Bashkia Poli Artistik i Tiranës, Basha: Mundësi promovimi e punësimi për artistët

0
127

27 tetor bashkiaPrej ditës së djeshme, Tirana do të ketë Polin e saj Artistik, të vendosur në qendrën “Ten”. Përmes këtij Poli, synohet stimulimi, nxitja dhe përkrahja e profesionistëve, të rinjve, artistë të sapo diplomuar dhe krijimin e një komuniteti artistik të qëndrueshëm, mbi bazën e ndërveprimit, ndërmjet disiplinave të ndryshme artistike, ndërthurjes së ideve dhe projekteve. Poli Artistik i Tiranës do të jetë urë lidhëse me punëdhënës, si brenda ashtu dhe jashtë vendit, si në mënyrë direkte ashtu dhe nëpërmjet koproduksioneve. Do të jetë gjithashtu një mundësi punësimi i të rinjve, nëpërmjet prodhimtarisë artistike, pasi çdo hap i tyre në Polin Artistik do të kurorëzohet me një produkt artistik të mirëfilltë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, iniciatori i këtij projekti ka ftuar të rinjtë të shfrytëzojnë këtë mundësi që u ofrohet falas nga Bashkia e Tiranës, për të promovuar talentin e tyre.

“Projekti “Poli Artistik i Tiranës” është në fakt mishërimi i një premtimi të para dy viteve, i imi personal, para komunitetit të artistëve të Tiranës, për të krijuar këtu në Tiranë, një hapësirë në të cilën artistët e rinj në veçanti por të gjithë artistët në përgjithësi, të kenë mundësi të ushtrojnë artin e tyre, të krijojnë dhe ta bëjnë këtë art të vëzhgueshëm, të kundrueshëm e të dëgjueshëm nga publiku kryeqytetas, publiku shqiptar, pse jo edhe të huajt, vizitorët që vizitojnë qytetin tonë.

Poli Artistik është në radhë të parë një infrastrukturë e vënë në dispozicion të artistëve të rinj dhe artistëve në tërësi, të Tiranës, falas. Pa dyshim, Tirana ka një shpirt artistik të njohur tashmë, i cili rrezaton përtej Tiranës. Artistët, bijtë dhe bijat e këtij qyteti, kryeqendrës së shqiptarëve, sot kanë emër nga Tokio në San-Françisko dhe kanë krijuar me artin e tyre imazhin më të mirë bashkëkohor të kombit së cilit i përkasin. Ky është rezultat i punës, i talentit dhe punës së tyre por as puna dhe as talenti nuk mjaftojnë për ta bërë më të lehtë dhe më të përshtatshme krijimtarinë, duhet edhe shansi, oportuniteti, oportunitet i cili duhet t’u vihet në dispozicion artistëve sa më herët dhe në kushte sa më optimale.

Nuk themi se sot kemi zgjidhur gjithçka, sa i përket problematikës por kemi hedhur një hap të mirë dhe të rëndësishëm në krijimin e Polit Artistik të Tiranës, pra të infrastrukturës që i vjen në ndihmë çdo artisti, duke i dhënë mundësinë të ushtrojë talentin e tij apo të saj nëpërmjet punës. Talenti dhe puna janë në dorë të artistëve. Mundësia për ta bërë këtë është dhe duhet të jetë obligim madhor i shoqërisë dhe mekanizmave të saj, shtetit dhe pushtetit, në këtë rast pushtetit vendor.

Ambiente të tjera po krijohen, për t’u ardhur në ndihmë artistëve dhe dua t’u bëj një thirrje jo vetëm studentëve dhe pedagogëve të Universitetit të Arteve por çdo të riu dhe të reje në qytetin tonë e anembanë Shqipërisë, se këtu, në rrugën “Myslym Shyri”, në zemër të Tiranës ndodhet një infrastrukturë e gatshme dhe falas, e vënë në përdorim nga njerëz profesionistë dhe të përkushtuar e cila u vihet në dispozicion, për të ushtruar artin tuaj. Ejani dhe ushtrojeni!

Më shumë art do të thotë më shumë dashuri, do të thotë më shumë qytetari, do të thotë një mirëqënie më e mirë shpirtërore dhe për këtë çdo shoqëri i ndihet mirënjohës dhe falënderon artistët mes nesh” – u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës.

Poli Artistik i Tiranës do të vërë në dispozicion brenda strukturës së tij:

– Galeri, foto e hapur në permanencë

– Infrastrukturë për projeksione filmash me metrazh të shkurtër

– Studio regjistrimi audio dhe video

– Studio produksioni multimedia

– Krijimin e labelit muzikor “Prom-Art”

– Stacioni Radio, ideuar, drejtuar dhe menaxhuar nga vetë komuniteti i artistëve të rinj.

Për të rinjtë dhe artistët, kjo iniciativë është një mundësi e madhe për stimulimin dhe nxitjen e artit dhe kulturës në qytet.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency