Konflikti për zonat e mbledhjes së gështenjave, vritet 60-vjeçari

0
162

 

Ngjarja, në mëngjesin e djeshëm në Tropojë. Sali Çelaj shpallet në kërkim nga policia

policiNjë 60-vjeçar është vrarë në fshatin Hoxhaj. Vrasja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm dhe megjithëse viktima Rexhep Hoxha u dërgua në spital për të marrë mjekimin e duhur nuk ka mundur të mbijetojë. Sipas policisë lokale, dyshohet se krimi ka ndodhur pas një konflikti për pronën dhe i dyshuar si autor është identifikuar Sali Çelaj, 77 vjeç, nga fshati Kovaç. Për ngjarjen është ngritur një grup hetimor, ndërsa policia po punon për kapjen e autorit, i cili mendohet se është strehuar në malet e zonës. Nga hetimet e kryera është mësuar se shkak i kësaj vrasjeje është bërë një konflikt për ndarjen e zonave të mbledhjes së gështenjave, skemë shumë e ngjashme me atë të ndodhur pak ditë më parë në Durrës, ku dy familje u konfliktuan për bohçet e pishave, e për pasojë një person u vra dhe tre të tjerë u plagosën. Burimet policore të Bajram Currit bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur në fshatin Hoxhaj të rrethit të Tropojës dhe uniformat blu janë vënë në dijeni, pasi një person i plagosur rëndë me armë zjarri ka mbërritur në spital.

Denoncimi nga mjekët

Mjekët e spitalit të Bajram Currit thanë se rreth orës 08:10 është dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore Rexhep Hoxha, i cili kishte disa plagë me armë zjarri. Sipas burimeve spitalore, pavarësisht se është tentuar t’i jepet ndihma e parë, 60-vjeçari ka ndërruar jetë brenda pak minutash, ndërkohë që, nga ana tjetër, ishin njoftuar shërbimet e policisë. Grupi hetimor ka mbërritur menjëherë në spital, ku ka kontaktuar me familjarë dhe të afërm të viktimës dhe më pas janë nisur drejt fshatit Hoxhaj, për të bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe për të kryer veprimet e tjera procedurale. Nga informacionet që ka mbledhur policia, ka rezultuar se autori i dyshuar i këtij krimi është një banor i zonës, i identifikuar si Sali Çelaj, 77 vjeç. Menjëherë pas mbledhjes së informacioneve, policia tha se ka shkuar në banesën e të identifikuarit, por nuk e ka gjetur aty. Pas një kontrolli të ushtruar, policia ka shoqëruar disa të afërm të tij, në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen, ndërkohë që më vonë ka rrethuar të gjithë zonën për të mos lejuar që Çelaj të largohet nga Tropoja.

Hetimet policore

Gjithashtu, grupi hetimor ka marrë në pyetje banorë të ndryshëm në lidhje me motivin dhe zhvillimin e këtij krimi të rëndë, ku paraprakisht mendohet se gjithçka ka nisur pas një konflikti të çastit për gështenjat. Sipas të dhënave, dy familjet, ajo e viktimës dhe e autorit, kishin ndarë tokat ku mblidhnin gështenja. Dy kryefamiljarët, dje në mëngjes, janë përplasur për këtë ndarje pronash, kështu që Çelaj ka qëlluar Hoxhën me një armë zjarri, që mendohet se është pushkë, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Vetëm pak ditë më parë, për motive të tilla konflikti, në Durrës u vra një i ri, ndërkohë që mbetën të plagosur nëna dhe dy vëllezërit e tij. Policia atë ditë arrestoi dy persona për moskallëzim krimi, ndërkohë që tre autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje të rëndë mbeten ende në kërkim.

 

Ngjarja në paraburgimin e policisë së Beratit

Konflikti brenda në burg, 20-vjeçari i vë flakën qelisë së paraburgimit

Një 20-vjeçar i arrestuar nga policia e Beratit i ka vënë flakën qelisë, në të cilën qëndronte i izoluar prej tri ditësh. Burime nga reparti i paraburgimit në policinë e Beratit bëjnë me dije se Mariglen Sadiku ishte konfliktuar me një të arrestuar tjetër, në kohën e drekës. 20-vjeçari i kishte kërkuar të burgosurit L. B. t’i lante enët, por pas refuzimit të bashkëvuajtësit, Sadiku e ka sharë e ofenduar dhe situata është acaruar së tepërmi. Pas grindjes me fjalë, 20-vjeçari Sadiku ka marrë një tenxhere të kuzhinës dhe e ka qëlluar në gjoks të burgosurin tjetër. Ka qenë ndërhyrja e gardianëve të burgut ajo që ka shuar sherrin mes dy të arrestuarve. Më pas gardianët e kanë dërguar Mariglen Sadikun në një nga dhomat e izolimit, ku do të qëndronte deri ditën e djeshme, në pritje të masës që do të merrte komisioni disiplinor. Por rreth orës 10:00 të paradites së djeshme, ende pa u vendosur masa disiplinore, i paraburgosuri Sadiku, i ka vënë flakën dyshekut në dhomën ku ndodhej i vetëm. Tymi i dalë nga dhoma e izolimit në repartin e paraburgimit, ka alarmuar personelin e repartit, i cili ka ndërhyrë menjëherë duke shuar zjarrin, i cili po përhapej me shpejtësi, dhe gardianët kanë nxjerrë nga qelia 20-vjeçarin. Mariglen Sadiku ndodhet në dhomat e paraburgimit prej tre muajsh, pas kallëzimit penal të një vajze se ai e ngacmonte vazhdimisht, madje i kishte hyrë edhe në banesë. Ndaj 20-vjeçarit rëndojnë akuzat për veprat penale “Përndjekje” dhe “Dhunim banese”.

 

 

Ekstradohet nga Gjermania i kërkuari

 Trafikanti i armëve Besnik Braka ndryshoi emrin për t’iu shmangur drejtësisë

 

Nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, ditën e djeshme u krye ekstradimi nga Mynihu, Gjermani, drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar Besnik Braka, 48 vjeç, i cili kishte ndryshuar emrin në Nik Vojaçek për ti’ shpëtuar kapjes nga drejtësia. Këtë shtetas Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me Vendim të datës 12.1.2009, e ka dënuar me 14 vjet burg, për kryerjen e veprave penale të “Trafikim armësh dhe municionesh”, “Prodhim e shitje narkotikësh”, “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, si dhe “Falsifikimit të dokumenteve”, parashikuar nga nenet 278, 278/a, 283 dhe 186 të Kodit Penal. Në vitin 2003 në kufirin me shtetin grek janë sekuestruar një sasi e madhe fishekësh luftarakë dhe në vitin 2004 është sekuestruar një sasi prej rreth 510 gr heroinë dhe një armë zjarri pistoletë, ku nga hetimet e kryera ka rezultuar se autor ishte i ekstraduari Nik Vojaçek. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Wiesbaden, Gjermani, u bë i mundur arrestimi i tij, me datë 5.9.2013, në Waidhaus, Bavari, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas ky shtetas i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency