Vendimi Nuk i morën denoncimin një shtetasi, pezullohen nga puna dy punonjës policie

0
222

Sonja Caka

Ministria e Brendshme: Gëzim Rama denoncoi vjedhjen e banesës, policët nuk i merrnin denoncimin për dy ditë me radhë

 

policiDy punonjës të komisariatit të policisë së Krujës janë pezulluar nga detyra, për shkak se nuk kanë kryer detyrën për të marrë kallëzimin e një shtetasi, e madje e kanë zvarritur atë në mënyrë të pajustifikuar. Një fakt i tillë bëhet me dije nga Ministria e Brendshme, e cila bën me dije se shtetasi Gëzim Rama, lindur në Krujë dhe banues në Tiranë është paraqitur pranë Komisariatit të Krujës në datë 08.11.2013, për të depozituar një kallëzim lidhur me vjedhjen e banesës së tij, ngjarje e ndodhur një ditë më parë, në datë 07.11.2013, por me gjithë përpjekjet e tij ai nuk ka arritur ta bëjë këtë denoncim edhe për 2 ditët në vazhdim, duke u zvarritur në mënyrë të paligjshme nga ana e dy punonjësve të policisë së këtij komisariati.

Verifikimi

Sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Brendshme, bëhet e ditur se nga verifikimet e bëra prej Drejtuesve të Komisariatit rezultoi se përgjegjës për zvarritjen e marrjes së denoncimit të këtij qytetari janë specialisti i Policisë së Zonës dhe Shefi i Seksionit për Krimet e Hapura pranë këtij komisariati. Nisur nga këto verifikime, Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës, vendosi pezullimin e këtyre punonjësve nga detyra dhe paralelisht nisjen ndaj tyre të ecurisë disiplinore, që i ka kaluar për kompetencë Drejtorisë së Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Vjedhja

Ndërkohë që, lidhur me vjedhjen e banesës së shtetasit Gëzim Rama, në lagjen nr.1 në Krujë ka nisur menjëherë puna për dokumentimin e saj. Nga hetimet e policisë u arrit të identifikohen dhe të ndalohen autorët e dyshuar që janë shtetasit Taulant Këllçishta, i datëlindjes 18.03.1994, lindur e banues në Krujë dhe Shpëtim Xhaferri, i datëlindjes 28.12.1974, lindur e banues në Krujë. Pas kontrollit të kryer në banesën e këtij të fundit, është gjetur nga policia një armë gjahu pa leje dhe një armë zjarri automatike, si dhe disa sende që dyshohen se janë vjedhur tek lokali i shtetasit Gëzim Rama. Ndërkohë që, vijon puna për dokumentimin e kësaj ngjarjeje.

 

Hetimi

Tentativa e vrasjes së policit Toplana, zbardhet mekanizmi i shpërthimit

Zbardhet mekanizmi i përdorur në atentatin me ekploziv ndaj komandantit të shërbimeve të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit numër 6, Shkurt Toplana. Rreth 400 gramë eksploziv i llojit tritol ishin vendosur nga poshtë gomës së parë të krahut të shoferit në automjetin tip “Ford Fiesta”, ndërsa aktivizimi është kryer në distancë nga një pult që përdoret për hapjen e portave. Sipas ekspertëve xhenierë, është përdorur ky lloj mekanizmi për të garantuar shpërthimin e sigurtë të tritolit, pasi pulti i derës dërgon në detonator rrymë 9 volt kundrejt 3 voltëve që dërgon aktivizimi me celular. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, lidhur me momentin e arrestimit në flagrancë të të akuzuarit Renato Kazani, ky i fundit mësohet se ka qenë pranë vendit ku ishte parkuar automjeti i oficerit Toplana, ka pritur që ai të mbarojë turnin e shërbimit dhe të hyjë brenda mjetit. Më pas ka aktivizuar eksplozivin për të patur një eleminim të sigurtë të oficerit. Në deklarimet për arrestimin e Kazanit, thuhet se ai është kapur duke u larguar nga vendi i ngjarjes me vrap me kapuç në kokë dhe në momentin e ndalimit, të vetmet fjalë që ka thënë ishin: “Mos më qëlloni se më dhemb koka”. Sipas policisë së Tiranës, ngjarja lidhet me arrestimin e Ervis Lamit, gjatë një kontrolli në Unazën e Re. Lami nuk i kishte ndaluar postbllokut të policisë dhe ishte ndjekur dhe arrestuar pas një debati pranë Doganës së Tiranës. Në automjet ndodhej dhe Kazani. Policia arrestoi për atentatin me eksploziv edhe Bashkim Lamin, babai i Ervisit, dhe efektiv policie në Komisariatin e Kamzës. Sipas policisë, Bashkimi akuzohet të ketë siguruar eksplozivin dhe të ketë realizuar montimin e tij. Oficeri Toplana, ende nuk është kthyer në detyrë, dhe për të i është kërkuar Ministrisë së Brendshme një mbrojtje të veçantë pasi dyshohet se arrestimi I Kazanit dhe babait polic të Ervisit të ketë shtuar inatin dhe rrezikun e një atentati tjetër.

 

Vlorë

Vodhi 17 mijë euro mall, arrestohet 41-vjeçari Lazemetaj

Policia e qytetit bregdetar të Vlorës ka vënë në pranga një 41-vjeçar, i akuzuar për vjedhjen e 17 mijë eurove materiale ndërtimi. Sipas burimeve zyrtare policore, nga strukturat e Komisariatit të Policisë është bërë kapja dhe nga ndalimi për veprën penale të Vjedhjes” për shtetasin Birçe Lazemetaj, 41 vjeç. banues në fshatin Dukat. Ndalimi i këtij shtetasi u krye pasi dyshohet se është autor i vjedhjes së një sasie të konsiderueshme materialesh ndërtimi të firmës Gener shp.k, e cila po kryen punimet infrastukturore në Bashkinë e Orikumit. Vlera e materialeve të vjedhura shkon në 17 mije euro. Ndalimi i tij u krye pas kallëzimit nga administratori i shoqërisë.

Sarandë

Dhunuan nusen e familjes, një në pranga, një në kërkim

Policia e Sarandës ka arrestuar një person dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, pasi akuzohen për ushtrim dhune ndaj nuses së shtëpisë, e cila ishte bashkëshortja e njërit prej të akuzuarve. Sipas burimeve policore, nga strukturat e Komisariatit të Policisë në Sarandë është bërë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Shkatërrimi i pronës” të kryera në bashkëpunim për shtetasin Endri Meçe, 22 vjeç, banues në Borsh, si dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij shtetasi Fatjon  Meçe, (vëllezër). Arrestimi i këtij shtetasi u krye pasi së bashku me personin e shpallur në kërkim kanë ushtruar dhunë ndaj shtetases M. M., bashkëshorte e personit të shpallur në kërkim. Nga ana e policisë po punohet për kapjen shtetasit të shpallur në kërkim Fatjon Meçe.

Delvinë

Dhunoi bashkëshorten, arrestohet Kokëdhima

Policia e Delvinës ka vënë në pranga një 43-vjeçar pasi akuzohet për ushtrim dhune ndaj bashkëshortes. Sipas policisë së Sarandës, nga Komisariati i Policisë u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Dhuna në familje” në ngarkim të shtetasit Andrea Kokëdhima, 43 vjeç, banues në Delvinë. Arrestimi i këtij shtetasi u krye pasi ka ushtruat dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij shtetases I. K., 37 vjeçe. Mësohet se strukturat e policisë kanë ndërhyrë menjëherë sapo kanë marrë njoftim për ndihmë nga bashkëshortja e Kokëdhimës. Gjithashtu, bëhet me dije se ky shtetas ka kryer rezistencë gjatë veprimeve të policisë për arrestimin e tij.

Vlorë

Dhunuan mjekët në gjendje të dehur, prangosen

Dy të rinj janë vënë në pranga nga policia e Vlorës, pasi në gjendje të dehur kanë dhunuar mjekët e spitalit të këtij qyteti, si dhe kanë shkatërruar dyer e sallës së reanimacionit. Sipas burimeve zyrtare policore, rreth orëve të mbrëmjes së dy netëve më parë, nga shërbimet Komisariatit të Policisë Vlorë është bërë kapja dhe ndalimi për veprat penale “Prishje të rendit dhe qetësisë publike” dhe “Shkatërrimi i pronës” ndaj shtetasve Ermal Kapaj, 29 vjeç, banues në lagjen “15 Tetori“, Vlorë dhe Klodian Troci, 25 vjeç, banues në lagjen “24 Maj“, Vlorë. Arrestimi i këtyre shtetasve u krye pasi kanë shkuar në gjendje të dehur në Spitalin Rajonal Vlorë për trajtim mjekësor, ku kanë fyer dhe kanë kryer veprime të dhunshme ndaj personelit mjekësor, si dhe kanë thyer dyert e sallës së reanimacionit. Menjëherë pas njoftimit nga personeli mjekësor, këta shtetas u kapën dhe u shoqëruan në Komisariat ku u mor dhe masa e arrestit në flagrancë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency