69-vjetori i Çlirimit të Tiranës Basha: Të ngremë lart vlerat e lirisë, mos tradhtojmë parimet e demokracisë

0
125

Gëzim Saliu

Kryebashkiaku: Lavdi përjetë dëshmorëve të betejës për çlirimin e Tiranës

 

homazhet e BashesNë 68-vjetorin e çlirimit të Tiranës, kreu i bashkisë së kryeqytetit, njëherazi kryetari i PD-së Lulzim Basha deklaroi dje se është përgjegjësi e madhe për të gjithë që të mos tradhtohen parimet e shenjta të lirisë dhe demokracisë. Për Bashën, 17 nëntori përkujton një ditë të veçantë për kryeqytetin, ditën e çlirimit të tij që nis gjithmonë sipas tij me nderimin për ata që flijuan gjithçka, edhe jetën e tyre, për një kauzë të lartë siç është liria e atdheut dhe liria e qytetarëve. “Sot, përkulemi si çdo vit, me respektin më të thellë dhe mirënjohjen më të madhe ndaj atyre që mbetën të rinj përgjithmonë dhe që prehen në altarin e “Dëshmorëve të Atdheut”, këtu në Tiranë apo kudo tjetër, duke nderuar kontributin dhe sakrificën e tyre sublime, duke përkujtuar jo thjesht fitoren e një beteje mes të mirës dhe së keqes por duke përkujtuar atë çfarë e bën një komb, të lirë dhe dinjitoz, respektin për ata që janë gati të sakrifikojnë çdo gjë në momentet më të vështira, atëherë kur kauza e lirisë i thërret. Është një përgjegjësi e madhe për të gjithë ne, për brezin e ri, brez pas brezi, për çdo shoqëri të lirë, të njohë, të respektojë dhe të përkulet me nderim të thellë para kësaj sakrifice. Është një përgjegjësi e madhe për të gjithë ne, që të mos i tradhtojmë më parimet e shenjta të lirisë dhe demokracisë, të Shqipërisë së lirë dhe demokratike, për të cilën u flijuan të gjithë dëshmorët e betejës për çlirimin e Tiranës dhe në tërësi të luftës nacional-çlirimtare”, tha kreu i bashkisë së kryeqytetit, duke shtuar se përtej një dite përkujtimi, 17 nëntori përbën edhe një ditë refleksioni për përgjegjësitë e sotme dhe brezave të ardhshëm,: “për të kultivuar e ngritur më lart vlerën e lirisë, vlerat e demokracisë dhe për të mos i lënë më kurrë të ndihen “të tradhtuara” këto ideale, për të cilat kemi paguar kaq shtrenjtë. Lavdi përjetë dëshmorëve të betejës për çlirimin e Tiranës, lavdi përjetë dëshmorëve të kombit!”.

Ceremonia

69-vjetori i çlirimit të Tiranës u festuar dje me një sërë aktivitetesh përkujtimore në kryeqytet. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ishte i pranishëm në ceremoninë e nderimit të Dëshmorëve, ku nën tingujt e Bandës së Qytetit, kryebashkiaku Basha u përkul dhe vendosi një kurorë me lule në memorialin “Nëna Shqipëri”, në nderim të dëshmorëve të Atdheut të rënë për çlirimin e Tiranës. Së bashku me kreun e bashkisë së Tiranës, morën pjesë dje në ceremoni dhjetëra veteranë, qytetarë, si edhe prefekti Sadi Vorpsi, të cilët kryhen homazhe dhe vendosën kurora me lule në monumentin “Nënë Shqipëri”. Çlirimi i Tiranës nga trupat nazifashiste më 17 Nëntor 1944, shënon aktin më të rëndësishëm politik dhe ushtarak, pasi kurorëzoi fitoren e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, duke i shkaktuar humbje të mëdha trupave gjermane. Beteja për çlirimin e kryeqytetit ishte operacioni më i madh i shkallës operativo-strategjike, i zhvilluar nga Ushtria Çlirimtare për çlirimin e qyteteve.

Kryebashkiaku

Basha: Nga vitit tjetër, Bashkia do jetë bashkë financuese e panairit të librit

Kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha dhe bashkëshortja e tij Aurela kanë vizituar dje panairin e librit, ku deklaroi se Bashkia  do të jetë bashkëfinancuese e këtij panairi.  “Si kryetar i Bashkisë së Tiranës, jam i përkushtuar që mbështetjen e këtij panairi, gjë të cilën e realizuam vitin e kaluar dhe një vit më parë por fatkeqësisht jo këtë vit, tashmë ta buxhetojmë, për ta kthyer panairin në një aktivitet të bashkëfinancuar nga Bashkia e Tiranës, në mënyrë të rregullt, në vitet dhe dekadat e ardhshme”, deklaroi Basha. Më tej, kreu i Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht kryetari i PD-së përgëzoi organizatorët e panairit të librit për shumëllojshmërinë e botimeve. “Më vjen mirë që panairi vazhdon të tërheqë mijëra e mijëra lexues nga Shqipëria dhe në fakt nga të gjithë trojet shqiptare. Më vjen mirë që kjo ndodh edhe në momente kur politika duket se i kishte drejtuar sytë dhe energjitë gjetkë, pra ndodh pavarësisht nga vëmendja e politikës”, theksoi ai. Ndërkohë kryebashkiaku bëri të ditur dhe iniciativën më të re të Bashkisë së Tiranës, për të akorduar duke nisur nga viti i ardhshëm e në vijmësi çmimin e madh të Tiranës për letërsinë. “Kam kënaqësinë të ndaj në një moment si ky, në praninë e botuesve shqiptarë vendimin tim, për të nisur nga viti i ardhshëm akordimin e çmimit të madh të Tiranës për letërsinë, çmim i cili do i akordohet një autori të përzgjedhur nga një juri e përbashkët shqiptare dhe ndërkombëtare, në mënyrë që ky çmim të evidentojë edhe një herë forcën e madhe të librit dhe vëmendjen e madhe të qytetit të Tiranës por edhe shqiptarëve, të cilëve ky qytet u shërben si kryeqytet ndaj librit, si virtyt, si pasuri, si forcë që e çon përpara shoqërinë. Bashkërisht me këtë, ne do të kthejmë vëmendjen tonë edhe ndaj autorëve që e kanë Tiranën shtëpinë e tyre, në plane të ndryshme, së pari duke avancuar projektet tona për më shumë hapësira librarish në Tiranë, madje pse jo edhe dedikimin e një hapësire të madhe, për një librari të madhe të Tiranës, ndoshta të bashkëvendosur me bibliotekën e Tiranës, përgjatë bulevardit të ri të Tiranës”, pohoi Basha, ku bëri të ditur se shtëpitë e shkrimtarëve më të shquar shqiptarë do të shndërrohen në qendra muzeale. “Po kështu, së shpejti do i drejtohem ministres së Kulturës, për bashkëfinancimin e disa projekteve të rëndësishme të cilat do të synojnë që vendbanimet e disa prej shkrimtarëve tanë të shquar, me famë botërore, t’i kthejmë, (sigurisht përkundrejt dëmshpërblimit) në muze apo qendra muzeale për qytetin e Tiranës, që jam i sigurt do mirëpriten si nga publiku kryeqytetas, ashtu edhe nga vizitorët vendas dhe të huaj të kryeqytetit tonë”, përfundoi fjalën e tij kreu i Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht kreu i PD-së Lulzim Basha.

 

Prefekti

Vorpsi: Detyra jonë të nderojmë ata që sakrifikuan jetën për lirinë

69-vjetori i çlirimit të Tiranës u përkujtua dje edhe nga Prefekti i Qarkut, Sadi Vorpsi, ku në një ceremoni të mbajtur para monumentit të “Partizanit të Panjohur”, ai theksoi se 17 Nëntori është një ditë e shënuar dhe përcaktuese në historinë e Tiranës. “Jemi mbledhur këtu për të nderuar dhe kujtuar veprën sublime të të gjithë atyre që dhanë jetën për çlirimin e kryeqytetit. Është detyra jonë, por edhe e brezava që do të vijnë, që të nderojmë të gjithë ata që ranë dëshmorë dhe u sakrifikuan që një popull i tërë të mos ishte i gjunjëzuar”, deklaroi Prefekti . Sipas tij, mospranimi i robërisë ishte vepra më e lartë e patriotizmit, e treguar nga shqiptarët. Pas ceremonisë te monumenti i “Partizanit të Panjohur”, Prefekti i Qarkut Tiranë bëri homazhe edhe në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency