Vendimet e KKT-së Miratohet hartimi i Planit Kombëtar të Territorit: Si do të veprojmë me ndërtimet tek Tiranë – Durrës

0
159

Gëzim Saliu

Anulimet e ndërtimeve në Tiranë, ministrja Gjermeni: Do të ndalohen ndërtimet informale në kurorën e gjelbër të kryeqytetit

 

tre ministratKëshilli Kombëtar i Territorit miratoi dje nismën e qeverisë për hartimin e Planit Kombëtar të Territorit, i cili do të anulojë çdo plan dhe leje ndërtimi që bie në kundërshtim me ligjin dhe hapësirat urbane e rurale. Tre ministrat e qeverisë, Eglantina Gjermeni si ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Mirela Kumbaro si ministre e Kulturës dhe Lefter Koka si ministër i Mjedisit, bënë të ditur dje vendimin e marrë nga KKT-ja, duke nënvizuar rëndësinë e dhënies fund të informalitetit. “Vendimi i parë i KKT-së është miratimi i nismës për hartimin e Planit Kombëtar të Territorit. Deri tani zonat informale e kanë bërë të domosdoshëm këtë plan. Synohet që në radhë të parë t’i jepet fund informalitetit. Ky proces të jetë gjithëpërfshirës, por plani që të dalë nga procesi, t’u shërbejë qytetarëve”, – u shpreh Gjermeni.

Plani

Një tjetër vendim i rëndësishëm i mbledhjes së djeshme të KKT-së ishte edhe ai që lidhej me ndërtimet në autostradën Tiranë – Durrës, ku ministrja Gjermeni theksoi: “Vendimi i dytë është një plan për zonën ekonomike të zonës Tiranë – Durrës, pasi edhe kjo zonë është prekur nga informaliteti. Duam të jetë një plan që t’i shërbejë kësaj zone dhe gjithë Shqipërisë”. E pyetur nga gazetarët nëse do të ketë prishje ndërtimesh në zonën Tiranë – Durrës, ministrja pohoi: “Do të ketë edhe masa rehabilituese lidhur me ndërtimet që janë pa leje, duke përcaktuar kriteret e qarta në lidhje me rehabilitimin e zonës. Për ndërtimet me leje nuk kemi thënë ndonjëherë që do të prishen”. Ndërkohë, vendimi i tretë i marrë nga Këshilli Kombëtar i Territorit kishte të bënte me kurorën e gjelbër të Tiranës, ku sipas vendimit, do të bllokohen ndërtimet informale në këto zonë. Ndërkaq, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, tha se nuk do të lejohet më asnjë ndërtim në zonat e trashëgimisë që janë nën mbrojtjen e shtetit. Sipas saj, në të gjithë Shqipërinë janë shumë zona të tilla. “Është zgjeruar lista e zonave dhe objekteve që ruhen nga shteti. Do të bëhet edhe një herë lista e objekteve të ruajtura në të gjithë vendim”, – tha Kumbaro. Nga ana e tij, ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ka theksuar rëndësinë e vendimit të marrë për rehabilitimin dhe kthimin në identitet të zonave mjedisore që janë të ruajtura, si parqet kombëtare. Qeveria ka bërë të ditur gjithashtu se pushteti vendor do të jetë aktor kryesor në përgatitjen e planit kombëtar të territorit. “Jo çdo gjë do të nisë nga fillimi, por gjithçka që është bërë deri më tani të jetë pjesë e këtij procesi. Ai i njësive vendore dhe ky kombëtar të jenë pjesë e përbashkët e njëri-tjetrit”, – deklaroi ministrja për Zhvillimin Urban dhe Turizmin Eglantina Gjermeni. Pak ditë më parë, Kryeministri Edi Rama tha se shtëpitë që janë ndërtuar nga ana e banorëve, do të jenë pjesë e procesit të legalizimit, ndërkohë që ato ndërtime që kanë shkelur çdo parametër, do të trajtohen me një tjetër ligj. “Lirimi i brezave mbrojtës të rrugëve kombëtare, por edhe i gjithë trasesë së hekurudhës Tiranë – Durrës, ku po ndodhin gjëra të paimagjinueshme, sipas parashikimit të Kodit Rrugor të legjislacionit përkatës, si dhe garantimi i brezave të rezervuar për këto dy kategori të rrjetit të transportit kombëtar, janë objektiv yni”, – pohoi kreu i qeverisë.

 

Administrata publike/ Qeveria “liron” 150 vende tek Tatimet: Konkurset për punë nisin javës tjetër

Ministrja për Administratën, Harito: Të dhënat online për punësim po shndërrohen në një bazë shtetërore të dhënash nëpërmjet Shërbimit Kombëtar të Punësimit

 

Qeveria deklaron se konkurset për punësim në administratën publike do të nisin javën tjetër. Ministrja për Inovacionin e Administratën, Milena Harito, deklaroi dje se emërimet e reja do të bazohen në një proces me rregulla të përcaktuara dhe se përzgjedhjet do të varen vetëm nga merita e kandidatëve. Duke theksuar se aktualisht administrata ka domosdoshmërinë e një reforme, Harito nënvizoi se të gjithë personat e aftë do të kenë mundësi të provohen për t’u bërë pjesë e administratës shtetërore. “Më të talentuarit, më profesionistët, më të aftët, që janë nëpërkëmbur gjithë këto vite nga militantizmi absurd që mbolli Partia Demokratike në administratën publike, do të kenë mundësinë të provohen për të qenë pjesë e administratës, në këtë periudhë të veçantë të historisë, ku ne duhet të provojmë edhe përpara Bashkimit Evropian që administrata publike bazohet, për ne, tek merita. Që këtë javë kemi filluar konkurset e para në pozicione që nuk janë pjesë e shërbimit civil sipas ligjit aktual, por që do të jenë pjesë e shërbimit civil sipas ligjit të ri. Në javën e ardhshme do të fillojmë gradualisht konkurset për këto vende pune, për të cilat sërish do të bëhen njoftimet e drejtpërdrejta edhe nëpërmjet bazës së CV online”, – pohoi ministrja.

Konkursi

Duke bërë të ditur se që nga kjo javë kanë nisur konkurset e para për punësim në administratën publike, ministrja Harito pohoi se ky akt tregon se qeveria po funksionin në këtë proces sipas frymës së ligjit të ri dhe konsensusit të përbashkët. “Vullneti ynë është pikërisht që të mbështetemi në vijën logjike të ligjit të ri “Për nëpunësin civil”, sa herë që kjo është e mundshme, deri në shtrirjen e plotë të efekteve të tij, në prill të vitit 2014. Kandidatët kanë nisur të lajmërohen nëpërmjet faqeve zyrtare të institucioneve, por edhe nëpërmjet bazës së të dhënave online, e cila po shndërrohet në një bazë shtetërore të dhënash nëpërmjet Shërbimit Kombëtar të Punësimit. Mbi 100 kandidatura janë përgjigjur vetëm për 4 vende pune”, – tha ajo. Nga ana tjetër, ministrja për Administratën Publike pohoi se nga situata e shqyrtuar në administratën tatimore rezulton, sipas Haritos, se 150 vende, në të gjithë Shqipërinë, nuk është respektuar asnjë procedurë ligjore për shërbimin civil në këtë administratë. “Në javën e ardhshme do të fillojmë gradualisht konkurset për këto vende pune, për të cilat sërish do të bëhen njoftimet e drejtpërdrejta edhe nëpërmjet bazës së CV online. Është shumë e rëndësishme të kuptohet që institucionet e administratës fiskale janë jetike për financat e vendit. Qëllimi ynë është t’i japim fund historisë 20-vjeçare, ku profesioni i inspektorit tatimor në imagjinatën popullore e kishte humbur krejtësisht kuptimin fillestar, për t’u shndërruar në një gjobëvënës të paligjshëm të bizneseve për përfitime personale, që shkonin në të gjithë zinxhirin administrativ”, – deklaroi ministrja.

 

Eurodeputetja

Doris Pack: Qeveria të tregohet e matur me administratën, jo shkarkime masive nga puna

Qeveria shqiptare duhet të tregojë një qëndrim demokratik kundrejt personave që kanë punuar për ekzekutivin e shkuar. Kështu u shpreh dje eurodeputetja Doris Pack, duke theksuar se shkarkimet masive në administratë do të kenë ndikim negativ. “Qeveria duhet të tregohet demokrate dhe mos të pushojë profesionistët që kanë punuar për qeverinë e mëparshme, pasi jo të gjithë janë militant. Ata janë trajnuar dhe janë të kualifikuar për punën që bëjnë. Qeveria duhet të përfitojë nga cilësitë e tyre dhe jo ti pushojë ata”, – tha Pack për “ABC News”. Ndërkohë lidhur me rekomandimin e KE-së për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë, eurodeputetja theksoi se ende nuk ka siguri për këtë çështje. “Duhet të luftohet korrupsioni dhe krimi. Nuk ndihmon shumë nëse njëra palë akuzon tjetrën për korrupsion. Korrupsioni duhet luftuar konkretisht së bashku nga qeveria dhe opozita. Nëse imazhi i Shqipërisë do të ndryshojë në disa muaj, atëherë Këshilli i ministrave mund ta pranojë rekomandimin për statusin. Aktualisht s’jam e sigurt që statusi mund te fitohet në fund të vitit. Kjo do bëhet e mundur vetëm dhe vetëm nëse qeveria bën përpjekjet që i kërkohen”, – deklaroi deputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pack.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency