Prishen kontratat me privatët te Ushtaraku. Po Spitali Amerikan a do të largohet?

0
135

Ministri i ri i Ekonomisë, i vendosur për të liruar hapësirat publike

Pak ditë më parë u anuluan kontratat te QSUT-ja dhe në QS

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka urdhëruar ditën e djeshme anulimin e të gjitha kontratave të lidhura me subjektet private që janë vendosur në territorin e Spitalit Ushtarak. Anulimi i kontratave me privatët do të rihapë hapësirat që prej vitesh kontrollohen nga bizneset të caktuara. Por prishja e kontratave me të gjitha subjektet private do të thotë dhe prishje e kontratës me Spitalin Amerikan, që ka zënë pjesën më të madhe të territoreve pranë Spitalit Ushtarak. “Ministri Ahmetaj ka urdhëruar të anulohen të gjitha kontratat e qirasë të lidhura mes subjekteve të treta për përdorimin e pasurisë shtetërore”, – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Duke mos bërë përjashtim, ministri i ri i Ekonomisë është i vendosur të lirojë ambientet e zëna nga subjektet private në çdo spital. Kjo do të thotë që Spitali Amerikan duhet të përgatitet për largim nga ambientet e Spitalit të Traumës. “Ky urdhër i ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes është dhënë me qëllim për implementimin e projekteve të përmirësimit të shërbimit spitalor. Drejtoria e Spitalit Universitar të Traumës është vënë në dijeni për njoftimin dhe marrjen e të gjitha masave për organizimin dhe lirimin e menjëhershëm të ambienteve shtetërore në administrim të saj”, – përmendet në njoftim.

Çfarë pritet të ndodhë?

Burime pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik theksuan se vendimi nuk bën përjashtime dhe se të gjitha subjektet private do të largohen. Me konfirmimin e këtij fakti, Spitali Amerikan nuk do të ketë më vend te Ushtaraku, ku prej vitesh kontrollon pjesën më të mirë të territorit. Vendimi i ministrit Ahmetaj është një risi në vendin tonë, pasi asnjë ministër apo drejtues i Ministrisë së Ekonomisë nuk ka guxuar të prishë kontratat me subjektet private. Pak ditë më parë, ministri për Zhvillimin Ekonomik, Tregtinë dhe Sipërmarrjen anuloi kontratat edhe me subjektet private në QSUT si dhe në Qytetin Studenti. Prej vitesh biznese private fitonin duke përdorur ambiente që ishin të destinuara për pacientë, mjekë apo infermierë. Ndërsa në Qytetin Studenti nuk kishte më hapësira të gjera publike për studentët, për arsye se lokalet janë zgjeruar masivisht.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency