Dragoti: Protestat masive erdhën si pasojë e mosinformimit

0
149

“Mesazhi për dukurinë në fjalë ishte jo vetëm i paqartë, por edhe i shumëfishtë. Shpesh flitej, përflitej në forma të ndryshme, thuhej “rreziku”, thuhej “risqet”. Kur qarkullon frika, elementi i parë që ajo sjell është zemërimi”

 

Edmond-Dragoti-psikologProtestat e qytetarëve për të penguar shkatërrimin në Shqipëri të armëve kimike siriane kanë tërhequr vëmendjen e shumë sociologëve dhe studiuesve të shoqërisë shqiptare.
Shefi i departamentit të Psikologjisë në Universitetin e Tiranës, profesori i njohur Edmond Dragoti, thotë se protestat janë nxitur nga keqinformimi apo mosinformimi mbi detajet e një çështjeje teknike, si lëndët helmuese luftarake të Sirisë. Zoti Dragoti thotë se një përshtypje të veçantë ka bërë sidomos fakti që qytetarët dhe studentët nuk pranuan që protesta e tyre të politizohej dhe që në to të mos afrohej asnjë politikan.

Profesor Dragoti! Ka disa ditë që në Tiranë dhe në disa qytete të mëdha të vendit po zhvillohen protesta të të rinjve dhe qytetarëve të tjerë mbi mundësinë e ardhjes në Shqipëri të armëve kimike të Sirisë. Cilat janë perceptimet dhe vlerësimet tuaja mbi këto protesta? 

Këto protesta janë jopolitike, deri tani të paktën, janë të motivuara drejt një problemi, që ka shoqëria shqiptare në këto momente, janë të përkohshme, janë optimiste dhe janë frymëzuese për faktin që janë qytetare. Është interesante se në to nuk kemi struktura të organizimeve politike e partiake, që ta shtyjnë një protestë të tillë. Këto nivele të mëdha e të gjera të protestuesve formojnë një sjellje kolektive të përbashkët, që do ta quaj publik, sepse është spontan dhe i vetëdijshëm.

Si ju duket ky angazhim i veçantë i popullatës për të marrë pjesë në tubime kundër lëndëve helmuese nga Siria, kur vendi sapo ka dalë nga zgjedhje parlamentare dhe kur përgjithësisht shoqëria është e lodhur nga një vit i gjatë zgjedhor?

Në këto protesta unë shikoj edhe një nevojë për të rehabilituar krenarinë qytetare të shqiptarëve. Shqiptarët nuk pranojnë më të shtypen dhe të vriten duke protestuar, por ata janë të gatshëm që të mbajnë qëndrime për tema të mëdha qytetare dhe të vendosin për fatet e tyre. Ata kanë nevojë të vendosin vetë, pavarësisht se ka forma të shumta të reagimit të shoqërisë. Një nga format e vendim-marrjes është politika me parlamentin dhe me qeverinë. Ato nuk mund të përjashtohen nga vendim-marrja, sepse janë zgjedhur vetë nga shoqëria, por për probleme të mëdha, që prekin të ardhmen e shoqërisë shqiptare, vetë shoqëria ndërgjegjësohet dhe reagon në këto forma, që janë më paqësoret dhe më qytetaret, që ne kemi përjetuar në vendin tonë.

Cili është mendimi juaj për informimin ose jo të qytetarëve për lëndët kimike siriane që mund të shkatërrohen në Shqipëri? Si rrodhën protestat, si të mirinformuara apo si të painformuara?

Në të vërtetë kjo protestë lindi edhe për shkak të keqinformimit edhe për shkak të qarkullimit të një mesazhi të paqartë. Mesazhi për dukurinë në fjalë ishte jo vetëm i paqartë, por edhe i shumëfishtë. Shpesh flitej, përflitej në forma të ndryshme, thuhej “rreziku”, thuhej “risqet”. Kur qarkullon frika, elementi i parë që ajo sjell është zemërimi, është pakënaqësia dhe nga paniku kalohet në protestë. Unë mendoj se sa më të ndërgjegjësuar dhe sa më të informuar janë protestuesit aq më të arsyeshëm janë ata në reagimin e tyre. Informimi i mëvonshëm, apo i vonuar nuk i bën ata më shumë të vetëdijshëm. Informimi duhet të jetë paraprak, në mënyrë që të orientohen qysh në fillim protestuesit se cili është destinacioni i tyre, cili është objektivi i tyre real. Kur ata i kanë përcaktuar objektivat në mungesë të informacionit, është shumë e vështirë që ata të riformatojnë këto objektiva. Informimi i mëvonshëm do të ketë shumë pak efekte tek ta. Prandaj mendoj që, të keqinformuarit ose të painformuarit kanë qenë baza e protestës dhe tani të mirinformuarit nuk e kanë të lehtë të ndikojnë në marrjen e një vendimi të përbashkët.

Cili është mendimi juaj lidhur me këmbënguljen e protestuesve këto ditë, kryesisht të rinjtë, që të mos shfaqen përkrah me politikanët dhe të mos politizohej protesta e tyre, as me praninë fizike të politikanëve pranë qytetarëve nga asnjë parti politike? 

Ky është një besim që kanë tek vlerat e veta qytetarët që protestojnë. Ata nuk kanë nevojë dhe nuk duan të manipulohen nga politika. Gjithë vitet e tranzicionit kanë qenë periudhë e manipulimit politik të qytetarëve dhe të drejtave të tyre, të votave të tyre. Shpesh ata i janë nënshtruar vjedhjes së votës, vjedhjes së vullnetit qytetar të individit. Tani kanë frikë nga politika sepse ajo mund t’i manipulojë, ndaj edhe përpiqen, që të reagojnë në mënyrë jopolitike. Ata mendojnë se politika, qoftë ajo e kaluar, qoftë ajo e sotmja, i ka shërbyer deri tani jo aq shumë shoqërisë dhe individit se sa pushtetit, që kanë pasur. Ky zhgënjim i motivon dhe i orienton që të jenë të pavarur prej saj. Për mua kjo është një dukuri shumë e veçantë dhe tregon një vetëdije të lartë qytetare.

Çfarë fitohet nga kjo protestë, pavarësisht nga vendimi i qeverisë?

Shoqëria shqiptare do të shpërblehet më tepër. Koston më të madhe do ta ketë pushteti dhe politika në përgjithësi, shumica dhe opozita. Këta janë të humbur në këtë mes dhe kanë marrë një mësim shumë të mirë se si duhet të sillen në të ardhmen.

 

Veliaj: U gdhimë më të qetë, por jo më të pastër

U gdhimë më të qetë, por jo më të pastër. Me këtë deklaratë iu drejtua opinionit publik ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, pas vendimit refuzues të qeverisë për armët kimike, për të cilin nuk ngurroi të rideklaronte se Kryeministri mori një vendim të drejtë në respekt të aleatëve, por mbi të gjitha në interes të popullit të tij. “Jam shumë i lumtur që u mor një vendim i drejtë dhe Kryeministri dje mori një vendim të drejtë. Një vendim i cili respektoi marrëdhënien korrekte në të gjitha negociatat me partnerin tonë, një vendim që në fund fare vendosi për interesat e qytetarëve”, – tha ai. Por lehtësimi nga kjo barrë, për ministrin Veliaj, nuk mjafton për t’u ndier rehat me 31 hotspote aktive në Shqipëri, të cilat kanë marrë jo pak jetë njerëzish. Por nëse për këto Shqipëria është e dorëzuar për mungesë buxheti, pastrimi i plehrave të shkaktuara nga vetë ne, që kanë pushtuar territorin nuk është një mision i mundur. E në këtë mënyrë ai ka ftuar të gjithë qytetarët shqiptarë, veçanërisht ata që u mobilizuan fuqishëm kundër armëve kimike, t’i bashkohen nismës “Të pastrojmë Shqipërinë në një ditë”, të premten e 22 nëntorit. “Por kjo nuk mjafton, morëm një shembull fantastik nga një aktivizim qytetar, aktivizim në rrjetet sociale, nga ndërgjegjësimi mjedisor që ndodhi. Shqipëria sot mund të jetë gdhirë më e qetë dhe e sqaruar, por jo më e pastër. Sot ende i kemi 31 hotspote që janë aktive në Shqipëri dhe shkaktojnë sëmundje në mënyrë konstante dhe në 23 vitet e fundit shumë njerëz kanë humbur jetën e tyre. E ndonëse pastrimi i hotspoteve është një operacion i kushtueshëm, pastrimi i plehrave të rëndomta që i shkaktojmë vetë është një mision i mundur. Kjo është arsyeja se pse sot duam tu bëjmë ftesë çdo qytetari shqiptar, atyre që priten me ankth vendimin e djeshëm, atyre që protestuan gjatë gjithë këtyre ditëve, atyre që ndërgjegjësuan njerëz në rrjetet sociale, atyre që për herë të parë vendosën standardet e një proteste ku qeveria nuk e rreh popullin e vet, por pajtohet me popullin e vet. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve pavarësisht bindjeve politike të bashkohen me fushatën “Të pastrojmë Shqipërinë për një ditë”. Ky është një vendimi që Ministria, por në radhë të parë qeveria jonë e ka marrë për të qenë pjesë e një fushate që do të pastrojë me të gjithë fuqinë vullnetare që ka qytetaria shqiptare Shqipërinë me datën 22 nëntor, ditën e premte. Mjafton të shikosh sot plazhet e Shqipërisë dhe gjendjen e mjerueshme të tyre, mjafton sot të jesh një turist që hyn dhe del nga Shqipëria në pikat kufitare ku është përballja e parë me vendin tonë për të parë sesa e ndotur është mikpritja jonë që në hapin e parë që dikush e kalon kufirin. Mjafton të shikojmë mënyrën si janë katandisur pyjet tona, kalatë, kështjellat dhe gjithë pikat tona turistike apo ato të trashëgimisë kulturore për të kuptuar që tani duhet të kalojmë nga fjalët tek veprat”, – deklaroi Veliaj. Ministri Veliaj e ka vlerësuar si një rast të mirë për të shfrytëzuar edhe vëmendjen e ndërkombëtarëve në këtë fushatë pastrimi, në funksion të përmirësimit të imazhit të vendit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency