Mbledhja / Përplasje mes ndërmjetësuesve, mocion ndaj kryetares Avdyli dhe kryesisë

0
134

Sonja Caka

Drejtuesit bojkotojnë mbledhjen, anëtarët e vazhdojnë me zgjedhjen e drejtuesve të rinj

 

thumbopenTakim pas takimi dalin në dritë përplasjet dhe mosmarrëveshjet e mëdha që shoqërojnë Dhomën Kombëtare të Ndërmjetësimit. Përplasjet mes anëtarëve dhe drejtuesve janë aq të mëdha, sa drejtuesja e kësaj dhome dhe kryesia e saj kanë bojkotuar mbledhjen e djeshme dhe pasi kanë marrë dokumentacionin, janë larguar nga ambjentet e Ministrisë së Drejtësisë. Katër muaj pas ngritjes së kësaj dhome, konfliktet e brendshme kanë çuar në bllokimin e punës. Ndërmjetësimi funksionon në bazë të vullnetit të lirë të palëve për të arritur nga pozita të barabarta në një zgjidhje të mosmarrëveshjes, pa shkuar në gjykatë. Në mbledhjen e radhës të kësaj dhome, e cila u zhvillua dje, pjesa më e madhe e anëtarëve kanë kërkuar një mocion mosbesimi për kryetaren Drita Avdyli dhe 7 anëtarët e kryesisë. Ylli Kameri, anëtar i Kryesisë shprehet se ky është një mocion i paligjshëm dhe sqaron se Kryesia që do të dalë nga kjo mbledhje është e paligjshme. Por kush humbet më shumë nga ky konflikt? Kameri pohon se 17 mijë dosje mund të zgjidheshin nga ndërmjetësuesit dhe tashmë ato do të përfundojnë në dyert e gjykatave, çka do të thotë kohë dhe kosto për qytetarët. Zgjidhja e ndërmjetësuar është parë si një mekanizëm më i shpejtë, më pak i kushtueshëm dhe më transparent jashtëgjyqësor për zgjidhjen e këtyre mosmarrëveshjeje, por në kushte të tilla ky profesion nuk mund të gjejë ende zbatim në Shqipëri. Por ndërkohë, lidhur me drejtuesen dhe anëtarët e kryesisë, ndërmjetësuesit shprehen se Avdyli dhe kryesia kanë shkelur ligjin. Ndërkohë Drita Avdyli dhe kryesia janë larguar nga salla duke marrë me vete edhe dokumentacionin e mëparshëm. Dhoma Kombëtare Ndërmjetësuese përbëhet nga 58 anëtarë. Pas largimit të kryesisë, anëtarët kanë vazhduar mbledhjen për zgjedhjen e kryetarit të ri. Pas pesë orë mbledhjeje, është zgjedhur kryetari i ri dhe kryesia e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve, pas largimit të Drita Avdylit në krye të DHKN-së u zgjodh Eglent Biti. Sipas DHKN-së emërimi i kryetares së mëparshme ishte bërë në shkelje me ligjin.

Nenet

Dy nenet e para përcaktojnë veprimtarinë dhe fushën e zbatimit të ndërmjetësimit, i cili zbatohet për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve në fushën e së drejtës civile, tregtare, të punës dhe familjare. Gjithashtu, ndërmjetësimi zbatohet edhe në mosmarrëveshjet në fushën penale që shqyrtohen nga gjykata me kërkesën e të dëmtuarit akuzues ose në bazë të ankimit të të dëmtuarit. Gjykata, prokuroria ose organi përkatës shtetëror brenda kompetencave të parashikuara nga ligji orienton palët për zgjidhjen me ndërmjetësim të mosmarrëveshjeve në çështjet penale, civile ose familjare ku ndërthuren interesat e të miturve, çështjet e pajtimit në rastet e zgjidhjes së martesës të parashikuara nga neni 134 i Kodit të Familjes, mosmarrëveshjet me karakter pasuror me objekt padie deri ne 500 00 mijë lekë, si dhe paditë për kërkimin e sendit, padite mohuese dhe paditë për pushimin e cënimit të posedimit. Ligji parashikon se mosmarrëveshjet për të cilat është e detyrueshme zgjidhja në rrugë gjyqësore nuk mund të zgjidhen me ndërmjetësim. Është parashikuar që ato të zbatohen për aq sa është e mundur dhe për procedurën e ndërmjetësimit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, kur të paktën njëra nga palët e ka vendin e banimit jashtë Republikës së Shqipërisë. Ndërsa në nenin 3 përcaktohen parimet e ndërmjetësimit të cilat nuk parashikoheshin nga ligji i mëparshëm. Si parime të rëndësishme janë ajo e barazisë së palëve dhe i respektimit të autonomisë së tyre, parim i drejtësisë dhe i paanshmërisë, si dhe ruajtja e të dhënave të konfidencialitetit. Ndërmjetësimi është vullnetar dhe palët janë ato që zgjedhin ndërmjetësin si alternativë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Licencimi i ndërmjetësve

Licencimi dhe ushtrimi i veprimtarisë së ndërmjetësit përcaktohen në nenin 4 të këtij ligji. Madje ky nen parashikon edhe ngritjen e Komisionit të Licencimit të Ndermjetësve, i cili përbëhet nga tre anëtarë, 2 nga Dhoma Kombëtare e Ndërmjetesimit dhe një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë. Parashikimet e reja japin në mënyrë të hollësishme procedurën e licencimit të subjekteve të interesuara për ushtrimin e veprimtarisë së ndërmjetësimit, kategoritë e licencave ku do të përfshihet licenca e ndërmjetësit në përputhje me legjislacionin në fuqi për licencat, autorizimet dhe lejet, si dhe krijimin e regjistrit të ndërmjetësit. Regjistri i ndërmjetësit krijohet dhe mbahet nga Ministria e Drejtësise.

Çështjet që zgjidhen me ndërmjetësim

Çështjet penale civile ose familjare ku ndërthuren interesat e të miturve

Çështjet e pajtimit në rastet e zgjidhjes se martesës të parashikuara nga neni 134 i Kodit të Familjes

Mosmarrëveshjet me karakter pasuror me objekt padie deri ne 500 00 mijë lekë

Paditë për kërkimin e sendit, paditë mohuese dhe paditë për pushimin e cënimit të posedimit

Kushtet për të qenë ndërmjetës

Të jetë mbi 25 vjeç

Kryerja e programit të trajnimit dhe formimit profesional të ndërmjetësve

Detyrimi për të qenë i regjistruar si ndërmjetës në listën e Ministrisë së Drejtësisë

Heqja e licences

Licenca hiqet kur ndërmjetesi kryen shkelje të etikës

Heqja e licencës vendoset nga Komisioni i Licencimit të Ndërmjetësve me ankim të paraqitur nga të tretët dhe sipas një procedure

 

Vendimi

U kap me dokumente false, dënohet 1 vit burg shtetasi nga Afganistani

Një shtetas nga Afganistani është dënuar me 1 vit burg nga gjykata pasi është kapur me dokumente false. Sipas vendimit të gjykatës, i pandehuri Rafiullah Shadullah është banor i shtetit të Afganistanit. Në datën 27.05.2013, ky i pandehur është arrestuar në flagrancë në Komisariatin e Policisë së Rinasit. Arrestimi është bërë për arsye se në datën 26.05.2013 rreth orës 17:00 është kapur në terminalin e pasagjerëve duke ikur në drejtim të shtetit Italisë me dokument udhëtimi, pasaportë bullgare me nr. 340043790, të lëshuar në emër të shtetasit bullgar Atanas Atanasov Ivanov, e cila dyshohej e se ishte e falsifikuar. Në bazë të këtij dyshimi është bërë ekspertimi i saj në policinë shkencore. Në bazë të aktit të ekspertimit nr. 5687 datë 29.05.2013 thuhet se: “Në pasaportën Bullgare me nr. 340043790 në emër të shtetasit Atanas Atanasov Ivanov, objekt ekspertimi u konstatuan ndërhyrje falsifikuese. Ndërhyrjet konsistojnë në heqjen e shtresës plastike transparente laminuese të mëparshme dhe vendosjen e shtresës laminuese e cila mban të dhënat aktuale”. Në këto rrethana nga organi i akuzës është sjellë për gjykim i pandehuri Rafiullah Shadullah duke u akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimit i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave “ të parashikuar nga neni  189/1  i Kodit Penal dhe kundërvajtjes penale të “Kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror” të parashikuar nga neni 297 të Kodit Penal. I pandehuri Rafiullah Shadullah ka dhënë shpjegime në organin e akuzës por në gjykim nuk është paraqitur e për rrjedhojë gjykata nuk ka pasur qëndrimin e tij të drejtpërdrejt në gjykatë por i është referuar deklarimeve të dhëna prej tij në hetim. I pandehuri ka pohuar se gjashtë muaj para se të arrestohej është nisur nga Afganistani për në Pakistan dhe më pas ka shkuar në Iran dhe Turqi. Nga Turqia është nisur për në Greqi në këmbë dhe me taksi. Në Greqi është stacionuar në Athinë tek shokët e tij për rreth katër muaj. Në Athinë është takuar me një shtetase shqiptare dhe bashkë me të ka ardhur në Shqipëri me synimin për të shkuar në Itali. Në aeroportin e Rinasit është kapur nga policia shqiptare, është arrestuar dhe më pas është lënë me masë sigurimi “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency