Takimi i përbashkët PE-Shqipëri Debat mes të majtëve dhe të djathtëve para eurodeputetëve. Kukan: Statusi, i mundshëm

0
105

Gëzim Saliu

Bregu: Rama ta mbështesë kallëzimin tonë si për Gjikën. Balla: Masat e qeverisë, të drejta

Ministri Bushati: Bashkëpunim me opozitën. Bumçi: Vendimet e qeverisë, aspak pozitive

 

28TRYEZANë takimin e gjashtë të Stabilizim-Asocimit, ku merrnin pjesë përfaqësues të Parlamentit shqiptar dhe atij Evropian, nuk kanë munguar debatet mes mazhorancës dhe opozitës. Edhe pse në qendër të tryezës së përbashkët ishin çështjet e integrimit evropian, përfaqësuesit e së majtës dhe së djathtës kanë replikuar me njëri-tjetrin lidhur me vendimmarrjet e qeverisë “Rama”. Ndërkohë, kryesuesi i delegacionit të PE-së, njëkohësisht bashkëkryetari i takimit, eurodeputeti Eduard Kukan, tha dje se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të marrë statusin e vendit kandidat në muajin dhjetor, por për të arritur këtë, sipas kreut të delegacionit të PE-së, nevojitet dialog gjithëpërfshirës. “Rekomandimi është sinjal për të gjitha forcat politike, që tregon vlerësimin për ato arritje që janë bërë dhe për të inkurajuar qeverinë e tanishme për të vazhduar reformat. Një sinjal që procesi mund të jetë i suksesshëm, vetëm nëse shihet si një interes i përbashkët. Në këtë periudhë, e shoh Parlamentin si një aktor të rëndësishëm në këtë proces. Parlamenti është pjesa kryesore e demokracisë, në të cilin diskutimet politike dhe dialogu gjithëpërfshirës duhet të ndodhin. Ky dialog është kritik në procesin e mëtejshëm të integrimit”, – tha Kukan.

 

Takimi

Ende pa nisur takimi, përfaqësuesit e mazhorancës dhe ata të opozitës kanë shkëmbyer akuza mes tyre. Pohimi i deputetit socialist Taulant Balla, i cili i dha të drejtën e fjalës ish-ministrit të Jashtëm Aldo Bumçi si favor jashtë radhës, nuk u mirëprit nga ky i fundit. Sipas deputetit demokrat, kjo është një procedurë në vazhdimësi e cila është respektuar edhe kur këto takime drejtoheshin prej të djathtëve. Në këtë linjë, Bumçi ka ngritur në tryezën e përbashkët, ku merrnin pjesë delegacioni i PE-së, ambasadori i Bashkimit Evropian dhe ministri i Jashtëm Bushati, një sërë shqetësimesh lidhur me vendimet e fundit të qeverisë, kryesisht në Policinë e Shtetit dhe emërimin e paligjshëm, siç e cilësoi ai, të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Artan Didi. Në të njëjtën linjë, deputetja e PD-së Majlinda Bregu u bëri të ditur europarlamentarëve se PD ka bërë kallëzim penal ndaj Kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm. “Opozita dhe PD ka bërë kallëzim penal ndaj Kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm, duke konsumuar edhe krimin e shpërdorimit të detyrës. Shpresoj se Kryeministri do ta mbështesë edhe këtë hetim, njësoj siç ka bërë me atë të kryebashkiakut të Vlorës”, – tha Bregu. Menjëherë më pas, deputeti Taulant Balla tha se nuk ka pasur asnjë shkrirje pa arsye, duke theksuar se aksioni i ndërmarrë nga qeveria ishte i domosdoshëm. “Një aksion në shkallë kombëtare ka sot policia, disa, por ky është një ndër më të prekshmit, është aksioni kundër lojërave të fatit. Nga ky aksion rezultoi se 92% e këtij sektori ishte tërësisht informal dhe kriminal. Rezultoi se kishte më shumë kazino dhe lojëra fati se dyqane buke”, – pohoi Balla. Ndërkaq ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, u ndal tek përpjekjet e bëra nga vendi në kuadër të realizimit të reformave për integrimin evropian, ku tha se marrja e statusit të vendit kandidat dhe më tej nisja e bisedimeve është proces i mundshëm, por jo i përfunduar. “Qytetarët presin cilësi dhe standarde më të larta jetese. Vëzhguar në këtë drejtim, procesi i integrimit është i rëndësishëm për vendin, edhe sa i takon integrimit social, politike e ekonomik. Mazhoranca shpreh bindjen për bashkëpunim me opozitën dhe mekanizmat ndërkombëtarë”, – u shpreh Bushati.

 

Debati në takim

Aldo Bumçi

“Në një sërë aktesh kemi një shkelje të shtetit të së drejtës, siç janë akti normativ për ligjin e shërbimit civil, i cili shkeli konsensusin, por në vetvete është një akt antikushtetues. Po ashtu edhe akti normativ për ndryshimin e buxhetit”

Majlinda Bregu

“Është një situatë e papranueshme, akte jolegjitime dhe veprime arbitrare ndaj policisë së shtetit. Për të gjitha këto arsye besoj, siç u informuat, opozita dhe PD ka bërë kallëzim penal ndaj Kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm, duke konsumuar edhe krimin e shpërdorimit të detyrës. Shpresoj se Kryeministri do ta mbështesë edhe këtë hetim, njësoj siç ka bërë me atë të kryebashkiakut të Vlorës”

Taulant Balla

“Përderisa kemi korrupsion dhe krim të organizuar, tregon se nuk e kanë bërë detyrën ashtu siç duhet, në të kundërt do të kishim më pak korrupsion dhe krim të organizuar. Një aksion në shkallë kombëtare ka sot policia, disa, por ky është një ndër më të prekshmit, është aksioni kundër lojërave të fatit. Nga ky aksion rezultoi se 92% e këtij sektori ishte tërësisht informal dhe kriminal. Rezultoi se kishte më shumë kazino dhe lojëra fati se dyqane buke”

Nikola Vuljanoviç

“Diskutime të tilla, prej dy orësh, duke akuzuar njëra palë tjetrën, nuk ju ndihmojnë ju. Nuk është diskutimi juaj që bind BE-në se ju po luftoni korrupsionin dhe korrupsioni po ulet. Lufta që po bëni kundër korrupsionit nuk duhet të jetë për të bindur BE-në. Kjo nuk është e rëndësishme. Të akuzoni njëri-tjetrin është komplet e pavend. Nuk e di pse e bëni shpesh”

 

 

Ambasadori i BE-së

Sequi: Realizim të 5 prioriteteve kyçe

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Ettore Sequi, në takimin e djeshëm PE-Shqipëri, u ndal tek prioritetet kyçe ku duhet të fokusohet vendi, që janë reforma në administratën publike, pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, mbrojtja e të drejtave të njeriut, si dhe përfshirja e romëve. “Ne presim një bisedim konstruktiv politik, dhe do isha i lumtur që të çoja në selinë e BE faktet se aktorët politikë në Shqipëri po bëjnë hapat e duhur në kuadër të integrimit evropian. Edhe zgjedhjet në vend u panë si pozitive. Duke parë këtë progres, dhe duke parë këtë angazhim të Shqipërisë, KE vendosi të propozojë dhënien e statusit të vendit kandidat për vendin. 5 prioritetet kyçe për administratën publike, pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe përfshirja e romëve. Ne jemi të bindur se integrimi evropian duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës. Nuk kemi kohë për të humbur, sidomos deri në dhjetor, ky proces i reformave duhet vijuar, kryesisht sa i përket realizimit të prioriteteve kyçe”, – theksoi Sequi. Më tej, ambasadori shprehu angazhimin e Bashkimit Evropian në mbështetje të integrimit të Shqipërisë, ku tha se në muajin nëntor komisionieri Fyle do të lançojë një iniciativë në kuadër të integrimit.

 

Eurodeputetja

Fajon: Shqipëria, vend i besueshëm për marrjen e statusit kandidat

Eurodeputetja Tania Fajon deklaroi dje se Shqipëria është vend i besueshëm për të marrë statusin e vendit kandidat. “Shqipëria ka bërë progres domethënës dhe ne jemi të hapur të ecim së bashku përpara me qëllimin që t’i jepet statusi i vendit kandidat. Sot në këtë tryezë po diskutojmë një nga prioritet më të rëndësishme të qeverisë së re, që është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Çdo veprim që lidhet me korrupsionin dhe ata që janë të përfshirë në korrupsion, duhet të përgjigjen para drejtësisë”, – tha Fajon.

Takimi me delegacionin e PE-së

Kryeministri: Do të përmbushim reformat, raporti i KE-së, nxitje për qeverinë

Kryeministri Edi Rama siguroi dje delegacionin e Parlamentit Evropian për vullnetin e qeverisë në kuadër të përmbushjes së reformave të mëtejshme në fushën e sundimit të së drejtës. “E konsiderojmë rekomandimin e Komisionit Evropian si nxitje në rrugën e mëtejshme të procesit të integrimit dhe vlerësojmë gjetjet e raportit të progresit”, – u shpreh Rama. Më tej, Kryeministri pohoi: “Ne nuk u zgjodhëm për të zëvendësuar thjesht qeverinë e mëparshme me një tjetër, por për të ndërmarrë e jetësuar ndryshimet që vendosin standardet evropiane në vend”. Nga ana e tij, kryesuesi i delegacionit të PE-së, Eduard Kukan, vlerësoi standardet e arritura në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe rotacionin paqësor të pushtetit dhe siguroi për mbështetjen e Parlamentit Evropian në realizimin e aspiratës evropiane të Shqipërisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency