Gjykata e Durrësit shpall të pafajshëm Bejtjan dhe Stafukën

0
174

Sonja Caka

 

Akuzoheshin se vodhën makinën  që përdorën vrasësit për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj

Prokuroria kërkoi dënimin me 3 vjet burg, togat e zeza i lirojnë për mungesë provash

 

gentian bejtjaGentian Bejtja dhe Enver Stafuka, dy të akuzuarit për vjedhjen e makinës së përdorur nga vrasësit e kryekomiar Dritan Lamaj, janë shpallur të pafajshëm nga Gjykata e Durrësit. Pavarësisht provave të vëna në dispozicion nga organi i akuzës dhe kërkesës për dënimin me 3 vjet burg të të pandehurve, togat e zeza kanë dhënë pafajësi për mungesë provash. Trupa gjyqësore e kryesuar nga gjyqtarja Anita Mici ka vendosur të shpallë të pafajshëm dy të pandehurit Stafuka dhe Bejtja të akuzuar për veprën penale të “Vjedhjes”. Mësohet se gjatë seancës janë paraqitur edhe pamjet nga kaseta ku nga prokuroria pretendohet se ka sekuenca ku shfaqej autorësia e vjedhjes. Pas këtyre provave, trupi gjykues për mungesë provash, ka vendosur që të shpallë të pafajshëm Gentian Bejtajn për vjedhjen e makinës “BMË” që është përdorur në vrasjen e Komisarit Lamaj. Gjatë kësaj seance me dyer të mbyllura, është dhënë vendimi i pafajësisë, edhe për Enver Stafukën, i cili u akuzua se ishte bashkëpunëtor në vjedhjen e mjetit “BMË”.

Akuza

Sipas akuzës së Durrësit, ish-efektivi i Policisë së Burgjeve ka zbritur nga makina e tij një person tashmë të identifikuar, por ende të paarrestuar, shumë pranë vendit ku ishte parkuar BMË-ja, në pronësi të Fatmir Lilës dhe më pas është larguar. Për shkak se skena është arritur të kapet nga kamerat e sigurisë të një biznesi aty afër, mjeti me të cilin lëvizte Bejtja, është identifikuar nga targat, ndërsa personi që ka zbritur nga makina, menjëherë ka hipur në makinën tip “BMË” me targa DR 1944 F, dhe më pas është larguar me shpejtësi. Pas kësaj, hajduti ka shumë gjasa ta ketë shitur automjetin për llogari të personave që kanë marrë përsipër vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Sipas Prokurorisë së Durrësit, Gentjan Bejtja ka bërë vetëm rolin e transportuesit të personit që ka marrë makinën, të cilin pasi e ka lënë ngjitur me mjetin tip “BMË”, është larguar për në banesën e tij. Ndërkohë që, Enver Stafuka u rezulton të jetë personi që vodhi makinën. Sipas akuzës, janë disa prova, si përgjimet përmes antenave telefonike që zbulojnë se Stafuka ka qenë në vendin ku u gjet makina e braktisur. Enver Stafuka është pyetur disa herë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda lidhur me vjedhjen e makinës, ndërsa rezulton të jetë paraqitur vetë në polici kur ka mësuar se ishte prerë ndaj tij fletë-arresti.

Mohimi

Që nga momenti i arrestimit të 32-vjeçarit Gentian Bejtja, ky i fundit ka hedhur poshtë implikimin e tij në lidhje me grabitjen e mjetit, duke kundërshtuar me forcë ngjarjen për të cilën e akuzojnë si të implikuar. Bejtja ka treguar se ditën e ngjarjes, ka qenë së bashku me shokun e tij (emri nuk bëhet i ditur) në një kafe në qytetin e Durrësit. Më pas, rreth orës 20:00, kanë vendosur të largohen dhe se gjatë rrugës, shoku i tij i ka kërkuar që ta linte buzë rrugës, në lagjen nr. 8 në Durrës. Më pas, Gentjan Bejtja ka pohuar se është larguar me mjetin e tij dhe se nuk ka asnjë informacion se çfarë ka bërë më pas personi që i kërkoi të zbriste. Nga ana tjetër prokuroria dhe policia e Durrësit tregojnë se një skemë e tillë ka qenë e organizuar nga dy personat dhe se Bejtja ka bërë transportimin e hajdutit, deri në momentin kur ata kanë vënë re se qytetari Fatmir Lila ka parkuar BMË-në e tij buzë rrugës dhe më pas është larguar për disa minuta në një dyqan. Pikërisht në këtë moment, Lila ka lënë çelësat në makinë dhe sapo hajduti ka zbritur nga makina, ka hipur menjëherë në BMË-në e lënë ndezur, duke u larguar menjëherë me shpejtësi. E gjithë skena ka ndodhur në sytë e kamerave, ndërkohë që pas disa ditësh nga krimi i rëndë i vrasjes së kryekomisar Dritan Lamaj është identifikuar drejtuesi i mjetit prej nga zbriti hajduti i makinës, i cili ra në prangat e policisë. Po të njëjtin mohim për ngjarjen ka bërë edhe Stafuka, i cili ka deklaruar se nuk ka lidhje fare me vjedhjen e makinës.

 

 

Tiranë

Vendimi, rrëzohet padia e pronarëve të “Sport Club Patrizanit” ndaj deputetit Balla

Gjykata e Tiranës ka hedhur poshtë pretendimin e pronarëve të “Sport Club Partizanit”, lidhur me deklaratat e deputetit socialist Taulant Balla, për privatizimin e pronave të “Sport Klub Partizanit”. Pas 23 seancash të zhvilluara, Gjykata e Tiranës rrëzoi dje kërkesë padinë për shpifje të paditësve Fatmir Bektashi, Fiqerete Vaqarri , Genci Bektashi, Gëzim Begeja, Hamide Saliaga, Igli Vaqarri, Liljana Arapi, Luan Arapi, Luan Saliaga, Nervit Hoxha dhe Xhimi Begeja, të cilët kërkonin një dëmshpërblim prej 100 milionë lekësh. Pas vendimit të gjyqtarit Ilir Çeliku, mesditën e djeshme deputeti Taulant Balla deklaroi se vendimi i Gjykatës i hap rrugën një hetimi të plotë të privatizimit të “Sport Klub Partizanit” dhe të pronave të tjera të ushtrisë shqiptare, që sipas tij, janë shitur me vlera qesharake. “I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të fillojë menjëherë hetimin për këtë çështje. Provat tona, të cilat ia paraqitëm Gjykatës, janë të plota dhe tregojnë qartë abuzimet”- deklaroi Balla.

Vendimi

Shkarkohet kreu i Shërbimit të Provës, në vend të tij emërohet Ilir Qafa

Me urdhër të ministrit të Drejtësisë, z.Nasip Naço është shkarkuar nga detyra Arben Sefgjini, drejtori i përgjithshëm i Shërbimit të Provës. Vendimi për shkarkimin e tij është marrë nga Ministria e Drejtësisë dy ditë më parë, ndërsa mësohet së në vend të tij është emëruar në këtë post Ilir Qafa. Ai është diplomuar në fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Romës “La Sapienza”. Pas eksperiencës në fushën e avokatisë të ushtruar në Itali dhe Shqipëri, është bërë pjesë e Ministrisë së Drejtësisë në vitin 2009, duke punuar si specialist pranë Sektorit të Integrimit dhe Marrëveshjeve Ndërkombëtare dhe më pas si Inspektor në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Njëkohësisht Z. Qafa ka ushtruar edhe detyrën e  Përgjegjësit të  Sektorit dhe më pas atë të  Drejtorit në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Z. Ilir Qafa, gjithashtu ka shërbyer edhe në Bashkinë e Tiranës në pozicionin e Drejtorit të Drejtorisë së Turizmit dhe Promovimit të Qytetit para se të emërohej Këshilltar i Ministrit të Drejtësisë dhe të shërbente si Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor. Shërbimi i Provës është një institucion nën varësinë e Ministrisë së Drejtësisë. Ky institucion trajton mijëra persona që kanë marrë dënime, por që me ndryshimet ligjore mund të dalin jashtë burgut duke ndenjur në provë.

 

Korçë

Akuzohet për përdhunimin e nuses së djalit, gjykata lë në burg Begollin

Gjykata e Korçës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”, për  44-vjeçarin Gjergji Begolli, i cili akuzohet nga nusja e djalit të tij për përdhunim. Pasi ka dëgjuar prokurorinë, faktet ku mbështet akuzën paraprake, gjykata ka vendosur që të lërë në qeli 44-vjeçarin. Gjatë seancës, 44-vjeçari ka mohuar akuzën e nuses së djalit, duke aluduar përmes avokatit për një alibi të sja për t’u larguar me dikë tjetër nga shtëpia. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në datën 10 nëntor 2013 në fshatin Menkulas të Korçës. Sipas akuzës, adoleshentja kishte bërë denoncim në polici se mëngjesin e datë 9 nëntor, në banesën ku ata jetonin 44-vjeçari, Begolli ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me 17-vjeçaren. Por ndërkohë, në po të njëjtën ditë, vjehrra e nuses, bashkëshortja e të arrestuarit, Anila Begolli thotë se “nuk është e vërtetë”. Në orën që ka ndodhur akti, burri ka qenë me mua në shtëpinë e vajzës time. Ne shkonim shumë mirë, Gjergji e trajtonte si vajzën e tij”- ka deklaruar Anila Begolli. Ajo shton se nuk e di pse nusja e tyre ka trilluar duke shtuar se “besonte se është nxitur nga dikush”, ndërsa ka hedhur aludime për një lidhje jashtëmartesore të saj.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency