajmë pastër Tiranën!”, Bashkia e Tiranës ka nisur pastrimin e vendgrumbullimit të paligjshëm të inerteve në kryeqytet. Janë 10 pika të nxehta të identifikuara, ku ka nisur pastrimi. Gjatë muajit nëntor, i shpallur prej dy vitesh si muaji i pastrimit nga Bashkia e Tiranës, do të zhvendosen 200 metra kub inerte dhe hapësirat e zëna prej tyre do u kthehen qytetarëve. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eno Bozdo, ka parë nga afër punën që po kryhen në një prej këtyre vendgrumbullimeve. “Është kthyer në një traditë tashmë, që muaji nëntor të jetë muaji i pastrimit të thellë të Bashkisë së Tiranës. Është një iniciativë që vijon prej dy vjetësh dhe jemi këtu për të njoftuar një aksion për pastrimin e 10 pikave të nxehta të mbetjeve inerte, të akumuluara prej shumë vitesh në Bashkinë e Tiranës. Pikërisht në këtë pikë, brenda disa ditëve do të bëjmë të mundur eliminimin e 200 metra kub mbetje inerte dhe më pas sipërfaqja do të mbillet, do t’u kthehet banorëve në formën e një sheshi me lojëra dhe pushimi për fëmijët por kemi të identifikuara edhe 9 pika të tjera, aksioni për të cilat do të vazhdojë në ditët në vijim, deri në pastrimin e plotë të këtyre pikave inerte, të kthyera në problem, edhe pse përbëjnë rrezik për jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Do të përmendja këtu rrugën “Haxhi Isuf Farka”, “Osman Myderizi”, NSHRK, “Babë Rexha”, “Kongresi i Lushnjës”, rruga “Riza Cuka”, “Dritan Hoxha”, “Estref Frashëri”, Rruga e Muzakëve dhe “Belul Hatibi” që është kjo pikë ku jemi ne”, – u shpreh nënkryetari i bashkisë, Eno Bozdo.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency