Rama: Ka edhe më keq se Kryeministria, 30 fotot e Ministrisë së Brendshme

0
122

Gëzim Saliu

Kadilli: Fatkeqësi që tenderi i parë të jetë për zyra, mjerim që aksioni i parë politik të jetë rikonstruksion godine

 

994627_10151690678246523_899527165_nAkuzat dhe replikat e forta në distancë mes mazhorancës dhe opozitës për gjendjen e marrjes në dorëzim të institucioneve shtetërore thellohen edhe më shumë. Pas fotove për Kryeministrinë, kreu i mazhorancës qeverisëse, Edi Rama, ka postuar dje në një postim në rrjetin social Facebook një set të ri fotosh për mjediset e Ministrisë së Brendshme. Sipas tij, gjendja e kësaj ndërtese është shumë herë më e mjerueshme se ajo e Kryeministrisë. “Ka edhe ende më keq se ç’është katandisur Kryeministria, mjaft të shohësh për shembull mjediset e ministrisë që supozohet të jetë shëmbëlltyra e rregullit, disiplinës, pastërtisë”, – shkruante Rama.

Fatbardh Kadilli

Ndaj publikimit të fotove të radhës së Kryeministrit Rama ka reaguar dje ish-deputeti i PD-së, Fatbardh Kadilli, i cili ka theksuar se restaurimi i ndërtesave nuk përbën vendimin më të rëndësishëm të qeverisë së majtë. “Pas publikimit te fotove nga bodrumet, depot apo dhe disa prej mjediseve jo ne përdorim ose të amortizuara të Kryeministrisë nën titullin ‘Shteti siç e lanë ata’ (d.m.th. PD), radha i erdhi Ministrisë se Brendshme me foto të ngjashme. Kur shoh se me çfarë e ushqejnë publikun, më forcohet bindja se Rama dhe ministrat nuk po dinë nga t’ua fillojnë punëve të shtetit dhe po bëjnë gjënë e parë që bën çdo njeri që nuk ka asnjë plan në kokë, fillon me godinën, zyrat, vetratat. Natyrisht që do ketë nga ata që do ngazëllehen me restaurimet e zyrave. Që zyrat të kenë hir dhe dinjitet është shumë mirë, por restaurimi i godinës nuk është vendimi më i rëndësishëm i një qeveritari”, – shkruante Kadilli në rrjetin social. Më tej ai theksoi se rikonstruksionet e zyrave kushtojnë dhe kjo, sipas Kadillit, hedh poshtë deklaratën e Ramës se restaurimi i zyrës se tij do kushtojë më pak se mirëmbajtja e zyrës qe i la ish-kryeministri Berisha. “Pra, sipas tij, do kushtojë më pak se ajo pjesë e pagës që merr pastruesja për kohën që shpenzonte me këtë zyrë. Është fatkeqësi që tenderi i parë të jetë për zyra. Është mjerim që aksioni i parë politik të jetë rikonstruksion godine”, – pohoi ish-deputeti demokrat. Publikimi i një seti fotosh nga kreu i ekzekutivit Rama për ndërtesën e Kryeministrisë, e cila, sipas tij, ishte lënë në gjendje të mjerueshme nga paraardhësi i tij Berisha, ka sjellë nisjen e një debati politik mes palëve. Prej më shumë se 5 ditësh mazhoranca dhe opozita janë përballur mes tyre me akuza dhe kundër akuza në distancë lidhur me gjendjen e institucioneve shtetërore. Një ditë pas publikimit të fotove, reagoi edhe ish-kryeministri Berisha, duke akuzuar kreun e mazhorancës qeverisëse për një akt urrejtjeje ndaj demokratëve. Ndaj deklaratave të Berishës nuk mungoi reagimi i Kryeministri Rama, i cili postoi tri ditë më parë një set të ri me 32 fotografi. Kreu i ekzekutivit akuzoi Berishën se nuk ka pasur sy për të parë rrënimin, megjithëse ka jetuar çdo ditë në pisllëkun e ndërtesës së qeverisë.

Berisha: Po rindërtohen zyra pa prokurime

Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, deklaroi dje se qeveria e re po rindërton zyrat pa prokurime. Në postimin e tij në rrjetin social Facebook, duke komentuar edhe vizitën e Kryeministrit Edi Rama në SHBA, Berisha pohoi se kjo praktikë që po ndiqet në rikonstruksionin e ndërtesave institucionale dëshmon vjedhje, ndërsa deklaratat për kulla nga Nju Jorku, sipas tij, dëshmojnë shpërdorim. “Të dashur miq, Edvin Kristaq Rama nisi Rilindjen në Tiranë me rindërtimin e zyrave të tij dhe e vazhdoi me promovimin në Nju Jork të kullës që ka me Fidel Yllin. Pra, zyrat e Kryeministrisë dhe kulla e tij me Fidelin ishin dy çështjet më të rëndësishme të javës së parë të axhendës së Ramës brenda dhe jashtë vendit. Kryeministri dhe ministrat, kur është e nevojshme, bëjnë investime në mjediset e punës, por kur i shkatërrojnë vetë zyrat për t’i rindërtuar pa prokurime dëshmojnë se duan thjesht të mbushin xhepat. Kryeministri dhe qeveritaret e një vendi mund të promovojnë në botë prodhime, potenciale, arritje të vendit tyre, kjo është normale dhe e dobishme. Por kur bëjnë atë që bëri piktori dështak, që në një muze të Nju Jorkut mbajti fjalim për kullën që ka me ortakun e tij, miliarderin e PS-së, Fidel Ylli, kjo është shpërdorim i hapur i pushtetit dhe parave të taksapaguesve shqiptarë për fitime personale. Kjo është rilindje, por më së pari për vete dhe Fidelin!! Ju të tjerët prisni, se ky është vetëm fillimi!”, – shkruante Berisha në Facebook.

 

 

Beteja e fotove

Tabaku i përgjigjet Ramës: Ja si na e le Tiranën dhe si e ndryshuam ne

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, është përfshirë dje në debatin mes mazhorancës dhe opozitës për gjendjen e ndërtesave të institucioneve. Në përgjigje të fotove të publikuara nga Kryeministri Rama, deputetja e selisë blu ka publikuar dje në rrjetin social një set me 7 fotografi ku tregon dallimin mes asaj se si ishte kryeqyteti në kohën e drejtimit të bashkisë nga kryesocialisti dhe si është ndryshuar ai me ardhjen e Lulzim Bashës. “Nuk kam dashur te përfshihem ne diskutimet e fundit dhe te tregoja e nxirrja foto se si e gjetëm të bastisur Bashkinë e Tiranës, as se si i refuzuam ofertat e çdo televizioni për të xhiruar ambientet e brendshme të bashkisë, por dua vetëm të ndaj me ju atë që me të vërtetë ishte fytyra publike e qytetit, dy prej shesheve kryesore të tij! Si e gjetëm sheshin “Skënderbej” dhe sheshin mbas Pallatit të Kulturës dhe si u shndërruan në vetëm 6 muaj! Këtë presim edhe nga qeveria e re, jo fasada, jo zyra, jo veprime, por aksione! Të bëjnë atë për të cilën u votuan dhe të fillojnë të mbajnë premtimet!”, – shkruante Tabaku në rrjetin social Facebook.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency