Ankimohet vendimi për 21 Janarin, rekursi dorëzohet në Gjykatën e Lartë

0
164

Sonja Caka

Prokuroria kërkon ndryshimin e vendimit të Apelit dhe lënien në fuqi të masave të dënimit 25 dhe 13 vjet për Ndrea Prendin dhe Agim Llupon

 

ankimProkuroria ka ankimuar vendimin e Apelit për “21 Janarin”, e cila dënoi vetëm me 4 vjet burg dy të pandehurit Ndrea Prendi dhe Agim Llupo. Rekursi është dorëzuar pasditen e djeshme në Gjykatën e Lartë nga dy prokurorët që ndoqën në Apel çështjen, Shkëlqim Hajdari dhe Altin Dumani. Sipas rekursit, prokuroria kërkon prishjen e vendimeve të dënimit të Ndrea Prendit me 1 vit burg dhe për Agim Llupon i dënuar me 3 vjet heqje lirie. Sipas akuzës, vendimi i Gjykatës së Apelit është i padrejtë, i paargumentuar dhe në kundërshtim me provat që janë siguruar. Sipas akuzës, Gjykata e Lartë, duhet ta dënojë Ndrea Prendin me 23 vjet burg ndërsa Agim Llupon me 25 vjet burg për veprat penale të “Vrasjes me dashje të më shumë se një personi”. Afro 20 ditë më parë, trupa gjykuese e Apelit dënoi me 1 vit burg gjeneralin e Gardës Prendi dhe 3 vjet burg gardistin Llupo, me argumentin se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia, ndërsa ngelën pa autor vrasjet e dy protestuesve të tjerë. Sipas treshes gjykuese të kryesuar nga Ervin Metalla, me anëtarë Agim Bendo dhe Evjeni Sinojmeri, ish-kryegardisti Prendi, ndodhej në kushtet e tronditjes, në kohën kur ndodhi vrasja, ndaj për këtë fakt është toleruar në caktimin e masës së dënimit. Ndërkohë që, për ish-majorin Llupo, i cili u dënua me tri vite burg për vrasjen e demonstruesit Ziver Veizi, gjykata mban një tjetër qëndrim kur shprehet: “Nuk konstatohet e njëjta situatë tek rasti i të pandehurit Agim Llupo”. Gjykata e Apelit vlerëson se vendimi i gjykatës së shkallës së parë është jo plotësisht i bazuar në prova e në ligj dhe, për këtë arsye, ka vend që ai të ndryshohet, në kuptim të nenit 428/b të Kodit të Procedurës Penale. Në bazë të këtij ndryshimi, gjykata deklaroi fajtor të pandehurin Ndrea Prendi, për kryerjen e veprës penale të “Vrasja nga pakujdesia”, me pasojë vdekjen e shtetasit Faik Myrtaj, duke e dënuar atë me 1 vit burg, si dhe dhe deklarimin fajtor të pandehurit, Agim Llupo, për kryerjen e veprës penale të “Vrasja nga pakujdesia”, me pasojë vdekjen e shtetasit Ziver Veizi, duke e dënuar me 3 vjet burg.

 

Vlorë

Digjen dy makina të rektorit Qarri, dyshohen të qëllimta

Rektorit të Universitetit të Vlorës “Ismail Qemali” , Albert Qarri, i janë djegur në orët e para të mëngjesit të djeshëm të dyja automjetet që përdorte. Burime policore bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:45, pranë banesës së tij, kur fqinjët kanë lajmëruar rektorin Qarri se të dy automjetet e tij kishin marrë flakë, përkatësisht makina personale dhe makina e Universitetit. Denoncimin në polici për këtë ngjarje e ka bërë vetë rektori Qarri. Policia dhe Prokuroria e Vlorës kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorëve. Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe vetë rektori Qarri, i cili e konsideroi një akt të shëmtuar veprimin, djegien e makinave, ndërsa shtoi: “Vlora më njeh se çfarë njeriu jam”. Lidhur me shkaqet që mund të kenë çuar autorët në kryerjen e një veprimi të tillë, rektori Qarri iu përgjigj interesimit të mediave duke u shprehur: “Nuk jap dot asnjë argument, asnjë arsye, sepse e di se si e kam bërë detyrën, e di se çfarë pozicioni kam në qytet, nuk kam pasur asnjë rast ku të jem ndjerë i kërcënuar, apo në presion”. Gjithashtu, Qarri theksoi se ndodhet në pozicionin e rektorit prej 2 vjet e gjysmë, i zgjedhur me votëbesim unanim nga i gjithë stafi akademik. Ky është rasti i parë, ku një rektori i djegin dy automjete. Tri ditë më parë, po në Vlorë u dogj një makinë e një efektivi të policisë. Ndërkohë që, para disa muajsh u dogj edhe makina e kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. Deri më tani, ende nuk ka asnjë të arrestuar për këto ngjarje. “Ky është një akt i shëmtuar dhe ka shkaktuar një tronditje në familjen tonë. Nuk ia kam idenë se çfarë mund të jetë”, – tha Qarri. Qarri thotë se ka shpresë se prokuroria do të zbardhë ngjarjen. “Kam komunikuar me ministrin e Rendit, Tahiri. Ai është treguar i gatshëm. Unë do të vijoj punën normale. Këtë pjesë do ta zgjidhë policia dhe prokuroria”, – thotë ai.

 

Reagimi

I dha leje Kasandër Nogës, shkarkohet drejtori i Burgut Rrogozhinë

Ministri i Drejtësisë shkarkoi dje nga detyra drejtorin e Burgut të Rrogozhinës, z. Rezart Tusha dhe mjekun e burgut, z. Alban Haxhi. Arsyeja e këtij reagimi ka qenë pasi dy ditë më parë, në Burgun e Rrogozhinës është dhënë një leje e veçantë për të dënuarin Kasandër Noga, një leje e paligjshme, në kundërshtim me ligjin dhe rregulloren e përgjithshme të burgjeve. Për këtë shkak, janë liruar nga detyra drejtori i Burgut të Rrogozhinës, z. Rezart Tusha dhe mjeku i burgut, z. Alban Haxhi, si dhe kanë filluar veprimet procedurale hetimore. Shtetasi Kasandër Noga, i datëlindjes 1977, është dënuar me 25 vjet heqje lirie për veprën penale të vrasjes në bashkëpunim në tri raste, nga të cilat i kanë mbetur edhe 15 vjet, 3 muaj dhe 27 ditë për të kryer dënimin. Nga kryerja e veprimeve paraprake hetimore, ka rezultuar se ka shkelje në dhënien e kësaj leje, si dhe nuk janë respektuar kërkesat ligjore. i dënuari ka kërkuar leje për të takuar nënën e tij, me pretendimin se ajo ishte e sëmurë, por nga verifikimi i epikrizës së gjendjes shëndetësore të nënës së të dënuarit rezulton se dokumenti është fals. Kjo, pasi një nga mjekët e komisionit të aprovimit të epikrizës gjendet aktualisht jashtë shtetit. Sa më sipër, Ministria e Drejtësisë ngriti një grup hetimor dhe një grup inspektimi të veçantë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, kryesuar nga drejtori Artur Zoto, të cilët konkluduan paligjshmërinë në dhënien e lejes së veçantë dhënë të dënuarit K. Noga. Gjithashtu, u bë referimi i veprës penale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit të Kavajës për ish-drejtorin Tusha dhe mjekun Haxhi, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, të parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal. Referimi i veprës penale për veprën e falsifikimit të dokumenteve u bë edhe për familjarin e të dënuarit Noga, i cili ka dorëzuar epikrizën e rreme në këtë institucion. Vazhdon puna për sqarimin e rrethanave në të cilat është dhënë epikriza nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency