Ndarja e posteve/ Rama përcakton skemën e bashkëqeverisjes. Aleatët e PS-së: Nuk kemi komunikim

0
143

Gëzim Saliu

Petro Koçi: Duhet që Kryeministri të paraqesë skemën se si aleatët do të bashkëqeverisin

 

edi-rama-2Kryeministri Edi Rama ka përcaktuar skemën që do të zbatohet për konkretizimin përfundimtar të marrëveshjes parazgjedhore, mes Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj. Pas thuajse tre muaj nga përfundimi i zgjedhjeve parlamentare dhe dy javëve të marrjes së drejtimit të vendit, kreu i qeverisë ka përmbyllur edhe projektin që do tu bëhet i ditur aleatëve të koalicionit lidhur me ndarjen e posteve. Në një kontakt me koordinatorin e koalicionit të majtë Gjet Ndoi, Rama është vënë në dijeni për propozimet kryesore të aleatëve, duke përcaktuar gjithashtu edhe një takim përfundimtar me ta për të vendosur pikat mbi i në lidhje me ndarjen e posteve në nivel qendror e lokal. Mësohet se Rama ka bërë të ditur se marrëveshja parazgjedhore e PS-së me të gjithë partitë e koalicionit do të zbatohet në mënyrë të përpiktë. Sipas marrëveshjes, partitë që marrin 500 deri 1000 vota në nivel qarku dhe 5000 deri 10.000 vota në nivel kombëtar do të përfshihen në bashkëqeverisje. Ndërsa forcat politike që kanë marrë mbi 10.000 vota në zgjedhje do të përfitojnë bashkëqeverisje të shtrirë në nivel lokal dhe qendror.

 

Aleatët

Ndërkohë, aleatët e Partisë Socialiste shprehin rezerva lidhur me mënyrën se si forca më e madhe e koalicionit fitues të zgjedhjeve të 23 qershorit po sillet me ta sa i përket ndarjes së përgjegjësive qeverisëse në nivel të dytë dhe të tretë. Kreu i PSV91 Petro Koçi deklaroi dje se PS duhet të vendosë më shumë komunikim me partitë aleate, pasi sipas tij deri më tani ky komunikim ka munguar. “Aleatët e vegjël po heshtin sepse aktualisht nuk ka zhvillime. Nuk besoj se është çështje emërimesh. Mendoj se duhet të ketë më shumë komunikim. Ky komunikim ka munguar, ndoshta me aleatët dhe pjesën tjetër, sesa një përfaqësim angazhues në nivelin administrativ e politik të shtetit. Këtu duhet të ketë zhvillime”, – tha ai në një intervistë për rubrikën “Opinion” në “News 24”. Ndërkohë i pyetur nëse aleatët e vegjël i kanë bërë ndonjë kërkesë zyrtare PS-së, Koçi tha se më e udhës do të ishte që vetë Kryeministri Rama t’i thërrasë ata për t’i bërë publike projektin e tij të bashkëqeverisjes. “Jo nuk ka asnjë zhvillim dhe ne nuk kemi bërë ndonjë kërkesë specifike sepse është e udhës që vetë Kryeministri të paraqesë ndonjë projekt apo skemë sesi përfshihen aleatët me vlerat e tyre në bashkëqeverisjen politike”. Në takimin që pritet të zhvillohet mes Kryeministrit Rama dhe aleatëve të koalicionit të majtë, këta të fundit në varësi të votave që kanë marrë do të paraqesin kërkesat e tyre për poste e zv.ministrave si edhe në nivele të dyta dhe të treta në pushtetin qendror dhe në atë lokal. Deri më tani, ashtu si në përbërjen e kabinetit qeveritar, është aleati kryesor i PS-së, Lëvizja Socialiste për Integrim e cila ka arritur të sigurojë 6 poste zv.ministrash në kabinetin qeveritar. Ndërkohë nga 35 partitë e tjera të koalicionit qeverisës, vetëm 7 prej tyre do të marrin poste zv.ministri. Kështu Gjergji Koja, kreu i Partisë Socialiste të Moderuar pritet të zërë postin e zv.ministrit të Shëndetësisë e ndërsa Petro Koci pritet të marrë postin e zv.ministrit të Mbrojtjes. PSD-ja e Skënder Gjinushit dhe PDS-ja e Paskal Milos pritet gjithashtu të përfaqësohen në qeverinë “Rama” me poste zv.ministri/e. Po ashtu edhe Partia Kristian-Demokrate e Mark Frrokut, PBDNJ-ja e Vangjel Dules dhe Aleanca Popullore e Artur Dojakës do të përfaqësohen me një post zv.ministri. Në bazë të marrëveshjes paraelektorale mes PS-së dhe aleatëve, secila parti që do të arrinte të merrte më shumë se 6 mijë vota kishte të drejtë të kërkonte postin e zv.ministrit.

 

Postet që marrin aleatët në nivel qendror e lokal

PBDNJ ka marrë 14690 vota – do të përfitojë 6 drejtorë rajonalë. Në Vlorë dhe Gjirokastër ku ka edhe numrin më të lartë të votave, PBDNJ ka kërkuar edhe postin e prefektit( Për shkak të mos përfshirjes në qeveri edhe pse kishte arritur të merrte një mandat deputeti, pritet që PBDNJ të marrë një ose dy poste më shumë në nivel qendror e lokal)

PDS ka marrë 11889 vota – do të përfitojë 5 drejtorë rajonalë . Ndërsa në Shkodër, Korçë dhe Vlorë, ku PDS ka marrë më shumë se 2 mijë vota, do të marrë drejtor qendror si edhe një post prefekti.

PSD ka marrë 10194 – do të përfitojë 5 drejtorë rajonalë. Në qarkun e Fierit dhe Tiranës Partia e Gjinushit kërkon drejtor qendror apo postin e prefektit.

Aleanca Popullore ka marrë 8929 vota – do të përfitojë 4 drejtorë rajonalë. Në Fier dhe Elbasan, ku ka edhe numrin më të lartë të votave, partia e drejtuar nga Dojaka kërkon drejtor qendror apo postin e prefektit.

PKDSH ka marrë 7993 vota – do të përfitojë 2 drejtorë rajonalë. Në qarkun e Shkodrës, partia e Frrokut kërkon një drejtor qendror (Për shkak të mos përfshirjes në qeveri edhe pse kishte arritur të merrte një mandat deputeti, pritet që PKDSH të marrë një ose dy poste më shumë në nivel qendror e lokal).

PSV ’91 ka marrë 6135 vota – do të përfitojë 2 drejtorë rajonalë. Në qarkun e Fierit kërkon një drejtor qendror.

 

Marrëveshja paraelektorale PS me aleatët

Bashkëqeverisje – Partitë që marrin 500 deri 1000 vota në nivel qarku 5000 deri 10.000 vota në nivel kombëtar

Bashkëqeverisje të shtrirë në nivel lokal dhe qendror – Partitë që marrin mbi 10.000 vota

Portofol ministror – Kur një parti politike e koalicionit, drejtpërsëdrejti, ka fituar një mandat në zgjedhje.

 

 

Moro dhe Bushati

Administrata “bojkoton” seminarin për frankofoninë. Ministri i Jashtëm: Dua raport

Ministria e Jashtme, në bashkëpunim edhe me Ambasadën Franceze ka zhvilluar dje një seminar për frankofoninë dhe teknikat e negocimit evropian. Ndërsa pritej që të ishte një takim me fokus bashkëpunimin mes qeverisë shqiptare dhe asaj franceze, ajo që ra në sy ishte bojkotimi që pjesa më e madhe e administratës i bëri aktivitetit. Ky bojkot tregoi qartazi pakënaqësinë e administratës ndaj ministrit Bushati, i cili nuk nguroi të kërkonte raport për këtë sjellje. “Nuk mund ta fsheh faktin që unë prisja sot që të kishim një sallë shumë më shumë të mbushur, për vetë rëndësinë që i japim procesit të reformës në administratën publike dhe për mbështetjen që partnerët e rëndësishëm evropianë apo amerikanë dhe në rastin konkret Franca i japin procesit të reformimit të administratës publike në Shqipëri. Sikundër i kërkoj zonjës Domi, të cilën e falënderoj dhe e mbështes publikisht për gjithë përpjekjet që ka bërë, që krahas buzëqeshjeve që më vijnë nga salla, të kemi dhe një raport të detajuar për secilin pjesëmarrës në seminar. Sepse besojmë që është shumë i rëndësishëm që çdo qindarkë që hedhin taksapaguesit evropianë të shkojë aty ku duhet për një administratë publike, e cila jo vetëm njeh teknikat e negocimit, por di në radhë të parë se si ti shërbejë qytetarëve dhe di se si ti shërbejë interesave të vendit të vet”, – deklaroi Bushati. Nga ana e saj, ambasadorja franceze Moro tha se bashkëpunimi mes dy qeverive është shumë i mirë. Ndërkohë nuk mungoi as një batutë e saj për mungesën e administratës së Ministrisë së Jashtme në seminar. “Mjaft vende të BE-së janë anëtare të organizatës ndërkombëtare të frankofonisë dhe nuk është një rastësi që vendet e reja anëtare që kanë aderuar në Bashkimin Evropian në vitet 2000 janë ose anëtarë ose vëzhgues të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë. Ky seminar formues bashkon në veten e tij si gjuhën, ashtu edhe përmbajtjen. Juve në të njëjtën kohë do të përmirësoni si gjuhën frënge, nëpërmjet ushtrimeve praktike, por po ashtu edhe aftësitë tuaja profesionale për sa u përket teknikave të negocimit dhe çështjeve të Bashkimit Evropian. Jam e kënaqur që shoh që pjesëmarrësit janë të shumtë, dhe jam gjithashtu e kënaqur që konstatoj që vijnë nga ministri të ndryshme shqiptare”, – deklaroi ambasadorja Moro.

 

 

Zv.kryeministri Peleshi: Do të rishikohen koncesionet, shfuqizim vendimeve të qeverisë

Zv.kryeminsitri i vendit Niko Peleshi deklaroi dje se do të rishikohen të gjitha koncesionet që nëpërkëmbin interesin publik të shqiptarëve. “Pa cenuar marrëdhënien e besimin e investitorëve vendas do të rishikojmë të gjithë kontratat që nëpërkëmbin interesin publik të shqiptarëve. Qeveria do të japë një frymë të re bashkëpunimit me biznesin, do të tregojmë integritet në raport me biznesin për të gjithë çështjet që e shqetësojnë. Do inkurajojmë biznesin e huaj e vendas për të shfrytëzuar potencialet që ofron Shqipëria. Vendi ka potencial shumë të madh tek biznesi privat për të ndihmuar projektin tonë madhor”, – tha zv.kryeministri pas një takimi që zhvilloi me ambasadorin e Izraelit. Më tej ai shtoi se qeveria Rama do të vazhdojë t’i qëndrojë linjës për të shfuqizuar çdo vendim që dëmton interesin e shqiptarëve. “Do t’i qëndrojmë linjës sonë për të shfuqizuar vendimet që dëmtojnë në themel interesin e qytetarëve. Do të jemi të hapur dhe inkurajues për të krijuar procedua që do të afrojnë biznesin vendas dhe të huaj drejt ekonomisë shqiptare. Kemi interes të inkurajojmë besimin e institucioneve publike te ndërkombëtarët por dhe tek qytetarët e thjeshtë”. Ndërkohë lidhur me ligjin e nëpunësit civil, Peleshi tha se qeveria nuk shfuqizoi vendimin por mori kohën e duhur për të plotësuar aktet nënligjore të cilat ishin detyrë e qeverisë Berisha. “Më vjen keq që opozita vazhdon sjelljen e vet të kundërshtimit. Akti normativ s’kishte të bënte fare me shfuqizimin e ligjit. Ne e kemi votuar. Vendimi i qeverisë nuk ka të bëjë me amendim të ligjit apo shtyrjen e ligjit por për të shtyrë kohë për të plotësuar të gjitha aktet nënligjore që ta bëjnë efektiv. Me projektligjin që u miratua në qeveri i dhamë mundësinë vetes të bënim atë që kishte për detyrë të bënte qeveria e kaluar, por fokusi i saj nuk ka qenë te përmbushja e detyrimeve por vendimeve që ishin në dëm të vendit”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency