Protesta FNSH-ja dhe RENEA në gatishmëri të plotë

0
140

 

Anxhela Tato

 

Furgonë policie kanë qëndruar të parkuar pas ndërtesës së Kryeministrisë

Urdhri i gatishmërisë, pak minuta para konferencës për shtyp të Kryeministrit, kur do të bëhej publik vendimi

 

makinat e polTë gjitha forcat policore kanë qenë në gatishmëri të plotë gjatë gjithë zhvillimit të protestës. Një varg i gjatë furgonësh të uniformave blu kanë qëndruar të parkuar pas Kryeministrisë, me qëllim ndërhyrjen, në rast të degradimit të situatës. Ndërsa është konstatuar një shtim i numrit të automjeteve të policisë, kur po afrohej ora e fjalimit të Kryeministrit Edi Rama, i cili do të publikonte vendimin e pranimit ose jo të demontimit të armëve kimike siriane në Shqipëri. Urdhri detyronte Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, forcat speciale RENEA, forcat e Policisë së Shtetit dhe të gjitha strukturat e tjera të Ministrisë së Brendshme që të ishin në gatishmëri absolute. Urdhri u publikua për median vetëm disa minuta para se Kryeministri Edi Rama të dilte në konferencë për shtyp për të shpallur vendimin, i cili refuzoi transportimin e lëndëve helmuese ushtarake për shkatërrim në vendin tonë. Pas bërjes publik të vendimit, që do të thoshte fundi i protestës, kanë lëvizur edhe automjetet e policisë, që kanë qëndruar gjatë gjithë paradites dhe pasditesh në gatishmëri të plotë. Krahas policisë, në ndihmë të protestuesve është vënë edhe një ambulancë, e cila ka transportuar për në urgjencë një të moshuar, i cili mësohet se kishte pasur probleme me frymëmarrjen.

Urdhri

“Në pritje të vendimit, forcat RENEA, FNSH dhe Policia janë në gatishmërinë nr. 1 pas orës 17:00. Forcat RENEA e FNSH janë mbledhur në repart prej orës 15:00. Në repart janë mbledhur edhe Forcat e Policisë së Shtetit”, – mësohet se ka qenë urdhri i lëshuar. Në rastin e protestave dhe në respektim të ligjit uniformat blu qëndrojnë në gatishmëri të plotë, duke mos lejuar krijimin e incidenteve dhe duke parandaluar degradimin e protestës. Vendimi është marrë në pritje të konferencës për shtyp të Kryeministrit, ndërsa jashtë ndërtesës po zhvillohej protesta kundër pranimit të armëve kimike, e cila është zhvilluar me tone të qeta, duke sjellë një model të ri të organizimeve masive. Që në orët e para të ditës disa automjete të Policisë së Shtetit ishin pozicionuar pas ndërtesës së Kryeministrisë, duke qenë në gatishmëri të plotë. Ndërkohë që punonjës policie kanë qëndruar në hyrje të Kryeministrisë. Por, fatmirësisht, nuk ka pasur incidente dhe çdo gjë është zhvilluar qetësisht. Protestat janë zhvilluar paralelisht në qytetet kryesore të vendit, ndërsa pjesëmarrja ka qenë e lartë duke gjetur kështu një solidarizimin masiv kundër armëve kimike.

 

Aksidentohet deputeti Edmond Spaho, në gjendje të rëndë

Plagoset në një aksident rrugor deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:25 të ditës së djeshme në aksin rrugor Tiranë-Elbasan. Sipas të dhënave të uniformave blu në aksidentin ku u plagos deputeti janë përfshirë dy automjete. Një automjet, tip “Audi Q7” dhe një automjet tip “Mercedes-Benz” janë përplasur me njëri-tjetrin në afërsi të tunelit në rrugën Tiranë – Elbasan. Deputeti Edmond Spaho po udhëtonte me mjetin tip “Mercedes-Benz” me targë TR044Z, i cili u përplas me një mjet tip “Audi Q7”. Fillimisht deputeti Spaho është transportuar drejt spitalit të Elbasanit. Bluzat e bardha bënin me dije se deputeti Spaho ka pësuar disa dëmtime të lehta dhe gjendja e tij shëndetësore ishte stabël. I plagosur lehtë ka mbetur edhe shoferi i deputetit Spaho, i cili gjithashtu ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, pasi ka marrë ndihmën mjekësore. Ndërkohë në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila ka nisur hetimet mbi shkaqet e aksidentit. Por pasi ka marrë ndihmën mjekësore në spitalin e Elbasanit deputeti Spaho është dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë në gjendje të rëndë. Sipas mjekëve të Spitalit Ushtarak Spaho ka fraktura në kokë, në këmbë dhe në bark. Të njëjtat burime bëjnë me dije se deputeti nuk është në Reanimacion. Petrit Vasili dhe Klodian Rrjepaj kanë vizituar në spital nënkryetarin e Kuvendit të Shqipërisë Edmond Spaho.

 

I dënuar me 15 vjet burg për dorgj, arrestohet shqiptari

Interpoli serb ka arrestuar mbrëmjen e djeshme të kërkuarin për trafik droge Astrit Limani. Gjykata e Milanos në Itali e kishte dënuar në mungesë shqiptarin me 15 vjet heqje lirie për akuzën e trafikut të drogës dhe evazionit fiskal. Në agjencitë e lajmeve serbe thuhet se i arrestuari i moshës 41 vjeç, me vendlindje në Shëngjin njihej ndryshe me pseudonimin “Titi i Ukës”. Limani është larguar nga Shqipëria për në Kosovë me 8 nëntor t këtij viti rreth orës 09:00. Mësohet se Limani ka kaluar nëpërmjet pikës kufitare të Morinës dhe më pas është kapur nga policia serbe, kur ka qenë duke ikur nga Kosova për në Serbi. Momentalisht Limani po mbahet në qelitë e paraburgimit, në pritje të përfundimit të dokumenteve për ekstradimin e tij në Itali, ku do të ekzekutojë masën e dënimit me 15 vjet burg dhënë nga gjykata.

 

Makina del nga rruga, 2 të vdekur dhe 1 i plagosur

Një aksident i rëndë rrugor në Durrës i ka kushtuar jetën dy personave. Lajmi bëhet me dije nga ana e policisë dhe ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:20 në zonën e Maminasit. Automjeti tip “BMW X6” me targë CZ442BJ, me të cilin po udhëtonin tre personat ka dalë nga rruga. Për pasojë kanë humbur jetën Flamur Muka, 45 vjeç, dhe Muhamet Buzi, 45 vjeç, si dhe ka mbetur i plagosur drejtuesi i mjetit Artur Ziu, 50 vjeç. I plagosuri është nisur menjëherë drejt spitalit të Durrësit. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe nisi hetimet mbi rrethanat e aksidentit. Ndërsa janë transportuar për në morgun e spitalit dy trupat e pajetë, të cilët do t’i nënshtrohen ekspertizës mjekoligjore, e cila do të ndihmojë blutë në zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti të rëndë.

 

Plagoset 40-vjeçari, mister autori

Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur në Elbasan, në Labinot, ku një person rreth të 40-ve është dëmtuar. Nga të dhënat paraprake të policisë mësohet se i plagosuri është identifikuar si Arben Çeta, i cili është qëlluar me armë zjarri teksa ndodhej në një lokal. Lidhur me këtë ngjarje nuk është identifikuar ende autori i krimit. Ndërsa nga ana e uniformave blu po punohet për të hedhur dritë mbi shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency