Sot, protestë me të zeza Shqipëria, e përfshirë në zemërimin mbarëqytetar

0
203

Driçim Caka/ Violeta Murati

 

 

armetttttSot, mijëra studentë nisin marshimin nga universitetet; protestuesit kanë kërkuar dje në një zë, të bllokohet Porti i Durrësit për ndalimin e zbarkimit të armëve kimike në Shqipëri

 

Sot, në orën 9:30, me qindra qytetarë; gratë e vajzat me shami të zeza, burrat me kordele, po të zeza, nëpër duar, do të vendosen në shenjë të kundërvdekjes para dyerve të Parlamentit shqiptar. Më herët, Qyteti Studenti do të përfshihet në një organizim masiv, duke ndërprerë mësimin në protestën vendimtare për të ardhmen e tyre. Të gjithë për të kundërshtuar në një zë: Jo armëve kimike nga Siria! Zemërimi mbarëqytetar ka përfshirë dje kryeqytetin shqiptar, Tiranën mu në qendër, para Kryeministrisë, Parlamentit, Presidencës, si institucione përgjegjëse për fatin e shqiptarëve, në vendimin e qëndrueshëm prej ditësh: Të ndalet vendimi i qeverisë shqiptare për sjelljen e armëve kimike për t’u eliminuar në vendin tonë.

Pankartat e panumërta, shkruar e shpërndarë me modesti nëpër fletë të bardha, në duar të çdo qytetari ishin krejtësisht të përqendruar në thirrjet për jetën, mosheshtjen qytetare: “Jo armëve kimike në Shqipëri, zgjohuni shqiptarë, ndal armëve, të vendosur të themi Jo, s’kemi këllqe për armë kimike, s’jemi Norvegji, ne jemi vendi i Gërdecit, Sarina baras death, baraz dekun, baraz mort; 1 milion vota kundër lëndëve helmuese në Shqipëri; Liri pa kushte; heshtja juaj do të na vrasë; Jo asgjësimit të armëve në Shqipëri…”

Këngët për mëmëdheun, kujtesa e vuajtjes së rilindasve të ‘800-ës, vargje poezish të Fishtës deri tek thënia e famshme e Faik Konicës: “Nëse Shqipëria do të vdesë, kjo do të ndodhë vetëm për shkak të politikanëve” – këto kanë shoqëruar revoltën qytetare dje.

Ka qenë ora 13:00 në mesditë, kur njerëzit janë afruar gradualisht drejt Kryeministrisë. Mijëra qytetarë, studentë të panumërt dhe shumë protestues të mbërritur nga qytete të tjera të vendit fillimisht kanë nisur protestën përballë portës kryesore të Kryeministrisë.

Moderatori i protestës, Zirkon Disha, ka ftuar qytetarët, të gjithë për t’u ndier të lirë për të thënë fjalën e tyre kundër asgjësimit të armëve kimike në Shqipëri.

Me një megafon që nuk mbulonte dot më zë gjithë masën e njerëzve, radha e qytetarëve për t’u shprehur brenda pak sekondash ka arritur të shtojë përmasën e protestës.

Fillimisht me duartrokitje dhe brohorima, këngë, protestuesit i janë drejtuar megafonit për të marrë fjalën.

Ndër të parët që foli ishte një qytetar nga Tirana, i cili shtroi dilemën e madhe se përse qeveria ishte nxitur për të pranuar armët kimike. Revolta e tij drejtohet: “Pse duhet të rrezikojmë jetët tona, jetën e fëmijëve tanë, pse duhet të rrezikojmë jetën e shqiptarëve? Dhe e gjitha për t’i mos kundërshtuar SHBA-të. Jemi, ne, që vendosim dhe nëse qeveria s’do të mund të kundërshtojë do të jemi ne që s’do t’i pranojmë këto armë”.

Një zonjë që kishte humbur një fëmijë nga sëmundja e kancerit, tashmë kishte frikë se do të humbiste dhe fëmijën tjetër. “Jam një nënë që kam humbur një fëmijë, për shkak të kancerit, kam edhe një fëmijë tjetër dhe kam frikë se do ta humb edhe atë për shkak të rrezikut që na sjellin këto armë. Si nënë, i kërkoj qeverisë të mos na sjellë armët kimike në Shqipëri, pasi jeta e fëmijëve tanë do të jetë në rrezik”, – u shpreh zonja, e cila tha se kishte ardhur për të përcjellë mesazhin e fëmijës së saj.

Midis protestuesve nuk kishte vetëm qytetarë të thjeshtë, por edhe inxhinierë kimie, si rasti i z. Bedri, i cili në pak rreshta shpjegoi rrezikun e armëve kimike. “Jo të gjithë e kuptojnë se çfarë janë në gjendje të bëjnë këto armë. Një gjë mund t’ju them, që nëse ato armë vijnë këtu, atëherë ka rrezik të shfaroset e gjithë zona ku do të asgjësohen; në Elbasan apo kudo tjetër”, – u shpreh inxhinier Bedriu.

“Jam një qytetar nga Tirana dhe nuk kam lidhje me asnjë parti politike. Jam këtu për të kundërshtuar armët kimike, jo për qeverinë, por për jetët tona. Nga dita që ato armë do të mbërrijnë këtu, jeta jonë nuk do të jetë më e sigurt”, – u shpreh një qytetar nga kryeqyteti.

Shpeshherë të pranishmit ndërprisnin fjalët e protestuesve me thirrjet e përsëritura të mohimit ndaj armëve: “Jo, jo, jo!” apo “Jo armë kimike!”

“Jetën na e ka dhuruar Zoti dhe vetëm ai mund të na ie marrë”, – dëgjohej zëri i një të riu nga mesi i turmës, që jo në pak raste ndërpritej, nga folësi i radhës edhe nga këngët.

Një nxënës në shkollë të mesme i ishte bashkuar dje zërit të protestuesve.

“Nuk na intereson politika që bën qeveria, por si i ri mund të them se dua që vendi im të jetë i sigurt. Dua të mos kem frikë duke jetuar në atdheun tim. U kërkoj të gjithë nxënësve në çdo qytet të Shqipërisë t’u bashkohen protestave kundër armëve kimike”, – tha djaloshi i ri, Olgerti, nga Tirana.

“T’u vijë turp atyre studentëve që sot janë në mësim, t’u vijë turp atyre të rinjve që rrinë nëpër kafene. Sot të gjithë duhet të ishin këtu, pa përjashtim. Të gjithë duhet të ngremë zërin për të kundërshtuar ardhjen e armëve kimike”, – u shpreh Majlinda nga Elbasani.

Por, jo të gjithë studentët ishin në kafene. Blerta, studente në degën e Mjekësisë, kishte braktisur mësimin për të ardhur në protestën e djeshme. “Jam këtu si studente e Mjekësisë, pasi më duken të pavlera studimet e mia, kur e di që në vendim tim do të vijnë armë kimike. Nuk na intereson politika, na intereson shëndeti dhe siguria jonë”, – u shpreh studentja e Mjekësisë.

E pranishme si çdo ditë në protestë ka qenë edhe deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda. Znj. Doda i ka kërkuar Kryeministrit të mos pranojë armët kimike siriane dhe nëse nuk e bën dot këtë punë, ta lërë karrigen e Kryeministrit. “I bëjmë thirrje Kryeministrit që të ushtrojë detyrën e tij, nëse është ulur në atë karrige, të pranojë zërin e qytetarëve, në të kundërt të japë dorëheqjen”, – u shpreh Mesila Doda para protestuesve.

Një i moshuar, që mezi priste radhën për të folur, me tone të ashpra i është drejtuar Kryeministrit Rama të mos pranojë këto armë. “Nuk ju kemi zgjedhur për të na sjellë armë kimike, por për të na dëgjuar zërin. Nëse je Kryeministër i shqiptarëve, mos na sill armë kimike”, – u shpreh ai në megafonin që mezi dëgjohej në rreshtat e fundit të protestuesve.

Thirrjet u bënë edhe për deputetët e Parlamentit shqiptar, të cilëve iu kërkua të shprehen se cilat interesa mbrojnë?! “Kam një thirrje për 140 deputetët në parlamentin e Shqipërisë: Cilat interesa mbroni ju?! Interesat e atyre që ju kanë zgjedhur apo interesat tuaja personale?! Nëse mbroni interesat tuaja, ju kërkojmë të lini mandatin menjëherë, pasi ne ju kemi zgjedhur, por ne mund t’ju rrëzojmë përsëri”, – tha Alberti, i cili kishte ardhur posaçërisht nga Kruja për të protestuar.

Pas rreth një ore në krah të Kryeministrisë, protestuesit janë zhvendosur te sheshi përballë Piramidës. Nuk ishte më megafoni i prishur, por një miniskenë, me mikrofona, ku më në fund dëgjoheshin fuqishëm fjalët e qytetarëve protestues. Të shumtë ishin ata që dëshironin të flisnin, në mes tyre merr fjalën edhe një fëmije 9-vjeçar nga Puka, i cili u shpreh se nuk dëshironte se armët kimike të vinin në Shqipëri! Zëri i tij, mosha e vogël preku gjithë masën e protestuesve, duke shpërthyer në valë thirrjesh të menjëhershme në emër të jetës, për të mos heshtur!

Protestës tashmë iu bashkua grupi i Tifozëve Kuqezi dhe grupi “Fanatics” i klubit të Tiranës. Bashkë me ta, të pranishëm ishin dhe një grup i aktorëve të “Portokallisë”. Aktori i humorit Bes Kallaku (Gjini i “Portokallisë”) ka shprehur mbështetjen e gjithë stafit të “Portokallisë” kundër ardhjes së armëve kimike. “Duke e lënë pas politikën, do t’u kërkojmë të gjithë institucioneve të mos na sjellin armët kimike. Sjell këtu mbështetjen e të gjithë aktorëve”, – u shpreh Bes Kallaku.

Vala e zemërimit është shoqëruar me intensitet fjalimesh të shkurtra, nganjëherë edhe me tone të ashpra ndaj politikës dhe politikanëve që po na qeverisin.

Mes njerëzve të revoltuar, një qytetare nga Tirana, duke kundërshtuar vendimin e qeverisë për armët siriane, ka artikuluar qartë e prerë se do të jetë koha e dorëheqjes së Kryeministrit nga detyra. “I bëjmë thirrje qeverisë dhe Kryeministrit që të mos na sjellë armët kimike ose në të kundërt të japë që sot dorëheqjen”. Dorëheqja e Kryeministrit është kërkuar dhe nga shumë qytetarë të tjerë. “Ne nuk kemi zgjedhur një Kryeministër që të na sjellë armë kimike, qysh sot ne do të kërkojmë nga ai dorëheqjen, nëse miraton një vendim të tillë”, – u shpreh Bekimi. “Nëse nuk e kryen dot detyrën tënde, jep dorëheqjen”, – dëgjohej zëri i një të riu nga mesi i turmës.

“E dua Shqipërinë etnike, pa armë kimike”, – ka qenë thirrja më e fortë prej valës së zemërimit të protestuesve, duke kujtuar se në vitin 1913 Shqipëria u copëtua nga fuqitë e huaja, ndërsa tani po troket në derë Shfarosja! Në këto reagime emocionale, një i moshuar, ardhur nga Dukagjini i Shkodrës, u shpreh: “Vij nga zona më e thellë e Shqipërisë, kam dëgjuar se Shqipëria është pushtuar shtatë herë. Por arma kimike do të na shfarosë. Le të futet në Shqipëri çdo gjë, por nuk duam armët kimike aty ku rrezikohemi të shfarosemi”.

Një studente që kishte jetuar në Norvegji, me emrin Elsa, ka marrë fjalën: “Kam jetuar në Norvegji. Ata u thanë “jo” armëve kimike pasi të gjithë si qytetarë janë shumë të ndjeshëm ndaj jetës, ruajtjes së mjedisit. Jam këtu përpara jush për zërin e gjithë shqiptarëve jashtë, po sidomos zërin e studentëve. Ata ju sjellin përshëndetjet e tyre, u japin kurajo, forcë ta ngremë zërin. Për të ardhmen e qytetit: jo, jo armëve kimike!”

Pas afro tri orësh radhë pafund qytetarësh në shprehjen e mendimit të lirë dhe qëndrimit kundër ndaj vendimit të qeverisë për sjelljen e armëve siriane, rreth orës 15:10, e gjithë masa e protestuesve ka marshuar në bulevard. Fillimisht me thirrje dhe pankarta nëpër duar janë vendosur përballë Kryeministrisë, në sheshin kryesor, ku këtë herë gardhi i policisë nuk ka qenë aq simbolik sa në mitingun e opozitës, një ditë më parë.

Policët kanë shoqëruar protestuesit vendosur në mes, gjatë gjithë marshimit nëpër institucionet politike – vendosur përgjatë bulevardit. Duke iu bashkuar edhe kalimtarë e qindra qytetarë të tjerë marshimi drejt Parlamentit ka pasur një simbolikë tjetër. Për gati dy minuta protestuesit kanë qëndruar të ulur para Kuvendit, duke u kujtuar deputetëve votat e tyre. Të njëjtin ritual kanë ndjekur edhe para Presidencës, ku gardhi i policisë ka qenë akoma më i madh, por në një marshim krejtësisht paqësor, pa shënuar ndonjë incident.

Për katër orë, protestuesit, zërat e qytetarëve janë përcjellë në thirrjen: Jo armëve kimike! Ndërsa përmbyllja është bërë në korpusin e Universitetit, përballë shtatores së Nënë Terezës, ku u janë bashkuar edhe me qindra studentë të Politeknikut. Me këtë marshim është lajmëruar se sot protesta do të marrë përmasa të tjera; studentët e Ekonomikut dhe të Politeknikut kanë lajmëruar se do të bojkotojnë mësimin dhe provimet.

 

 

 

Studentët dhe qytetarët e Elbasanit bllokojnë bulevardin kryesor

Jo vetëm në Tiranë, por edhe në Elbasan, qytet ku flitet se mund të asgjësohen armët kimike, është zhvilluar një protestë ditën e djeshme. Studentë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” me moton “Stop armët kimike”, kanë bllokuar bulevardin kryesor “Aqif Pasha”, deri afër rrethrrotullimit pranë “1 Majit”. Më pas protestuesit janë grumbulluar pranë sheshit “Gensher”, ku u janë bashkuar dhe nxënës të disa shkollave 9-vjeçare. Fëmijët të organizuar nga mësuesit e tyre brohorisnin, “Jo armët kimike në Shqipëri!” Protestuesit u shprehën njëzëri se “në rast se nuk do të gjendet një zgjidhje për armët kimike, atëherë protesta do të përshkallëzohet dhe në rang kombëtar. Presim që qeveria të reflektoje për vendimin e marrjes së demontimit të armëve kimike në Shqipëri nga Siria dhe duam që zëri ynë të merret në konsideratë”, – u shprehën ata.

 

 

 

Korça dhe Lushnja u bashkohen protestave: Jo sjelljes së helmeve

Ardhja e armëve kimike siriane në Shqipëri ka sensibilizuar të gjithë shqiptarët, mes të cilëve edhe studentët e Universitetit “Fan Noli” të Korçës dhe pjesëtarë të shoqërisë civile. Me pankarta ku shkruhej “Stop armëve kimike dhe lëndëve toksike” të rinjtë kanë bërë thirrje që gjithë shqiptarët të ngrihen në protesta për të parandaluar atë që pritet të ndodhë dhe që, sipas tyre, do të shkaktojë probleme tek ata dhe pasardhësit e tyre. “Ne edhe për importin e mbetjeve nuk kemi qenë dakord. Është absurd që në një vend të varfër të sjellin gjithë ato helme. Duhet të protestojmë më shumë, të sensibilizohen qytetarët për t’i thënë jo”, – thotë një tjetër protestues. Protestës së të rinjve i janë bashkuar edhe anëtare nga shoqëria civile dhe tifozeria e Sport Klub Skënderbeut, të cilët njëzëri kanë kërkuar që qeveria shqiptare t’i thotë “Stop” importit të këtyre lëndëve në Shqipëri. Të organizuar në rrjetet sociale, ditën e djeshme kanë protestuar dhe qytetarë të Lushnjës. Me parulla në duar dhe maska mbrojtëse, protestuesit kanë kërkuar dhe janë shprehur kundër mundësisë për asgjësimin e armëve kimike siriane në Shqipëri.

Box 3
Protestat në rrjetet sociale

Blerta Nata
Jam pedagoge ne Universitetin e Tiranes dhe sot per here te pare nuk kisha asnje deshire qe te flisja mbi lenden time. E kisha te pamundur kur shihja studentet dhe fytyrat e tyre te qeta… U perpoqa tu shpjegoj se po perjetoja nje dileme te forte mbi rolin dhe dobishmerine time ne auditor. Se te berit shkence ishte nje akt gati qesharak, nese kisha parasysh rrezikun vdekjeprures qe na kanoset. U fola si nje e sapomartuar qe deshiron te kete femije dhe se sa e rendesishme eshte jeta, sidomos ne moshen e tyre. U thashe se injoranca, tradhetia dhe ligesia qe po na mbulon duhet perballur me kembengulje, bashkim e dinjitet. Se ky moment kyc do te percaktonte fatin tone te perbashket dhe se ai duhet permbysur pa kompromis. Se ata kane shume ne dore, por nuk i kane edukuar si te tille! Klasa u trondit edhe me kur ne menyre krejt spontane nje studentete lexoi nje esse mbi “denimin me vdekje dhe te drejten per te jetuar”. Sot lashe nje auditor te perlotur qe nuk do t’ja uroja asnje pedogogu, por u clirova nga ndjenja e fajit, se po te mos kisha folur sot me ta, nuk do te ishin veteorganizuar neser per proteste!

 

 

 

Arvizu në panairin e librit: Nuk ka libra për shqiptarët mbi armët kimike

  Violeta Murati

Dje, mes zhurmës së brendshme në panairin e librit, shkrimtarë, politikanë, diplomatë “qetësisht” nënshkruanin libra e reklamonin produktet intelektuale! Ndërsa jashtë lëvizja qytetare shqiptare kundër ardhjes së armëve kimike në Shqipëri gati të mbushte me pesimizëm për numrin e paktë, por jo pak për të pasur zë të fortë proteste e zemërimi mbarëkombëtar.

Në ironi, ne, u ndalëm në stendën e librave që kishte publikuar Ambasada Amerikane, në katin e dytë të Pallatit të Kongreseve. Ambasadori amerikan, z. Arvizu, shëtiste nëpër duar libra në anglisht, përballë nxënësve të një shkolle të mesme private amerikane në Tiranë. Veshur me uniforma bardhëeblu, nxënësit përpiqeshin të tregonin të folurën në gjuhë të huaj, me perfeksion mbresëlënës para ambasadorit.

Në këtë përpjekje gjetëm momentin për t’iu afruar diplomatit Arvizu në pyetjen e drejtpërdrejtë:

“Standard”: Zoti Arvizu, a ka stenda juaj libra, literaturë për çështje të mjedisit?

 Ambasadori amerikan: Po, kemi libra për çështjet e mjedisit.

 

“Standard”: Po për armët kimike, se si mund të na mbrojnë ne shqiptarët, dispononi?

 Ambasadori amerikan: …Jo, nuk kemi libra për armët kimike. (kjo përgjigje erdhi pas një heshtjeje disasekondëshe)

Në mënyrë të befasishme, ndiem në krah shoqëruesit e diplomatit amerikan, të cilët po na tërhiqnin, për t’u larguar, pasi zëri ynë i lartë, i menjëhershëm, e sidomos pyetja nuk duhej të dëgjohej nga fëmijët, nxënësit në fakt sigurisht kur fjala ishte për mospërhapje paniku ose se janë çështje të rrezikshme për t’u folur në sy të tyre, për nga mosha.

Pas pyetjes nga “Standard”, ambasadori amerikan ka ndalur përgjigjen, kur në të njëjtën kohë disa njerëz, të cilin e shoqëronin u kujdesën që të mos ndalonte biseda e lirë që Arvizu po organizonte me nxënës të shkollës së mesme amerikane në Tiranë. “Këta që kanë ardhur më përpara do të pyesin”, na u përgjigj një nga punonjëset në stendën e botimeve të Ambasadës Amerikane.

Ndërsa ambasadori, pas ndërhyrjes sonë, ktheu kokën i turbulluar drejt nxënësve, nëse mund të vazhdonin…! Biseda dhe pyetjet me ambasadorin amerikan vazhdoi në dukje qetësisht rreth librave të preferuar dhe autorëve. Në fakt, nxënësit shqiptar të shkollës amerikane midis tyre nga fundi i rreshtit diskutonin e qeshnin si ta pyesnin edhe ata për “armët kimike”. Po si duket kishin “urdhër” që vetëm për libra të preferuar të flisnin në këtë bashkëbisedim me diplomatin amerikan në Tiranë. Ndërsa rojet shqiptare të ambasadorit na larguan duke na thënë: “Hapuni, hapuni se është vetëm për fëmijët ky takim!!!” Në të njëjtën kohë, z. Arvizu, pak i konfuzuar, largon vëmendjen menjëherë nga ne, duke marrë në dorë një libër të atypëratyshëm mbi stendë: “English gramar”, kthyer nga nxënësit e shkollës amerikane, duke shtuar: “Jam i befasuar nga studentët që flasin kaq mirë gjuhën angleze!” Diplomati amerikan vazhdon fjalën me nxënësit shqiptarë, ngadalë, me qetësi të trazuar duke u folur për librat shqiptarë: “Kam parë autorë shqiptarë dhe librat e tyre shumë të mirë”.

Në mes të zhurmës së madhe e rrëmujës së krijuar dëgjojmë nga ambasadori të thotë se ka parë librin “Kurban” të Edi Ramës dhe ka lexuar një libër për Enver Hoxhën, si dhe ka librin për Aleksandrin e Madh. Në ironi të kësaj përgjigjeje, studentët e shkollës amerikane e pyesin për Dan Brown, nëse i pëlqente diplomatit, dhe si përgjigje marrin se ai nuk ka lexuar asnjë rresht prej tij.

Në fund ai thotë se historia dhe politika e ka tërhequr gjithmonë, i ka dashur duke lënë fjalën e fundit: “Më pëlqen të hap mendjen!” Arvizu ikën, ndërsa shoqëruesit i lëmë numrin e telefonit dhe adresën e email-it për të marrë mesazhin e pyetjes sonë: “Si do t’i përgjigjej zemërimit të shqiptarëve?!”

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency