Letra e opozitës për mazhorancën Basha, Ramës: Tërheqja nga akti normativ nuk është kusht, por rruga e vetme për zgjidhjen

0
139

Gëzim Saliu

Takimi me aleatët, të djathtët të bashkuar për ligjin e nëpunësit civil: Akti normativ antikushtetues, ligji i miratuar me konsensus duhet ndryshuar me konsensus

 

basha0104Opozita e djathtë i përgjigjet zyrtarisht mazhorancës lidhur me konsensusin e kërkuar për aktin normativ të qeverisë për ligjin e nëpunësit civil. Në një qëndrim të njësuar të bërë publik përmes një letre zyrtare drejtuar mazhorancës qeverisëse, opozita e cilësoi aktin normativ antikushtetues dhe theksoi se e vetmja zgjidhje është tërheqja e mazhorancës qeverisëse nga ky akt dhe nisja e procedurave normale parlamentare në kuadër të konsensusit gjithëpërfshirës. Ky qëndrim u mor pas mbledhjes së zhvilluar në selinë blu mes kreut të PD-së, Lulzim Basha, dhe aleatëve, ku palët bënë të ditur se nëse do të bëhej fjalë për një projektligj, atëherë mund të jepnin sugjerime dhe përmirësime, por në rastin e një akti normativ, nuk mund të gjendet konsensusi, pasi neni 101 i Kushtetutës kërkon ose votimin e aktit, ose rrëzimin e tij.

 

Letra

Në letrën e hapur drejtuar Kryeministrit Rama, kreu i PD-së së, bashku me aleatët e tij, thekson se rruga e vetme për dialogun mes mazhorancës dhe opozitës për ligjin e nëpunësit civil është tërheqja e qeverisë nga akti normativ. “Nëse mazhoranca kërkon me të vërtetë të gjejë rrugën e humbur të dialogut dhe arsyetimit me opozitën, atëherë zgjidhja është e thjeshtë dhe evidente; tërhiqni aktin normativ me të cilin u shkelmua konsensusi e bashkë me të edhe besueshmëria juaj për t’iu përmbajtur angazhimeve tuaja. Ky nuk është kusht. Kjo është rruga e arsyes për të gjetur zgjidhjen së bashku. Për çdo nevojë të përligjur le t’u drejtohemi procedurave normale parlamentare dhe frymës së konsensusit gjithëpërfshirës. Një ligj i miratuar me konsensus mund dhe duhet të ndryshohet vetëm me konsensus. Në këtë frymë opozita është e gatshme të dialogojë dhe të ofrojë konstruktivitetin e saj për këtë çështje dhe për çdo çështje që ka të bëjë me interesat madhore të vendit dhe qytetarëve shqiptarë”, – thuhej në letrën zyrtare. Më tej, opozita i përgjigjet edhe deklaratës së shprehur nëpërmjet letrës dy ditë më parë nga Kryeministri Rama, sipas së cilës, të djathtët nuk kanë dhënë asnjë alternativë tjetër që e zgjidh më mirë problemin e krijuar nga mungesa e akteve nënligjore. “Natyrisht që s’kishit si ta dëgjonit, pasi nismën e ndërmorët njëanshmërisht e në fshehtësi të plotë nga sytë e publikut e të opozitës. Nëse do të donit të dëgjonit zgjidhjet alternative nga opozita, do të duhej që, në momentin më të parë, të shtronit çështjet konkrete që ju preokuponin dhe të kërkonit mirëkuptim e bashkëpunim për të gjetur zgjidhjen e arsyeshme dhe konsensuale. Nëse do të kishit vepruar kështu, ne do të kishim dhënë të gjithë mirëkuptimin tonë si dhe do të ofronim të gjitha kapacitetet teknike të opozitës për të trajtuar e zgjidhur çështjet – ato të qenësishme e jo të sajuara – për zbatimin e ligjit të ri”, – nënvizohet në letrën e opozitës. Ndërkohë, PD dhe aleatët e saj pohuan gjithashtu në letrën e tyre drejtuar Kryeministrit Rama se në lidhje me aktin normativ, opozita ka folur fare qartë, pasi, sipas tyre, ai është antikushtetues. “Ky akt normativ është edhe antikonsensual vetiu. Vetë natyra e aktit normativ përjashton edhe dialogun e jo më konsensusin. Siç përcakton neni 101 i Kushtetutës, akti normativ nuk mund të ndryshohet nga Kuvendi. Ai ose miratohet, ose rrëzohet. Ndaj, ndryshe nga rasti i një projektligji që mund të ndreqet përmes procesit parlamentar, kjo është e pamundur me aktin normativ”.

 

 

Takimi 1-orësh

PD dhe aleatët, qëndrim të bashkuar. Mediu: S’mund ta pranojmë aktin antikushtetues

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mblodhi dje paradite në selinë blu aleatët e tij, ku temë e diskutimit ka qenë ligji për statusin e nëpunësit civil, ligj për të cilin kreu i mazhorancës ftoi opozitën që ta diskutojnë me qëllim përmirësimin e tij para futjes në zbatim. Të pranishëm në takimin 1-orësh kanë qenë Fatmir Mediu i PR, Shpëtim Idrizi i PDIU dhe Dashamir Shehi, ndërsa mungoi kreu i PDK-së Nard Ndoka. Në përfundim të takimit me kreun e PD-së, ku aleatët ndanë me forcën kryesore opozitare të njëjtin qëndrim lidhur me aktin normativ të qeverisë, ishte kreu i PR, Fatmir Mediu, ai që bëri publik vendimet e marra. Mediu vlerësoi se akti normativ për statusin e nëpunësit civil është antikushtetues dhe si të tilla, opozita e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Kreu i PR-së theksoi se qëndrimi i aleatëve opozitarë do të jetë i njësuar. “Akti normativ është antikushtetues e ne s’mund ta pranojmë atë. S’ka njeri që të dalë mbi autoritetin e një konsensusi. Ne kemi diskutuar sot mbi bazën e një letre; ka një reflektim me shkrim nga ana jonë dhe do shikojmë hapat e mëtejshëm edhe në bashkëpunim me ndërkombëtarët”, – theksoi Mediu.

 

Letra, Rama, opozitës: Gati të takohemi, por pa kushte. Basha: Tërhiqu nga akti normativ

Kryeministrit i vendit, Edi Rama, iu drejtua dy ditë më parë përmes një letre të hapur opozitës së djathtë, duke i ftuar krerët e saj për bisedime, në mënyrë që të gjejnë një zgjidhje të përbashkët për aktin normativ të qeverisë për ligjin e nëpunësit civil. Duke i qëndruar sërish bindjes se ligji është i pazbatueshëm, Rama nënvizon se ndërsa mazhoranca ka zgjedhur rrugën e aktit normativ si më të përshtatshmen, nga opozita ende nuk ka asnjë alternativë që zgjidh këtë problem. “Shumica parlamentare dhe qeveria e Republikës së Shqipërisë kanë vetëm një synim: ta bëjnë të zbatueshëm ligjin në fjalë që jo vetëm sipas nesh, por edhe sipas asistencës teknike evropiane, është i pazbatueshëm në mungesë të akteve nënligjore të domosdoshme. Ne kemi zgjedhur rrugën e aktit normativ, si atë më të përshtatshmen. Nga e zgjidh më mirë problemin e krijuar nga mungesa e akteve nënligjore ana Juaj, s’kemi arritur të dëgjojmë ende asnjë alternativë tjetër që, por jemi të hapur t’Ju dëgjojmë deri në fund për një zgjidhje përtej konsensusit kushtetues”, – shkruante Rama. I menjëhershëm ishte reagimi i kryetarit të PD-së Lulzim Basha, i cili tha se opozita nuk do të pranojë të bëjë konsensus në kurriz të konsensuseve që prishen. Sipas Bashës, opozita është gati për takim me mazhorancën por me kusht që nga Kuvendi të tërhiqet akti normativ dhe të futet në zbatim ligji i nëpunësit civil. “Përgjigja e vetme e e opozitës së unifikuar është: tërhiq aktin normativ dhe opozita është, ka qenë dhe do të jetë e gatshme të dialogojë për interesat e vendit”, – tha Basha. Në seancën e kaluar plenare të Kuvendit u shty votimi i aktit normativ, i cili shfuqizon me 6 muaj hyrjen në fuqi të ligjit për nëpunësin civil. Kryeministri Edi Rama tha se votimi i aktit normativ u shty për të kërkuar konsensusin e opozitës dhe shtyrja ishte bërë me kërkesë të kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta. Ndërkohë opozita ashtu sikundër kishte paralajmëruar e bojkotoi seancën, duke theksuar se mazhoranca prishi konsensusin politik me aktin normativ të qeverisë për ligjin e nëpunësit civil.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency